Print Page Options
Previous Prev Day Next DayNext

Book of Common Prayer

Daily Old and New Testament readings based on the Book of Common Prayer.
Duration: 861 days
Albanian Bible (ALB)
Version
Psalmet 24

24 Zotit i përket toka dhe të gjitha gjërat që janë mbi të, bota dhe banorët e saj.

Sepse ai e ka themeluar mbi detet dhe e ka vendosur mbi lumenjtë.

Kush do t’i ngjitet malit të Zotit? Kush do të qëndrojë në vendin e tij të shenjtë?

Njeriu i pafajshëm nga duart dhe i pastër nga zemra, që nuk e ngre shpirtin për t’u dukur dhe nuk betohet në mënyrë të rreme.

Ai do të marrë bekimet e Zotit dhe drejtësinë nga Perëndia e shpëtimit të tij.

I tillë është brezi i atyre që e kërkojnë, që kërkojnë fytyrën tënde, o Perëndi e Jakobit. (Sela)

O ju porta, çoni kokat tuaja; dhe ju, porta të përjetshme, hapuni krejt dhe Mbreti i lavdisë do të hyjë.

Kush është ky Mbret i lavdisë? Éshtë Zoti i fortë dhe i fuqishëm, Zoti i fortë në betejë.

O porta, çoni kokat tuaja; hapuni krejt, o porta të përjetshme, dhe Mbreti i lavdisë do të hyjë.

10 Kush është ky Mbret i lavdisë? Éshtë Zoti i ushtrive; ai është Mbreti i lavdisë. (Sela)

Psalmet 29

29 I jepni Zotit, o bij të të fuqishmëve, i jepni Zotit lavdi dhe forcë.

I jepni Zotit lavdinë që i përket emrit të tij; adhuroni Zotin në shkëlqimin e shenjtërisë së tij.

Zëri i Zotit është mbi ujërat; Perëndia i lavdisë gjëmon; Zoti është mbi ujërat e mëdha.

Zëri i Zotit është i fuqishëm, zëri i Zotit është i madhërishëm.

Zëri i Zotit thyen kedrat; po, Zoti thyen kedrat e Libanit;

i bën të hidhen si një viç, Libanin dhe Sirionin, si një buall i ri.

Zëri i Zotit çan flakët e zjarrit.

Zëri i Zotit e bën shkretëtirën të dridhet; Zoti bën që të dridhet shkretëtira e Kadeshit.

Zëri i Zotit bën që të lindin sutat dhe i lë pyjet pa gjethe; dhe në tempullin e tij çdo gjë thotë: "Lavdi!".

10 Zoti rrinte ulur në fron përmbi përmbytjen; po, Zoti rri ulur si mbret në përjetësi.

11 Zoti do t’i japë forcë popullit të tij; Zoti do të bekojë popullin e tij me paqe.

Psalmet 8

Sa i mrekullueshëm është emri yt mbi gjithë rruzullin, o Zot, Zoti ynë, që vure madhështinë tënde mbi qiejtë!

Nga goja e të vegjëlve dhe foshnjave në gji ke vendosur lëvdimin për shkak të armiqve të tu, për t’i mbyllur gojën armikut dhe hakmarrësit.

Kur mendoj qiejtë e tu, që janë vepër e gishtërinjve të tu, hënën dhe yjet që ti ke vendosur,

çfarë është njeriu, që ta mbash mend, dhe biri i njeriut, që ta vizitosh?

Megjithatë ti e bëre pak më të ulët se Perëndia, dhe e kurorëzove me lavdi dhe me nder.

E bëre të mbretërojë mbi veprat e duarve të tua dhe vure çdo gjë nën këmbët e tij!

Dhentë dhe bagëtitë e tjera, madje bishat e egra,

zogjtë e qiellit dhe peshqit e detit, tërë ato që kalojnë nëpër shtigjet e detit.

O Zot, Zoti ynë, sa i mrekullueshëm është emri yt në të gjithë dheun!

Psalmet 84

84 Oh, sa të dashura janë banesat e tua, o Zot i ushtrive!

Shpirti im dëshiron me zjarr dhe shkrihet për oborret e Zotit; zemra ime dhe mishi im i dërgojnë britma gëzimi Perëndisë të gjallë.

Edhe rabecka gjen një shtëpi dhe dallëndyshja një fole, ku të vërë të vegjëlit e saj pranë altarëve të tu, o Zot i ushtrive, Mbreti im dhe Perëndia im.

Lum ata që banojnë në shtëpinë tënde dhe të lëvdojnë vazhdimisht. (Sela)

Lum ata që e vënë forcën e tyre te ti dhe kanë në zemër rrugët e tua!

Kur kalojnë luginën e Bakas, e shndërrojnë atë në një vend burimesh, dhe shiu i parë e mbulon me bekime.

Ata kalojnë nga një forcë te tjetra dhe në fund paraqiten para Perëndisë në Sion.

O Zot, Perëndi i ushtrive, dëgjo lutjen time; vëri veshin, o Perëndi i Jakobit. (Sela)

Shiko, o Perëndi, mburojën tonë, dhe shiko fytyrën e të vajosurit tënd.

10 Po, një ditë në oborret e tua vlen më tepër se një mijë gjetiu; mua më pëlqen më tepër të qëndroj në pragun e shtëpisë së Perëndisë tim, se sa të banoj në çadrat e të pabesëve.

11 Sepse Zoti Perëndi është diell dhe mburojë; Zoti do të japë hir dhe lavdi; ai nuk u refuzon asnjë të mirë atyre që ecin drejt.

12 O Zot i ushtrive, lum njeriu që ka besim te ti!

Zanafilla 18:16-33

16 Pastaj ata njerëz u ngritën së andejmi dhe kthyen shikimin e tyre në drejtim të Sodomës; dhe Abrahami ecte bashkë me ta për tu ndarë prej tyre.

17 Dhe Zoti tha: "A do t’ia fsheh unë Abrahamit atë që kam për të bërë,

18 mbasi Abrahami duhet të bëhet një komb i madh dhe i fuqishëm dhe tek ai do të bekohen tërë kombet e tokës?.

19 Unë në fakt e kam zgjedhur, me qëllim që të urdhërojë bijtë e tij dhe shtëpinë e tij të ndjekin pas tij rrugën e Zotit, duke zbatuar drejtësinë dhe barazinë, në mënyrë që Zoti të mund të plotësojë premtimet që i ka dhënë Abrahamit".

20 Dhe Zoti tha: "Me qenë se britma që ngrihet nga Sodoma dhe Gomora është e madhe dhe me qenë se mëkati i tyre është shumë i rëndë,

21 unë do të zbres për të parë nëse kanë bërë me të vërtetë simbas britmës që ka arritur tek unë, në rast të kundërt, do ta mësoj".

22 Pastaj këta njerëz u larguan së andejmi dhe shkuan në drejtim të Sodomës, por Abrahami mbeti ende para Zotit.

23 Atëherë Abrahami iu afrua dhe i tha: "Do të zhdukësh të drejtin së bashku me të paudhin?

24 Le ta zëmë se ka pesëdhjetë të drejtë në qytet, ti do ta shkatërroje vendin dhe nuk do t’i falje për hir të pesëdhjetë njerëzve të drejtë që banojnë në mes të saj?

25 Mos e bëj këtë gjë, të shkaktosh vdekjen e të drejtit bashkë me atë të të paudhit, kështu që i drejti të trajtohet si i paudhi. Larg teje një mendim i tillë! Gjykatësi i tërë tokës a nuk ka për të bërë drejtësi?".

26 Zoti tha: "Në rast se gjej në qytetin e Sodomës pesëdhjetë njerëz të drejtë, unë do ta fal tërë vendin për hir të tyre".

27 Atëherë Abrahami rifilloi dhe tha: "Ja, marr guximin t’i flas Zotit, megjithëse unë nuk jam veçse pluhur dhe hi.

28 Ta zëmë se atyre pesëdhjetë të drejtëve u mungojnë pesë, a do ta shkatërroje tërë qytetin për pesë veta më pak?". Zoti u përgjigj: "Po të gjej dyzet e pesë, nuk do ta shkatërroj".

29 Abrahami vazhdoi t’i flasë dhe tha: "Ta zëmë se në qytet ndodhen dyzet?". Zoti u përgjigj: "Nuk do ta bëj për hir të dyzetëve".

30 Atëherë Abrahami i tha: "Oh, të mos zemërohet Zoti, dhe unë do të flas. Po sikur në qytet të ketë tridhjetë prej tyre?". Zoti u përgjigj: "Nuk do ta bëj, po të gjej tridhjetë".

31 Dhe Abrahami i tha: "Ja, marr guximin t’i flas Zotit. Ta zëmë se në qytet gjenden njëzet?". Zoti iu përgjigj: "Nuk do ta shkatërroj për hir të të njëzetëve".

32 Dhe Abrahami i tha: "Oh, të mos zemërohet Zoti dhe unë do të flas edhe vetëm këtë herë. Sikur në qytet të ketë dhjetë prej tyre?". Zoti u përgjegj: Nuk do ta shkatërroj për hir të të dhjetëvee".

33 Sa mbaroi së foluri me Abrahamin, Zoti u largua. Dhe Abrahami u kthye në banesën e tij.

Galatasve 5:13-25

13 Sepse ju, o vëllezër, u thirrët në liri; por mos e përdorni këtë liri si një rast për mishin, por, me dashuri t’i shërbeni njëri-tjetrit.

14 Sepse gjithë ligji përmblidhet në këtë fjalë, të vetme: “Duaje të afërmin tënd porsi vetveten!.”

15 Sepse nëse ju kafshoni dhe hani njëri-tjetrin, ruhuni mos prisheni njëri nga tjetri.

16 Dhe unë them: Ecni sipas Frymës dhe nuk do ta përmbushni dëshirat e mishit,

17 sepse mishi ka dëshira kundër Frymës, dhe Fryma ka dëshira kundër mishit; dhe këto janë të kundërta me njëra-tjetrën, që ju të mos bëni ato që dëshironi.

18 Por në qoftë se udhëhiqeni nga Fryma, ju nuk jeni nën ligj.

19 Dhe veprat e mishit janë të zbuluar dhe janë: kurorëshkelja, kurvëria, ndyrësia, shthurja,

20 idhujtaria, magjia, armiqësimi, grindjet, xhelozitë, mëritë, zënkat, përçarjet, tarafet,

21 smira, vrasjet, të dehurit, grykësia dhe gjëra të ngjashme me këto, për të cilat po ju paralajmëroj, si kurse ju thashë edhe më parë, se ata që i bëjnë këto gjëra nuk do të trashëgojnë mbretërinë e Perëndisë.

22 Por fryti i Frymës është: dashuria, gëzimi, paqja, durimi, mirëdashja, mirësia, besimi, zemërbutësia, vetëkontrolli.

23 Kundër këtyre gjërave nuk ka ligj.

24 Edhe ata që janë të Krishtit e kanë kryqëzuar mishin bashkë me pasionet dhe lakmitë të tij.

25 Në qoftë se rrojmë në Frymë, në Frymë edhe duhet të ecim.

Marku 8:22-30

22 Pastaj arriti në Betsaida; dhe i prunë një të verbër e iu lutën ta prekte.

23 Atëherë e mori për dore të verbërin, e nxori jashtë fshatit dhe, pasi i pështyu në sy dhe vuri duart mbi të, e pyeti nëse shihte gjë.

24 Dhe ai, duke hapur sytë, tha: “Po shoh njerëz si pemë që ecin.”

25 Atëherë Jezusi i vuri përsëri duart mbi sytë dhe e bëri të shikojë lart; dhe atij iu kthye të parit dhe shikonte qartë gjithçka.

26 Dhe Jezusi e nisi të shkojë në shtëpinë e tij duke i thënë: “Mos hyr në fshat dhe mos ia trego askujt në fshat.”

27 Pastaj Jezusi shkoi bashkë me dishepujt e vet ndër fshatrat e Cesaresë së Filipit; dhe gjatë rrugës i pyeti dishepujt e vet duke u thënë atyre: “Kush thonë njerëzit se jam unë?.”

28 Ata u përgjigjën: “Disa Gjon Pagëzori, të tjerë Elia, dhe të tjerë një nga profetët.”

29 Dhe ai u tha atyre: “Po ju, kush thoni se jam?.” Dhe Pjetri, duke iu përgjigjur i tha: “Ti je Krishti.”

30 Atëherë ai i urdhëroi rreptësisht që të mos i tregojnë askujt për të.