Book of Common Prayer
66 Lëshoni klithma gëzimi Perëndisë, ju të gjithë banorë të tokës;
2 i këndoni himne lavdisë së emrit të tij; bëjeni zulmëmadh lëvdimin e tij.
3 I thoni Perëndisë: "Sa të tmerrshme janë veprat e tua! Për shkak të madhështisë së fuqisë sate armiqtë e tu do të të nënshtrohen ty.
4 Tërë toka do të të adhurojë dhe do të këndojë për ty, do të këndojë lëvdimet e emrit tënd. (Sela)
5 Ejani dhe admironi atë që Perëndia ka bërë; ai është i tmerrshëm në veprat tij për bijtë e njerëzve.
6 Ai e ndryshoi detin në tokë të thatë; populli i tij e kaloi lumin me këmbë të thata; le të gëzohemi, pra, bashkë me të.
7 Me fuqinë e tij ai mbretëron në përjetësi; sytë e tij këqyrin kombet. Mos lejoni që rebelët të ngrenë krye. (Sela)
8 Ju o popuj, bekoni Perëndinë tonë; dhe shpallni me zë të lartë lëvdimin e tij.
9 Ai na mban gjallë dhe nuk lejon që këmbët tona të pengohen.
10 Sepse ti na ke vënë në provë, o Perëndi, na ke pastruar ashtu si pastrohet argjendi.
11 Na ke bërë të biem në rrjetë, ke vënë një barrë të rëndë mbi kurrizet tona.
12 Ke bërë që njerëzit të ecin me kalë mbi kokën tonë; kemi kaluar nëpër zjarr dhe nëpër ujë, por ti na ke nxjerrë jashtë në një vend të freskët.
13 Unë do të hyj në shtëpinë tënde me olokauste; do të plotësoj zotimet e mia,
14 që buzët e mia kanë formuluar dhe që goja ime ka shqiptuar kur kaloja fatkeqësi.
15 Do të të ofroj olokauste kafshësh të majme, me erën e këndshme të deshve; do të flijoj qe dhe cjep. (Sela)
16 Ejani dhe dëgjoni, ju të gjithë që i trëmbeni Perëndisë, dhe unë do t’ju tregoj atë që ai bëri për shpirtin tim.
17 I thirra atij me gojën time dhe e përlëvdova me gjuhën time.
18 Po të kisha ruajtur të keqen në zemrën time, Zoti nuk do të më kishte dëgjuar.
19 Por Perëndia më dëgjoi dhe i kushtoi kujdes zërit të lutjes sime.
20 Qoftë i bekuar Perëndia, që nuk e hodhi poshtë lutjen time dhe nuk më mohoi mirësinë e tij.
67 Perëndia pastë mëshirë për ne dhe na bekoftë; Perëndia e bëftë fytyrën e tij të shkëlqejë mbi ne, (Sela)
2 me qëllim që mbi tokë të njihet rruga jote dhe shpëtimi yt midis gjithë kombeve.
3 Popujt do të të kremtojnë, o Perëndi, të gjithë popujt do të të kremtojnë.
4 Kombet do të gëzohen dhe do të ngazëllojnë, sepse ti do t’i gjykosh drejt popujt dhe do t’i udhëheqësh kombet mbi tokë. (Sela)
5 Le të të lëvdojnë popujt, o Perëndi, le të të lëvdojnë tërë popujt.
6 Toka do të prodhojë frytin e vet; Perëndia, Perëndia ynë, do të na bekojë.
7 Perëndia do të na bekojë dhe tërë skajet e tokës do ta kenë frikë.
145 Unë do të të përlëvdoj, o Perëndia im dhe Mbreti im, dhe do të bekoj emrin tënd përjetë.
2 Do të të bekoj çdo ditë dhe do të lëvdoj emrin tënd përjetë.
3 Zoti është i madh dhe i denjë për lëvdimin më të lartë dhe madhështia e tij është e panjohshme.
4 Një brez do t’i shpallë lëvdimet e veprave të tua tjetrit dhe do t’i njoftojë mrekullitë e tua.
5 Do të mendohem thellë mbi shkëlqimin e lavdishëm të madhështisë sate dhe mbi veprat e tua të mrekullueshme.
6 Këto do të flasin për fuqinë e veprave të tua të tmerrshme, dhe unë do të tregoj madhështinë tënde.
7 Ata do të shpallin kujtimin e mirësisë sate të madhe dhe do të këndojnë me gëzim drejtësinë tënde.
8 Zoti është i dhemshur dhe mëshirplot, i ngadalshëm në zemërim dhe i madh në mirësi.
9 Zoti është i mirë me të gjithë dhe plot dhemshuri për të gjitha veprat e tij.
10 Tërë veprat e tua do të të kremtojnë, o Zot, dhe shenjtorët e tu do të të bekojnë.
11 Ata do të flasin për lavdinë e mbretërisë sate dhe do të tregojnë për fuqinë tënde,
12 për t’u bërë të njohura bijve të njerëzve mrekullitë e tua dhe shkëlqimin e madhërishëm të mbretërisë sate.
13 Mbretëria jote është një mbretëri përjet dhe sundimi yt vazhdon brez pas brezi.
14 Zoti përkrah tërë ata që rrëzohen dhe ngre përsëri në këmbë tërë ata që janë rrëzuar.
15 Sytë e të gjithëve shikojnë drejt teje duke pritur, dhe ti u jep atyre ushqimin në kohën e duhur.
16 Ti e hap dorën tënde dhe plotëson dëshirën e çdo qënieje të gjallë.
17 Zoti është i drejtë në të gjitha rrugët e tij dhe dashamirës në të gjitha veprat e tij.
18 Zoti është pranë gjithë atyre që kërkojnë, pranë gjithë atyre që e kërkojnë në të vërtetë.
19 Ai kënaq dëshirën e atyre që kanë frikë prej tij, dëgjon britmën dhe i shpëton.
20 Zoti mbron të gjithë ata që e duan dhe do të shkatërrojë të gjithë të pabesët.
21 Goja ime do të tregojë lëvdimin e Zotit, dhe çdo qënie do të bekojë emrin e tij të shenjtë përjetë.
12 Vishuni, pra, si të zgjedhur të Perëndisë, shenjtorë dhe të dashur, me dhembshuri të brendshme, mirësinë, përulësinë, zemërbutësinë dhe me durimin,
13 duke duruar njeri tjetrin dhe duke falur njeri tjetrin, nëqoftëse dikush ankohet kundër një tjetri; dhe sikundër Krishti ju ka falur, ashtu bëni edhe ju.
14 Dhe, përmbi të gjitha këto gjëra, vishni dashurinë, që është lidhja e përsosmërisë.
15 Dhe paqja e Perëndisë, për të cilin ju u thirrët në një trup të vetëm, të mbretërojë në zemrat tuaja; dhe jini mirënjohës!
16 Fjala e Krishtit banoftë në ju me begatinë e vet; në çdo dituri, mësoni dhe këshilloni njeri tjetrin me psalme, himne dhe këngë frymërore, duke kënduar Zotit me hir në zemrat tuaja!
17 Dhe çdo gjë që të bëni, me fjalë a me vepër, t’i bëni në emër të Zotit Jezus, duke e falënderuar Perëndinë Atë nëpërmjet tij.
41 Judenjtë, pra, murmurisnin për të, sepse kishte thënë: “Unë jam buka që zbriti nga qielli,”
42 dhe thoshnin: “Vallë, a nuk është ky Jezusi, biri i Jozefit, të cilit ia njohim babanë dhe nënën? Si thotë, pra, ky: "Unë zbrita nga qielli"?.”
43 Atëherë Jezusi u përgjigj dhe u tha atyre: “Mos murmurisni midis jush.
44 Askush nuk mund të vijë tek unë, po qe se Ati që më ka dërguar nuk e tërheq dhe unë do ta ringjall atë në ditën e fundit.
45 Në profetët është shkruar: "Të gjithë do të jenë të mësuar nga Perëndia". Çdo njeri, pra, që ka dëgjuar dhe mësuar nga Ati, vjen tek unë.
46 Jo s’e ka parë ndonjë Atin, përveç atij që është nga Perëndia; ky e ka parë Atin.
47 Në të vërtetë, në të vërtetë po ju them: Kush beson në mua ka jetë të përjetshme.