Print Page Options
Previous Prev Day Next DayNext

Book of Common Prayer

Daily Old and New Testament readings based on the Book of Common Prayer.
Duration: 861 days
Albanian Bible (ALB)
Version
Psalmet 40

40 Unë kam pritur me ngulm dhe me durim Zotin, dhe ai u përkul mbi mua dhe dëgjoi britmën time.

Më nxorri jashtë një grope shkatërrimi, nga balta e moçalit, i vendosi këmbët e mia mbi një shkëmb dhe i ka bërë të qëndrueshme hapat e mia.

Ai vuri në gojën time një kantik të ri për të lëvduar Perëndinë tonë; shumë njerëz kanë për ta parë këtë, do të dridhen dhe do t’i besojnë Zotit.

Lum ai njeri që i beson Zotit dhe nuk u drejtohet krenarëve dhe as atyre që marrin rrugë të keqe duke u dhënë pas gënjeshtrës.

O Zot, Perëndia im, të shumta janë mrekullitë që ke bërë, dhe askush nuk mund të numërojë gjërat që ke menduar për ne. Po të duhej t’i shpallja dhe t’i tregoja, do të ishin tepër për t’i radhitur.

Ti nuk kënaqesh as me flijime as me oferta; më ke shpuar veshët. Ti nuk ke kërkuar as olokauste as flijime për mëkatin.

Atëherë unë thashë: "Ja, po vij. Në rrotullin e librit shkruhet për mua.

Perëndia im, unë gëzohem kur zbatoj vullnetin tënd dhe ligji yt është në zemrën time".

E shpalla drejtësinë tënde në kuvendin e madh; ja, unë nuk i mbaj buzët të mbyllura, o Zot, ti e di këtë.

10 Nuk e kam fshehur drejtësinë tënde në zemrën time; kam shpallur besnikërinë tënde dhe shpëtimin tënd; nuk e kam fshehur mirësinë tënde as të vërtetën tënde para kuvendit të madh.

11 Mos më moho, o Zot, mëshirën zemërbutë; mirësia jote dhe e vërteta jote më mbrofshin gjithnjë.

12 Sepse të këqija të panumërta më rrethojnë; paudhësitë e mia më kanë zënë dhe nuk mund të shikoj; janë më të shumta se flokët e kokës sime, dhe zemra po më ligështohet.

13 Prano, o Zot, të më çlirosh. O Zot, nxito të më ndihmosh.

14 U turpërofshin dhe u pështjellofshin ata që duan të shkatërrojnë jetën time. Rënçin poshtë të mbuluar nga turpi ata që gëzohen me fatkeqësitë e mia.

15 U trëmbshin për turp të tyre ata që më thonë: "Ah, ah…!".

16 U gëzofshin dhe ngazëllofshin te ti të gjithë ata që të kërkojnë, ata që duan shpëtimin tënd thënçin: "Lëvduar qoftë Zoti".

17 Sa për mua, unë jam i varfër dhe nevojtar, por Zoti kujdeset për mua. Ti je mbështetja ime dhe çlirimtari im; Perëndia im, mos u vono.

Psalmet 54

54 O Perëndia im, më shpëto me emrin tënd dhe siguromë drejtësi me fuqinë tënde.

O Perëndia im, dëgjo lutjen time dhe vëru veshin fjalëve të gojës sime.

Sepse disa të huaj janë ngritur kundër meje dhe njerëz të furishëm kërkojnë jetën time, njerëz që nuk e kanë Perëndinë para syve të tyre. (Sela)

Ja, Perëndia është ndihma ime, Zoti e përkrah jetën time.

Ai do t’i ndëshkojë armiqtë e mi për të keqen që më kanë bërë; në besnikërinë tënde shkatërroji.

Me gjithë zemër do të ofroj flijime; do të kremtoj emrin tënd, o Zot, sepse është i mirë;

sepse më ke çliruar nga çdo ankth, sytë e mi kanë parë mbi armiqtë e mi atë që unë dëshiroja.

Psalmet 51

51 Ki mëshirë për mua, o Perëndi, sipas mirësisë sate; për dhembushurinë e madhe që ke fshiji të ligat që kam bërë.

Më pastro tërësisht nga paudhësia ime dhe më pastro nga mëkati im,

Sepse i pranoj të ligat që kam bërë, dhe mëkati im më rri gjithnjë përpara.

Kam mëkatuar kundër teje, vetëm kundër teje, dhe kam bërë atë që është e keqe për sytë e tu, me qëllim që ti të njihesh i drejtë kur flet dhe i ndershëm kur gjykon.

Ja, unë jam mbruajtur në paudhësi, dhe nëna ime më ka lindur në mëkat.

Por ty të pëlqen e vërteta që qëndron në thelb, dhe më mëson diturinë në sekretin e zemrës.

Më pastro me hisop dhe do të jem i pastruar; më laj dhe do të jem më i bardhë se bora.

Bëj që të ndjej gëzim dhe ngazëllim; bëj që kockat që ke thyer të kremtojnë edhe ato.

Fshih fytyrën tënde nga mëkatet e mia dhe fshi të tëra paudhësitë e mia.

10 O Perëndi, krijo tek unë një zemër të pastër dhe përtëri tek unë një frymë të patundur.

11 Mos më largo nga prania jote dhe mos më hiq Frymën tënde të shenjtë.

12 Kthemë gëzimin e shpëtimit dhe përkahmë me frymë dashamirës.

13 Atëherë do t’u mësoj rrugët e tua shkelësve dhe mëkatarët do të kthehen drejt teje.

14 Çliromë nga gjaku i derdhur, o Perëndi, Perëndi i shpëtimit tim, dhe gjuha ime do të kremtojë tërë gaz drejtësinë tënde.

15 O Zot, hap buzët e mia, dhe goja ime do të shpallë lëvdimin tënd.

16 Ti në fakt nuk ndjen ndonjë kënaqësi në flijim, përndryshe do ta ofroja, nuk të pëlqen as olokausti.

17 Flijimet e Perëndisë janë frymë e thyer; o Perëndi, ti nuk e përçmon zemrën e thyer dhe të penduar.

18 Bëj të mirën Sionit për dashamirësinë tënde, ndërto muret e Jeruzalemit.

19 Atëherë do të gëzohesh në flijimet e drejtësisë, në olokaustet dhe në ofertat që digjen tërësisht; atëherë do të ofrohen dema të rinj mbi altarin tënd.

Jozueu 9:22-10:15

22 Pastaj Jozueu i thirri dhe foli me ta, duke thënë: "Pse na gënjyet duke thënë: "Ne banojmë shumë larg nga ju, kurse ju banoni në mes nesh?"

23 Prandaj tani jeni të mallkuar, dhe do të jeni gjithnjë skllevër, druvarë o bartës të ujit për shtëpinë e Perëndisë tim".

24 Atëherë ata iu përgjigjën Jozueut dhe thanë: "Shërbëtorëve të tu u qe thënë qartë që Perëndia yt, Zoti, kishte urdhëruar shërbëtorin e tij Moisiun t’ju jepte tërë vendin dhe të shfaroste para jush tërë banorët e tij. Prandaj ne na hyri një frikë e madhe për jetën tonë nga shkaku juaj, dhe kemi vepruar në këtë mënyrë.

25 Dhe ja, tani jemi në dorën tënde; bëna atë që të duket e mirë dhe e drejtë".

26 Jozueu i trajtoi, pra, në këtë mënyrë: i liroi nga duart e bijve të Izraelit, me qëllim që këta të mos i vrisnin;

27 por po atë ditë i caktoi që të jenë druvarë dhe bartës të ujit për asamblenë dhe për altarin e Zotit, në vendin që ai do të zgjidhte deri në ditën e sotme.

10 Kur Adoni-Tsedek, mbret i Jeruzalemit, mësoi që Jozueu kishte pushtuar Ain dhe kishte vendosur shfarosjen e tij, dhe kishte bërë në Ai dhe kundër mbretit të tij po atë që kishte bërë në Jeriko kundër mbretit të tij, dhe që banorët e Gabaonit kishin bërë paqe me Izraelitët dhe jetonin në mes tyre,

u frikësua shumë, sepse Gabaoni ishte një qytet i madh, si një qytet mbretëror dhe ishte më i madh se Ai; tërë banorët e tij ishin trima.

Prandaj Adoni-Tsedek, mbret i Jeruzalemit, dërgoi t’u thotë sa vijon Hohamit, mbretit të Hebronit, Pramit, mbretit të Jarmuthit, Jafias, mbretit të Lakishit dhe Debirit, mbretit të Eglonit:

"Ngjituni tek unë dhe më ndihmoni të sulmoj Gabaonin, sepse ka bërë paqe me Jozueun dhe me bijtë e Izraelit".

Kështu pesë mbretërit e Amorejve, mbreti i Jeruzalemit, mbreti i Herbonit, mbreti i Jarmuthit, mbreti i Lakishit dhe mbreti i Eglonit, u mblodhën, u ngjitën me të gjithë ushtritë e tyre, ngritën kampin e tyre përballë Gabaonit dhe e sulmuan.

Atëherë Gabaonitët i çuan fjalë Jozueut, që ndodhej në kampin e Gilgalit: "Mos u moho ndihmën shërbëtorve të tu; nxito të ngjitesh te ne, na shpëto dhe na ndihmo, sepse të gjithë mbretërit e Amorejve që banojnë në krahinën malore janë mbledhur kundër nesh".

Kështu Jozueu u ngjit në Gilgal, ai vetë me gjithë luftëtarët, të gjithë luftëtarë trima.

Zoti i tha Jozueut: "Mos ki frikë nga ata, sepse i kam lënë në duart e tua; asnjë prej tyre nuk do të jetë në gjendje të të rezistojë".

Kështu Jozueu u lëshua mbi ta papritmas, sepse kishte marshuar tërë natën nga Gilgali.

10 Kështu Zoti i theu para Izraelit, u shkaktoi një disfatë të madhe pranë Gabaonit, i ndoqi nëpër rrugën që ngjitet në Beth-Horon dhe i mundi deri në Azekah dhe Makedah.

11 Ndërsa iknin përpara Izraelit dhe ndodheshin në tatëpjetën e Beth-Horonit, Zoti hodhi kundër tyre nga qielli gurë të mëdhenj deri në Azekah, dhe ata vdiqën; ata që vdiqën nga breshëri i gurëve ishin më shumë se ata që bijtë e Izraelit vranë me shpatë.

12 Ditën që Zoti i dorëzoi Amorejtë në duat e bijve të Izraelit, Jozueu i foli Zotit dhe në prani të Izraelit tha: "O Diell, ndalu mbi Gabaonin, dhe ti, hënë, në luginën e Ajalonit!".

13 Kështu dielli u ndal dhe hëna qëndroi në vend deri sa mbaroi hakmarrja e popullit kundër armiqve të tij. A nuk është shkruar kjo në librin e të Drejtit? Kështu dielli u ndal në mes të qiellit dhe nuk u nxitua të perëndojë pothuajse një ditë të tërë.

14 Dhe nuk pati kurrë, as më parë dhe as më vonë, një ditë si ajo kur Zoti plotësoi dëshirën e zërit të një njeriu, pse Zoti luftoi për Izraelin.

15 Pastaj Jozueu dhe i tërë Izraeli bashkë me të u kthyen në kampin e Gilgalit.

Romakëve 15:14-24

14 Dhe, sa për ju, o vëllezër, më është mbushur mendja për ju, se edhe ju jeni plot mirësi, plot me çdo njohuri, të zotë të këshilloni njëri-tjetrin.

15 Por unë ju shkrova në një farë shkalle më me guxim që t’ju kujtoj për hirin që m’u dha prej Perëndisë,

16 që të jem shërbëtor i Jezu Krishtit pranë johebrenjve, duke punuar në shërbesën e shenjtëruar të ungjillit të Perëndisë, që oferta e johebrenjve të jetë e pëlqyer, dhe e shenjtëruar nga Fryma e Shenjtë.

17 Kam, pra, me se të mburrem në Jezu Krishtin për punët që kanë të bëjnë me Perëndinë.

18 Sepse nuk do të guxoja të flas për ndonjë nga ato gjëra të cilat Krishti nuk i bëri nëpërmjet meje, për t’i sjell në dëgjes johebrenjtë me fjalë dhe me vepër,

19 me fuqi shenjash dhe çudirash, me fuqi të Frymës së Perëndisë; kështu, prej Jeruzalemit e përqark dhe gjer në Iliri, kam kryer shërbimin e ungjillit të Krishtit,

20 duke u përpjekur të ungjillëzoj atje ku nuk ishte i njohur emri i Krishtit, që të mos ndërtoj mbi themelin e tjetërit.

21 Por, sikurse është shkruar: “Ata, ndër të cilët nuk u qe shpallur, do të shohin, dhe ata që nuk kishin dëgjuar për të, do të kuptojnë.”

22 Edhe për këtë arsye u pengova shumë herë të vij tek ju.

23 Por tani, duke mos pasur më fushë veprimi për të ungjillizuar në këto vise, dhe duke pasur prej shumë vjetësh mall të vij tek ju,

24 kur të shkoj në Spanjë, do të vij ndër ju; sepse shpresoj, pra, t’ju shoh dhe të më përcillni deri atje, pasi të kënaqem, sado pak, me ju.

Mateu 27:1-10

27 Kur erdhi mëngjesi, të gjithë krerët e priftërinjve dhe pleqtë e popullit bënin këshill kundër Jezusit për ta vrarë.

Dhe, mbasi e lidhën, e çuan dhe e dorëzuan në duart e Ponc Pilatit, guvernatorit.

Atëherë Juda, që e kishte tradhtuar, kur pa se e dënuan Jezusin, u pendua dhe ua ktheu krerëve të priftërinjve dhe pleqve të tridhjetë siklat prej argjendi,

duke thënë: “Mëkatova duke tradhtuar gjakun e pafaj.” Por ata thanë: “Po ne ç’na duhet? Punë për ty!.”

Dhe ai, mbasi i hodhi siklat prej argjendi në tempull, u largua dhe shkoi e u var në litar.

Por krerët e priftërinjve i mblodhën këta denarë dhe thanë: “Nuk është e ligjshme t’i vëmë në thesarin e tempullit, sepse është çmim gjaku.”

Dhe, mbasi bënin këshill, me këtë denar blenë arën e poçarit për varreza të të huajve.

Prandaj këtë arë e quajtën deri ditën e sotme: "Ara e gjakut".

Atëherë u përmbush ç’ishte thënë nga profeti Jeremia që thotë: “Dhe i morën të tridhjetë monedhat prej argjendi, çmimin e atij që e çmuan, siç kishin çmuar bijtë e Izraelit;

10 dhe i shpenzuan për arën e poçarit, ashtu si më urdhëroi Zoti.”