Print Page Options
Previous Prev Day Next DayNext

Book of Common Prayer

Daily Old and New Testament readings based on the Book of Common Prayer.
Duration: 861 days
Albanian Bible (ALB)
Version
Psalmet 1-4

Lum njeriu që nuk ecën sipas këshillës të të pabesëve, që nuk ndalet në rrugën e mëkatarëve dhe nuk ulet bashkë me tallësit,

por që gjen kënaqësinë e tij në ligjin e Zotit, dhe që mendon thellë ditë e natë mbi ligjin e tij.

Ai do të jetë si një pemë e mbjellë gjatë brigjeve të ujit, që jep frytin e tij në stinën e tij dhe të cilit gjethet nuk i fishken; dhe gjithçka bën do të ketë mbarësi.

Të tillë nuk janë të pabesët; janë si byku që era e shpërndan.

Prandaj të pabesët nuk do të përballojnë gjykimin, as mëkatarët në kuvendin e të drejtëve.

Sepse Zoti njeh rrugët të drejtëve, por rruga e të pabesëve të çon në shkatërrim.

Pse ziejnë kombet dhe pse popujt kurdisin gjëra të kota?

Mbretërit e dheut mblidhen dhe princat këshillohen bashkë kundër Zotit dhe të vajosurit të tij,

duke thënë: "Le t’i këputim prangat e tyre dhe t’i heqim qafe litarët e tyre".

Ai që ulet në qiejtë do të qeshë, Zoti do të tallet me ta.

Atëherë do t’u flasë në zemërimin e tij dhe do t’i trembë në indinjatën e tij të madhe,

dhe do të thotë: "E vendosa mbretin tim mbi Sion, malin tim të shenjtë.

Do të shpallë dekretin e Zotit. Ai më ka thënë: "Ti je biri im, sot më linde.

Më kërko dhe unë do të jap kombet si trashëgimi për ty dhe mbarë dheun si zotërim tëndin.

Ti do t’i copëtosh me një shufër hekuri, do t’i bësh copë-copë si një enë prej argjile"".

10 Tani, pra, o mbretër, tregohuni të urtë; pranoni ndreqjen, o gjyqtarë të dheut.

11 Shërbeni me frikë Zotin dhe gëzohuni me drithma.

12 Nënshtrohuni Birit, që të mos zemërohet dhe të mos vdisni rrugës, sepse zemërimi i tij mund të ndizet në një çast. Lum ata që gjejnë strehë tek ai.

O Zot, sa të shumtë janë armiqtë e mi! Shumë ngrihen kundër meje.

Shumë thonë për mua: "Nuk ka shpëtim për të pranë Perëndisë". (Sela)

Por ti, o Zot, je një mburoje rreth meje; ti je lavdia ime dhe ai më larton kokën.

Me zërin tim i thirra Zotit dhe ai m’u përgjigj nga mali i tij i shenjtë. (Sela)

Unë rashë e fjeta; pastaj u zgjova, sepse Zoti më përkrah.

Unë do të kem frikë nga mizëri njerëzish që kanë fushuar rreth e qark kundër meje.

Çohu, o Zot, më shpëto, o Perëndia im; sepse ti i ke goditur tërë armiqtë e mi në nofull; u ke thyer dhëmbët të pabesëve.

Shpëtimi i përket Zotit, bekimi yt qoftë mbi popullin tënd. (Sela)

Kur thërras, përgjigjmu, o Perëndi i drejtësisë sime; kur isha në fatkeqësi, ti më ke ndihmuar; ki mëshirë për mua dhe plotësoje lutjen time.

Deri kur, o bij të njerëzve, do të fyhet rëndë lavdia ime? Deri kur do të jepeni pas kotësisë dhe do të shkoni pas gënjeshtrës? (Sela)

Por dijeni se Zoti ka zgjedhur një që është i shenjtë; Zoti do të më plotësojë dëshirën kur do t’i thërras atij.

Zemërohuni dhe mos mëkatoni; në shtratin tuaj mendohuni shumë në zemër tuaj dhe qëndroni në heshtje. (Sela)

Ofroni flijime drejtësie dhe kini besim te Zoti.

Shumë thonë: "Kush do të na tregojë të mirën?". O Zot, bëj që të shkëlqejë drita e fytyrës sate mbi ne.

Ti më ke shtënë në zemër më tepër gëzim nga sa ndjejnë ata, kur kanë grurë dhe musht me shumicë.

Në paqe do të bie dhe në paqe do të fle, sepse ti vetëm, o Zot, më mban në siguri.

Psalmet 7

O Zot, Perëndia im, po kërkoj strehim te ti; shpëtomë nga tërë ata që më përndjekin dhe çliromë,

që armiku të mos e shqyejë shpirtin tim si një luan, duke copëtuar pa mundur njeri të më çlirojë.

O Zot, Perëndia im, në rast se e kam bërë këtë, në qoftë se ka ligësi në duart e mia,

në rast se së mirës i jam përgjigjur me të keqen atij që jetonte në paqe me mua, ose në rast se e kam zhveshur armikun tim pa arësye,

le të më përndjekë armiku dhe të më arrijë, le ta marrë nëpër këmbë jetën time dhe ta zvarritë në pluhur lavdinë time. (Sela)

Çohu, o Zot, në zemërimin tënd; çohu kundër tërbimit të armiqve të mi dhe në favorin tim; ti ke vendosur gjykimin.

Kuvendi i popujve do të të rrethojë; kthehu mbi të në një vend të ngritur.

Zoti do të gjykojë popujt; gjykomë, o Zot, sipas drejtësisë sime dhe ndershmërisë sime.

Jepi fund ligësisë së njerëzve të këqij, por vendos njeriun e drejtë, sepse ti je Perëndia i drejtë, që provon zemrat dhe mendjet.

10 Mburoja ime është te Perëndia, që shpëton ata që janë të drejtë nga zemra.

11 Perëndia është një gjykatës i drejtë dhe një Perëndi që zemërohet çdo ditë me keqbërësit.

12 Në qoftë se keqbërësi nuk ndryshon, ai do të mprehë shpatën e tij; e ka shtrirë harkun e tij dhe e ka përgatitur.

13 Ai ka përgatitur kundër tij armë vdekjeprurëse, i mban gati shigjetat e tij të zjarrta.

14 Ja, keqbërësi lind padrejtësinë; ai ka konceptuar ligësinë dhe ka për të pjellë mashtrimin.

15 Ai gërmon një gropë dhe e bën të thellë, por bie vetë në gropën që ka bërë.

16 Ligësia e tij do të kthehet mbi kryet e vet dhe dhuna e tij do të bjerë mbi çafkën e kokës.

17 Unë do ta falenderoj Zotin për drejtësinë e tij, dhe do të këndoj lëvdime në emër të Zotit, Shumë të Lartit.

Numrat 32:1-6

32 Bijtë e Rubenit dhe bijtë e Gadit kishin një sasi jashtëzakonisht të madhe bagëtish; dhe kur panë që vendi i Jazerit dhe vendi i Galaadit ishin një tokë e përshtatshme për të rritur bagëti,

bijtë e Gadit dhe bijtë e Rubenit erdhën për të folur me Moisiun, me priftin Eleazar dhe me prijësit e asamblesë, dhe thanë:

"Atarothi, Diboni, Jaazeri, Nimrahu, Heshboni, Elealehu, Sebami, Nebo dhe Beoni,

vendi që Zoti ka goditur para asamblesë së Izraelit, është një vend i përshtatshëm për të rritur bagëti, dhe shërbëtorët e tu kanë bagëti".

Ata thanë akoma: "Në rast se kemi gjetur hirin tënd, jepua këtë vend shërbëtorëve të tu në pronësi dhe mos na bëj të kalojmë Jordanin".

Por Moisiu iu përgjegj bijve të Gadit dhe bijve të Rubenit: "A duhet të shkojnë në luftë vëllezërit tuaj, ndërsa ju po rrini këtu?

Numrat 32:16-27

16 Atëherë ata iu afruan Moisiut dhe i thanë: "Ne do të ndërtojmë këtu vathë për bagëtinë tonë dhe qytete për të vegjlit tanë;

17 por ne jemi gati të marshojmë me armë në krye të bijve të Izraelit, deri sa t’i çojmë në vendin e tyre; ndërkaq të vegjlit tanë do të banojnë në qytetet e fortifikuara për shkak të banorëve të vendit.

18 Nuk do të kthehemi në shtëpitë tona derisa secili nga bijtë e Izraelit të ketë shtënë në dorë trashëgiminë e tij,

19 sepse nuk do të pranojë asnjë trashëgimi bashkë me ta matanë Jordanit dhe më tutje, sepse trashëgimia jonë na ra nga kjo anë e Jordanit, në drejtim të lindjes".

20 Atëherë Moisiu u tha atyre: "Në rast se bëni këtë, në rast se armatoseni për luftë para Zotit,

21 dhe tërë njerëzit e armatosur kalojnë Jordanin para Zotit, deri sa ai t’i ketë dëbuar armiqtë e tij nga prania e tij

22 dhe toka të jetë nënshtruar para Zotit dhe mbas kësaj ju ktheheni prapa, atëherë nuk do të jeni fajtorë para Zotit dhe para Izraelit, dhe ky vend do të jetë prona juaj para Zotit.

23 Dhe në qoftë se nuk veproni kështu, atëherë do të mëkatoni kundër Zotit; dhe të jeni të sigurtë që mëkati juaj do t’ju gjejë.

24 Ndërtoni qytete për të vegjlit tuaj dhe vathë për kopetë tuaja, dhe bëni atë që goja juaj ka thënë".

25 Dhe bijtë e Gadit dhe bijtë e Rubenit i folën Moisiut duke i thënë: Shërbëtorët e tu do të bëjnë ashtu si urdhëron zotëria im..

26 Të vegjlit tanë, bashkëshortet tona, kopetë tona dhe tërë bagëtia jonë do të mbeten këtu në qytetet e Galaadit;

27 por shërbëtorët e tu, tërë njerëzit e armatosur për luftë, do ta kalojnë Jordanin për të luftuar para Zotit ashtu siç thotë zotëria ime".

Romakëve 8:26-30

26 Kështu, pra, edhe Fryma na ndihmon në dobësitë tona, sepse ne nuk dimë çfarë të kërkojmë në lutjet tona, sikurse duhet; por vetë Fryma ndërhyn për ne me psherëtima të patregueshme.

27 Dhe ai që heton zemrat e di cila është mendja e Frymës, sepse ai ndërhyn për shenjtorët, sipas Perëndisë.

28 Dhe ne e dimë se të gjitha gjëra bashkëveprojnë për të mirë për ata që e duan Perëndinë, për ata që janë të thirrur sipas qëllimit të tij.

29 Sepse ata që ai i ka njohur që më parë, edhe i ka paracaktuar që të jenë të ngjashëm me shëmbëlltyrën e Birit të tij, kështu që ai të jetë i parëlinduri në mes të shumë vëllezërve.

30 Dhe ata që ai i paracaktoi edhe i thirri; dhe ata që i thirri edhe i shfajësoi; dhe ata që i shfajësoi, ata edhe i përlëvdoi.

Mateu 23:1-12

23 Atëherë Jezusi u foli turmave dhe dishepujve të vet,

duke thënë: “Skribët dhe farisenjtë ulen mbi katedrën e Moisiut.

Zbatoni, pra, dhe bëni gjithçka t’ju thonë të zbatoni; por mos bëni si bëjnë ata, sepse thonë, por nuk e bëjnë.

Por lidhin barrë të rënda që barten me vështirësi, dhe ua vënë mbi kurrizin e njerëzve; Por ata nuk duan të luajnë vetë as me gisht.

Por të gjitha veprat e tyre i bëjnë për t’u dukur nga njerëzit; i zgjërojnë filateritë e tyre dhe i zgjatin thekët e rrobave të tyre.

Duan kryet e vendit në gostira dhe vendet e para në sinagoga,

si edhe përshëndetjet në sheshe dhe të quhen rabbi, rabbi nga njerëzit.

Por ju mos lejoni që t’ju quajnë rabbi, sepse vetëm një është mësuesi juaj: Krishti, dhe ju të gjithë jeni vëllezër.

Dhe përmbi tokë mos thirrni askënd atë tuaj, sepse vetëm një është Ati juaj, ai që është në qiej.

10 As mos lejoni që t’ju quajnë udhëheqës, sepse vetëm një është udhëheqësi juaj: Krishti.

11 Dhe më i madhi prej jush le të jetë shërbëtori juaj.

12 Sepse kush do të lartësojë veten, do të poshtërohet; dhe kush do të përulë veten, do të lartësohet.