Print Page Options
Previous Prev Day Next DayNext

Book of Common Prayer

Daily Old and New Testament readings based on the Book of Common Prayer.
Duration: 861 days
Albanian Bible (ALB)
Version
Psalmet 93

93 Zoti mbretëron; ai është veshur me madhështi; Zoti është mbuluar me mantel, është ngjeshur me forca. Po, bota është e qëndrueshme nuk do të tundet kurrë.

Froni yt është nga përjetësia i qëndrueshëm; ti je i tillë nga përjetësia.

Lumenjtë kanë ngritur, o Zot, lumenjtë kanë ngritur zërin e tyre; lumenjtë kanë ngritur valët e tyre plot zhurmë;

por Zoti në vëndet shumë të larta është më i fuqishëm së zërat e ujërave të mëdha, më i fuqishëm se baticat e detit.

Statutet e tua janë jashtëzakonisht të qëndrueshme. Shenjtëria i shkon shtëpisë sate, o Zot, përjetë.

Psalmet 96

96 Këndojini Zotit një këngë të re, këndojini Zotit, o banorë të të gjithë tokës!

Këndojini Zotit, bekoni emin e tij; lajmëroni çdo ditë shpëtimin e tij.

Shpallni lavdinë e tij midis kombeve dhe mekullitë e tij midis tërë popujve.

Sepse Zoti është i madh dhe i denjë për lëvdimin më të lartë; nga ai duhet të kemi frikë përmbi gjithë perënditë e tjera.

Sepse gjithë perënditë e kombeve janë idhuj, por Zoti ka bërë qiejtë.

Shkëlqimi dhe madhështia janë para tij, forca dhe bukuria janë në shenjtëroren e tij.

Jepini Zotit, o familje të popujve, jepini Zotit lavdi dhe forcë.

Jepini Zotit lavdinë që i takon emrit të tij, çojini oferta dhe ejani në oborret e tij.

Bini përmbys përpara Zotit në shkëlqimin e shenjtërisë së tij, dridhuni para tij, o banorë të të gjithë tokës.

10 U thoni gjithë kombeve: "Zoti mbretëron; bota është vendosur mirë dhe nuk do të luajë nga vendi; ai do t’i gjykojë popujt me drejtësi".

11 Le të gëzohen qiejtë dhe të gëzohet toka; le të zhurmojë deti dhe gjithçka gjindet në të.

12 Le të ngazëllohet fusha dhe gjithçka gjindet në të. Atëherë tërë drurët e pyllit do të lëshojnë britma gëzimi përpara Zotit,

13 sepse ai vjen, vjen për të gjykuar tokën. Ai do ta gjykojë botën me drejtësi dhe popujt në besnikërinë e tij.

Psalmet 148

148 Aleluja. Lëvdoni Zotin nga qiejtë, lëvdojeni në vendet shumë të larta.

Lëvdojeni, ju të gjithë engjëjt e tij, lëvdojeni ju mbarë ushtritë e tij.

Lëvdojeni, o diell dhe hënë, lëvdojeni, ju mbarë yje të ndritshme.

Lëvdojeni, ju qiej të qiejve, dhe ju ujëra përmbi qiejtë.

Tërë këto gjëra le të lëvdojnë emrin e Zotit, sepse ai dha urdhër dhe ato u krijuan.

Ai i ka vendosur përjetë, në përjetësi; por ka bërë një statut që nuk do të kalojë kurrë.

Lëvdojeni Zotin nga toka, ju përbindësh të detit dhe mbarë oqeane,

zjarr dhe breshër, borë dhe re, ajër i shtrëngatës që zbaton urdhërat e tij,

mbarë male dhe kodra, mbarë dru frutorë dhe kedra;

10 ju mbarë kafshë të egra dhe shtëpiake, rrëshqanorë dhe zogj me krahë;

11 ju mbretër të dheut dhe mbarë popuj, princa dhe gjyqtarë të tokës;

12 të rinj dhe vajza, pleq dhe fëmijë.

13 Le të lëvdojnë emrin e Zotit, sepse vetëm emri i tij përlëvdohet. Lavdia e tij qëndron përmbi tokën dhe qiejtë.

14 Ai e ka rritur forcën e popullit të tij, një arsye kjo lëvdimi për të gjithë shenjtorët e tij, për bijtë e Izraelit, një popull i afërt për të. Aleluja.

Psalmet 150

150 Aleluja, lëvdoni Perëndinë në shenjtoren e tij, lëvdojeni në kupën qiellore të pushtetit të tij.

Lëvdojeni për mrekullitë e tij, lëvdojeni sipas madhështisë e tij.

Lëvdojeni me tingullin e burive, lëvdojeni me tingullin e harpës dhe me qeste.

Lëvdojeni me dajre dhe me valle, lëvdojeni me vegla me tela dhe me frymë.

Lëvdojeni me cembale tingëlluese, lëvdojeni me cembale kumbuese.

Çdo gjë që merr frymë le të lëvdojë Zotin. Aleluja.

Error: Book name not found: Bar for the version: Albanian Bible
Galatasve 3:15-22

15 O vëllezër, po ju flas në mënyrën e njerëzve: në qoftë se një besëlidhje është aprovuar, edhe pse është besëlidhje njeriu, askush nuk e zhvleftëson as nuk i shton gjë.

16 Dhe premtimet iu bënë Abrahamit dhe pasardhjes së tij. Shkrimi nuk thotë: “Edhe pasardhësve” si të ishin shumë, por të një të vetme: “Dhe pasardhjes sate,” pra Krishti.

17 Dhe unë them këtë: ligji, që erdhi katërqind e tridhjetë vjet më pas, nuk e zhvleftëson besëlidhjen e aprovuar më parë nga ana e Perëndisë në Krishtin, në mënyrë që të prishë premtimin.

18 Sepse, në qoftë se trashëgimi është nga ligji, nuk është më nga premtimi. Por Perëndia ia fali atë Abrahamit me anë të premtimit.

19 Atëherë, pse u dha ligji? Ai u shtua për shkak të shkeljeve, deri sa të vinte pasardhja së cilës i qe bërë premtimi; dhe ky ligj u shpall nëpërmjet engjëjve, me anë të një ndërmjetësi.

20 Dhe ndërmjetësi nuk është ndërmjetës i një ane të vetme, kurse Perëndia është një.

21 A thua atëherë ligji është kundër premtimeve të Perëndisë? Kurrsesi jo! Sepse po të ishte dhënë një ligj që mund të jepte jetë, drejtësia do të ishte me të vërtetë prej ligjit.

22 Por Shkrimi i mbylli të gjitha gjërat nën mëkatin, që t’u jepej besimtarëve premtimi nëpërmjet besimit të Jezu Krishtit.

Luka 1:67-80

67 Dhe Zakaria, ati i tij, u mbush me Frymën e Shenjtë dhe profetizoi, duke thënë:

68 Bekuar qoftë Zoti, Perëndia i Izraelit, sepse e ka vizituar dhe e kreu çlirimin e popullit të vet;

69 dhe na ngriti një shpëtim të pushtetshëm në shtëpinë e Davidit, shërbëtorit të vet,

70 ashtu si ai e kishte deklaruar nëpërmjet gojës së profetëve të tij të shenjtë që nga kohët e lashta, që ne të shpëtojmë

71 prej armiqve tanë dhe prej dorës së gjithë atyre që na urrejnë,

72 për të treguar mëshirë tek etërit tanë e për t’u kujtuar për besëlidhjen e tij të shenjtë,

73 betimin që i bëri Abrahamit, atit tonë,

74 për të na lejuar që, pasi të çlirohemi nga duart e armiqve tanë, të mund t’i shërbejmë pa frikë,

75 në shenjtëri e në drejtësi përpara atij, të gjitha ditët e jetës sonë.

76 Dhe ti, o fëmijë i vogël, do të quhesh profet nga Shumë i Larti, sepse ti do të shkosh përpara fytyrës së Zotit për të përgatitur udhët e tij,

77 për t’i dhënë popullit të tij njohjen e shpëtimit, në faljen e mëkateve të tyre;

78 për hir të thellësisë së mëshirës së Perëndisë sonë, për të cilën agimi nga lart na ka vizituar,

79 për të ndriçuar ata që dergjeshin në errësirë dhe në hijen e vdekjes, për të udhëhequr hapat tona në udhën e paqes.”

80 Ndërkaq fëmija rritej dhe forcohej në frymë: dhe qëndroi në shkretëtirë deri në atë ditë, kur ai duhej t’i zbulohej Izraelit.

Mateu 1:1-17

Libri i gjenealogjisë së Jezu Krishtit, birit të Davidit, birit të Abrahamit.

Abrahamit i lindi Isaku; Isakut i lindi Jakobi; Jakobit i lindi Juda dhe vëllezërit e tij.

Judës i lindi nga Tamara Faresi dhe Zara; Faresit i lindi Esromi; Esromit i lindi Arami;

Aramit i lindi Aminadabi; Aminadabit i lindi Naasoni; Naasonit i lindi Salmoni.

Salmonit i lindi Boozi nga Rahabi; Boozit i lindi Obedi nga Ruthi; Obedit i lindi Jeseu.

Jeseut i lindi Davidi mbret; mbretit David i lindi Salomoni nga ajo që kishte qenë bashkëshortja e Urias.

Salomonit i lindi Roboami; Roboamit i lindi Abia; Abias i lindi Asai.

Asait i lindi Jozafati; Jozafatit i lindi Jorami; Joramit i lindi Ozia.

Ozias i lindi Joatami; Joatamit i lindi Akazi; Akazit i lindi Ezekia.

10 Ezekias i lindi Manaseu; Manaseut i lindi Amoni; Amonit i lindi Josia.

11 Josias i lindi Jekonia dhe vëllezërit e tij në kohën e internimit në Babiloni.

12 Pas internimit në Babiloni Jekonias i lindi Salatieli; Salatielit i lindi Zorobabeli.

13 Zorobabelit i lindi Abiudi; Abiudit i lindi Eliakimi; Eliakimit i lindi Azori.

14 Azorit i lindi Sadoku; Sadokut i lindi Akimi; Akimit i lindi Eliudi.

15 Eliudit i lindi Eleazari, Eleazarit i lindi Matthani, Matthanit i lindi Jakobi.

16 Jakobit i lindi Jozefi, bashkëshorti i Marisë, nga e cila lindi Jezusi, që quhet Krisht.

17 Kështu të gjithë brezat nga Abrahami deri te Davidi bëhen katërmbëdhjetë breza; dhe, nga Davidi deri te internimi në Babiloni, katërmbëdhjetë breza; dhe, nga internimi në Babiloni deri te Krishti, katërmbëdhjetë breza.