Print Page Options
Previous Prev Day Next DayNext

Book of Common Prayer

Daily Old and New Testament readings based on the Book of Common Prayer.
Duration: 861 days
Albanian Bible (ALB)
Version
Psalmet 80

80 Dëgjo, o bari i Izraelit, që udhëheq Jozefin si një kope; ti që rrin mbi Kerubinët, shkëlqe në lavdinë tënde.

Rizgjoje fuqinë tënde përpara Efraimit, Beniaminit dhe Manasit, dhe eja të na çlirosh.

O Perëndi, na përtëri fuqitë, bëje fytyrën tënde të shkëlqejë dhe ne do të shpëtojmë.

O Zot, Perëndi i ushtrive, deri kur do të jesh i zemëruar kundër lutjes së popullit tënd?

Ti u ke dhënë për të ngrënë bukë të njomur me lot, dhe u ke dhënë për të pirë lot me shumicë.

Ti na ke bërë objekt mosmarëveshjeje për fqinjët tanë, dhe armiqtë tanë qeshin njeri me tjetrin.

O Perëndi i ushtrive, na përtëri forcat tona; bëje fytyrën tënde të shkëlqejë përsëri dhe do të shpëtojmë.

Ti çove jashtë Egjiptit një hardhi; i dëbove kombet dhe e mbolle.

Ti e pastrove dheun para saj dhe ajo lëshoi rrënjë dhe e mbushi dheun.

10 Malet u mbuluan nga hija e saj dhe kedrat e Perëndisë me degët e saj.

11 I zgjati degët e saj deri në det dhe llastarët deri te lumi.

12 Pse i prishe gjerdhet e saj dhe kështu tërë kalimtarët kanë mundësi të korrin frytet e saj?

13 Derri i egër i pyllit e shkreton dhe egërsirat e fushës kullotin aty.

14 O Perëndi i ushtrive, të lutemi kthehu; shiko nga qielli, vështro dhe vizito këtë vresht

15 dhe drurët që mbolli e djathta jote dhe filizin që e ke forcuar për ty.

16 Ajo u dogj nga zjarri dhe është prerë; ata vdesin para kërcënimit të fytyrës sate.

17 Dora jote qoftë mbi njeriun e të djathtë tënde, mbi njeriun që ti e ke bërë të fortë për ty.

18 Kështu ne nuk do të largohemi më prej teje. Na ngjall dhe ne do të kërkojmë emrin tënd.

19 O Zot, Perëndia i ushtrive, na përtëri; bëje fytyrën tënde të shkëlqejë dhe do të shpëtojmë.

Psalmet 146-147

146 Aleluja. Shpirti im, lëvdo Zotin.

Unë do ta lëvdoj Zotn deri sa të kem jetë, do të këndoj lavde për Perëndinë tim gjatë gjithë jetës sime.

Mos kini besim te princat dhe as te ndonjë bir njeriu, që nuk mund të shpëtojë.

Kur fryma e tij ikën, ai kthehet përsëri në tokë dhe po atë ditë planet e tij zhduken.

Lum ai që ka Perëndinë e Jakobit si ndihmë, shpresa e të cilit është tek Zoti, Perëndia i tij,

që ka krijuar qiejtë dhe tokën, detin dhe gjithçka është në to, që ruan besnikërinë përjetë,

që u jep të drejtë të shtypurve dhe ushqim të uriturve. Zoti çliron të burgosurit.

Zoti u hap sytë të verbërve, Zoti ngre ata që janë rrëzuar, Zoti i do të drejtët.

Zoti mbron të huajt, ndihmon jetimin dhe gruan e ve, por përmbys udhën e të pabesëve.

10 Zoti mbretëron përjetë, Perëndia yt, o Sion, brez pas brezi. Aleluja.

147 Lëvdoni Zotin, sepse është një gjë e mirë t’i këndosh lavde Perëndisë tonë, sepse është e kënaqshme dhe e leverdishme ta lëvdosh.

Zoti ndërton Jeruzalemin, dhe mbledh të humburit e Izraelit.

Ai shëron ata që e kanë zemrën të thyer dhe lidh plagët e tyre.

Llogarit numrin e yjeve dhe i thërret të gjitha sipas emrit të tyre.

I madh është Zoti ynë, e pamasë është fuqia e tij dhe e pafund zgjuarësia e tij.

Zoti larton njerëzit e përulur, por ul deri në tokë njerëzit e këqij.

Këndojini Zotit me falenderim, këndojini me qeste lavde Perëndisë tonë,

që mbulon qiellin me re, përgatit shiun për tokën dhe bën që të rritet bari në malet.

Ai i jep ushqime bagëtisë dhe zogjve të korbeve që thërresin.

10 Ai nuk kënaqet në forcën e kalit, dhe nuk gjen ndonjë gëzim në këmbët e njeriut.

11 Zoti kënaqet me ata që kanë frikë prej tij, me ata që shpresojnë në mirësinë e tij.

12 Lëvdo Zotin, o Jeruzalem, kremto Perëndinë tënd, o Sion.

13 Sepse ai ka përforcuar shufrat e portave të tua dhe ka bekuar bijtë e tu në mes teje.

14 Ai e ruan paqen brenda kufijve të tu dhe të ngop me grurin më të mirë.

15 Dërgon mbi tokë urdhërin e tij, fjala e tij merr dheun.

16 Dërgon borën si lesh dhe përhap brymën si hi.

17 Hedh breshërin e tij si me copa; kush mund t’i bëjë ballë të ftohtit të tij?

18 Dërgon fjalën e tij dhe i shkrin ato; bën që të fryjë era e tij, dhe ujërat rrjedhin.

19 Ai ia ka bërë të njohur Jakobit fjalën e tij, dhe Izraelit statutet e tij dhe dekretet e tij.

20 Ai nuk e ka bërë këtë me asnjë komb tjetër; dhe ato nuk i njohin dekretet e tij. Aleluja.

2 i Samuelit 7:18-29

18 Atëherë mbreti David shkoi dhe u ul përpara Zotit dhe tha: "Kush jam unë, o Zot, o Zot, dhe çfarë është shtëpia ime që më bëri të vij deri këtu?

19 Por kjo ishte akoma një gjë e vogël në sytë e tu, o Zot, o Zot, sepse ti ke folur edhe për shtëpinë e shërbëtorit tënd për një të ardhme të largët; dhe ky është ligji i njeriut, o Zot, o Zot.

20 Çfarë mund të të thoshte më tepër Davidi? Ti e njeh shërbëtorin tënd, o Zot, o Zot!

21 Për dashurinë e fjalës sate dhe simbas zemrës sate ke bërë tërë këto gjëra të mëdha, me qëllim që t’ia bësh të njohur shërbëtorit tënd.

22 Për këtë je i madh, o Zot, o Perëndi. Asnjeri nuk është si ti dhe nuk ka tjetër Perëndi veç teje, me sa kemi dëgjuar me veshët tona.

23 Dhe kush është si populli yt, si Izraeli, i vetmi komb mbi dhe që Perëndia erdhi ta shpengojë për vete si popullin e tij për të bërë emër dhe për të kryer për ty vepra të mëdha dhe të tmerrshme për tokën tënde përpara popullit tënd, të cilin e ke shpenguar për vete nga Egjipti, nga kombet e perëndive të tyre?

24 Dhe ti ke vendosur për vete që populli yt i Izaelit, të jetë populli yt për gjithnjë; dhe ti, o Zot, je bërë Perëndia i tij.

25 Dhe tani, o Zot, o Perëndi, fjalën që ke thënë lidhur me shërbëtorin tënd dhe me shtëpinë e tij mbaje të qëndrueshme për gjithnjë dhe vepro ashtu si ke thënë,

26 me qëllim që emri yt të lavdërohet përjetë dhe të thuhet: "Zoti i ushtrive është Perëndia i Izraelit". Dhe shtëpia e shërbëtorit tënd David u bëftë e qëndrueshme para teje!

27 Sepse ti, o Zoti i ushtrive, Perëndia i Izraelit, ia ke treguar këtë shërbëtorit tënd, duke i thënë: "Unë do të ndërtoj një shtëpi për ty". Prandaj shërbëtori yt pati guximin të të drejtojë këtë lutje.

28 Dhe tani, o Zot, o Zot, ti je Perëndia, fjalët e tua janë të vërteta, dhe i ke premtuar këto gjëra të bukura shërbëtorit tënd.

29 Prandaj tani prano të bekosh shtëpinë e shërbëtorit tënd, në mënyrë që ajo të qëndrojë gjithnjë para teje, sepse ti, o Zot, o Zot, ke folur, dhe si pasojë e bekimit tënd shtëpia e shërbëtorit tënd do të jetë e bekuar përjetë!".

Galatasve 3:1-14

O Galatas të marrë! Kush ju ka yshtur që të mos i bindeni së vërtetës, ju, që para syve tuaj Jezu Krishti është përshkruar i kryqëzuar midis jush?

Vetëm këtë dua të di nga ju: a e morët Frymën me anë të veprave të ligjit apo nëpërmjet dëgjimit të besimit?

A jeni kaq të marrë sa që, mbasi nisët në Frymë, të përfundoni në mish?

A thua hoqët kaq shumë gjëra më kot, nëse kanë qenë vërtetë më kot?

Ai që ju jep juve Frymën, dhe kryen midis jush vepra të fuqishme, i bën me anë të veprave të ligjit apo me anë të predikimit të besimit?

Kështu Abrahami “e besoi Perëndinë, dhe kjo iu numërua për drejtësi”;

Ta dini, pra, se ata që janë nga besimi janë bij të Abrahamit.

Dhe Shkrimi, duke parashikuar se Perëndia do t’i shfajësonte kombet me anë të besimit, ia dha më përpara Abrahamit lajmin e mirë: “Të gjitha kombet do të bekohen në ty.”

Prandaj ata që themelohen mbi besimin bekohen bashkë me të besueshmin Abraham.

10 Dhe të gjithë ata që themelohen mbi veprat e ligjit janë nën mallkim, sepse është shkruar: “I mallkuar është kushdo që nuk qëndron në të gjitha ato që shkruhen në librin e ligjit për t’i praktikuar.”

11 Sepse me anë të ligjit askush nuk shfajësohet përpara Perëndisë, sepse: “I drejti do të rrojë me anë të besimit.”

12 Dhe ligji nuk është nga besimi, por “njeriu që do t’i bëjë ato, do të rrojë me anë të tyre.”

13 Krishti na shpengoi nga mallkimi i ligjit, sepse u bë mallkim për ne (duke qenë se është shkruar: “I mallkuar është kushdo që varet në dru”),

14 që bekimi i Abrahamit t’u vijë johebrenjve me anë të Jezu Krishtit, që ne të marrim premtimin e Frymës me anë të besimit.

Luka 1:57-66

57 Dhe Elizabetës i erdhi koha që të lindë dhe të nxjerrë në dritë një djalë.

58 Fqinjët e saj dhe të afërmit, kur dëgjuan se Zoti kishte treguar mëshirë të madhe ndaj saj, u gëzuan me të.

59 Dhe ndodhi që të tetën ditë erdhën për ta rrethprerë djalin, dhe donin t’ia quanin Zakaria, me emrin e atit të tij;

60 por e ëma ndërhyri dhe tha: “Jo, por përkundrazi do të quhet Gjon.”

61 Dhe ata i thanë: “S’ka njeri në fisin tënd që të quhet me këtë emër.”

62 Kështu me shenja e pyetën të atin, si donte që t’i quhej.

63 Ai atëherë kërkoi një tabelë shkrimi dhe shkroi mbi të: “Emri i tij është Gjon.” Dhe të gjithë u mrrekulluan.

64 Në atë çast goja e tij u hap dhe gjuha e tij u zgjidh, dhe fliste duke bekuar Perëndinë.

65 Dhe të gjithë fqinjëve të tyre u hyri druajtja, dhe të gjitha këto gjëra u përhapën nëpër krejt krahinën malore të Judesë.

66 Të gjitha ata që i dëgjuan, i vunë në zemrën e tyre duke thënë: “Vallë kush do të jetë ky fëmijë?.” Dhe dora e Zotit ishte me të.