Print Page Options
Previous Prev Day Next DayNext

Book of Common Prayer

Daily Old and New Testament readings based on the Book of Common Prayer.
Duration: 861 days
Albanian Bible (ALB)
Version
Psalmet 146-149

146 Aleluja. Shpirti im, lëvdo Zotin.

Unë do ta lëvdoj Zotn deri sa të kem jetë, do të këndoj lavde për Perëndinë tim gjatë gjithë jetës sime.

Mos kini besim te princat dhe as te ndonjë bir njeriu, që nuk mund të shpëtojë.

Kur fryma e tij ikën, ai kthehet përsëri në tokë dhe po atë ditë planet e tij zhduken.

Lum ai që ka Perëndinë e Jakobit si ndihmë, shpresa e të cilit është tek Zoti, Perëndia i tij,

që ka krijuar qiejtë dhe tokën, detin dhe gjithçka është në to, që ruan besnikërinë përjetë,

që u jep të drejtë të shtypurve dhe ushqim të uriturve. Zoti çliron të burgosurit.

Zoti u hap sytë të verbërve, Zoti ngre ata që janë rrëzuar, Zoti i do të drejtët.

Zoti mbron të huajt, ndihmon jetimin dhe gruan e ve, por përmbys udhën e të pabesëve.

10 Zoti mbretëron përjetë, Perëndia yt, o Sion, brez pas brezi. Aleluja.

147 Lëvdoni Zotin, sepse është një gjë e mirë t’i këndosh lavde Perëndisë tonë, sepse është e kënaqshme dhe e leverdishme ta lëvdosh.

Zoti ndërton Jeruzalemin, dhe mbledh të humburit e Izraelit.

Ai shëron ata që e kanë zemrën të thyer dhe lidh plagët e tyre.

Llogarit numrin e yjeve dhe i thërret të gjitha sipas emrit të tyre.

I madh është Zoti ynë, e pamasë është fuqia e tij dhe e pafund zgjuarësia e tij.

Zoti larton njerëzit e përulur, por ul deri në tokë njerëzit e këqij.

Këndojini Zotit me falenderim, këndojini me qeste lavde Perëndisë tonë,

që mbulon qiellin me re, përgatit shiun për tokën dhe bën që të rritet bari në malet.

Ai i jep ushqime bagëtisë dhe zogjve të korbeve që thërresin.

10 Ai nuk kënaqet në forcën e kalit, dhe nuk gjen ndonjë gëzim në këmbët e njeriut.

11 Zoti kënaqet me ata që kanë frikë prej tij, me ata që shpresojnë në mirësinë e tij.

12 Lëvdo Zotin, o Jeruzalem, kremto Perëndinë tënd, o Sion.

13 Sepse ai ka përforcuar shufrat e portave të tua dhe ka bekuar bijtë e tu në mes teje.

14 Ai e ruan paqen brenda kufijve të tu dhe të ngop me grurin më të mirë.

15 Dërgon mbi tokë urdhërin e tij, fjala e tij merr dheun.

16 Dërgon borën si lesh dhe përhap brymën si hi.

17 Hedh breshërin e tij si me copa; kush mund t’i bëjë ballë të ftohtit të tij?

18 Dërgon fjalën e tij dhe i shkrin ato; bën që të fryjë era e tij, dhe ujërat rrjedhin.

19 Ai ia ka bërë të njohur Jakobit fjalën e tij, dhe Izraelit statutet e tij dhe dekretet e tij.

20 Ai nuk e ka bërë këtë me asnjë komb tjetër; dhe ato nuk i njohin dekretet e tij. Aleluja.

148 Aleluja. Lëvdoni Zotin nga qiejtë, lëvdojeni në vendet shumë të larta.

Lëvdojeni, ju të gjithë engjëjt e tij, lëvdojeni ju mbarë ushtritë e tij.

Lëvdojeni, o diell dhe hënë, lëvdojeni, ju mbarë yje të ndritshme.

Lëvdojeni, ju qiej të qiejve, dhe ju ujëra përmbi qiejtë.

Tërë këto gjëra le të lëvdojnë emrin e Zotit, sepse ai dha urdhër dhe ato u krijuan.

Ai i ka vendosur përjetë, në përjetësi; por ka bërë një statut që nuk do të kalojë kurrë.

Lëvdojeni Zotin nga toka, ju përbindësh të detit dhe mbarë oqeane,

zjarr dhe breshër, borë dhe re, ajër i shtrëngatës që zbaton urdhërat e tij,

mbarë male dhe kodra, mbarë dru frutorë dhe kedra;

10 ju mbarë kafshë të egra dhe shtëpiake, rrëshqanorë dhe zogj me krahë;

11 ju mbretër të dheut dhe mbarë popuj, princa dhe gjyqtarë të tokës;

12 të rinj dhe vajza, pleq dhe fëmijë.

13 Le të lëvdojnë emrin e Zotit, sepse vetëm emri i tij përlëvdohet. Lavdia e tij qëndron përmbi tokën dhe qiejtë.

14 Ai e ka rritur forcën e popullit të tij, një arsye kjo lëvdimi për të gjithë shenjtorët e tij, për bijtë e Izraelit, një popull i afërt për të. Aleluja.

149 Aleluja. Këndojini Zotit një këngë të re, këndoni lavdinë e tij në kuvendin e shenjtorëve.

Le të ngazëllohet Izraeli tek ai që e ka bërë, le të ngazëllohen bijtë e Sionit te Mbreti i tyre.

Le të lëvdojnë emrin e tij me valle, të këndojnë lavdet e tij me dajre dhe me qeste,

sepse Zoti kënaqet me popullin e tij; ai i kurorëzon me shpëtim njerëzit e përulur.

Le të ngazëllohen shenjtorët në lavdi, le të këndojnë nga gëzimi mbi shtretërit e tyre.

Le të kenë në gojën e tyre lavdet e Perëndisë dhe në dorën e tyre një shpatë që pret nga të dy anët;

për t’u hakmarrë me kombet dhe për t’u dhënë ndëshkime popujve,

për t’i lidhur mbretërit e tyre me zinxhirë dhe fisnikët e tyre me pranga hekuri,

për të zbatuar mbi ta gjykimin e shkruar. Ky është nderi që u rezervohet mbarë shenjtorëve të tij. Aleluja.

Ezekieli 37:1-14

37 Dora e Zotit u ndodh mbi mua, më çoi jashtë në Frymën e Zotit, dhe më lëshoi në mes të një lugine që ishte plot me kocka.

Pastaj më bëri të kaloj afër tyre, rreth e qark; dhe ja, ishin në sasi të madhe mbi sipërfaqen e luginës; dhe ja, ishin shumë të thata.

Më tha: "Bir njeriu, a mund të rijetojnë këto kocka?". Unë u përgjigja: O Zot, o Zot, ti e dii".

Më tha akoma: "Profetizo këtyre kockave dhe u thuaj atyre: Kocka të thata, dëgjoni fjalën e Zotit.

Kështu ju thotë Zoti, Zoti, këtyre kockave: Ja, unë po fus te ju frymën dhe ju do të rijetoni.

Do të vë mbi ju mishin, do t’ju mbuloj me lëkurë dhe do të shtie te ju frymën, dhe do të jetoni; atëherë do të pranoni që unë jam Zoti".

Profetizova ashtu si më ishte urdhëruar; ndërsa profetizoja, pati një zhurmë; dhe ja një tronditje; pastaj kockat iu afruan njëra tjetrës.

Ndërsa po shikoja, ja ku u rritën mbi ta dejet dhe mishi, që lëkura i mbuloi; por fryma nuk ishte tek ato.

Atëherë ai më tha: "Profetizoji frymës, profetizo bir njeriu dhe i thuaj frymës: Kështu thotë Zoti, Zoti: Frymë, eja nga të katër erërat dhe fryj mbi këta të vrarë, që të jetojnë".

10 Kështu profetizova, si më kishte urdhëruar dhe shpirti hyri në to, dhe u kthyen në jetë dhe u ngritën më këmbë; ishte një ushtri e madhe, shumë e madhe.

11 Pastaj më tha: "Bir njeriu, këto kocka janë gjithë shtëpia e Izraelit. Ja, ato thonë: "Kockat tona janë të thata, shpresa jonë është zhdukur dhe ne jemi të humbur".

12 Prandaj profetizo dhe u thuaj atyre: Kështu thotë Zoti, Zoti: Ja, unë do të hap varret tuaja, do t’ju bëj të dilni nga varret tuaja, o populli im, do t’ju çoj përsëri në vendin e Izraelit.

13 Do të pranoni që unë jam Zoti, kur të hap varret tuaja dhe t’ju bëj të dilni nga varret tuaja, o populli im.

14 Do të shtie te ju Frymën tim dhe ju do të jetoni, dhe do t’ju çoj në tokën tuaj; atëherë do të pranoni që unë, Zoti, fola dhe e kam kryer këtë gjë," thotë Zoti.

Veprat e Apostujve 3:11-26

11 Atëherë, ndërsa i çali që ishte shëruar rrinte ngjitur pas Pjetrit dhe Gjonit, gjithë populli, i çuditur, rendi drejt tyre te portiku të quajtur i Salomonit.

12 Dhe Pjetri, duke parë këtë gjë, i foli popullit duke thënë: “Burra të Izraelit, pse po mrrekulloheni për këtë? Ose pse po na i ngulni sytë sikur ne me fuqinë tonë të vetme ose me perëndishmëri të kishim bërë që ky njeri të ecë?

13 Perëndia e Abrahamit, e Isakut dhe e Jakobit, Perëndia e etërve tanë e ka përlëvduar Birin e tij Jezusin, të cilin ju ia dorëzuat Pilatit dhe e mohuat përpara tij, megjithëse ai kishte vendosur ta lironte.

14 Por ju e mohuat të Shenjtin, të Drejtin, dhe kërkuat që t’ju jepej një vrasës,

15 dhe vratë princin e jetës, që Perëndia e ka ringjallur prej së vdekuri dhe për të cilin ne jemi dëshmitarë!

16 Dhe për besimin në emër të Jezusit, ky njeri, të cilin ju po e shihni dhe e njihni, u fortesua nga emri i tij; dhe besimi, që është nëpërmjet tij, i ka dhënë shërimin e plotë të gjymtyrëve, në praninë e të gjithëve ju.

17 Por tani, o vëllezër, unë e di që e keni bërë nga padija, ashtu siç kanë bërë edhe krerët tuaj.

18 Por kështu Perëndia i ka përmbushur ato që kishte parathënë me gojën e të gjithë profetëve të vet, se Krishti i tij do të vuante.

19 Pendohuni, pra, dhe kthehuni, që të shlyhen mëkatet tuaja, dhe që të vijnë kohët e flladit nga prania e Zotit,

20 dhe ai të dërgojë Jezu Krishtin që ju ishte predikuar më parë juve,

21 të cilin qielli duhet ta mbajë deri në kohën e ripërtëritjes të të gjitha gjërave, për të cilën Perëndia ka folur nëpërmjet gojës së gjithë profetëve të tij të shenjtë, që nga fillimi i botës.

22 Vetë Moisiu, në fakt, u tha etërve: "Zoti, Perëndia juaj do të ngjallë për ju një profet si unë nga mesi i vëllezërve tuaj; dëgjojeni në të gjitha gjërat që ai do t’ju thotë!

23 Dhe do të ndodhë që kushdo që nuk do ta dëgjojë atë profet, do të shkatërrohet në mes të popullit".

24 Gjithashtu të gjithë profetët, të gjithë ata që kanë folur qysh nga Samueli e këtej, i kanë shpallur këto ditë.

25 Ju jeni bij të profetëve dhe të besëlidhjes që bëri Perëndia me etërit tanë, duke i thënë Abrahamit: "Dhe në pasardhësit e tu do të bekohen të gjitha kombet e dheut".

26 Perëndia më së pari, mbasi e ringjalli Birin e tij Jezusin, jua ka dërguar juve që t’ju bekojë, duke larguar secilin nga ju nga paudhësitë e tij.”

Gjoni 15:12-27

12 Ky është urdhërimi im: ta doni njëri-tjetrin, ashtu si unë ju kam dashur juve.

13 Askush s’ka dashuri më të madhe nga kjo: të japë jetën e vet për miqtë e tij.

14 Ju jeni miqtë e mi, nëse bëni gjërat që unë ju urdhëroj.

15 Unë nuk ju quaj më shërbëtorë, sepse shërbëtori nuk e di ç’bën i zoti; por unë ju kam quajtur miq, sepse ju bëra të njihni të gjitha gjëra që kam dëgjuar nga Ati im.

16 Nuk më keni zgjedhur ju mua, por unë ju kam zgjedhur juve; dhe ju caktova të shkoni dhe të jepni fryt, dhe fryti juaj të jetë i qëndrueshëm, që, çfarëdo gjë që t’i kërkoni Atit në emrin tim, ai t’jua japë.

17 Këtë ju urdhëroj: ta doni njëri-tjetrin.

18 Nëse bota ju urren, ta dini se më ka urryer mua para jush.

19 Po të ishit nga bota, bota do të donte të vetët; por sepse nuk jeni nga bota, por unë ju kam zgjedhur nga bota, prandaj bota ju urren.

20 Kujtoni fjalën që ju thashë: "Shërbëtori nuk është më i madh se i zoti". Nëse më kanë përndjekur mua, do t’ju përndjekin edhe ju; nëse kanë zbatuar fjalën time, do të zbatojnë edhe tuajën.

21 Të gjitha këto gjëra do t’jua bëjnë për shkak të emrit tim, sepse nuk e njohin atë që më ka dërguar.

22 Po të mos kisha ardhur dhe të mos u kisha folur atyre, nuk do të kishin faj; por tani ata nuk kanë asnjë shfajësim për mëkatin e tyre.

23 Kush më urren mua, urren edhe Atin tim.

24 Po të mos kisha bërë në mes tyre vepra që askush tjetër nuk ka bërë, nuk do të kishin faj; por tani, përkundrazi, e kanë parë, dhe më kanë urryer mua dhe Atin tim.

25 Por kjo ndodhi që të përmbushet fjala e shkruar në ligjin e tyre: "Më kanë urryer pa shkak".

26 Por kur të vijë Ngushëlluesi, që do t’ju dërgoj prej Atit, Fryma e së vërtetës, që del nga Ati im, ai do të dëshmojë për mua.

27 Edhe ju, gjithashtu, do të dëshmoni, sepse ishit me mua që nga fillimi.”