Print Page Options
Previous Prev Day Next DayNext

Book of Common Prayer

Daily Old and New Testament readings based on the Book of Common Prayer.
Duration: 861 days
Albanian Bible (ALB)
Version
Psalmet 69

69 Shpëtomë, o Perëndi, se ujërat më kanë arritur deri në grykë.

Jam zhytur në një batak të thellë dhe nuk gjej asnjë pikë mbështetjeje; kam arritur në ujëra të thella dhe rryma më rrëmben me vete.

Jam lodhur duke bërtitur, gryka më është tharë; sytë e mi konsumohen në pritje të Perëndisë tim.

Ata që më urrejnë pa shkak janë më të shumtë se flokët e mi; janë të fuqishëm ata që duan të më shkatërrojnë dhe që janë pa të drejtë armiq të mi; jam i detyruar të kthej atë që nuk kam vjedhur.

O Perëndi, ti e di marrëzinë time dhe fajet e mia nuk të janë fshehur.

Mos u ngatërrofshin për shkakun tim ata që kanë shpresë te ti, o Zot, Zoti i ushtrive; mos u turpërofshin për shkakun tim ata që të kërkojnë, o Perëndi i Izraelit.

Për hir të dashurisë sate unë po heq një poshtërim dhe turpi më mbulon fytyrën.

Unë jam i bërë një i huaj për vëllezërit e mi dhe për bijtë e nënes sime.

Sepse zelli i shtëpisë sate më ka përpirë dhe fyerjet e rënda të atij që të fyen kanë rënë mbi mua.

10 Kam qarë duke pikëlluar shpirtin tim me agjërim, por kjo më ka sjellë çnderim.

11 Kam veshur madje si rroba një thes, por u bëra për ta objekt talljeje.

12 Ata që ulen te porta flasin për mua, dhe u bëra kënga e pijanecëve.

13 Por sa për mua, o Zot, lutja ime të drejtohet ty, o Zot, në kohë të pranueshme; në dhembshurinë tënde të madhe përgjigjmu, o Perëndi, në shpëtimin tënd të siguruar.

14 Më nxirr nga bataku që të mos fundosem në të, dhe bëj që të çlirohem nga ata që më urrejnë dhe nga ujërat e thella.

15 Mos më mbuloftë rryma e ujërave, mos më përpiftë humnera dhe mos u mbylltë gryka e pusit mbi mua.

16 Përgjigjmu, o Zot, sepse mirësia jote është e çmuar; në dhembshuritë e tua të mëdha sillu nga unë.

17 Mos e fshih fytyrën tënde nga shërbëtori yt, sepse jam në ankth; nxito të më përgjigjesh.

18 Afrohu te unë dhe më shpjego; çliromë nga armiqtë e mi.

19 Ti e njeh poshtërsinë time, turpin tim dhe çnderimin tim; armiqtë e mi janë të gjithë para teje.

20 Fyerja e rëndë më ka copëtuar zemrën dhe jam plot hidhërime; prita dikë që të më përdëllentë por më kot; prita dikë që të më ngushëllonte, por nuk u paraqit asnjë.

21 Më dhanë përkundrazi vrer në vend të ushqimit dhe për të ma shuar etjen më dhanë për të pirë uthull.

22 U bëftë tryeza e tyre një lak para tyre, dhe begatia e tyre një kurth.

23 Ju errshin sytë atyre kështu që të mos shohin më, dhe bëj që ijët e tyre të lëkunden vazhdimisht.

24 Zbraz mbi ta zemërimin tënd dhe i zëntë zjarri i indinjatës sate.

25 Banesa e tyre u shkretoftë dhe askush mos banoftë në çadrat e tyre,

26 sepse përndjekin atë që ti ke goditur dhe flasin me kënaqësi për dhembjen e atyre që ti ke plagosur.

27 Shto këtë faj fajit të tyre dhe mos arrifshin kurrë të kenë pjesë në drejtësinë tënde.

28 U shofshin nga libri i jetës dhe mos u shkrofshin midis të drejtëve.

29 Tani jam i hidhëruar dhe i dëshpëruar; shpëtimi yt, o Perëndi, më lartoftë.

30 Unë do ta kremtoj emrin e Perëndisë me një këngë, dhe do ta madhështoj me lavde.

31 Dhe kjo do t’i pëlqejë Zotit më tepër se një ka o një dem me brirë dhe thonj.

32 Njerëzit e përulur do të shohin dhe do të gëzohen; dhe për ju që kërkoni Perëndinë, u përtëriftë zemra juaj.

33 Sepse Zoti kënaq nevojtarët dhe nuk përçmon robërit e tij.

34 E mburrshin qiejtë dhe toka, detet dhe gjithçka lëviz në to.

35 Sepse Perëndia do të shpëtojë Sionin dhe do të rindërtojë qytetet e Judës; atëherë ata do të banojnë në to dhe do t’i zotërojnë.

36 Dhe pasardhësit e shërbëtorëve të tij do të kenë trashëgiminë dhe ata që e duan emrin e tij do të banojnë aty.

Psalmet 73

73 Me siguri Perëndia është i mirë me Izraelin, me ata që janë të pastër nga zemra.

Por, sa për mua, gati gati po më pengoheshin këmbët dhe për pak hapat e mia do të shkisnin.

Sepse i kisha zili mburravecët, duke parë mirëqënien e njerëzve të këqij.

Sepse nuk ka dhembje në vdekjen e tyre, dhe trupi i tyre është i majmë.

Ata nuk po heqin si vdekatarët e tjerë, as pësojnë goditje si njerëzit e tjerë.

Prandaj kryelartësia i rrethon si një gjerdan dhe dhuna i mbështjell si një rrobe.

Sytë u dalin jashtë nga dhjami dhe përfytyrimet e çoroditura të zemrës së tyre vërshojnë.

Ata tallen dhe kurdisin me pabesi shtypjen, flasin me arrogancë.

E drejtojnë gojën e tyre kundër qiellit dhe gjuha e tyre përshkon tokën.

10 Prandaj njerëzit e tyre kthehen nga ajo anë dhe pijnë me të madhe ujërat e tyre,

11 dhe thonë: "Si është e mundur që Perëndia të dijë çdo gjë dhe të ketë njohuri te Shumë i Larti?".

12 Ja, këta janë të pabesë; megjithatë janë gjithnjë të qetë dhe i shtojnë pasuritë e tyre.

13 Më kot, pra, pastrova zemrën time dhe i lava duart në pafajësinë time.

14 Sepse jam goditur tërë ditën dhe jam ndëshkuar çdo mëngjes.

15 Sikur të kisha thënë: "Do të flas edhe unë kështu," ja, do të kisha mohuar brezin e bijve të tu.

16 Atëherë kërkova ta kuptoj këtë gjë, por ajo m’u duk shumë e vështirë.

17 Deri sa hyra në shenjtoren e Perëndisë dhe mora parasysh fundin e tyre.

18 Me siguri, ti i vë në vënde të rrëshqitshme dhe kështu i bën që të bien në shkatërrim.

19 Si u shkatërruan në një çast! Ata vdiqën të konsumuar nga tmerri!

20 Ashtu si në një ëndërr, kur zgjohesh, kështu edhe ti, o Zot, kur të zgjohesh, do të përbuzësh pamjen e tyre të kotë.

21 Kur zemra ime acarohej dhe e ndjeja veten sikur më shponin nga brenda,

22 unë isha pa mend dhe pa kuptim; para teje isha si një kafshë.

23 Por megjithatë unë jam gjithnjë me ty; ti më ke kapur nga dora e djathtë.

24 Ti do të më udhëheqësh me këshillën tënde dhe do të më çosh pastaj në lavdi.

25 Cilin kam në qiell veç teje? Dhe mbi tokë nuk dëshiroj tjetër njeri veç teje.

26 Mishi im dhe zemra ime nuk mund të ligështohen, por Perëndia është kështjella e zemrës sime dhe pjesa ime në përjetësi.

27 Sepse ja, ata që largohen prej teje do të vdesin; ti shkatërron tërë ata që, duke kurvëruar, largohen prej teje.

28 Por sa për mua, e mira është t’i afrohem Perëndisë; e kam bërë Zotin tim, Zotin, strehën time, për të treguar gjithë veprat e tua.

Jeremia 22:13-23

13 Mjerë ai që e ndërton shtëpinë e tij pa drejtësi dhe dhomat e saj të sipërme me paanësi, që e vë tjetrin të punojë për asgjë dhe nuk ia shpërblen punën e tij,

14 dhe thotë: "Do të ndërtoj një shtëpi të madhe me dhoma të sipërme të gjëra," dhe hap në të dritare, e vesh me dru kedri dhe e lyen me të kuq.

15 "Mendon vallë se je mbret, sepse je i rrethuar nga kedra? Ati yt nuk hante dhe pinte? Por vepronte me ndershmëri e drejtësi dhe gjithshka i shkonte mbarë.

16 Ai mbronte çështjen e të varfrit dhe të nevojtarit dhe gjithshka i shkonte mbarë. A nuk do të thotë kjo të më njohësh mua?," thotë Zoti.

17 "Por sytë e tu dhe zemra jote nuk shikojnë veçse fitimin tënd të padrejtë, të derdhin gjak të pafajmë dhe të kryejnë shtypje dhe dhunë".

18 Prandaj kështu thotë Zoti për Jehojakimin, birin e Josias, mbreti i Judës: "Nuk do të mbajnë zi për të, duke thënë: "Vaj medet, vëllai im! Vaj medet, motër!". Nuk do të mbajnë zi për të duke thënë: "Vaj medet, zot! Vaj medet, madhëri e tij!".

19 Do të varroset ashtu si varroset një gomar, që e heqin dhe e hedhin larg portave të Jeruzalemit.

20 Ngjitu në Liban dhe bërtit, ngrije zërin në Bashan dhe bërtit nga Abarimi, sepse të gjithë dashnorët e tu janë shkatërruar.

21 Të fola në kohën e begatisë sate, por ti më the: "Nuk do të dëgjoj". Kjo ka qenë sjellja jote qysh në rininë tënde: nuk e dëgjove kurrë zërin tim.

22 Tërë barinjtë e tu do të gllabërohen nga era dhe dashnorët e tu do të shkojnë në robëri; atëherë do të jesh e turpëruar dhe e shushatur për gjithë ligësinë tënde.

23 Ti që banon në Liban, që ke ngritur folenë në mes kedrave, sa do të rënkosh kur do të të zënë dhembjet, dhembjet si ato të gruas që është gati të pjellë!

Romakëve 8:12-27

12 Prandaj, vëllezër, ne jemi debitorë jo të mishit, që të rrojmë sipas mishit,

13 sepse, po të rroni sipas mishit, ju do të vdisni; por, nëse me anë të Frymës i bëni të vdesin veprat e trupit, ju do të rroni.

14 Sepse të gjithë ata që udhëhiqen nga Fryma e Perëndisë janë bij të Perëndisë.

15 Sepse ju nuk keni marrë një frymë robërie, që të keni përsëri frikë, po keni marrë frymën e birërisë, me anë të së cilës ne thërrasim: “Aba, o Atë!.”

16 Vetë Fryma i dëshmon frymës sonë se ne jemi bij të Perëndisë.

17 Dhe nëse jemi bij, jemi dhe trashëgimtarë, trashëgimtarë të Perëndisë dhe bashkëtrashëgimtarë të Krishtit, nëse vuajmë më të dhe lavdohemi me të.

18 Unë mendoj në fakt, se vuajtjet e kohës së tanishme nuk vlejnë aspak të krahasohen me lavdinë që do të shfaqet në ne.

19 Sepse dëshira e flaktë e krijesës pret me padurim shfaqjen e bijve të Perëndisë,

20 sepse krijesa iu nënshtrua kotësisë, jo me vullnetin e vet, po për shkak të atij që e nënshtroi,

21 me shpresë që vetë krijesa të çlirohet nga skllavëria e prishjes për të hyrë në lirinë e lavdisë së bijve të Perëndisë.

22 Sepse e dimë se deri tani mbarë bota e krijuar rënkon dhe është në mundim.

23 Dhe jo vetëm kaq, por edhe ne vetë që kemi frytet e para të Frymës, vajtojmë në veten tonë, duke pritur flakët birërimin, shpengimin e trupit tonë.

24 Sepse me shpresë ne shpëtuam; por shpresa që duket nuk është shpresë, sepse atë që dikush e sheh si mundet edhe ta shpresojë?

25 Por në qoftë se ne shpresojmë atë që s’e shohim, atë gjë e presim me durim.

26 Kështu, pra, edhe Fryma na ndihmon në dobësitë tona, sepse ne nuk dimë çfarë të kërkojmë në lutjet tona, sikurse duhet; por vetë Fryma ndërhyn për ne me psherëtima të patregueshme.

27 Dhe ai që heton zemrat e di cila është mendja e Frymës, sepse ai ndërhyn për shenjtorët, sipas Perëndisë.

Gjoni 6:41-51

41 Judenjtë, pra, murmurisnin për të, sepse kishte thënë: “Unë jam buka që zbriti nga qielli,”

42 dhe thoshnin: “Vallë, a nuk është ky Jezusi, biri i Jozefit, të cilit ia njohim babanë dhe nënën? Si thotë, pra, ky: "Unë zbrita nga qielli"?.”

43 Atëherë Jezusi u përgjigj dhe u tha atyre: “Mos murmurisni midis jush.

44 Askush nuk mund të vijë tek unë, po qe se Ati që më ka dërguar nuk e tërheq dhe unë do ta ringjall atë në ditën e fundit.

45 Në profetët është shkruar: "Të gjithë do të jenë të mësuar nga Perëndia". Çdo njeri, pra, që ka dëgjuar dhe mësuar nga Ati, vjen tek unë.

46 Jo s’e ka parë ndonjë Atin, përveç atij që është nga Perëndia; ky e ka parë Atin.

47 Në të vërtetë, në të vërtetë po ju them: Kush beson në mua ka jetë të përjetshme.

48 Unë jam buka e jetës.

49 Etërit tuaj hëngrën manën në shkretirë dhe vdiqën.

50 Kjo është buka që zbret nga qielli, që një mund të hajë e të mos vdesë.

51 Unë jam buka e gjallë që zbriti nga qielli; nëse një ha nga kjo bukë do të jetojë përjetë; buka që unë do të jap është mishi im, që unë do ta jap për jetën e botës.”