Print Page Options
Previous Prev Day Next DayNext

Revised Common Lectionary (Semicontinuous)

Daily Bible readings that follow the church liturgical year, with sequential stories told across multiple weeks.
Duration: 1245 days
Albanian Bible (ALB)
Version
Psalmet 48

48 I madh është Zoti dhe meriton të lëvdohet në kulm në qytetin e Perëndisë tonë, në malin e tij të shenjtë.

I bukur për nga lartësia e tij, gëzimi i gjithë dheut është mali i Sionit, nga ana e veriut, qyteti i Mbretit të madh.

Në pallatet e tij Perëndia u bë i njohur si një kala e papushtueshme.

Ja, mbretërit ishin mbledhur dhe shikonin përpara bashkarisht,

por sa e panë, mbetën të shushatur dhe ikën të tmerruar.

Atje i zunë drithmat dhe si të prerat e lindjes,

në të njëjtën mënyrë si era e lindjes që i bën copë-copë anijet e Tarshishit.

Siç e kishim dëgjuar, ashtu pamë në qytetin e Zotit disa ushtri, në qytetin e Perëndisë tonë; Perëndia do ta bëjë të qëndrueshëm përjetë.

Në tempullin tënd, o Perëndi, ne kemi rënë në mendime mbi mirësinë tënde.

10 Ashtu si emri yt, o Perëndi, kështu lëvdimi yt arrin deri në skajet e tokës; dora jote e djathtë është tërë drejtësi.

11 Le të gëzohet mali Sion, le të ngazëllojnë vajzat e Judës për gjykimet e tua.

12 I bini rrotull Sionit, vizitojeni, numëroni kullat e tij,

13 këqyrni fortesat e tij, admironi pallatet e tij, me qëllim që të mund t’ia tregoni brezave që do të vijnë.

14 Sepse ky Perëndi është Perëndia ynë në përjetësi, përjetë, gjithnjë; ai do të jetë udhëheqësi ynë deri në vdekje.

Numrat 24:1-14

24 Kur Balaami u bind se në sytë e Zotit ishte një gjë e mirë të bekoje Izraelin, nuk përdori si herët e tjera magjinë, por ktheu fytyrën nga shkretëtira.

Dhe, me sytë e ngritur, Balaami pa Izraelin që kishte fushuar sipas fiseve, dhe Fryma e Perëndisë e mbuloi atë.

Atëherë shqiptoi orakullin e tij dhe tha: "Kështu thotë Balaami, bir i Beorit, kështu thotë njeriu, sytë e të cilit janë hapur,

kështu thotë ai që dëgjon fjalët e Perëndisë, ai që kundron vizionin e të Plotfuqishmit, ai që rrëzohet, por syçelë:

"Sa të bukura janë çadrat e tua, o Jakob, banesat e tua o Izrael!

Ato shtrihen si lugina, si kopshte gjatë një lumi, si aloe që Zoti ka mbjellë, si kedra pranë ujërave.

Do të derdhë ujë nga kovat e tij, pasardhësit e tij do të banojnë pranë ujërave të shumta, mbreti i tij do të ngrihet më lart se Agagu dhe mbretëria e tij do të lartësohet.

Perëndia, që e nxori nga Egjipti, është për të si brirët e fuqishëm të buallit. Ai do të gëlltisë kombet armike për të, do të coptojë kockat e tyre dhe do t’i shpojë tej për tej me shigjetat e tij.

Ai përkulet, mblidhet kruspull si një luan dhe si një luaneshë; kush do të guxojë ta çojë? Qoftë i bekuar ai që të bekon dhe qoftë i mallkuar ai që të mallkon!"".

10 Atëherë zemërimi i Balakut u ndez kundër Balaamit; kështu ai rrahu duart dhe Balaku i tha Balaamit: "Unë të thirra për të mallkuar armiqtë e mi, kurse ti i bekove tri herë me radhë.

11 Tani ik në shtëpinë tënde! Kisha thënë se do të të mbushja me nderime; por ja, Zoti nuk ka lejuar t’i marrësh".

12 Balaami iu përgjigj kështu Balakut: "A nuk u kisha folur lajmëtarëve që më kishe dërguar, duke u thënë:

13 "Edhe sikur Balaku të më jepte shtëpinë e tij plot me argjend dhe me ar, nuk mund të shkel urdhrat e Zotit për të bërë të mirë ose të keq me nismën time, por duhet të them atë që Zoti do të thotë"?.

14 Dhe ja, tani do të kthehem te populli im; eja, unë do të njoftoj atë që ky popull do t’i bëjë popullit tënd në ditët e fundit".

Luka 1:26-38

26 Në muajin e gjashtë, engjëlli Gabriel u dërgua nga Perëndia në një qytet të Galilesë, që quhej Nazaret,

27 te një e virgjër, që ishte e fejuar me një njeri që quhej Jozef, nga shtëpia e Davidit; dhe emri i virgjëreshës ishte Maria.

28 Dhe engëlli hyri te ajo dhe tha: “Tungjatjeta, o hirplote, Zoti është me ty; ti je e bekuar ndër gratë.”

29 Por kur e pa atë, ajo mbeti e shqetësuar nga fjalët e tij, dhe pyeste vetveten çfarë kuptimi mund të kishte një përshëndetje e tillë.

30 Dhe engjëlli i tha: “Mos ki frikë, Mari, sepse ke gjetur hir para Perëndisë.

31 Dhe ja, ti do të mbetesh shtatzënë dhe do të lindësh një djalë, dhe do t’ia vesh emrin Jezus.

32 Ai do të jetë i madh dhe do të quhet Biri i Shumë të Lartit; dhe Zoti Perëndi do t’i japë fronin e Davidit, atit të tij;

33 dhe do të mbretërojë mbi shtëpinë e Jakobit përjetë, dhe mbretëria e tij nuk do të ketë kurrë të sosur.”

34 Dhe Maria i tha engjëllit: “Si do të ndodhë kjo, përderisa unë nuk njoh burrë?.”

35 Dhe engjëlli duke u përgjigjur, i tha: “Fryma e Shenjtë do të vijë mbi ty dhe pushteti i Shumë të Lartit do të të mbulojë me hijen e vet; prandaj i shenjti që do të lindë prej teje do të quhet Bir i Perëndisë.

36 Dhe ja, Elizabeta, e afërmja jote, edhe ajo, në pleqërinë e saj, mbeti shtatzënë me një djalë; dhe ky është muaji i gjashtë për të, që e quanin shterpë,

37 sepse me Perëndinë asgjë s’është e pamundshme.”

38 Atëherë Maria tha: “Ja shërbëtorja e Zotit; le të më ndodhë sipas fjalës sate.” Dhe engjëlli u largua prej saj.