Revised Common Lectionary (Semicontinuous)
111 Aleluja. Unë do të kremtoj Zotin me gjithë zemër në këshillën e të drejtëve dhe në kuvend.
2 Të mëdha janë veprat e Zotit, të kërkuara nga të gjithë ata që kënaqen me to.
3 Veprat e tij janë madhështore dhe drejtësia e tij vazhdon përjetë.
4 Ai bën që mrekullitë e tij të kujtohen; Zoti është i dhemshur dhe plot mëshirë.
5 Ai u jep ushqime atyre që kanë frikë prej tij dhe do ta mbajë mend gjithnjë besëlidhjen e tij.
6 Ai i tregoi popullit të tij fuqinë e veprave të tij, duke i dhënë trashëgiminë e kombeve.
7 Veprat e duarve të tij janë e vërteta dhe drejtësia; tërë urdhërimet e tij janë të qëndrueshme,
8 të patundura përjetë, për gjithnjë, të kryera me vërtetësi dhe drejtësi.
9 Ai i dërgoi popullit të tij shpëtimin, ka vendosur besëlidhjen e tij përjetë; i shenjtë dhe i tmerrshëm është emri i tij.
10 Frika e Zotit është zanafilla e diturisë; kanë dituri të madhe ata që zbatojnë në praktikë urdhërimet e tij; lëvdimi i tij vazhdon në përjetësi.
2 Duke iu afruar Davidit dita e vdekjes, ai urdhëroi të birin Salomon, duke i thënë:
2 "Unë jam duke shkuar atje ku shkojnë tërë banorët e tokës; prandaj tregohu i fortë dhe sillu si burrë!
3 Respekto urdhrat e Zotit, Perëndisë tënd, duke ecur në rrugët e tij, duke zbatuar në praktikë statutet e tij, urdhërimet e tij, dekretet e tij dhe porositë e tij, ashtu siç është shkruar në ligjin e Moisiut, me qëllim që ti t’ia dalësh mbanë në të gjitha gjërat që do të bësh dhe nga çdo anë që të kthehesh,
4 dhe me qëllim që Zoti ta plotësojë premtimin që më ka bërë kur tha: "Në qoftë se bijtë e tu do të kujdesen për të ecur para meje me të vërtetë me gjithë zemër e me gjithë shpirt, nuk do të mungojë kurrë dikush mbi fronin e Izraelit".
5 Edhe ti e di ç’më ka bërë mua Joabi, bir i Tserujahut, dhe ç’u ka bërë dy krerëve të ushtrive të Izraelit, Abnerit, birit të Nerit, dhe Amas, birit të Jetherit, që ai i vrau; në kohë paqeje ka derdhur gjak lufte dhe ka njollosur me gjak lufte brezin që mbante në mes dhe sandalet që mbante në këmbë.
6 Vepro, pra me urti dhe mos lejo që flokët e tij të bardha të zbresin në paqe në Sheol.
7 Por trego mirësi me bijtë e Galaaditit Barzilai dhe ata të jenë ndër ata që hanë në tryezën tënde, sepse me një mirësi të njëllojtë ata erdhën tek unë kur po ikja me vrap para Absalomit, vëllait tënd.
8 Ja, pranë teje është edhe Shimei, bir i Beniaminitit Gera, nga Bahurimi. Ai shqiptoi një mallkim të tmerrshëm ditën që shkoja në Mahanaim, por pastaj zbriti të më takojë në Jordan dhe unë iu betova në emër të Zotit: "Nuk do të bëj të vdesësh nga shpata".
9 Tani, pra, mos e lër të pandëshkuar, sepse ti je njeri i urtë dhe di atë që duhet të bësh. Bëj që flokët e tij të bardha të zbresin të lyera me gjak në Sheol".
10 Kështu Davidin e zuri gjumi me etërit e tij dhe u varros në qytetin e Davidit.
11 Davidi mbretëroi mbi Izrael dyzet vjet, shtatë vjet në Hebron dhe tridhjetë e tre vjet në Jeruzalem.
7 Një grua nga Samaria erdhi të nxjerrë ujë. Dhe Jezusi i tha: “Më jep të pi,”
8 sepse dishepujt e vet kishin shkuar në qytet për të blerë ushqime.
9 Por gruaja samaritane i tha: “Po qysh, ti që je Jude kërkon të pish prej meje, që jam një grua samaritane?” (Sepse Judenjtë nuk shoqërohen me Samaritanët).
10 Jezusi u përgjigj dhe i tha: “Po ta njihje ti dhuratën e Perëndisë dhe kush është ai që të thotë: "Më jep të pi!," ti vetë do të kërkoje nga ai dhe ai do të të jepte ujë të gjallë.”
11 Gruaja i tha: “Zot, ti nuk ke as kovë për të nxjerrë dhe pusi është i thellë; nga e ke, pra, atë ujë të gjallë?
12 Vallë je më i madh se Jakobi, ati ynë, qe na dha këtë pus dhe piu prej tij ai vetë, bijtë e tij dhe bagëtitë e tij?.”
13 Jezusi u përgjigj dhe i tha: “Kushdo që pi nga ky ujë, do të ketë përsëri etje,
14 por kush pi nga uji që do t’i jap unë nuk do të ketë më kurrë etje përjetë; por uji që unë do t’i jap do të bëhet në të një burim uji që gufon në jetë të përjetshme.”
15 Gruaja i tha: “Zot, më jep këtë ujë, që unë të mos kem më etje dhe të mos vij këtu të nxjerr ujë!.”
16 Jezusi i tha: “Shko thirre burrin tënd dhe eja këtu.”
17 Gruaja u përgjigj dhe i tha: “Unë nuk kam burrë.” Jezusi i tha: “Mirë the: "Nuk kam burrë,"
18 sepse ti kishe pesë burra dhe ky që ke tani nuk është burri yt; për këtë ke thënë të vërtetën!.”
19 Gruaja i tha: “Zot, po shoh se ti je një profet.
20 Etërit tanë adhuronin mbi këtë mal, dhe ju thoni se në Jeruzalem është vendi ku duhet të adhurojmë.”
21 Jezusi i tha: “O grua, më beso: vjen ora që as mbi këtë mal as në Jeruzalem nuk do të adhuroni Atin.
22 Ju adhuroni atë që s’e njihni; ne adhurojmë atë që njohim; sepse shpëtimi vjen nga Judenjtë.
23 Por vjen ora, madje ajo ka ardhur, që adhuruesit e vërtetë ta adhurojnë Atin në frymë dhe në të vërtetën, sepse të tillë janë adhuruesit që kërkon Ati.
24 Perëndia është Frymë, dhe ata që e adhurojnë duhet t’a adhurojnë në frymë dhe në të vërtetën.”
25 Gruaja i tha: “Unë e di se do të vijë Mesia, që e quajnë Krisht; kur të ketë ardhur, ai do të na kumtojë çdo gjë.”
26 Jezusi i tha: “Unë jam, ai që po të flet!.”