Revised Common Lectionary (Semicontinuous)
108 Zemra ime është e prirur për mirë, o Perëndi, unë do të këndoj dhe do të kremtoj lëvdimet e tua me gjithë forcën time.
2 Zgjohuni, o harpa dhe qeste, unë dua të zgjoj agimin.
3 Unë do të të kremtoj midis popujve, o Zot, dhe do të këndoj lëvdimet e tua midis kombeve.
4 Sepse mirësia jote është e madhe, arrin deri mbi qiejtë, dhe e vërteta jote deri te retë.
5 Qofsh i përlëvduar, o Perëndi, përmbi qiejtë dhe lavdia jote shkëlqeftë mbi gjithë tokën,
6 me qëllim që të dashurit e tu të çlirohen; shpëtomë me të djathtën tënde dhe përgjigjmu.
7 Perëndia ka folur në shenjtërinë e tij: "Unë do të triumfoj, do ta ndaj Sikemin dhe do të mas luginën e Sukothit.
8 Imi është Galaadi, imi është Manasi, Efraimi është forca e kokës sime, Juda është ligjvënësi im;
9 Moabi është legeni ku unë lahem; mbi Edomin do të hedh sandalen time, mbi Filisti do të dërgoj britma triumfi".
10 Kush do të më çojë në qytetin e fortë? Kush do të më çojë deri në Edom?
11 A nuk je ti, o Perëndi, që na ke kthyer, dhe nuk del më, o Perëndi, me ushtritë tona?
12 Na ndihmo ti kundër kundërshtarëve, sepse ndihma e njeriut është e kotë.
13 Me Perëndinë do të kryejmë trimëri, dhe do të jetë ai që do t’i shtypë armiqtë tanë.
8 Kur Samueli u plak emëroi bijtë e tij si gjyqtarë të Izraelit.
2 I parëlinduri i tij quhej Joel dhe i dyti Abiah; ata ushtronin funksionin e gjyqtarit në Beer-Sheba.
3 Por bijtë e tij nuk ndoqën shembëllin e tij, u larguan nga rruga e drejtë duke siguruar fitime të palejueshme, pranuan dhurata dhe e prishnin drejtësinë.
4 Atëherë tërë pleqtë e Izraelit u mblodhën, erdhën te Samueli në Ramah,
5 dhe i thanë: "Ja, ti tani je plakur dhe bijtë e tu nuk ndjekin gjurmët e tua; prandaj cakto mbi ne një mbret që të na qeverisë ashtu siç ndodh në të gjitha kombet".
6 Por kjo nuk i pëlqeu Samuelit, sepse ata kishin thënë: "Na jep një mbret që të na qeverisë". Prandaj Samueli iu lut Zotit.
7 Dhe Zoti i tha Samuelit: "Dëgjo zërin e popullit për të gjitha ato që të thotë, sepse ata nuk të kanë hedhur poshtë ty, por kanë hedhur poshtë mua, me qëllim që unë të mos mbretëroj mbi ta.
8 Sillen me ty, ashty siç kanë bërë gjithnjë nga dita që i nxora nga Egjipti e deri më sot: më kanë braktisur për t’u shërbyer perëndive të tjera.
9 Tani, pra, dëgjo kërkesën e tyre, por lajmëroi solemnisht dhe shpallju të drejtat e mbretit që do të sundojë mbi ta".
10 Kështu Samueli i tregoi tërë fjalët e Zotit drejtuar popullit që i kërkonte një mbret.
11 Dhe tha: "Këto do të jenë të drejtat e mbretit që do të mbretërojë mbi ju. Ai do t’i marrë bijtë tuaj dhe do t’i caktojë në qerret e tij, me qëllim që të bëhen kalorës të tij dhe të vrapojnë përpara qerreve;
12 për t’i bërë ata kapidanë të mijëshëve dhe të pesëdhjetëshëve, për t’i vënë ata t’i lërojnë arat, t’i korrin të lashtat, t’i prodhojnë armë lufte dhe vegla për qerret e tij.
13 Do të marrë bijat tuaja për t’i bërë parfumiere, gjellbërëse dhe furrtare.
14 Do të marrë arat tuaja, vreshtat dhe ullishtet tuaja; më të mirat që keni, për t’ua dhënë eunukëve dhe shërbëtorëve të tij.
15 Do të marrë të dhjetën e farërave dhe të vreshtave tuaja për t’ua dhënë eunukëve dhe shërbëtorëve të tij.
16 Do të marrë shërbëtorët, shërbëtoret, të rinjtë tuaj më të mirë dhe gomarët që keni për t’i përdorur në punimet e tij.
17 Do të marrë edhe të dhjetën e kopeve tuaja, dhe ju do të jeni skllevërit e tij.
18 Atë ditë ju do të ulërini për shkak të mbretit që keni për vete, por Zoti nuk do t’ju përgjigjet".
19 Me gjithatë populli nuk deshi t’i dëgjojë fjalët e Samuelit dhe tha: Jo, do të kemi një mbret mbi ne..
20 Kështu do të jemi edhe ne si gjithë kombet; mbreti ynë do të na qeverisë, do të na dalë në krye dhe do të luftojë në betejat tona".
21 Samueli i dëgjoi tërë fjalët e popullit dhe ia tregoi Zotit.
22 Zoti i tha Samuelit: "Dëgjoje kërkesën e tyre dhe cakto një mbret mbi ta". Atëherë Samueli u tha njerëzve të Izraelit: "Secili të kthehet në qytetin e tij".
7 Dhe kur të kryhen të një mijë vjetët, Satani do të zgjidhet nga burgu i tij,
8 dhe do të dalë të mashtrojë kombet që janë në të katër anët e dheut, Gogun e Magogun, që t’i mbledhë ata për luftë; numri i tyre do të jetë si rëra e detit.
9 Dhe ata do të lëvizin në të gjithë sipërfaqen e dheut dhe do ta rrethojnë fushën e shenjtorëve dhe qytetin e dashur. Por nga qielli do të zbresë zjarr, i dërguar nga Perëndia, dhe do t’i përpijë.
10 Atëherë djallin që i kishte mashtruar, do ta hedhin në liqenin e zjarrit e të squfurit, ku janë bisha dhe profeti i rremë; dhe do të mundohen ditë e natë në shekuj të shekujve.
11 Pastaj pashë një fron të madh të bardhë dhe atë që ulej mbi të, nga prania e të cilit iku dheu dhe qielli, dhe nuk u gjet vënd për ata.
12 Dhe pashë të vdekurit, të mëdhenj e të vegjël, që rrinin në këmbë përpara Perëndisë, edhe librat u hapën; dhe u hap një libër tjetër, që është libri i jetës; dhe të vdekurit u gjykuan në bazë të gjërave të shkruara në libra, sipas veprave të tyre.
13 Dhe deti i dorëzoi të vdekurit që ishin në të, dhe vdekja dhe Hadesi dorëzuan të vdekurit që ishin në ta; dhe ata u gjykuan secili sipas veprave të veta.
14 Pastaj vdekja dhe Hadesi u flakën në liqenin e zjarrit. Kjo është vdekja e dytë.
15 Dhe, nëse ndokush nuk u gjet i shkruar në librin e jetës, u flak në liqenin e zjarrit.