Print Page Options
Previous Prev Day Next DayNext

Revised Common Lectionary (Semicontinuous)

Daily Bible readings that follow the church liturgical year, with sequential stories told across multiple weeks.
Duration: 1245 days
Albanian Bible (ALB)
Version
Psalmet 118:1-2

118 Kremtojeni Zotin sepse ai është i mirë, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë.

Po, Izraeli le të thotë tani: "Dhemshuria e tij vazhdon përjetë".

Psalmet 118:14-24

14 Zoti është forca ime dhe kënga ime, ai ka qenë shpëtimi im.

15 Një britmë gëzimi dhe fitoreje jehon në çadrat e të drejtëve; dora e djathtë e Zotit bën çudi.

16 E djathta e Zotit u ngrit; e djathta e Zotit bën çudi.

17 Unë nuk do të vdes, por do të jetoj dhe do të tregoj veprat e Zotit.

18 Zoti më ka ndëshkuar rëndë, por nuk më ka lënë në dorë të vdekjes.

19 Më hapni portat e drejtësisë; unë do të hyj dhe do të kremtoj Zotin.

20 Kjo është porta e Zotit, të drejtët do të kalojnë nëpër të.

21 Unë do të të kremtoj, sepse më je përgjigjur dhe ke qenë shpëtimi im.

22 Guri, që ndërtuesit kishin hedhur, u bë guri i qoshes.

23 Kjo është vepër e Zotit, dhe është një gjë e mrekullueshme në sytë tona.

24 Kjo është dita që Zoti ka bërë; le të gëzohemi dhe të ngazëllojmë në të.

Zanafilla 1:20-2:4

20 Pastaj Perëndia tha: "Të mbushen ujërat nga një numër i madh qeniesh të gjalla dhe të fluturojnë zogjtë lart mbi tokë nëpër hapësirën e madhe të kupës qiellore".

21 Kështu Perëndia krijoi kafshët e mëdha ujore dhe të gjitha gjallesat që lëvizin dhe që mbushin ujërat, secili simbas llojit të vet, e çdo shpend fluturues simbas llojit të vet. Dhe Perëndia e pa se kjo ishte mirë.

22 Dhe Perëndia i bekoi duke thënë: "Të jeni të frytshëm, shumëzoni dhe mbushni ujërat e deteve, e zogjtë të shumëzohen mbi tokë".

23 Kështu erdhi mbrëmja dhe pastaj mëngjesi: dita e pestë.

24 Pastaj Perëndia tha: "Të prodhojë toka qenie të gjalla sipas llojit të tyre: kafshë, rrëshqanorë dhe bisha të tokës, simbas llojit të tyre". Dhe kështu u bë.

25 Dhe Perëndia bëri egërsirat e tokës sipas llojit të tyre, kafshët simbas llojit të tyre dhe të gjithë rrëshqanorët e tokës simbas llojit të tyre. Dhe Perëndia e pa që kjo ishte mirë.

26 Pastaj Perëndia tha: "Ta bëjmë njeriun sipas shëmbëlltyrës sonë dhe në ngjasim me ne, dhe të ushtrojë sundimin e tij mbi peshqit e detit, mbi zogjtë e qiellit, mbi kafshët e mbi gjithë tokën, mbi rrëshqanorët që zvarriten mbi dhe".

27 Kështu Perëndia krijoi njeriun simbas shëmbëlltyrës së vet, simbas shëmbëlltyrës së Perëndisë; Ai krijoi mashkullin e femrën.

28 Dhe Perëndia i bekoi; dhe Perëndia u tha atyre: "Të jeni të frytshëm dhe shumëzohuni, mbushni tokën e nënshtrojeni, e sundoni mbi peshqit e detit, mbi zogjtë e qiellit dhe mbi çdo qenie që lëviz mbi tokë".

29 Dhe Perëndia tha: "Ja unë po ju jap çdo bar që lëshon farë mbi sipërfaqen e mbarë tokës dhe çdo pemë të ketë fruta që përmbajnë farë; kjo do t’ju shërbejë si ushqim.

30 Dhe çdo kafshe të tokës, çdo zogu të qiellit dhe çdo gjëje që lëviz mbi tokë dhe ka në vetvete një frymë jete, unë i jap çdo bar të gjelbër si ushqim". Dhe kështu u bë.

31 Atëherë Perëndia shikoi të gjitha ato që kishte bërë, dhe ja, ishte shumë mirë. Kështu erdhi mbrëmja dhe pastaj erdhi mëngjesi: dita e gjashtë.

Kështu përfunduan qielli dhe toka si dhe tërë ushtria e tyre.

Ndërkaq ditën e shtatë Perëndia mbaroi veprën që kishte kryer dhe ditën e shtatë u çlodh nga gjithë vepra që kishte kryer.

Dhe Perëndia bekoi ditën e shtatë dhe e shenjtëroi, sepse atë ditë Perëndia u çlodh nga gjithë vepra që kishte krijuar dhe kryer.

Këto janë origjina e qiellit dhe e tokës kur u krijuan, ditën që Zoti Perëndi krijoi tokën dhe qiellin.

1 e Korintasve 15:50-58

50 Edhe këtë po ju them, o vëllezër, se mishi dhe gjaku nuk mund të trashëgojnë mbretërinë e Perëndisë, as prishja nuk mund të trashëgojë paprishjen.

51 Ja, unë po ju them një të fshehtë: të gjithë nuk do të vdesim, por të gjithë do të shndërrohemi në një moment,

52 sa hap e mbyll sytë, në tingullin e burisë së fundit; sepse do të bjerë buria, të vdekurit do të ringjallen të paprisshëm dhe ne do të shndërrohemi,

53 sepse ky trup që prishet duhet të veshë mosprishjen dhe ky ivdekshëm të veshë pavdekësinë.

54 Edhe ky trup që prishet, kur të veshë mosprishjen, edhe ky i vdekshëm kur të veshë pavdekësinë, atëherë do të realizohet fjala që është shkruar: “Vdekja u përpi në fitore.”

55 O vdekje, ku është gjëmba jote? O ferr, ku është fitorja jote?

56 Edhe gjëmba e vdekjes është mëkati; dhe fuqia e mëkatit është ligji.

57 Por ta falënderojmë Perëndinë që na jep fitoren me anë të Zotit tonë Jezu Krisht.

58 Prandaj, o vëllezërit e mi të dashur, qëndroni të fortë e të patundur, duke tepruar përherë në veprën e Zotit, duke e ditur se mundi juaj nuk është i kotë në Zotin.