Print Page Options
Previous Prev Day Next DayNext

Revised Common Lectionary (Semicontinuous)

Daily Bible readings that follow the church liturgical year, with sequential stories told across multiple weeks.
Duration: 1245 days
Albanian Bible (ALB)
Version
Psalmet 86:11-17

11 Mësomë rrugën tënde, o Zot, dhe unë do të ec në të vërtetën tënde; bashkoje zemrën time me frikën e emrit tënd.

12 Unë do të të lëvdoj, o Zot, Perëndia im, me gjithë zemër, dhe do ta përlëvdoj emrin tënd përjetë.

13 Sepse e madhe është mirësia jote ndaj meje; ti ke shpëtuar shpirtin tim nga Sheoli.

14 O Perëndi, njerëz kryelartë kanë dalë kundër meje dhe një turmë njerëzish të dhunës kërkojnë jetën time dhe nuk të vë ty para syve të tyre.

15 Por ti, o Zot, je një Perëndi i mëshirshëm dhe i dhembshur që zemërohet ngadalë dhe që ka shumë mirësi dhe të vërtetë.

16 Kthehu nga unë dhe ki mëshirë për mua; jepi forcën tënde shërbëtorit tënd dhe shpëto birin e shërbëtores sate.

17 Tregomë një shenjë të dashamirësisë sate, me qëllim që ata që më urrejnë ta shohin dhe të mbeten të shushatur, duke parë që ti, o Zot, më ke ndihmuar dhe më ke ngushëlluar.

Jeremia 42:18-22

18 Sepse kështu thotë Zoti i ushtrive, Perëndia i Izraelit: "Ashtu si zemërimi im dhe tërbimi im janë derdhur mbi banorët e Jeruzalemit, kështu tërbimi im do të derdhet mbi ju, kur të hyni në Egjipt, dhe do të bëheni objekt nëme, habije, mallkimi, turpi dhe nuk do ta shihni më këtë vend".

19 O mbetje e Judës, Zoti ju thotë: "Mos shkoni në Egjipt!". Dijeni mirë që sot ju kam paralajmëruar në mënyrë solemne.

20 Ju keni përdorur mashtrimin kundër vetes suaj, kur më dërguat tek Zoti, Perëndia juaj, duke thënë: "Lutju për ne Zotit, Perëndisë tonë, dhe tërë ato që ka për të thënë Zoti, Perëndia ynë, na i trego me besnikëri, dhe ne do t’i bëjmë".

21 Unë ua bëra të ditur sot; por ju nuk i bindeni zërit të Zotit, Perëndisë tuaj, dhe asgjëje nga ato që ka dërguar t’ju thotë nëpërmjet meje.

22 Por dijeni mirë, pra, që ju do të vdisni nga shpata nga uria dhe nga murtaja në vendin ku dëshironi të shkoni për të banuar".

Mateu 10:5-23

Këta janë të dymbëdhjetët që Jezusi i dërgoi mbasi u dha këto urdhëra: “Mos shkoni ndër paganë dhe mos hyni në asnjë qytet të Samaritanëve,

por shkoni më mirë te delet e humbura të shtëpisë së Izraelit.

Shkoni dhe predikoni duke thënë: "Mbretëria e qiejve u afrua".

Shëroni të sëmurët, pastroni lebrozët, ngjallni të vdekurit, dëboni demonët; falas morët, falas jepni.

Mos grumbulloni ar, as argjend as bakër në qesen tuaj,

10 as trasta për udhë, as dy palë tunika, as sandale, as shkop, sepse punëtori është i denjë për ushqimin e vet.

11 Në çfarëdo qytet ose fshat që të hyni, pyetni në se ka aty ndonjë njeri të denjë dhe banoni tek ai deri sa të niseni.

12 Dhe kur hyni në shtëpi, e përshëndetni.

13 Dhe në se ajo shtëpi është e denjë, le të vijë paqja juaj mbi të; por, në se nuk është e denjë, paqja juaj le të kthehet përsëri tek ju.

14 Dhe në se dikush nuk ju pret dhe nuk i dëgjon fjalët tuaja, duke dalë nga ajo shtëpi ose nga ai qytet, shkundni pluhurin nga këmbët tuaja.

15 Dhe në të vërtetë po ju them se ditën e gjyqit, vendi i Sodomës dhe i Gomorës do të trajtohet me më shumë tolerancë se ai qytet.

16 Ja, unë po ju dërgoj si dele në mes të ujqërve; jini, pra, të mënçur si gjarpërinjtë dhe të pastër si pëllumbat.

17 Por ruhuni nga njerëzit, sepse do t’ju zvarrisin përpara sinedrave të tyre dhe do t’ju fshikullojnë në sinagogat e tyre.

18 Dhe do t’ju çojnë përpara guvernatorëve dhe përpara mbretërve për shkakun tim, për të dëshmuar para tyre dhe para johebrenjve.

19 Dhe, kur t’ju dorëzojnë në duart e tyre, mos u shqetësoni se çfarë dhe si do të flisni; sepse në atë çast do t’ju jepet se çfarë duhet të thoni;

20 sepse nuk do të jeni ju që do të flisni, por Fryma e Atit tuaj që do të flasë në ju.

21 Tani vëllai do të dorëzojë vëllanë në vdekje dhe ati të birin; dhe bijtë do të çohen kundër prindërve dhe do t’i vrasin.

22 Dhe të gjithë do t’ju urrejnë për shkak të emrit tim; por ai që do të qëndrojë deri në fund, do të shpëtojë.

23 Por kur do t’ju përndjekin në një qytet, ikni në një tjetër, sepse në të vërtetë ju them se nuk do të përfundoni së përshkuari qytetet e Izraelit, para se të vijë Biri i njeriut.