Revised Common Lectionary (Semicontinuous)
118 Kremtojeni Zotin sepse ai është i mirë, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë.
2 Po, Izraeli le të thotë tani: "Dhemshuria e tij vazhdon përjetë".
14 Zoti është forca ime dhe kënga ime, ai ka qenë shpëtimi im.
15 Një britmë gëzimi dhe fitoreje jehon në çadrat e të drejtëve; dora e djathtë e Zotit bën çudi.
16 E djathta e Zotit u ngrit; e djathta e Zotit bën çudi.
17 Unë nuk do të vdes, por do të jetoj dhe do të tregoj veprat e Zotit.
18 Zoti më ka ndëshkuar rëndë, por nuk më ka lënë në dorë të vdekjes.
19 Më hapni portat e drejtësisë; unë do të hyj dhe do të kremtoj Zotin.
20 Kjo është porta e Zotit, të drejtët do të kalojnë nëpër të.
21 Unë do të të kremtoj, sepse më je përgjigjur dhe ke qenë shpëtimi im.
22 Guri, që ndërtuesit kishin hedhur, u bë guri i qoshes.
23 Kjo është vepër e Zotit, dhe është një gjë e mrekullueshme në sytë tona.
24 Kjo është dita që Zoti ka bërë; le të gëzohemi dhe të ngazëllojmë në të.
15 Atëherë Moisiu dhe bijtë e Izraelit i kënduan këtë kantik Zotit dhe folën duke thënë: "Unë do t’i këndoj Zotit, sepse u lartësua shumë; hodhi në det kuaj dhe kalorës.
2 Zoti është forca ime dhe kantiku im, ka qënë shpëtimi im. Ky është Perëndia im, unë do ta përlëvdoj; është Perëndia i atit tim, unë do ta lartësoj.
3 Zoti është një luftëtar, emri i tij është Zoti.
4 Ai hodhi në det qerret e Faraonit dhe ushtrinë e tij, luftëtarët më të mirë të tij u mbytën në Detin e Kuq.
5 Ata mbulohen nga humnera; ranë në fund si një gur.
6 E djathta jote, o Zot, është e mrekullueshme në fuqinë e saj. E djathta jote, o Zot, i dërmoi armiqtë.
7 Me madhështinë e madhërisë sate, ti i përmbys ata që ngrihen kundër teje; ti nxjer jashtë zemërimin tënd, ai i prish ata sikur të ishin kallamishte.
8 Sa të shfrysh nga vrimat e hundëve, ujërat janë grumbulluar, valët janë ngritur si një mur, dhe dallgët janë përforcuar në zemrën e detit.
9 Armiku thoshte: "Do t’i ndjek, do t’i arrij, do të ndaj kufomat, lakmia ime do të ngopet mbi ta; do të zhvesh shpatën time, dora ime do t’i shfarosë".
10 Po ti dërgove jashtë frymën tënde dhe deti i mbuloi; u mbytën si plumbi në ujërat e fuqishme.
11 Kush barazohet me ty midis perëndive, o Zot? Kush barazohet me ty, i mrekullueshëm në shenjtëri, i madhërishëm në lëvdata, o çudibërës?
12 Ti shtrive dorën e djathtë, dhe toka i gëlltiti.
13 Me mëshirën tënde, ke udhëhequr popullin që e ke shpenguar; me forcën tënde e ke çuar drejt banesës sate të shenjtë.
14 Popujt e kanë dëgjuar këtë dhe dridhen. Ankthi ka mbërthyer banorët e Filistinës.
15 Që tani krerët e Edomit e kanë humbur, të fuqishmit e Moabit i ka zënë frika, tërë banorët e Kanaanit po shkrihen.
16 Frika dhe tmerri do të bierë mbi ta. Falë forcës së krahut tënd do të bëhen të palëvizshëm si guri, deri sa populli yt, o Zot, të kalojë, deri sa të kalojë populli që ti ke blerë.
17 Ti do t’i futësh dhe do t’i vendosësh në malin e trashëgimisë sate, në vendin që ke përgatitur, o Zot, për banesën tënde, në shenjtëroren që duart e tua, o Perëndi, kanë vendosur.
18 Zoti do të mbretërojë gjithnjë, përjetë".
12 Vishuni, pra, si të zgjedhur të Perëndisë, shenjtorë dhe të dashur, me dhembshuri të brendshme, mirësinë, përulësinë, zemërbutësinë dhe me durimin,
13 duke duruar njeri tjetrin dhe duke falur njeri tjetrin, nëqoftëse dikush ankohet kundër një tjetri; dhe sikundër Krishti ju ka falur, ashtu bëni edhe ju.
14 Dhe, përmbi të gjitha këto gjëra, vishni dashurinë, që është lidhja e përsosmërisë.
15 Dhe paqja e Perëndisë, për të cilin ju u thirrët në një trup të vetëm, të mbretërojë në zemrat tuaja; dhe jini mirënjohës!
16 Fjala e Krishtit banoftë në ju me begatinë e vet; në çdo dituri, mësoni dhe këshilloni njeri tjetrin me psalme, himne dhe këngë frymërore, duke kënduar Zotit me hir në zemrat tuaja!
17 Dhe çdo gjë që të bëni, me fjalë a me vepër, t’i bëni në emër të Zotit Jezus, duke e falënderuar Perëndinë Atë nëpërmjet tij.