Revised Common Lectionary (Semicontinuous)
5 Dhe qiejtë do të kremtojnë mrekullitë e tua, o Zot, dhe besnikërinë tënde në kuvendin e shenjtorëve.
6 Sepse kush mund të krahasohet në qiell me Zotin? Dhe kush është i njëllojtë me Zotin midis bijve të të Fuqishmit?
7 Perëndisë ia kanë frikën shumë në kuvendin e shenjtorëve, dhe respektohet thellë nga tërë ata që e rrethojnë.
8 O Zot, Perëndi i ushtrive, kush është i fuqishëm si ti, o Zot? Besnikëria jote të rrethon kudo.
9 Ti e sundon tërbimin e detit; kur valët e tij ngrihen, ti i qetëson.
10 Ti e ke bërë copë-copë Egjiptin, duke e plagosur për vdekje; me krah të fuqishëm ke shpërndarë armiqtë e tu.
11 Qiejtë janë të tutë, edhe toka është jotja; ti e ke krijuar botën dhe të gjitha atë që janë në të.
12 Ti ke krijuar veriun dhe jugun; Tabori dhe Hermoni lëshojnë britma gëzimi kur dëgjojnë emrin tënd.
13 Ti ke krah të fuqishëm; dora jote është e fortë, e djathta jote ngrihet në qiell.
14 Drejtësia dhe e drejta përbëjnë bazën e fronit tënd; mirësia dhe e vërteta shkojnë përpara fytyrës sate.
15 Lum ai popull që njeh britmën e gëzimit, o Zot, sepse ai do të ecë në dritën e fytyrës sate;
16 do të ngazëllojë tërë ditën me emrin tënd dhe do të gëzohet shumë në drejtësinë tënde.
17 Po, ti je mburrja e forcës së tyre, dhe me favorin tënd ti e shton fuqinë tonë.
18 Sepse mburoja jonë i përket Zotit dhe mbreti ynë të Shenjtit të Izraelit.
19 Ti i fole atëherë në vegim të dashurit tënd dhe the: "Ndihmova një të fuqishëm, përlëvdova një të zgjedhur nga populli.
20 Gjeta Davidin, shërbëtorin tim, dhe e vajosa me vajin tim të shenjtë.
21 Dora ime do ta përkrahë me vendosmëri dhe krahu im do ta forcojë.
22 Armiku nuk do ta shtypë dhe i ligu nuk do ta pikëllojë.
23 Do të asgjesoj para tij armiqtë e tij dhe do të godas ata që e urrejnë.
24 Besnikëria ime dhe mirësia ime do të jenë me të, dhe me emrin tim do të bëhet i fuqishëm.
25 Do ta shtrij dorën e tij mbi detin dhe dorën e djathtë të tij mbi lumenjtë.
26 Ai do të kërkojë ndihmën time, duke thënë: "Ti je Ati im, Perëndia im dhe Kështjella ime e shpëtimit".
27 Do ta bëj gjithashtu të parëlindurin tim, më të shkëlqyerin ndër mbretërit e dheut.
28 Do të përdor mirësi ndaj tij përjetë, dhe besëlidhja ime me të do të mbetet e qëndrueshme.
29 Do t’i bëj gjithashtu pasardhësit e tij të përjetshem dhe fronin e tij si ditët e qiejve.
30 Në rast se bijtë e tij braktisin ligjin tim dhe nuk ecin, sipas urdhërimeve të mia,
31 në rast se shkelin statutet e mia dhe nuk respektojnë urdhërimet e mia,
32 unë do ta dënoj shkeljen e tyre me shufër dhe paudhësinë e tyre me të rrahura,
33 por nuk do ta heq mirësinë time prej tij dhe nuk do të lë që besnikëria ime të jetë e mangët.
34 Nuk do të shkel besëlidhjen time dhe nuk do t’i ndryshoj fjalët që kanë dalë nga goja ime.
35 Jam betuar një herë për shenjtërinë time dhe nuk do ta gënjej Davidin;
36 pasardhësit e tij do të jenë përjetë dhe froni i tij do të jetë si dielli para meje,
37 do të jenë të qëndrueshëm si hëna, dhe dëshmitari në qiell është besnik". (Sela)
4 Fjala e Zotit m’u drejtua, duke më thënë:
5 "Para se unë të të formoja në barkun e nënës sate, të kam njohur; para se ti të dilje nga barku i saj, të kam shenjtëruar dhe të kam caktuar profet të kombeve".
6 Unë u përgjigja: "Mjerisht, o Zot, Zot, unë nuk di të flas, sepse jam një djalosh"".
7 Por Zoti më tha: "Mos thuaj: "Jam një djalosh," sepse ti do të shkosh te të gjithë ata te të cilët do të të dërgoj unë dhe do t’u thuash tërë ato që do të urdhëroj.
8 Mos ki frikë para tyre, sepse unë jam me ty për të të çliruar, thotë Zoti".
9 Pastaj Zoti shtriu dorën e tij dhe preku gojën time; mandej Zoti më tha: Ja, unë i vura fjalët e mia në gojën tënde..
10 Ja, sot unë të caktoj mbi kombet dhe mbi mbretëritë për të çrrënjosur dhe për të rrënuar, për të shembur dhe për të shkatërruar, për të ndërtuar dhe për të mbjellë".
4 Ata, pra, që ishin shpërndarë shkonin rreth e përqark, duke shpallur fjalën.
5 Dhe Filipi zbriti në qytetin e Samarisë dhe u predikoi atyre Krishtin.
6 Dhe turmat, me një mendje të vetme, dëgjonin me vëmendje gjërat që thoshte Filipi, duke dëgjuar dhe duke parë mrekullitë që ai bënte.
7 Frymëra të ndyra, pra, dilnin nga shumë të idemonizuar, duke bërtitur me zë të lartë; dhe shumë të paralizuar e të çalë shëroheshin.
8 Dhe në atë qytet u bë gëzim i madh.
9 Prej kohësh në atë qytet ishte një njeri që quhej Simon, i cili merrej me magji dhe i bënte të çuditeshin njerëzit e Samarisë, gjoja sikur ishte njeri i madh.
10 Dhe të gjithë, nga më i madhi te më i vogli, ia vinin veshin, duke thënë: “Ky është fuqia e madhe e Perëndisë.”
11 Dhe e dëgjonin, sepse prej një kohe të gjatë ai i kishte mahnitur me mjeshtrinë e tij prej magjistari.
12 Por, kur i besuan Filipit, që shpalli lajmin e mirë të gjërave të mbretërisë së Perëndisë dhe emrin e Jezu Krishtit, burra dhe gra u pagëzuan.
13 Besoi edhe Simoni dhe, mbasi u pagëzua, rrinte vazhdimisht me Filipin; dhe, duke parë veprat e fuqishme dhe shenjat që ishin bërë, mbeti i çuditur.