Revised Common Lectionary (Semicontinuous)
135 Aleluja. Lëvdoni emrin e Zotit, lëvdojeni, o shërbëtorë të Zotit,
2 që rrini në shtëpinë e Zotit, në oborret e shtëpisë së Perëndisë tonë.
3 Lëvdoni Zotin, sepse Zoti është i mirë; i këndoni lavde emrit të tij, sepse ai është i dashur.
4 Sepse Zoti ka zgjedhur për vete Jakobin, dhe Izraelin si thesar të tij të veçantë.
5 Po, unë pranoj që Zoti është i madh dhe që Zoti ynë është përmbi të gjitha perënditë.
6 Zoti bën ç’të dojë në qiell dhe në tokë, në dete dhe në të gjitha humnerat.
7 Ai i larton avujt nga skajet e tokës, prodhon vetëtimat për shiun, e nxjerr erën nga depozitat e tij.
8 Ai i goditi të parëlindurit e Egjiptit, si të njerëzve ashtu edhe të kafshëve,
9 dërgoi shenja dhe mrekulli në mes teje, o Egjipt, mbi Faraonin dhe mbi të gjithë shërbëtorët e tij.
10 Ai goditi kombe të mëdha dhe vrau mbretër të fuqishëm:
11 Sionin, mbretin e Amorejve, Ogun, mbretin e Bashanit, dhe tërë mbretëritë e Kanaanit.
12 Dhe vendet e tyre ua dhe në trashëgimi, në trashëgimi Izraelit, popullit të tij.
13 O Zot, emri yt rron përjetë; kujtimi yt, o Zot, brez pas brezi.
14 Sepse Zoti do t’i sigurojë drejtësinë popullit të tij dhe do të ketë mëshirë për shërbëtorët e tij.
15 Idhujt e kombeve janë argjendi dhe ari, vepra të dorës së njeriut;
16 kanë gojë por nuk flasin, kanë sy por nuk shohin,
17 kanë veshë por nuk dëgjojnë; nuk kanë frymë në gojën e tyre.
18 Të ngjashëm me ta janë ata që i bëjnë, kushdo që ka besim tek ata.
19 Shtëpi e Izraelit, bekoje Zotin; shtëpi e Aaronit, bekoje Zotin.
20 Shtëpi e Levit, bekoje Zotin; ju që keni frikë nga Zoti, bekojeni Zotin.
21 Nga Sioni u bekoftë Zoti, që banon në Jeruzalem. Aleluja.
14 Pastaj erdhën tek unë disa pleq të Izraelit dhe u ulën para meje.
2 Atëherë fjala e Zotit m’u drejtua, duke thënë:
3 "Bir njeriu, këta njerëz kanë ngritur idhujt e tyre në zemrën e tyre dhe kanë vënë para tyre pengesën që i bën të bien në paudhësi. A do ta lë veten të konsultohem prej tyre?
4 Prandaj folu dhe u thuaj atyre: Kështu thotë Zoti, Zoti: Cilido qoftë nga shtëpia e Izraelit që i ngre idhujt e tij në zemrën e tij, dhe vë para vetes pengesën që e bën të bjerë në paudhësi dhe pastaj vjen te profeti, do t’i përgjigjem unë, Zoti, lidhur me këtë, sipas morisë së idhujve të tij,
5 për të ndikuar në zemrën e atyre të shtëpisë së Izraelit që janë larguar prej meje për shkak të të gjithë idhujve të tyre.
6 Prandaj i thuaj shtëpisë së Izraelit: Kështu thotë Zoti, Zoti: Konvertohuni, largohuni nga idhujtë tuaj dhe hiqni fytyrën nga të gjitha gjërat tuaja të neveritshme.
7 Sepse, në qoftë se një njeri çfardo i shtëpisë së Izraelit apo disa të huaj që banojnë në Izrael largohen nga unë, ngre idhujt e tij në zemrën e tij dhe vë para tij pengesën që e bën të bjerë në paudhësi dhe pastaj vjen te profeti, që të konsultohet me mua nëpërmjet atij, unë, do t’i përgjigjem unë, Zoti, nga vetja ime.
8 Do të kthej fytyrën time kundër këtij njeriu, do ta bëj një shënjë dhe një proverb dhe do ta shfaros në mes të popullit tim; atëherë do pranoni që unë jam Zoti.
9 Por në rast se profeti lë të mashtrohet dhe thotë ndonjë fjalë, unë, Zoti e kam bërë për vete këtë profet; do të shtrij dorën pastaj kundër tij dhe do ta shkatërroj në mes të popullit tim të Izraelit.
10 Që të dy do të vuajnë dënimin e paudhësisë së tyre; dënimi i profetit do të jetë i barabartë me dënimim e atij që e konsulton,
11 me qëllim që ata të shtëpisë së Izraelit të mos shkojnë duke u endur larg meje, të mos ndoten më nga të gjitha shkeljet e tyre, por të jenë populli im dhe unë të jem Perëndia i tyre," thotë Zoti, Zoti.
3 Por Pjetri dhe Gjoni po ngjiteshin bashkë për në tempull, rreth orës së nëntë, në orën e lutjes.
2 Dhe aty ishte një njeri i çalë që prej lindjes, të cilin e sillnin çdo ditë dhe e linin afër derës së tempullit, e t’u quajtur "E bukura," për t’u kërkuar lëmoshë atyre që hynin në tempull.
3 Ai, kur pa se Pjetri dhe Gjoni po hynin në tempull, u kërkoi lëmoshë.
4 Atëherë Pjetri, me Gjonin, duke i ngulur sytë mbi të, i tha: “Na shiko.”
5 Dhe ai po i shikonte me kujdes, duke shpresuar se do të merrte ndonjë gjë prej tyre.
6 Por Pjetri tha: “Unë nuk kam as argjend, as ar, por atë që kam po ta jap: në emër të Jezu Krishtit Nazarenas, çohu dhe ec!.”
7 Dhe, si e kapi nga dora e djathtë, e ngriti në këmbë; dhe në atë çast iu forcuan këmbët dhe nyjet.
8 Dhe me një të hovur u ngrit në këmbë dhe filloi të ecë; dhe hyri me ta në tempull, duke ecur, duke u hedhur dhe duke lavdëruar Perëndinë.
9 Dhe gjithë populli e pa duke ecur dhe duke lavdëruar Perëndinë,
10 dhe e njohën se ishte ai që rrinte ulur para derës së Bukur të tempullit për të kërkuar lëmoshë; dhe u mbushën me habi dhe çudi për atë që i kishte ndodhur atij.