Revised Common Lectionary (Semicontinuous)
46 Perëndia është për ne një streh dhe një forcë, një ndihmë gjithnjë e gatshme në fatkeqësi.
2 Prandaj ne nuk do të kemi frikë edhe sikur toka të luajë dhe malet të hidhen në mes të detit,
3 dhe ujërat e tij të tërbohen dhe të shkumojnë, dhe malet të dridhen në fryerjen e tij. (Sela)
4 Éshtë një lumë brigjet e të cilit mbushin me gëzim qytetin e Perëndisë, vendin e shenjtë ku banon shumë i Larti.
5 Perëndia është në mes të tij, ai nuk do të luajë nga vendi; Perëndia do ta ndihmojë në dritat e para të mëngjesit.
6 Kombet do të ziejnë, mbretëritë do të tronditen; ai dërgoi jashtë zërin e tij, toka u shkri.
7 Zoti i ushtrive është me ne; Perëndia i Jakobit është streha jonë. (Sela)
8 Ejani dhe admironi veprat e Zotit, që ka bërë mrekulli mbi tokë.
9 Ai bën që të pushojnë luftërat deri në skajet e tokës; ai prish harqet dhe thyen shtizat, dhe djeg qerret me zjarr.
10 Ndaluni dhe pranoni që jam Perëndi; do të ngrihem lart midis kombeve, do të ngrihem lart mbi tokë.
11 Zoti i ushtrive është me ne; Perëndia i Jakobit është streha jonë. (Sela)
3 Por gjarpri ishte më dinaku ndër të gjitha bishat e fushave që Zoti Perëndi kishte krijuar, dhe i tha gruas: "A ka thënë me të vërtetë Perëndia: Mos hani nga të gjitha pemët e kopshtit??"".
2 Dhe gruaja iu përgjegj gjarprit: "Nga fruti i pemëve të kopshtit mund të hamë;
3 por nga fruti i pemës që është në mes të kopshtit Perëndia ka thënë: "Mos hani dhe mos e prekni, ndryshe do të vdisni"".
4 Atëherë gjarpri i tha gruas: "Ju s’keni për të vdekur aspak;
5 por Perëndia e di që ditën që do t’i hani, sytë tuaj do të hapen dhe do të jeni në gjendje si Perëndia të njihni të mirën dhe të keqen".
6 Dhe gruaja pa që pema ishte e mirë për t’u ngrënë, që ishte e këndshme për sytë dhe që pema ishte i dëshirueshme për ta bërë të zgjuar dikë; dhe ajo mori nga fruti i saj, e hëngri dhe i dha edhe burrit të saj që ishte me të, dhe hëngri edhe ai.
7 Atëherë iu hapën sytë të dyve dhe e panë që ishin lakuriq; kështu ata qepën gjethe fiku dhe bënë breza për t’u mbuluar.
8 Pastaj dëgjuan zërin e Zotit Perëndi që shëtiste në kopsht në flladin e ditës; dhe burri e gruaja e tij u fshehën nga prania e Zotit Perëndi midis pemëve të kopshtit.
9 Atëherë Zoti Perëndi thirri njeriun dhe i tha: "Ku je?".
10 Ai u përgjigj: "Dëgjova zërin tënd në kopsht, dhe pata frikë sepse isha lakuriq dhe u fsheha".
11 Dhe Perëndia i tha: "Kush të tregoi se ishe lakuriq? Mos vallë ke ngrënë nga pema që unë të kisha urdhëruar të mos haje?".
12 Njeriu u përgjigj: "Gruaja që ti më vure pranë më dha nga pema dhe unë e hëngra".
13 Dhe Zoti Perëndi i tha gruas: "Pse e bëre këtë?". Gruaja u përgjigj: Gjarpri më mashtroi dhe unë hëngra prej sajj".
14 Atëherë Zoti Perëndi i tha gjarprit: "Me qenë se bëre këtë gjë, qofsh i mallkuar ndër gjithë kafshët dhe tërë bishat e fushave! Ti do të ecësh mbi barkun tënd dhe do të hash pluhur gjithë ditët e jetës sate.
15 Dhe unë do të shtie armiqësi midis teje dhe gruas, midis farës sate dhe farës së saj; fara e saj do të shtypë kokën tënde, dhe ti do të plagosësh thembrën e farës së saj".
16 Gruas i tha: "Unë do të shumëzoj në masë të madhe vuajtjet e tua dhe barrët e tua; me vuajtje do të lindësh fëmijë; dëshirat e tua do të drejtohen ndaj burrit tënd dhe ai do të sundojë mbi ty".
17 Pastaj i tha Adamit: "Me qenë se dëgjove zërin e gruas sate dhe hëngre nga pema për të cilën të kisha urdhëruar duke thënë: "Mos ha prej saj," toka do të jetë e mallkuar për shkakun tënd, ti do të hash frutin e saj me mund tërë ditët e jetës sate.
18 Ajo do të prodhojë gjemba dhe bimë gjembore, dhe ti do të hash barin e fushave;
19 do të hash bukën me djersën e ballit, deri sa të rikthehesh në dhe sepse nga ai ke dalë; sepse ti je pluhur dhe në pluhur do të rikthehesh".
20 Dhe burri i vuri gruas së tij emrin Evë, sepse ajo qe nëna e tërë të gjallëve.
21 Pastaj Zoti Perëndi i bëri Adamit dhe gruas së tij tunika prej lëkure dhe i veshi.
22 Dhe Zoti Perëndi tha: "Ja, njeriu u bë si një prej nesh, sepse njeh të mirën dhe të keqen. Dhe tani nuk duhet t’i lejohet të shtrijë dorën e tij për të marrë edhe nga pema e jetës kështu që, duke ngrënë nga ajo, të jetojë për gjithnjë".
23 Prandaj Zoti Perëndi e dëboi njeriun nga kopshti i Edenit, me qëllim, që të punonte tokën nga e cila kishte dalë.
24 Kështu ai e dëboi njeriun; dhe vendosi në lindje të kopshtit të Edenit kerubinët që vërtisnin nga çdo anë një shpatë flakëruese për të ruajtur rrugën e pemës së jetës.
7 “Mos gjykoni, që të mos gjykoheni.
2 Sepse ju do të gjykoheni sipas gjykimit me të cilin ju gjykoni; dhe me masën me të cilën ju masni, do t’ju masin të tjerët.
3 Pse shikon lëmishten që është në syrin e vëllait tënd dhe nuk shikon trarin që është në syrin tënd?
4 Ose, si mund t’i thuash vëllait tënd: "Dale të të heq lëmishten nga syri," kur ke një tra në syrin tënd?
5 O hipokrit, hiqe më parë trarin nga syri yt dhe pastaj shiko qartë për të nxjerrë lëmishten nga syri i vëllait tënd.
6 Mos u jepni qenve ç’është e shenjtë dhe mos i hidhni margaritarët tuaj para derrave, që të mos i shkelin me këmbë dhe të kthehen kundër jush dhe t’ju shqyejnë.