Print Page Options
Previous Prev Day Next DayNext

Revised Common Lectionary (Semicontinuous)

Daily Bible readings that follow the church liturgical year, with sequential stories told across multiple weeks.
Duration: 1245 days
Albanian Bible (ALB)
Version
Psalmet 22:1-15

22 Perëndia im, Perëndia im, pse më ke braktisur? Pse më rri kaq larg dhe nuk vjen të më çlirosh, duke dëgjuar fjalët e ofshamës sime?

O Perëndia im, unë bërtas ditën, por ti nuk përgjigjesh, edhe natën unë nuk rri në heshtje.

Megjithatë ti je i Shenjti, që banon në lëvdimet e Izraelit.

Etërit tonë kanë pasur besim te ti; kanë pasur besim te ti dhe ti i ke çliruar.

Të klithën ty dhe u çliruan; patën besim te ti dhe nuk u zhgënjyen.

Por unë jam një krimb dhe jo një njeri; turpi i njerëzve dhe përçmimi i popullit.

Tërë ata që më shohin më përqeshin, zgjatin buzën dhe tundin kokën,

duke thënë: "Ai i ka besuar Zotiit; le ta çlirojë, pra, ta ndihmojë, mbasi e do".

Me siguri ti je ai që më nxori nga barku i nënes; bëre që të kem besim te ti qysh nga koha kur pushoja mbi sisët e nënes sime.

10 Unë u braktisa te ti qysh nga lindja ime; ti je Perëndia im qysh nga barku i nënes sime.

11 Mos u largo nga unë, sepse ankthi është i afërt, dhe nuk ka asnjë që të më ndihmojë.

12 Dema të mëdhenj më kanë rrethuar, dema të fuqishëm të Bashanit më rrinë përqark;

13 ata hapin gojën e tyre kundër meje, si një luan grabitqar që vrumbullit.

14 Më derdhin si ujë dhe tërë kockat e mia janë të ndrydhura; zemra ime është si dylli që shkrihet në mes të zorrëve të mia.

15 Forca ime është tharë si një enë balte dhe gjuha ime është ngjitur te qiellza; ti më ke vënë në pluhurin e vdekjes.

Jobi 17

17 "Fryma ime u copëtua, ditët po më shuhen, varri po më pret.

A nuk jam i rrethuar nga njerëz që më përqeshin. Syri im ndalet mbi fyerjet e tyre.

Më jep, pra, një peng pranë teje, përndryshe kush do të më shtrëngonte dorën si garant?

Nga që i ke penguar mendjet e tyre të kuptojnë, prandaj nuk do t’i bësh të triumfojnë.

Kush i tradhton miqtë deri sa t’i grabisë, ka për t’i parë më pak sytë e fëmijëve të tij.

Por unë prej tij jam bërë gazi i popujve dhe jam katandisur në një njeri të cilin e pështyjnë në fytyrë.

Syri më erret për shkak të dhembjes dhe tërë gjymtyrët e mia nuk janë veçse hije.

Njerëzit e drejtë habiten nga kjo, dhe i pafajmi ngrihet kundër të pabesit.

Megjithatë i drejti mbetet i lidhur fort me rrugën e tij, dhe ai që i ka duart e pastra fortësohet gjithnjë e më tepër.

10 Sa për ju të gjithë, kthehuni, ejani, pra, sepse midis jush nuk po gjej asnjë njeri të urtë.

11 Ditët e mia shkuan dhe planet e mia u prishën, pikërisht ato dëshira që unë ushqeja në zemër.

12 Ata e ndërrojnë natën në ditë, "drita është afër," thonë, për shkak të errësirës.

13 Në rast se e pres Sheolin si shtëpinë time në rast se e shtrij shtrojen time në terr,

14 në rast se i them vendvarrit: "Ti je ati im," dhe krimbave: "Jeni nëna ime dhe motra ime,"

15 ku është, pra, shpresa ime? Kush mund të dallojë ndonjë shpresë për mua?

16 A do të zbres vallë në portat e Sheolit, kur do të gjejmë bashkë prehje në pluhur?".

Hebrenjve 3:7-19

Prandaj, sikurse thotë Fryma e Shenjtë: “Sot, në qoftë se e dëgjoni zërin e tij,

mos i ngurtësoni zemrat tuaja si në provokim, në ditën e tundimit në shkretëtirë,

ku etërit tuaj më tunduan duke më vënë në sprovë, ndonëse i kishin parë veprat e mia dyzet vjet.

10 Prandaj u indinjova me atë brez dhe thashë: Gabojnë gjithnjë me zemër dhe nuk i njohën udhët e mia;

11 kështu u betova në mërinë time: Nuk do të hyjnë në prehjen time.”

12 Kini kujdes, vëllezër, se mos ndonjë nga ju ka zemër të ligë, mosbesimi, që të largohet nga Perëndia i gjallë,

13 por nxitni njeri tjetrin çdo ditë, derisa thuhet: "Sot," që të mos ngurtësohet ndonjë nga ju prej mashtrimit të mëkatit.

14 Sepse ne jemi bërë pjestarë të Krishtit, në qoftë se do ta ruajmë të palëkundur deri në fund fillimin e besimit,

15 kur thuhet: “Sot, në qoftë se e dëgjoni zërin e tij, mos jini zemërgur si në ditën e kryengritjes.”

16 Kush janë ata që, mbasi e dëgjuan, e provokuan? A thua jo të gjithë ata që dolën nga Egjipti me anë të Moisiut?

17 Dhe kush qenë ata me të cilët u zemërua për dyzet vjet? A s’qenë vallë ata që mëkatuan, kufomat e të cilëve ranë nëpër shkretëtirë?

18 Dhe për cilët bëri be se nuk do të hynin në prehjen e tij, veç se për ata që qenë të pabindur?

19 Ne shohim se ata nuk mundën të hyjnë për shkak të mosbesimit.