Print Page Options
Previous Prev Day Next DayNext

Revised Common Lectionary (Semicontinuous)

Daily Bible readings that follow the church liturgical year, with sequential stories told across multiple weeks.
Duration: 1245 days
Albanian Bible (ALB)
Version
Psalmet 103:1-13

103 Beko, shpirti im, Zotin, dhe të gjitha ato që janë tek unë të bekojnë emrin e tij të shenjtë.

Beko, shpirti im, Zotin dhe mos harro asnjë nga të mirat që ka bërë.

Ai fal të gjitha paudhësitë e tua dhe shëron të gjitha sëmundjet e tua,

shpengon jetën tënde nga shkatërrimi dhe të kurorëzon me mirësi dhe dhembshuri;

ai ngop me të mira gojën tënde dhe të bën të ri si shqiponja.

Zoti vepron me drejtësi dhe mbron çështjen e të shtypurve.

Ai i tregon Moisiut rrugët e tij dhe bijve të Izraelit veprat e tij.

Zoti është i mëshirshëm dhe zemërbutë, i ngadalshëm në zemërim dhe i madh në mirësi.

Ai nuk grindet përjetë dhe nuk e ruan zemërimin gjithnjë.

10 Ai nuk na trajton siç e meritojnë mëkatet tona dhe nuk na dënon në bazë të fajeve tona.

11 Sepse sa të lartë janë qiejtë mbi tokën, aq e madhe është mirësia e tij ndaj atyre që kanë frikë prej tij.

12 Sa larg është lindja nga perëndimi, aq shumë ai ka larguar nga ne fajet tona.

13 Ashtu si një baba është i mëshirshëm me bijtë e tij, kështu është i mëshirshëm Zoti me ata që kanë frikë prej tij.

Psalmet 103:22

22 Bekoni Zotin, ju, të gjitha veprat e tij, në të tëra vendet e sundimit të tij. Shpirti im, beko Zotin!

Ezekieli 16:1-14

16 Fjala e Zotit m’u drejtua përsëri, duke thënë:

"Bir njeriu, bëja të njohura Jeruzalemit veprimet e tij të neveritshme,

dhe i thuaj: Kështu i thotë Zoti, Zoti, Jeruzalemit: Prejardhja jote dhe lindja jote janë nga vendi i Kanaanit; ati yt ishte një Amoreas dhe nëna jote një Hitease.

Kur linde ti, ditën që dole në këtë botë, nuk t’u pre kërthiza, nuk të lanë me ujë për t’u pastruar, nuk të fërkuan me kripë as të mbështollën në pelena.

Asnjë sy nuk u kujdes për ty që të të bënte qoftë edhe një nga këto gjëra, duke i ardhur keq për ty; përkundrazi ditën që linde të hodhen në fushë të hapur, për shkak të neverisë që kishin për ty.

Unë të kalova afër, pashë që po përpëliteshe në gjak dhe të thashë, ndërsa ndodheshe në gjakun tënd: "Jeto!". Po, ndërsa ndodheshe në gjakun tënd të thashë: "Jeto!".

Të bëra të rritesh si mori si filizat e arave; dhe ti u rrite, ubëre e madhe dhe u bëre shumë e bukur. Gjiri t’u formua, flokët t’u rritën shumë, por ti ishe lakuriqe dhe nevojtare.

Unë të kalova afër dhe të shikova, dhe ja, koha jote ishte koha e dashurisë. Kështu shtriva cepin e rrobave të mia mbi ty dhe mbulova lakuriqësinë tënde; të bëra një betim, lidha një besëlidhje me ty dhe ti u bëre imja," thotë Zoti, Zoti.

"Të lava me ujë, të pastrova krejt nga gjaku dhe të leva me vaj.

10 Pastaj të vura të veshësh rroba të qëndisura, të vura sandale prej lëkure baldoseje, të rrethova kokën me li të hollë dhe të mbulova me mëndafsh.

11 Të zbukurova me stoli, të vura byzylykë në kyçet e dorës dhe një gjerdan në qafë.

12 Të vura një unazë në hundë, vathë te veshët dhe një kurorë të mrekullueshme mbi krye.

13 Kështu u zbukurove me ar dhe argjend dhe u veshe me li të hollë, me mëndafsh dhe me qëndisje. Ti hëngre majë mielli, mjaltë dhe vaj; u bëre shumë, shumë e bukur dhe arrite të mbretërosh.

14 Nami yt u përhap midis kombeve për bukurinë tënde që ishte e përsosur, për shkak të shkëlqimit tim të madh që kisha vendosur mbi ty," thotë Zoti, Zoti.

Romakëve 3:1-8

Cila është, pra, përparësia e Judeut, ose cila është dobia e rrethprerjes?

E madhe në çdo mënyrë; para së gjithash sepse orakujt e Perëndisë iu besuan atyre.

Ç’të thuash atëherë? Në qoftë se disa nuk besuan, mosbesimi i tyre do ta anulojë, vallë, besnikërinë e Perëndisë?

Kurrë mos qoftë; përkundrazi, qoftë Perëndia i vërtetë dhe çdo njeri gënjeshtar, siç është shkruar: “Që ti të shfajësohesh në fjalët e tua dhe të ngadhënjesh kur të gjykohesh.”

Po në qoftë se padrejtësia jonë e vë në pah drejtësinë e Perëndisë, ç’do të themi? Perëndia qënka i padrejtë kur shfren zemërimin e tij? (Unë flas si njeri).

Kurrë mos qoftë! Sepse atëherë, si do ta gjykonte Zoti botën?

Prandaj në qoftë se me anë të gënjeshtrës sime e vërteta e Perëndisë e lartëson lavdinë e tij, përse unë gjykohem akoma si mëkatar?

E përse të mos themi si disa që, duke shpifur, pohojnë se ne themi: “Të bëjmë të keqen që të vijë e mira”? Dënimi i këtyre është i drejtë.