Revised Common Lectionary (Semicontinuous)
1 Lum njeriu që nuk ecën sipas këshillës të të pabesëve, që nuk ndalet në rrugën e mëkatarëve dhe nuk ulet bashkë me tallësit,
2 por që gjen kënaqësinë e tij në ligjin e Zotit, dhe që mendon thellë ditë e natë mbi ligjin e tij.
3 Ai do të jetë si një pemë e mbjellë gjatë brigjeve të ujit, që jep frytin e tij në stinën e tij dhe të cilit gjethet nuk i fishken; dhe gjithçka bën do të ketë mbarësi.
4 Të tillë nuk janë të pabesët; janë si byku që era e shpërndan.
5 Prandaj të pabesët nuk do të përballojnë gjykimin, as mëkatarët në kuvendin e të drejtëve.
6 Sepse Zoti njeh rrugët të drejtëve, por rruga e të pabesëve të çon në shkatërrim.
24 Zoti më tregoi dy kosha me fiq të vendosur përpara tempullit të Zotit, mbas çuarjes në robëri prej Jeruzalemit nga Nebukadnetsari, mbreti i Babilonisë, të Jekoniahut, birit të Jehojakimit, mbret i Judës, të princave të Judës së bashku me artizanët dhe kovaçët dhe i kishte çuar në Babiloni.
2 Një nga koshat përmbante fiq shumë të mirë, fiq të dorës së parë, ndërsa koshi tjetër përmbante fiq shumë të këqij, aq të këqij sa nuk mund të haheshin.
3 Atëherë Zoti më tha: "Çfarë po shikon, Jeremia?". Unë u përgjigja: Fiqtë; fiqtë e mirë janë shumë më të mirë, ndërsa ata të këqij janë shumëë të këqij, aq të këqij sa nuk mund të hahen.
4 Fjala e Zotit m’u drejtua përsëri, duke thënë:
5 "Kështu thotë Zoti, Perëndia i Izraelit. Ashtu si këta fiq janë të mirë, kështu do të kujdesem për ata të Judës që u çuan në robëri, që unë i përzura nga ky vend në vendin e Kaldeasve për të mirën e tyre.
6 Unë do t’i hedh me dashamirësi sytë e mi mbi ta dhe do t’i sjell përsëri në këtë vend, do të bëj të begatohen dhe nuk do t’i shkatërroj më, do t’i mbjell dhe nuk do t’i çrrënjos më.
7 Do t’u jap një zemër për të më njohur mua që jam Zoti; ata do të jenë populli im dhe unë Perëndia i tyre, sepse do të kthehen tek unë me gjithë zemër.
8 Ashtu si këta fiq të këqij, madje aq të këqij sa nuk mund të hahen," kështu thotë Zoti, "në të njëjtën mënyrë do të braktis Sedekian, mbretin e Judës, princat e tij dhe kusurin e Jeruzalemit që do të mbetet në këtë vend dhe ata që banojnë në vendin e Egjiptit.
9 Do t’i braktis me qëllim që t’i trajtojnë keq dhe t’i mundojnë në të gjitha mbretëritë e tokës, dhe do të bëhen turpi, gazi, sarkazmi dhe mallkim në të gjitha vendet ku do t’i shpërndaj.
10 Do të dërgoj kundër tyre shpatën, urinë dhe murtajën, deri sa të shkatërrohen plotësisht në tokën që u kisha dhënë atyre dhe etërve të tyre".
16 Sa për të mbledhurit e ndihmave për shenjtorët, bëni edhe ju ashtu si i urdhërova kishat e Galatisë.
2 Të parën ditë të çdo jave, secili nga ju le të vërë mënjanë aq sa mundet sipas të ardhurave të tij, që, kur të vij, të mos bëhen atëherë mbledhje ndihmash.
3 Edhe, kur të vij, ata që ju do të miratoni, unë do t’i dërgoj me letra, që të çojnë në Jeruzalem dhuratën tuaj bujare.
4 Dhe po të jetë e udhës që të shkoj vetë, ata do të shkon me mua.
5 Edhe unë do të vij te ju, pasi të kem kaluar nëpër Maqedoni.
6 Dhe ndoshta do të rri te ju, ose edhe të dimëroj, që ju të më përcillni kudo që të shkoj.
7 Sepse kësaj here nuk dua t’ju shoh vetëm kalimthi, por shpresoj të rri pak kohë pranë jush, në dashtë Zoti.
8 Dhe unë do të rri në Efes deri për Rrëshajët,
9 sepse m’u hap një derë e madhe dhe e efektshme, dhe kundërshtarë ka shumë.
10 Tani, nëse vjen Timoteu, kujdesuni që të rrijë me ju pa druajtje, sepse ai punon për veprën e Zotit ashtu si unë.
11 Pra, asnjë të mos e përçmojë, por përcilleni në paqe që të vijë tek unë, sepse e pres bashkë me vëllezërit.
12 Sa për vëllanë Apol, iu luta shumë që të vijë tek ju bashkë me vëllezërit, por ai s’deshi kurrsesi të vinte tani; por do të vijë kur ta ketë volinë.