Revised Common Lectionary (Semicontinuous)
3 Çdo gjë ka stinën e vet, çdo situatë ka një kohë nën qiell;
2 një kohë për të lindur dhe një kohë për të vdekur, një kohë për të mbjellë dhe një kohë për të shkulur atë që është mbjellë,
3 një kohë për të vrarë dhe një kohë për të shëruar, një kohë për të shembur dhe një kohë për të ndërtuar,
4 një kohë për të qarë dhe një kohë për të qeshur, një kohë për të mbajtur zi dhe një kohë për të hedhur valle,
5 një kohë për të flakur gurët dhe një kohë për të mbledhur gurët, një kohë për të përqafuar dhe një kohë për të mos përqafuar,
6 një kohë për të kërkuar dhe një kohë për të humbur, një kohë për të ruajtur dhe një kohë për të hedhur tutje,
7 një kohë për të grisur dhe një kohë për të qepur, një kohë për të heshtur dhe një kohë për të folur,
8 një kohë për të dashuruar dhe një kohë për të urryer, një kohë për luftën dhe një kohë për paqen.
9 Çfarë përfitimi ka ai që punon nga të gjitha gjërat për të cilat mundohet?
10 Pashë punën që Perëndia u jep bijve të njerëzve, me qëllim që të mundohen.
11 Ai e ka bërë të bukur çdo gjë në kohën vet; ka vënë madje përjetësinë në zemrat e tyre, pa i dhënë mundësinë asnjë njeriu të zbulojë veprën që Perëndia ka bërë nga fillimi deri në fund.
12 Kështu kuptova që nuk ka gjë më të mirë se sa të gëzohesh dhe të bësh të mirë sa je gjallë;
13 dhe që çdo njeri që ha, pi dhe gëzon mirëqënie në gjithë mundin e tij, kjo është një dhuratë e Perëndisë.
8 Sa i mrekullueshëm është emri yt mbi gjithë rruzullin, o Zot, Zoti ynë, që vure madhështinë tënde mbi qiejtë!
2 Nga goja e të vegjëlve dhe foshnjave në gji ke vendosur lëvdimin për shkak të armiqve të tu, për t’i mbyllur gojën armikut dhe hakmarrësit.
3 Kur mendoj qiejtë e tu, që janë vepër e gishtërinjve të tu, hënën dhe yjet që ti ke vendosur,
4 çfarë është njeriu, që ta mbash mend, dhe biri i njeriut, që ta vizitosh?
5 Megjithatë ti e bëre pak më të ulët se Perëndia, dhe e kurorëzove me lavdi dhe me nder.
6 E bëre të mbretërojë mbi veprat e duarve të tua dhe vure çdo gjë nën këmbët e tij!
7 Dhentë dhe bagëtitë e tjera, madje bishat e egra,
8 zogjtë e qiellit dhe peshqit e detit, tërë ato që kalojnë nëpër shtigjet e detit.
9 O Zot, Zoti ynë, sa i mrekullueshëm është emri yt në të gjithë dheun!
21 Dhe pashë një qiell të ri dhe një dhe të ri; sepse qielli i parë dhe dheu i parë kishin shkuar, dhe deti nuk ishte më.
2 Dhe unë, Gjoni, pashë qytetin e shenjtë, Jeruzalemin e ri, që zbriste nga qielli, nga Perëndia, që ishte bërë gati si nuse e stolisur për burrin e vet.
3 Dhe dëgjova një zë të madh nga qielli që thoshte: “Ja tabernakulli i Perëndisë me njerëzit! Dhe ai do të banojë me ta; edhe ata do të jenë populli i tij dhe vetë Perëndia do të jetë bashkë me ta, Perëndi e tyre.
4 Dhe Perëndia do të thaijë çdo lot nga sytë e tyre; dhe vdekja nuk do të jetë më; as brengë, as klithma, as mundim, sepse gjërat e mëparshme shkuan.”
5 Dhe ai që rrinte mbi fron tha: “Ja, unë i bëj të gjitha gjërat të reja.” Dhe më tha: “Shkruaj, sepse këto fjalë janë të vërteta dhe besnike.”
6 Edhe më tha: “U bë! Unë jam Alfa dhe Omega, fillimi dhe mbarimi! Atij që ka etje unë do t’i jap si dhuratë nga burimi i ujit të jetës.
31 “Dhe kur të vijë Biri i njeriut në lavdinë e tij, bashkë me të gjithë engjëjt e shenjtë, atëherë do të ulet mbi fronin e lavdisë së vet.
32 Dhe të gjithë kombet do të mblidhen para tij; dhe ai do ta ndajë njërin nga tjetri ashtu si i ndan bariu delet nga cjeptë.
33 Dhe delet do t’i vërë në të djathtën e tij dhe cjeptë në të majtën.
34 Atëherë Mbreti do t’u thotë atyre që do të jenë në të djathtën e tij: Ejani, të bekuar të Atit tim; merrni në trashëgim mbretërinë që u bë gatii për ju që nga krijimi i botës.
35 Sepse pata uri dhe më dhatë për të ngrënë, pata etje dhe më dhatë për të pirë; isha i huaj dhe më pritët,
36 isha i zhveshur dhe më veshët, isha i sëmurë dhe ju më vizitonit, isha në burg dhe erdhët tek unë".
37 Atëherë të drejtët do t’i përgjigjen duke thënë: "Zot, kur të pamë të uritur dhe të dhamë për të ngrënë; ose të etur dhe të dhamë për të pirë?
38 Dhe kur të pamë të huaj dhe të pritëm ose të zhveshur dhe të veshëm?
39 Dhe kur të pamë të lënguar ose në burg dhe erdhëm te ti?".
40 Dhe Mbreti duke iu përgjigjur do t’u thotë: "Në të vërt etë po ju them: sa herë ia keni bërë këtë ndonjërit prej këtyre vëllezërve të mi më të vegjël, këtë ma bëtë mua.
41 Pastaj ai do t’u thotë edhe atyre që do të jenë në të majtë: "Largohuni nga unë, të mallkuar, në zjarr të përjetshëm, të përgatitur për djallin dhe engjëjt e tij.
42 Sepse pata uri dhe nuk më dhatë për të ngrënë, pata etje dhe nuk më dhatë për të pirë,
43 isha i huaj dhe nuk më pritët, i zhveshur dhe nuk më veshët, i sëmurë dhe në burg dhe nuk erdhët të më shihni".
44 Atëherë edhe ata do t’i përgjigjen duke thënë: "Zot, kur të pamë të uritur ose të etur, ose të huaj, ose të zhveshur, ose të lëngatë ose në burg dhe nuk të shërbyem?".
45 Atëherë ai do t’u përgjigjet atyre duke thënë: "Në të vërtetë ju them: sa herë nuk ia keni bërë këtë ndonjërit prej këtyre më të vegjëlve, këtë nuk ma bëtë as edhe mua".
46 Dhe ata do të shkojnë në mundim të përjetshëm, dhe të drejtët në jetën e përjetshme.”