Print Page Options
Previous Prev Day Next DayNext

Revised Common Lectionary (Complementary)

Daily Bible readings that follow the church liturgical year, with thematically matched Old and New Testament readings.
Duration: 1245 days
Albanian Bible (ALB)
Version
Psalmet 23

23 Zoti është bariu im, asgjë nuk do të më mungojë.

Ai më çon në kullota me bar të njomë, më drejton pranë ujërave që të çlodhin.

Ai ma përtërin shpirtin, më çon nëpër shtigjet e drejtësisë, nga dashuria që ka për emrin e tij.

Edhe sikur të ecja në luginën e hijes së vdekjes, nuk do të kisha frikë nga asnjë e keqe, sepse ti je me mua; shkopi yt dhe thupra jote janë ato që më japin zemër.

Ti shtron para meje tryezën në prani të armiqve të mi; ti vajos kokën time me vaj; kupa ime po derdhet.

Me siguri pasuri dhe mirësi do të më shoqërojnë në gjithë ditët e jetës ime; dhe unë do të banoj në shtëpinë e Zotit ditë të gjata.

Jeremia 10:17-25

17 "Mblidh sendet e tua nga vendi, ti që je i rrethuar".

18 Sepse kështu thotë Zoti: "Ja, këtë herë do t’i hedh larg banorët e vendit dhe do t’u sjell një fatkeqësi të madhe, me qëllim që të më gjejnë përsëri".

19 Mjerë unë për plagën time, plaga ime është e dhembshme. Por unë kam thënë: "Kjo është një sëmundje që unë duhet ta duroj".

20 Çadra ime është shkatërruar dhe të gjithë litarët e mi janë këputur; bijtë e mi kanë shkuar larg meje dhe nuk janë më; nuk ka më asnjë që të vendosë çadrën time apo të ngrerë shatorret e mia.

21 Sepse barinjtë kanë qenë pa mend dhe nuk kanë kërkuar Zotin; prandaj nuk kanë pasur mbarësi dhe tërë kopeja e tyre është shpërndarë.

22 Ja, po vjen një zhurmë lajmesh dhe një rrëmujë e madhe nga vendi i veriut, për t’i katandisur qytetet e Judës si shkretëtira, si strehim për çakejtë.

23 O Zot, unë e di që rruga e njeriut nuk varet nga fuqia e tij dhe njeriu që ecën nuk ka fuqi të drejtojë hapat e tij.

24 Më korrigjo, o Zot, por me drejtësi, jo në zemërimin tënd për të mos më reduktuar në asgjë.

25 Lëshoje zemërimin tënd mbi kombet që nuk të njohin dhe mbi popujt që nuk përmendin emrin tënd, sepse kanë gllabëruar Jakobin; po, e kanë gllabëruar dhe konsumuar dhe kanë shkatërruar banesën e tij.

Veprat e Apostujve 17:16-31

16 Ndërsa Pali po i priste në Athinë, po i ziente fryma përbrenda, kur pa qytetin plot me idhuj.

17 Ai, pra, po diskutonte në sinagogë me Judenjtët dhe me njerëz të përshpirtshëm dhe çdo ditë në sheshin e tregut me ata që takonte.

18 Diskutonin me të edhe disa filozofë epikurianë dhe stoikë. Disa thoshnin: “Vallë ç’do të thotë ky llafazan.” Dhe të tjerë thoshnin: “Ai duket se është një kasnec i perëndivë të huaja,” sepse u shpall atyre Jezusin dhe ringjalljen.

19 Dhe e zunë dhe e çuan në Areopag, duke thënë: “A mund ta marrim vesh ç’është kjo doktrinë e re për të cilën ti flet?

20 Sepse ti sjell disa gjëra të huaja në veshët tanë, prandaj duam të dimë ç’kuptim kanë ato.

21 Atëherë gjithë Athinasit dhe të huajt që banonin atje nuk e kalonin kohën më mirë sesa duke folur ose duke dëgjuar ndonjë fjalë të re.

22 Atëherë Pali, duke qëndruar në këmbë në mes të Areopagut, tha: “O burra athinas, unë shoh se në të gjitha gjërat ju jeni shumë fetarë.”

23 Sepse, duke ecur e duke vënë re objektet e kultit tuaj, gjeta edhe një altar mbi të cilin është shkruar: "PERÉNDISÉ SÉ PANJOHUR". Atë, pra, që ju e adhuroni pa e njohur, unë po jua shpall.

24 Perëndia që bëri botën dhe të gjitha gjërat që janë në të, duke qenë Zot i qiellit dhe i tokës, nuk banon në tempuj të bërë nga duart e njeriut,

25 dhe as shërbehet nga duart e njerëzve, sikur të kishte nevojë për ndonjë gjë, sepse ai u jep të gjithëve jetë, hukatje dhe çdo gjë;

26 dhe ai ka bërë nga një gjak i vetëm të gjitha racat e njerëzve, që të banojnë në mbarë faqen e dheut, dhe caktoi kohërat me radhë dhe caqet e banimit të tyre,

27 që të kërkojnë Zotin, mbase mund ta gjejnë duke prekur, ndonëse ai nuk është larg nga secili prej nesh.

28 Sepse në të ne jetojmë, lëvizim dhe jemi, sikurse kanë thënë edhe disa nga poetët tuaj: "Sepse jemi edhe ne pasardhës të tij".

29 Duke qenë, pra, se ne jemi pasardhës të Perëndisë, nuk duhet të mendojmë që natyra e perëndishme është e ngjashme me arin ose me argjendin, ose me gurin ose me një vepër arti të latuar dhe të shpikur nga njeriu.

30 Perëndia, pra, duke kaluar përmbi kohërat e padijes, i urdhëron të gjithë njerëzit dhe kudo që të pendohen.

31 Sepse ai ka caktuar një ditë në të cilën do të gjykojë me drejtësi botën me anë të atij njeriu të cilin ai e ka caktuar; dhe për këtë u ka dhënë të gjithëve një provë të sigurt, duke e ringjallur prej të vdekurit.”