Revised Common Lectionary (Complementary)
142 Unë i këlthas me zërin tim Zotit; me zërin tim i lutem Zotit.
2 Para tij paraqes vajtimin tim, para tij parashtroj fatkeqësinë time.
3 Kur fryma po më dobësohej, ti e dije ecjen time. Ata kanë përgatitur një lak për mua te shtegu që po kaloja.
4 Vështroj në të djathtën time dhe ja: nuk ka njeri që të më njohë; çdo rrugë shpëtimi është e mbyllur; asnjeri nuk kujdeset për jetën time.
5 Unë të këlthas ty, o Zot, dhe të them: "Ti je streha ime, pjesa ime në tokën e të gjallëve.
6 Dëgjo me vëmendje klithmën time, sepse jam katandisur si mos më keq; më çliro nga përndjekësit e mi, sepse janë më të fortë se unë.
7 Më nxirr nga burgu që të mund të kremtoj emrin tënd. Të drejtët do të mblidhen tok rreth meje, sepse ti do të më mbushësh me të mira".
9 Unë pashë Zotin që rrinte më këmbë pranë altarit dhe tha: "Goditi kapitelet, u shkundshin portat, dhe copëtoji mbi kokat e tyre. Unë do t’i vras pastaj ata që kanë mbetur me shpatë. Asnjë nga ata që ikin nuk do të mund t’ia dalë mbanë, dhe asnjë nga ata që ikin nuk do të mund të shpëtojë.
2 Edhe sikur të depërtojnë në Sheol, dora ime do t’i shkëpusë që andej; edhe sikur të ngjiten në qiell, unë do t’i tërheq poshtë që andej.
3 Edhe sikur të fshiheshin në majë të Karmelit, unë do t’i gjej dhe do t’i marr; edhe sikur t’i fshiheshin shikimit tim në fund të detit, atje do të urdhëroj gjarpërin t’i kafshojë;
4 edhe sikur të shkonin në robëri para armiqve të tyre, atje do të urdhëroj shpatën t’i vrasë. Unë do të ngul sytë e mi mbi ta për të keqen dhe jo për të mirën.
12 Kur zbardhi dita, disa Judenj kurdisën një komplot duke u lidhur me betim që të mos hanë dhe të mos pinë derisa të kenë vrarë Palin.
13 Ata që kishin bërë këtë komplot ishin më tepër se dyzet.
14 Ata u paraqitën para krerëve të priftërinjve dhe para pleqve dhe thanë: “Ne jemi lidhur me betim të mos vëmë gjë në gojë, derisa të vrasim Palin.
15 Ju, pra, me sinedrin, i bëni një kërkesë tribunit që t’jua sjellë nesër, gjoja se doni ta hetoni më thellë çështjen e tij; dhe ne, para se të afrohet, do të jemi gati ta vrasim.”
16 Por djali i motrës së Palit, si e mori vesh kurthin, rendi në fortesë dhe, mbasi hyri, i tregoi Palit.
17 Atëherë Pali thirri një nga centurionët pranë vetes dhe i tha: “Çoje këtë djalë tek kryemijëshi, sepse ka diçka për t’i thënë.”
18 Atëherë ai e mori dhe e çoi tek kryemijëshi dhe tha: “Pali, i burgosuri, më thirri dhe m’u lut të të sjell këtë djalë, sepse ka diçka për të të thënë.”
19 Atëherë kryemijësi e kapi për dore, e mori mënjanë dhe e pyeti: “Çfarë ke për të më thënë?.”
20 Ai tha: “Judenjtë janë marrë vesh që të të kërkojnë që nesër ta nxjerrësh Palin poshtë, në sinedër, se gjoja dashkan ta hetojnë më thellë çështjen e tij.
21 Prandaj ti mos ua vër veshin, sepse më shumë se dyzet burra nga ata kanë ngritur kurth kundër tij, sepse janë zotuar duke u lidhur me betim, të mos hanë e të mos pinë, derisa ta kenë vrarë; dhe tani janë gati dhe presin që ti t’ua lejosh atyre.”
22 Tribuni, pra, e la të shkojë djalin, duke e urdhëruar që të mos i tregojë kurrkujt se e kishte vënë në dijeni për këto gjëra.
23 Pastaj thirri dy centurionë dhe u tha: “Bëni gati që nga ora tre e natës dyqind ushtarë, shtatëdhjetë kalorës dhe dyqind shtizëmbajtës, për të shkuar deri në Cezare.”
24 Dhe u tha të bëjnë gati kuajt që ta hipte Pali dhe ta çonin shëndoshë e mirë te qeveritari Feliks.
25 Ai shkroi një letër me këtë përmbajtje:
26 “Klaud Lisia, qeveritarit shumë të shkëlqyeshëm Feliks, shëndet.
27 Ky njeri ishte kapur nga Judenjtë që ishin gati ta vrisnin, kur ia mbërrita unë me ushtarët dhe e lirova, sepse mora vesh se ishte qytetar romak.
28 Dhe, duke dashur të di fajin për të cilin e akuzonin, e nxora para sinedrit të tyre.
29 Përfundova se e kishin akuzuar për çështje që lidheshin me ligjin e tyre dhe që ai nuk kishte asnjë faj që të meritonte vdekjen e as burgimin.
30 Dhe, kur më njoftuan për kurthin që Judenjtë i ngritën këtij njeriu, ta nisa menjëherë, duke u dhënë urdhër paditësve të parashtrojnë para teje ankimet që kanë kundër tij. Qofsh me shëndet!.”
31 Ushtarët, pra, sipas urdhrit të dhënë, morën në dorëzim Palin dhe e çuan natën në Antipatridë.
32 Të nesërmen, pasi ua lanë si detyrë kalorësve të shkojnë me të, u kthyen në fortesë.
33 Ata, pasi arritën në Cezare dhe ia dorëzuan letrën qeveritarit, i paraqitën edhe Palin.
34 Mbasi e lexoi letrën, qeveritari e pyeti Palin nga ç’krahinë ishte; dhe, kur mori vesh se ishte nga Kilikia,
35 i tha: “Unë do të të dëgjoj kur të mbrrijnë edhe paditësit e tu.” Dhe urdhëroi që ta ruanin në pretoriumin e Herodit.