Old/New Testament
49 Dëgjoni gjithë popujt, vini veshin, o banorë të botës,
2 qofshin njerëz të popullit dhe fisnikë, të pasur dhe të varfër tok.
3 Nga goja ime do të dalin fjalë diturie dhe kredhja në mendime e zemrës sime do të sjellë mirëkuptim.
4 Unë do ta ndjek një proverb, do ta paraqes enigmën time me harpë.
5 Pse duhet të kem frikë nga ditët e fatkeqësisë, kur më rrethon ligësia e kundërshtarëve të mi,
6 ata që kanë besim në pasuritë e tyre dhe mburren me bollëkun e pasurisë së tyre?
7 Asnjeri nuk mund të shpengojë kurrsesi vëllanë e tij, as t’i japë Perëndisë çmimin e shpengimit të tij,
8 sepse shpengimi i shpirtit të tij është shumë i shtrenjtë, dhe çmimi i saj nuk do të mjaftonte kurrë,
9 për të bërë që ai të jetojë përjetë dhe të mos shohë gropën.
10 Në fakt të gjithë shohin që njerëzit e urtë vdesin dhe që po në atë mënyrë vdesin njerëzit e pamend a mendjeshkurtër, duke ua lënë të tjerëve pasuritë e tyre.
11 Me mendjen e tyre ata pandehin se shtëpitë e tyre do të qëndrojnë për gjithnjë, që banesat e tyre janë të përjetshme; dhe kështu u vënë tokave emrin e tyre.
12 Megjithatë edhe njeriu që jeton në mes të pasurive nuk e ka të gjatë; ai është njëlloj si kafshët që mbarojnë.
13 Kjo është sjellja e njerëzve pa mend dhe e atyre që u shkojnë dhe miratojnë fjalimet e tyre. (Sela)
14 Shtyhen si dele në drejtim të Sheolit; vdekja do t’i përpijë dhe në mëngjes njerëzit e drejtë do të sundojnë mbi ta. Luksi i tyre do të marrë fund në Sheol, larg banesës së tyre.
15 Por Perëndia im do ta shpengojë shpirtin tim nga pushteti i Sheolit, sepse ai do të më pranojë. (Sela)
16 Mos kij frikë kur dikush pasurohet, kur lavdia e shtëpisë së tij rritet,
17 sepse kur do të vdesë, nuk do të marrë asgjë me vete; lavdia e tij nuk do të zbresë pas tij.
18 Edhe në se në jetë e ndjente veten të lumtur (në fakt njerëzia të lavdëron kur pasurohesh),
19 ai do të arrijë brezin e etërve të tij, që nuk do ta shohin kurrë më dritën.
20 Njeriu që jeton në mes të pasurive pa pasur gjykim është njëlloj si kafshët që zhduken.
50 Perëndia i plotfuqishëm, Zoti ka folur dhe ka thirrur në mbledhje gjithë dheun, nga lindja në perëndim.
2 Nga Sioni, përsosmëri e bukurisë, Perëndia shkëlqen.
3 Perëndia ynë do të vijë dhe nuk do të rijë në heshtje; do të paraprihet nga një zjarr shkatërrimtar dhe rreth tij do të ketë një furtunë të madhe.
4 Ai do të thërresë qiejtë nga lart dhe tokën për të gjykuar popullin e tij,
5 dhe do të thotë: "Mblidhni shenjtorët e mi, që kanë lidhur një besëlidhje me mua me anë të flijimit".
6 Dhe qiejtë do të shpallin drejtësinë e tij, sepse vetë Perëndia është gjykatësi. (Sela)
7 "Dëgjo, o populli im, dhe unë do të flas; dëgjo, o Izrael, dhe unë do të dëshmoj kundër teje. Unë jam Perëndia, Perëndia yt.
8 Nuk do të të qortoj për flijimet e tua as për olokaustet e tua që më rrijnë gjithnjë përpara.
9 Nuk do të marr asnjë dem nga shtëpia jote dhe asnjë cjap nga vathët e tua.
10 Të mia janë në fakt tërë kafshët e pyllit; imja është bagëtia që ndodhet me mijëra ndër male.
11 I njohim tërë zogjtë e maleve; dhe të gjitha ato që lëvizin në fushat janë të miat.
12 Po të kisha uri, nuk do ta thoja; sepse bota dhe sa ajo përmban janë të miat.
13 A ha unë vallë mish demi ose a pi gjak cjapi?
14 Dhuroji Perëndisë flijime lëvdimi dhe plotëso zotimet e tua që i ke bërë Shumë të Lartit.
15 Kërkomë ditën e fatkeqësisë, unë do të të çliroj dhe ti do të më lëvdosh".
16 Por të pabesit Perëndia i thotë: "Çfarë të drejte ke ti të përmëndësh statutet e mia dhe të kesh mbi buzët e tua besëlidhjen time,
17 ti që e urren korrigjimin dhe i hedh pas kurrizit fjalët e mia?
18 Në rast se sheh një vjedhës, bashkohesh me të me gjithë qejf, dhe bëhesh shok i atyre që shkelin kurorën.
19 Ti gojën ia lë së keqes dhe gjuha jote kurdis mashtrime.
20 Ti ulesh, flet kundër vëllait tënd dhe shpif kundër birit të nënës sate.
21 Ti i ke bërë këto gjëra dhe unë kam heshtur; ti ke menduar që unë jam krejt i ngjashëm me ty. Por unë do të të përgjigjem dhe do të vë çdo gjë para syve të tu.
22 Tani kuptoni këtë gjë ju që harroni Perëndinë, që unë të mos ju bëjë copë-copë dhe askush të mos ju çlirojë dot.
23 Ai që ofron flijime lëvdimi më përlëvdon dhe atij që sillet drejt do t’i tregoj shpëtimin e Perëndisë".
1 Pali, shërbëtor i Jezu Krishtit, i thirrur për të qenë apostull, i veçuar për ungjillin e Perëndisë,
2 siç i kishte premtuar ai me anë të profetëve të tij në Shkrimet e shenjta,
3 lidhur me Birin e tij, të lindur nga fara e Davidit sipas mishit,
4 i deklaruar Biri i Perëndisë në fuqi, sipas Frymës së shenjtërisë nëpërmjet ringjalljes prej së vdekurit: Jezu Krishti Zoti ynë,
5 me anë të të cilit ne kemi marrë hir dhe apostullim, për bindje në besim midis të gjithë kombeve për hir të emrit të tij,
6 ndër të cilët edhe ju jeni të thirrur nga Jezu Krishti;
7 për ju të gjithë që jeni në Romë, të dashur nga Perëndia, të thirrur shenjtorë: hir dhe paqe nga Perëndia, Ati ynë, e nga Zoti Jezu Krishti.
8 Para së gjithash, falënderoj Perëndinë tim me anë të Jezu Krishtit për të gjithë ju, sepse për besimin tuaj është folur në gjithë botën.
9 Sepse Perëndia, të cilit unë i shërbej me frymën time nëpërmjet ungjillit të Birit të tij, është dëshmitari im që unë nuk pushoj kurrë t’ju kujtoj,
10 duke kërkuar vazhdimisht në lutjet e mia që të më lejohet më në fund nga vullneti i Perëndisë mundësia për të ardhur tek ju,
11 sepse unë dëshiroj fort t’ju shoh për t’ju komunikuar ndonjë dhunëti frymëror, që të fortësoheni.
12 Dhe kjo është që unë të ngushëllohem bashkë me ju me anë të besimit që e kemi të përbashkët, tuajin dhe timin.
13 Tani, vëllezër, unë nuk dua që të mos e dini se shumë herë kisha vendosur të vija tek ju që të mund të kem ndonjë fryt midis jush siç kam pasur midis johebrenjve të tjerë, por deri tash kam qenë i penguar.
14 Unë u jam borxhli Grekëve dhe barbarëve, të diturve dhe të paditurve.
15 Kështu, aq sa varet nga unë, jam gati t’ju predikoj ungjillin edhe juve që jeni në Romë.
16 Në fakt unë nuk kam turp për ungjillin e Krishtit, sepse ai është fuqia e Perëndisë për shpëtimin e cilitdo që beson, më parë Judeun e pastaj Grekun.
17 Sepse drejtësia e Perëndisë është zbuluar në të nga besimi në besim siç është shkruar: “I drejti do të jetojë me anë të besimit.”
18 Sepse zemërimi i Perëndisë zbulohet nga qielli për çdo pabesi e padrejtësi të njerëzve, që mbysin të vërtetën në padrejtësi,
19 meqenëse ajo që mund të njihet prej Perëndisë është bërë e dukshme në ta, sepse Perëndia ua ka shfaqur atyre.
20 Në fakt cilësitë e tij të padukshme, fuqia e tij e përjetshme dhe hyjnia e tij, duke qenë të dukshme nëpërmjet veprave të tij që nga krijimi i botës, shihen qartë, me qëllim që ata të jenë të pafalshëm.
21 Sepse, megjithëse e njohën Perëndinë, nuk e përlëvduan as e falënderuan si Perëndi, përkundrazi u bënë të pamend në arsyetimet e tyre dhe zemra e tyre pa gjykim u errësua.
22 Duke e deklaruar veten të urtë, u bënë të marrë,
23 dhe e shndërruan lavdinë e Perëndisë së pakalbshëm në një shëmbëllim të ngjashëm me atë të një njeriu të kalbshëm, të shpendëve, të kafshëve katërkëmbëshe dhe të rrëshqanorëve.
24 Prandaj Perëndia ia dorëzoi papastërtsë në epshet e zemrave të tyre, për të çnderuar trupat e tyre në mes vetë atyre,
25 që e ndryshuan të vërtetën e Perëndisë në gënjeshtër dhe adhuruan dhe i shërbyen krijesës në vend të Krijuesit, që është i bekuar përjetë. Amen.
26 Prandaj Perëndia i dorëzoi ata në pasioneve të ulëta, sepse edhe gratë e tyre i shndërruan marrëdhëniet natyrore në atë që është kundër natyrës.
27 Në të njejtën mënyrë burrat, duke lënë marrëdheniet e natyrshme me gruan, u ndezën në epshin e tyre për njëri-tjetrin, duke kryer akte të pandershme burra me burra, duke marrë në vetvete shpagimin e duhur për gabimin e tyre.
28 Dhe meqenëse nuk e quajtën me vend të njihnin Perëndinë, Perëndia i dorëzoi në një mendje të çoroditur, për të bërë gjëra të pahijshme,
29 duke qenë të mbushur plot me çdo padrejtësi, kurvërim, mbrapshtësi, lakmi, ligësi; plot smirë, vrasje, grindje, mashtrim, poshtërsi,
30 mashtrues, shpifës, armiq të Perëndisë, fyes, krenarë, mburravecë, trillues ligësish, të pabindur ndaj prindërve,
31 të paarsyeshëm, të pabesë, pa dashuri të natyrshme, të papajtueshëm, të pamëshirshëm.
32 Por ata, ndonëse e kanë njohur dekretin e Perëndisë sipas të cilit ata që bëjnë gjëra të tilla meritojnë vdekjen, jo vetëm i bëjnë, por miratojnë edhe ata që i kryejnë.