Old/New Testament
34 Elihu nisi përsëri të flasë dhe tha:
2 "Dëgjoni, o njerëz të urtë, fjalët e mia, dhe ju, njerëz të ditur, ma vini veshin!
3 Sepse veshi i shqyrton fjalët, ashtu si qiellza i shijon ushqimet.
4 Le të zgjedhim ne vetë atë që është e drejtë të pranojmë midis nesh atë që është e mirë.
5 Sepse Jobi ka thënë: "Jam i drejtë, por Perëndia më ka hequr drejtësinë time.
6 A duhet të gënjej kundër drejtësisë sime? Plaga ime është e pashërueshme, megjithëse jam pa mëkat".
7 Kush është si Jobi, që e pi përqeshjen si ujin,
8 që ecën bashkë me keqbërësit dhe shkon bashkë me njerëzit e këqij?
9 Sepse ka thënë: "Nuk i vlen fare njeriut të vendosë kënaqësinë e tij te Perëndia".
10 Më dëgjoni, pra, o njerëz me mend! Qoftë larg Perëndisë paudhësia dhe ligësia qoftë larg të Plotfuqishmit!
11 Sepse ai ia kthen njeriut sipas veprave të tij dhe secilin e bën të gjejë shpërblimin për sjelljen e tij.
12 Sigurisht Perëndia nuk kryen të keqen dhe i Plotfuqishmi nuk shtrembëron drejtësinë.
13 Kush i ka besuar kujdesin për tokën, ose kush e ka vendosur mbi tërë botën?
14 Në qoftë se Perëndia duhet të vendoste në zemër të vet të tërhiqte mbi vete Frymën e tij dhe frymën e tij,
15 çdo mish do të shkatërrohej njëkohësisht, dhe njeriu do të kthehej në pluhur.
16 Në qoftë se ke mend, dëgjoje këtë, vër veshin për të dëgjuar atë që po të them.
17 A mund të qeverisë ai që urren drejtësinë? A guxon ti të dënosh të Drejtin, të Fuqishmin?
18 Ai që i thotë një mbreti: "Je për t’u përbuzur" dhe princave: "Jeni të këqij".
19 Por ai nuk bën asnjë anësi me të mëdhenjtë dhe as e konsideron të pasurin më tepër se të varfrin, sepse të gjithë janë vepra e duarve të tij.
20 Në një çast ata vdesin; në mesin e natës njerëzia tronditet dhe zhduket, të fuqishmit çohen tutje pa dorë njeriu.
21 Sepse ai i mban sytë te rrugët e njeriut, dhe shikon tërë hapat e tij.
22 Nuk ka terr as hije vdekjeje, ku mund të fshihen njerëzit e këqij.
23 Në fakt Perëndia nuk ka nevojë ta kqyrë gjatë një njeri para se ta nxjerrë për gjykim para tij.
24 Ai i ligështon të fuqishmit pa bërë hetim dhe vë të tjerë në vendin e tyre.
25 Duke qenë se i njeh veprat e tyre, i rrëzon natën dhe ata shkatërrohen;
26 i godet si njerëz të këqij para syve të të gjithëve,
27 sepse janë larguar nga ai pa u kujdesur për rrugët e tij,
28 deri sa të arrijë tek ai britma e të varfrit, sepse ai dëgjon britmën e të pikëlluarve.
29 Kur Perëndia jep qetësinë, kush do ta dënojë? Kur fsheh fytyrën e tij, kush do të mund ta shikojë, qoftë kundër një kombi të tërë ose kundër një njeriu të vetëm,
30 për të penguar që i pabesi të mbretërojë dhe që populli të zihet ndër leqe?
31 Dikush mund t’i thotë Perëndisë: "Unë e mbart fajin tim, po nuk do ta bëj më të keqen;
32 tregomë atë që nuk arrij të shikoj; në rast se kam kryer ndonjë paudhësi, nuk do ta bëj më"?
33 A duhet të të shpërblejë ai në bazë të konditave të tua, sepse ti nuk pranon gjykimin e tij? Ti duhet të zgjedhësh dhe jo unë; prandaj thuaj atë që di.
34 Njerëzit me mend; si çdo njeri i urtë që më dëgjon, do të më thonë:
35 "Jobi flet pa mend, fjalët e tij nuk kanë dituri".
36 Le të provohet Jobi deri në fund, sepse përgjigjet e tij janë si ato të njerëzve të këqij,
37 sepse i shton mëkatit të tij revoltën, rreh duart mes nesh dhe i shumëzon fjalët e tij kundër Perëndisë".
35 Elihu vazhdoi të flasë dhe tha:
2 "A të duket një gjë e drejtë kur thua: "Jam më i drejtë se Perëndia"?
3 Në fakt ke thënë: "Ç’dobi ke? Çfarë dobie do të kisha nga mëkati im?".
4 Do të të përgjigjem ty dhe miqve të tu bashkë me ty.
5 Sodite qiellin dhe shiko me kujdes; shih retë, që ndodhen më lart se ti.
6 Në qoftë se ti mëkaton, çfarë efekti ka mbi të? Në qoftë se ti i shumëzon prapësitë e tua çfarë dëmi i shkakton?
7 Në rast se je i drejtë, çfarë i jep, ose çfarë merr ai nga dora jote?
8 Ligësia jote mund të dëmtojë vetëm një njeri si ti, dhe drejtësia jote mundet t’i sjellë vetëm dobi birit të një njeriu.
9 Ngrihet zëri për numrin e madh të shtypjeve, ngrihet zëri për të kërkuar ndihmë për shkak të dhunës së të fuqishmëve;
10 por asnjeri nuk thotë: "Ku është Perëndia, krijuesi im, që natën të jep këngë gëzimi,
11 që na mëson më tepër gjëra se sa kafshëve të fushave dhe na bën më të urtë se zogjtë e qiellit?"
12 Kështu ngrihen zëra, por ai nuk përgjigjet për shkak të krenarisë së njerëzve të këqij.
13 Me siguri Perëndia nuk ka për t’i dëgjuar ligjëratat boshe dhe i Plotfuqishmi nuk do t’jua vërë veshin.
14 Edhe sikur ti të thuash se nuk e shikon atë, çështja jote qëndron para tij, dhe ti duhet të presësh.
15 Por tani, duke qenë se në zemërimin e tij ai nuk dënon dhe nuk u jep shumë rëndësi shkeljeve,
16 Jobi hap kot buzët dhe mbledh fjalë që nuk kanë arsye".
15 Dhe disa, që zbritën nga Judeja, mësonin vëllezërit: “Nëse nuk jeni rrethprerë sipas ritit të Moisiut, nuk mund të shpëtoheni.”
2 Duke qenë se u bë një grindje jo e vogël dhe një diskutim nga ana e Palit dhe e Barnabës me ata, u dha urdhër që Pali, Barnaba dhe disa të tjerë nga ata të ngjiten në Jeruzalem tek apostujt dhe te pleqtë për këtë çështje.
3 Ata, pra, si u përcollën nga kisha, kaluan nëpër Feniki dhe Samari, duke treguar kthimin e johebrenjve dhe duke u sjellë gëzim të madh mbarë vëllezërve.
4 Kur arritën në Jeruzalem, u pritën nga kisha, nga apostujt dhe nga pleqtë dhe treguan për gjërat e mëdha që Perëndia kishte bërë me anën e tyre.
5 Por u ngritën disa nga sekti i farisenjve, që kishin besuar dhe thanë: “Duhen rrethprerë johebrenjtë dhe të urdhërohen të zbatojnë ligjin e Moisiut.”
6 Atëherë apostujt dhe pleqtë u mblodhën për ta shqyrtuar këtë problem.
7 Dhe duke qenë se lindi një diskutim i madh, Pjetri u çua në këmbë dhe u tha atyre: “Vëllezër, ju e dini se që në kohët e para Perëndia midis nesh më zgjodhi mua, që me anë të gojës sime johebrenjtë të dëgjojnë fjalën e ungjillit dhe të besojnë.
8 Perëndia, që i njeh zemrat, u ka dhënë atyre dëshmi, duke u dhënë Frymën e Shenjtë, sikurse edhe neve;
9 dhe ai nuk bëri asnjë dallim midis nesh dhe atyre, duke i pastruar zemrat e tyre me anë të besimit.
10 Tani, pra, pse e tundoni Perëndinë, duke u vënë mbi qafën e dishepujve një zgjedhë që as etërit tanë e as ne nuk mund ta mbajmë?
11 Po ne besojmë se do të shpëtohemi me anë të hirit të Zotit Jezu Krishtit, dhe në të njëjtën mënyrë edhe ata.”
12 Atëherë e gjithë turma heshti, dhe rrinte e dëgjonte Barnabën dhe Palin, që tregonin ç’shenja e mrekulli kishte bërë Perëndia me anë të tyre ndër johebrenj.
13 Dhe si heshtën ata, Jakobi e mori fjalën dhe tha: “Vëllezër, më dëgjoni!
14 Simoni ka treguar si i ka vizituar për herë të parë Perëndia johebrenjtë, që të zgjedhë nga ata një popull për emrin e tij.
15 Me këtë gjë pajtohen fjalët e profetëve, sikundër është shkruar:
16 "Pas këtyre gjerave, unë do të kthehem dhe do ta rindërtoj tabernakullin e Davidit që është rrëzuar, do t’i restauroj gërmadhat e tij dhe do ta ngre përsëri më këmbë,
17 që mbetja e njerëzve dhe të gjitha johebrenjtë mbi të cilat thirret emri im, të kërkojnë Zotin, thotë Zoti që i bën të gjitha këto".
18 Prej kohësh janë të njohura te Perëndia të gjitha veprat e tij.
19 Prandaj unë gjykoj që të mos i bezdisim ata nga johebrenjtë që kthehen te Perëndia,
20 por t’u shkruhet atyre që të heqin dorë nga ndotjet e idhujve, nga kurvëria, nga gjërat e mbytura dhe nga gjaku.
21 Sepse Moisiu që nga kohët e lashta ka njerëz të cilët në çdo qytet e predikojnë atë, duke qënë i lexuar çdo të shtunë në sinagoga.”