Old/New Testament
50 Kështu thotë Zoti: "Ku është letra e shkurorëzimit e nënës tuaj me të cilën unë e ndava? Ose te cili nga huadhënësit e mi ju shita? Ja, ju jeni shitur për shkak të paudhësive tuaja dhe nënën tuaj është ndarë për shkak të shkeljeve tuaja.
2 Kur erdha, pse s’kishte njeri? Pse, kur thirra, askush nuk u përgjigj? Éshtë me të vërtetë dora ime tepër e shkurtër për të shpëtuar apo nuk paskam forcën për të çliruar? Ja, me kërcënimin tim po thaj detin dhe i kthej lumenjtë në shkretëtirë; peshku i tyre po qelbet për mungesë uji dhe po ngordh nga etja.
3 Unë i vesh qiejtë me të zeza dhe u jap atyre një grathore për mbulesë".
4 Zoti, Zoti, më ka dhënë gjuhën e dishepujve që të mund ta mbaj me fjalë të lodhurin; ai më zgjon çdo mëngjes; zgjon veshin tim, që unë të dëgjoj si veprojnë dishepujt.
5 Zoti, Zoti, më ka hapur veshin dhe unë nuk kam qenë rebel, as jam tërhequr prapa.
6 I paraqita kurrizin tim atij që më rrihte dhe faqet e mia atij që më shkulte mjekrën; nuk ia fsheha fytyrën time poshtërimit dhe të pështyrave.
7 Por Zoti, Zoti, më ka ndihmuar, prandaj nuk qeshë hutuar; për këtë arsye e bëra fytyrën time si një strall dhe e di që nuk do të turpërohem.
8 Éshtë afër ai që më justifikon; kush do të më kundërshtojë mua? Le të paraqitemi bashkë. Kush është kundërshtari im? Le të më afrohet mua.
9 Ja, Zoti, Zoti, do të më ndihmojë; kush është ai që do të më dënojë? Ja, të gjithë ata do të konsumohen si një palë rroba, tenja do t’i brejë".
10 Kush prej jush ka frikë nga Zoti dhe dëgjon zërin e shërbëtorit të tij? Kush ecën në terr pa asnjë dritë, le të ketë besim në emrin e Zotit dhe të mbështehet te Perëndia i tij!
11 Ja, ju të gjithë që ndizni një zjarr, që rrethoheni me ura zjarri, shkoni në flakët e zjarrit tuaj dhe midis urave që keni ndezur! Nga dora ime do të keni këtë: ju do të lëngoni në vuajtje.
51 Dëgjomëni, ju që ndiqni drejtësinë dhe kërkoni Zotin! Shikoni shkëmbin nga i cili jeni prerë dhe zgafellën e minierës prej së cilës keni dalë.
2 Shikoni Abrahamin, atin tuaj, dhe Sarën që ju ka lindur, sepse e thirra kur ishte vetëm. E bekova dhe e shumova.
3 Në fakt Zoti do të ngushëllojë Sionin, do ta ngushëllojë për të gjitha shkatërrimet e tij, do ta bëjë shkretëtirën e tij si Edenin dhe vetminë e tij si kopshtin e Zotit. Do të gjejnë në të gëzim dhe hare, falenderim dhe tinguj këngësh.
4 Kushtomë kujdes, o populli im, dëgjomë, o kombi im, sepse nga unë do të vijë ligji dhe unë do të vendos të drejtën time si dritë e popujve.
5 Drejtësia ime është e afërt, shpëtimi im do të shfaqet dhe krahët e mi do të gjykojnë popujt; ishujt do të kenë shpresë tek unë dhe do të kenë besim në krahun tim.
6 Çoni sytë tuaj drejt qiellit dhe shikoni tokën që ndodhet poshtë, sepse qiejtë do të davariten si tym, toka do të konsumohet si një rrobe dhe po kështu banorët e saj do të vdesin; por shpëtimi im do të vazhdojë përjetë dhe drejtësia ime nuk do të mungojë kurrë.
7 Dëgjomëni, o ju që e njihni drejtësinë, o popull, që ka në zemër ligjin tim. Mos kini frikë turpërimin nga njerëzit, as mos u trembni nga fyerjet e tyre të rënda.
8 Sepse tenja do t’i hajë si një rrobe dhe mola do t’i brejë si leshin, por drejtësia ime do të jetë përjetë dhe shpëtimi im brez pas brezi.
9 Zgjohu, zgjohu, vishu me forcë, o krah i Zotit, zgjohu si në ditët e lashta, ashtu si në brezat që shkuan! A nuk je ti ai që e ke bërë copë-copë Rahabin, që ke prerë kuçedrën?
10 A nuk je ti ai që ke tharë detin, ujërat e humnerës së madhe, që i ke bërë rrugë thellësitë e detit, me qëllim që të çliruarit të kalonin?
11 Kështu të shpenguarit nga Zoti do të kthehen, do të vijnë në Sion me klithma gëzimi dhe një hare e përjetshme do të kurorëzojë kokën e tyre; do të marrin gëzim dhe hare, e dhembja dhe rënkimi do të zhduken.
12 Unë, unë vetë, jam ai që ju ngushëllon; kush je ti që i trembesh njeriut që po vdes dhe birit të njeriut të caktuar të jetë si bari?
13 Ti ke harruar Zotin që të ka bërë, që ka shpalosur qiejt dhe ka hedhur themelet e tokës. Ti kishe gjithnjë frikë, tërë ditën përpara tërbimit të shtypësit; kur ai përgatitej të të shkatërronte. Por ku është tani tërbimi i shtypësit?
14 I mërguari në robëri do të çlirohet së shpejti, nuk do të vdesë në gropë as nuk do t’i mungojë buka.
15 Sepse unë jam Zoti, Perëndia yt, që tund detin dhe bën të gjëmojnë valët; emri i tij është Zoti i ushtrive.
16 Unë i vura fjalët e mia në gojën tënde dhe të mbulova me hijen e dorës sime për të vendosur qiejtë dhe për të hedhur themelet e tokës, dhe për t’i thënë Sionit: "Ti je populli im".
17 Rizgjohu, rizgjohu, çohu, o Jeruzalem, që ke pirë nga dora e Zotit kupën e zemërimit të tij, që ke pirë llumin e kupës së hutimit deri sa e kullove krejt.
18 Midis gjithë bijve që ka pjellë nuk ka asnjë që ta udhëheqë; midis gjithë bijve që ka rritur nuk ka asnjë që ta marrë prej dore.
19 Këto dy gjëra të kanë ndodhur, kujt do t’i vijë keq për ty? Pikëllim dhe shkatërrim, uri dhe shpatë, kush do të ngushëllojë?
20 Djemtë e tu ligështoheshin, qëndronin në krye të të gjitha rrugëve si një antilopë e zënë në rrjetë, plot me zemërimin e Zotit, me kërcënimin e Perëndisë tënd.
21 Prandaj tani dëgjo këtë, o e pikëlluar dhe e dehur, por jo nga vera.
22 Kështu thotë Zoti yt, Zoti, Perëndia yt, që mbron çështjen e popullit të tij: "Ja, unë po të heq nga dora kupën e hutimit, llumin e kupës së zemërimit tim; ti nuk do ta pish më.
23 Do ta vë përkundrazi në duart e atyre që të hidhëronin dhe të thonin: Shtrihu për tokë, që të kalojmë mbi ty,," dhe ti e bëje kurrizin tënd një vend, një rrugë për kalimtarët".
52 Rizgjohu, rizgjohu, rivishu me forcën tënde, o Sion; vish rrobat e tua të mrekullueshme, o Jeruzalem, qytet i shenjtë! Sepse nuk do të hyjnë më te ti i parrethpreri dhe i papastri.
2 Shkunde pluhurin që ke në kurriz, çohu dhe ulu ndenjur, o Jeruzalem; zgjidhi zinxhirët që ke në qafë, o bijë e Sionit, që je në robëri!
3 Sepse kështu thotë Zoti: "Ju kanë shitur për asgjë dhe do të shpengoheni pa para".
4 Sepse kështu thotë Zoti, Zoti: "Populli im zbriti së lashti në Egjipt për të banuar; pastaj Asiri e shtypi pa shkak.
5 Dhe tani çfarë po bëj unë këtu?," thotë Zoti, "ndërsa popullin tim e kanë hequr larg për asgjë? Ata që e sundojnë, bëjnë që ai të rënkojë," thotë Zoti, "dhe emri im shahet vazhdimisht tërë ditën.
6 Prandaj populli im do të njohë emrin tim, prandaj do të kuptojë atë ditë që jam unë që kam folur: "Ja ku jam!"".
7 Sa të bukura janë mbi malet këmbët e lajmëtarit që sjell lajme të mira që njofton paqen, që sjell lajme të bukura mbi gjëra të mira, që shpall shpëtimin, që i thotë Sionit: "Perëndia yt mbretëron!".
8 Dëgjo! Rojet e tua ngrenë zërin dhe lëshojnë bashkë britma gëzimi, sepse shohin me sytë e tyre Zotin që kthehet në Sion.
9 Shpërtheni bashkë në britma gëzimi, o rrënoja të Jeruzalemit, sepse Zoti ngushëllon popullin e tij dhe çliron Jeruzalemin.
10 Zoti ka zhveshur krahun e tij të shenjtë para syve të të gjitha kombeve; të gjitha skajet e tokës do të shohin shpëtimin e Perëndisë tonë.
11 Ikni, ikni, dilni andej, mos prekni asgjë të papastër! Dilni nga ambienti i saj, pastrohuni, ju që mbani vazot e Zotit!
12 Sepse ju nuk do të niseni me nxitim dhe nuk do të shkoni me turr, sepse Zoti do të ecë para jush, Perëndia i Izraelit do të jetë praparoja juaj.
13 Ja, shërbëtori im do të begatohet, do të ngrihet dhe do të lartësohet shumë.
14 Duke qenë se shumë veta u çuditën me ty, sepse pamja e tij ishte e shfytyruar më tepër se e çdo njeriu tjetër dhe fytyra e tij ishte ndryshe nga ajo e bijve të njeriut,
15 kështu ai do të spërkasë shumë kombe; mbretërit do të mbyllin gojën para tij, sepse do të shohin çfarë nuk u ishte treguar kurrë atyre dhe do të kuptojnë ato që nuk kishin dëgjuar.
5 Sa për kohët dhe për stinët, vëllezër, nuk keni nevojë që t’ju shkruaj,
2 sepse ju vetë e dini shumë mirë se dita e Zotit do të vijë, si një vjedhës natën.
3 Sepse, kur thonë: "Paqe dhe siguri," atëherë një shkatërrim i papritur do të bjerë mbi ta, ashtu si dhembjet e lindjes të gruas shtatzënë dhe nuk do të shpëtojnë.
4 Por ju, vëllezër, nuk jeni në errësirë, që ajo ditë t’ju zërë në befasi si një vjedhës.
5 Të gjithë ju jeni bij të dritës dhe bij të ditës; ne nuk jemi të natës, as të territ.
6 Le të mos flemë, pra, si të tjerët, por të rrimë zgjuar dhe të jemi të esëll.
7 Sepse ata që flejnë, flejnë natën, dhe ata që dehen, dehen natën.
8 Kurse ne, mbasi jemi të ditës, jemi të esëll, duke veshur parzmoren e besimit dhe të dashurisë, dhe për përkrenare shpresën e shpëtimit.
9 Sepse Perëndia nuk na ka caktuar për zemërim, por për të marrë shpëtimin me anë të Zotit tonë Jezu Krisht,
10 i cili vdiq për ne kështu që, qofshim zgjuar qofshim fjetur, jetojmë bashkë me të.
11 Prandaj ngushëlloni njeri tjetrin dhe ndërtoni njeri tjetrin ashtu sikur edhe bëni.
12 Tashmë, vëllezër, ju lutemi të keni respekt për ata që mundohen midis jush, që janë në krye ndër ju në Zotin dhe që ju qortojnë,
13 edhe t’i vlerësoni shumë në dashuri për veprën e tyre. Jetoni në paqe midis jush.
14 Tani, vëllezër, ju bëjmë thirrje t’i qortoni të parregulltit, të ngushëlloni zemërlëshuarit, të ndihmoni të dobëtit dhe të jeni të duruar me të gjithë.
15 Vështroni se mos dikush t’ia kthejë dikujt të keqen me të keqen; po kërkoni gjithmonë të mirën edhe te njeri tjetri edhe te të gjithë.
16 Jini gjithmonë të gëzuar.
17 Lutuni pa pushim.
18 Për çdo gjë falënderoni sepse i tillë është vullneti i Perëndisë në Krishtin Jezus për ju.
19 Mos e shuani Frymën.
20 Mos i përbuzni profecitë.
21 Provoni të gjitha, mbani të mirën.
22 Hiqni dorë nga çdo dukje e ligë.
23 Dhe Perëndia i paqes ju shenjtëroftë ai vetë tërësisht; dhe gjithë fryma juaj, shpirt e trup, të ruhet pa të metë për ardhjen e Zotit tonë Jezu Krisht.
24 Besnik është ai që ju thërret, i cili edhe do ta bëjë.
25 Vëllezër, lutuni për ne.
26 Përshëndetni të gjithë vëllezërit me puthje të shenjtë.
27 Ju përbetoj për Zotin që kjo letër t’u lexohet gjithë vëllezërve të shenjtë.
28 Hiri i Zotit tonë Jezu Krisht qoftë me ju. Amen.