Old/New Testament
8 A nuk bërtet vallë dituria dhe maturia a nuk e bën zërin e saj të dëgjohet?
2 Ajo qëndron në këmbë mbi majën e lartësive, gjatë rrugës, në kryqëzimet e rrugëve;
3 bërtet pranë portave, në hyrje të qyteteve, në prag të dyerve;
4 "Ju drejtohem juve, o njerëz dhe zëri im u drejtohet bijve të njeriut.
5 Kuptoni, o njerëz të thjeshtë, maturinë, dhe ju, njerëz pa mend, kini një zemër të urtë.
6 Më dëgjoni, sepse do të flas për gjëra të rëndësishme dhe buzët e mia do të hapen për të thënë gjëra të drejta.
7 Sepse goja ime do të shpallë të vërtetën; pabesia është e neveritshme për buzët e mia.
8 Të gjitha fjalët e gojës sime janë të drejta, në to nuk ka asgjë të shtrembër dhe të çoroditur.
9 Janë të gjitha të drejta për atë që ka mend dhe për ata që kanë gjetur dijen.
10 Pranoni mësimin tim dhe jo argjendin, dijen në vend të arit të zgjedhur,
11 sepse dituria vlen më tepër se margaritarët, të gjitha gjërat që dikush mund dikush të dëshiroje nuk barazohen me të.
12 Unë, dituria, rri me maturinë dhe e gjej dijen në meditim.
13 Frika e Zotit është të urresh të keqen; unë e urrej kryelartësinë, arrogancën, rrugën e keqe dhe gojën e çoroditur.
14 Mua më takon mendimi dhe dituria e vërtetë; unë jam zgjuarsia, mua më përket forca.
15 Nëpërmjet meje mbretërojnë mbretërit dhe princat vendosin drejtësinë.
16 Nëpërmjet meje qeverisin krerët, fisnikët, tërë gjykatësit e tokës.
17 Unë i dua ata që më duan, dhe ata që më kërkojnë me kujdes më gjejnë.
18 Me mua janë pasuria dhe lavdia, pasuria që zgjat dhe drejtësia.
19 Fryti im është më i mirë se ari, po, se ari i kulluar, dhe prodhimi im më tepër se argjendi i zgjedhur.
20 Unë eci në rrugën e drejtësisë, në mes të shtigjeve të drejtësisë,
21 për t’i bërë ata që më duan të trashëgojnë pasurinë e vërtetë dhe për të mbushur thesaret e tyre.
22 Zoti më zotëroi në fillim të rrugës së tij, përpara veprave të tij më të lashta.
23 U vendosa nga amshimi, që në krye, para se toka të ekzistonte.
24 Më prodhuan kur nuk kishte ende humnera, kur nuk kishte burime me ujë të bollshëm.
25 Më prodhuan para se themelet e maleve të ishin përforcuar, para kodrinave,
26 kur nuk kishte sajuar ende as tokën, as fushat dhe as plisat e para të dheut.
27 Kur ai fiksonte qiejtë, unë isha aty; kur bënte një rreth mbi sipërfaqen e humnerës,
28 kur i bënte të qëndrueshëm qiejtë e epërm, kur përforconte burimet e humnerës,
29 kur i caktonte detit caqet e tij në mënyrë që ujërat të mos kalonin përtej urdhërit të tij, kur vendoste themelet e dheut,
30 unë isha pranë tij si një arkitekt, isha çdo ditë kënaqësia e tij, duke u gëzuar çdo çast para tij;
31 kënaqesha në pjesën e banueshme të botës dhe gjeja ëndjen time me bijtë e njerëzve.
32 Tani, pra, më dëgjoni, o bij; lum ata që ndjekin rrugët e mia!
33 Dëgjoni këto mësime, tregohuni të urtë dhe mos i hidhni poshtë!
34 Lum ai njeri që më dëgjon, duke u gdhirë çdo ditë te portat e mia dhe duke ruajtur shtalkat e portave të mia.
35 Sepse ai që më gjen, gjen jetën, dhe siguron përkrahjen e Zotit.
36 Por ai që mëkaton kundër meje, i bën të keqe vetvetes; të gjithë ata që më urrejnë duan vdekjen".
9 Dituria ka ndërtuar shtëpinë e saj, ka gdhendur shtatë shtyllat e saj.
2 Ka vrarë kafshët e saj, ka përzier verën e saj dhe shtruar tryezën e saj.
3 Ka dërguar jashtë shërbëtoret e saj; nga vendet më të larta të qytetit ajo thërret:
4 "Ai që është budalla të vijë këtu!". Atij që i mungon gjykimi i thotë:
5 "Ejani, hani nga buka ime dhe pini verën që kam përzier.
6 Lëreni budallallëkun dhe do të jetoni, ecni në rrugën e arsyes".
7 Ai që korrigjon tallësin tërheq mbi vete të shara, dhe ai që qorton të pabesin merr të shara.
8 Mos qorto tallësin sepse ai do të të urrejë; qorto të urtin dhe ai do të të dojë.
9 Mësoje të urtin dhe ai do të bëhet edhe më i urtë. Mësoje të drejtin dhe ai do të rritë diturinë e tij.
10 Frika e Zotit është parimi i diturisë, dhe njohja e të Shenjtit është zgjuarsia.
11 Sepse nëpërmjet meje do të shumohen ditët e tua dhe do të të shtohen vite jete.
12 Në rast se je i urtë, je i urtë për veten tënde; në rast se je tallës, pasojat do t’i kesh vetëm ti.
13 Gruaja budallaqe është zhurmëmadhe, aspak e zgjuar dhe nuk di asgjë.
14 Rri ulur te porta e shtëpisë së saj, mbi një fron në vendet e larta të qytetit,
15 për të ftuar ata që kalojnë nëpër rrugë, që shkojnë drejt në rrugën e tyre:
16 "Ai që është budalla të vijë këtu!". Dhe atij që i mungon arsyeja i thotë:
17 "Ujërat e vjedhura janë të ëmbla; buka që hahet fshehurazi është e shijshme".
18 Por ai nuk e di që atje janë të vdekurit, që të ftuarit e saj janë në thellësinë e Sheolit.
3 A fillojmë përsëri të rekomandojmë veten tonë? Apo mos kemi nevojë, si disa, për letra rekomandimi për ju ose për rekomandime nga ana juaj?
2 Ju jeni letra jonë, e shkruar në zemrat tona, e njohur dhe e lexuar nga të gjithë njerëzit,
3 duke qenë manifestuar se jeni një letër e Krishtit, e hartuar me anë të shërbesës sonë, dhe e shkruar jo me bojë, por me Frymën e Perëndisë së gjallë, dhe jo mbi rrasa guri, por mbi rrasa të një zemre mishi.
4 Dhe këtë besim ne e kemi në Perëndinë me anë të Krishtit;
5 jo se jemi të aftë prej vetiu të kuptojmë ndonjë gjë sikur vjen nga vetja jonë, por aftësia jonë vjen nga Perëndia,
6 i cili na bëri të aftë të jemi shërbëtorë të besëlidhjes së re, jo të shkronjës, por të Frymës, sepse shkronja vret, por Fryma jep jetë.
7 Dhe, në qoftë se shërbimi i vdekjes, që ishte gdhendur me shkronja mbi gurë, qe i lavdishëm aq sa bijtë e Izraelit nuk mund të vështronin me sy fytyrën e Moisiut, për shkak të lavdisë së pamjes së tij, që duhet të anullohej,
8 sa më i lavdishëm do të jetë shërbimi i Frymës?
9 Sepse, nëse shërbimi i dënimit qe rrethuar me lavdi, shumë më tepër do të teprojë në lavdi shërbimi i drejtësisë.
10 Sepse ç’ka është lavdëruar nuk është lavdëruar nga kjo pikëpamje, për shkak të asaj lavdie që e kapërcen çdo masë.
11 Sepse, në qoftë se ajo që duhet të anullohej u rrethua me lavdi, ajo që mbetet do të jetë shumë më e lavdishme.
12 Duke pasur, pra, një shpresë të tillë, flasim me shumë guxim,
13 dhe jo si Moisiu, i cili vinte një vel mbi fytyrën e vet, që bijtë e Izraelit të mos vështronin me sy fundin e asaj që duhej të anullohej.
14 Por mendjet e tyre u errën; sepse, në leximin e besëlidhjes së vjetër, po ky vel mbetet pa u hequr, sepse veli anullohet në Krishtin.
15 Por deri më sot, kur lexohet Moisiu, një vel mbetet mbi zemrat e tyre.
16 Por kur Izraeli të kthehet te Zoti, veli do të hiqet.
17 Sepse Zoti është Fryma, dhe atje ku është Fryma e Zotit, atje është liria.
18 Dhe ne të gjithë, duke soditur fytyrëzbuluar lavdinë e Zotit si në pasqyrë, transformohemi në të njëjtën shëmbëllim nga lavdia në lavdi, posi prej Frymës së Zotit.