Read the New Testament in 24 Weeks
1 Pali, apostulli i Jezu Krishtit nëpërmjet vullnetit të Perëndisë, sipas premtimit të jetës që është në Krishtin Jezus,
2 Timoteut, birit të dashur: hir, mëshirë dhe paqe prej Perëndisë Atit, dhe prej Krishtit Jezus, Zotit tonë.
3 E falënderoj Perëndinë, të cilit i shërbej sikurse edhe të parët e mi me ndërgjegje të pastër, se pa pushim të kujtoj në lutjet e mia, ditë e natë;
4 dhe, kur kujtoj lotët e tu, kam shumë mall të të shoh që të mbushem me gëzim,
5 sepse kujtoj besimin e sinqertë që është në ty, i cili më parë ishte te gjyshja jote Loide dhe te nëna jote Eunike, dhe jam i bindur se është edhe te ti.
6 Për këtë arsye po të kujtoj ta zgjosh dhuntinë e Perëndisë që është në ty me anë të vënies së duarve të mia.
7 Sepse Perëndia nuk na ka dhënë frymë frike, por force, dashurie dhe urtësie.
8 Mos ki turp, pra, të dëshmosh Zotin tonë, as mua, të burgosurin e tij, por hiq keq bashkë me mua për ungjillin, sipas fuqisë së Perëndisë,
9 që na shpëtoi dhe na thirri me një thirrje të shenjtë, jo sipas veprave tona, por sipas qëllimit të tij dhe sipas hirit, që na u dha në Krishtin Jezus përpara fillimit të kohëve
10 dhe tani u shfaq me anë të dukjes së Shpëtimtarit tonë Jezu Krishtit, që e prishi vdekjen dhe nxori në dritë jetën dhe pavdekësinë me anë të ungjillit,
11 për të cilin unë u caktova predikues, apostull dhe mësues i johebrenjve.
12 Për këtë arsye unë po vuaj edhe nga këto gjëra, po nuk kam turp, sepse e di kujt i kam besuar dhe jam i bindur se ai është i zoti ta ruajë visarin tim deri në atë ditë.
13 Ruaje modelin e fjalëve të shëndosha që dëgjove prej meje me besim dhe dashuri, që janë në Krishtin Jezus.
14 Ruaje visarin e mirë me anë të Frymës së Shenjtë që rri te ne.
15 Ti e di se të gjithë ata që janë në Azi më kthyen krahët, dhe midis tyre Figeli dhe Hermogeni.
16 Zoti i dhëntë mëshirë familjes së Onesiforit, sepse shpeshherë më dha zemër dhe nuk pati turp nga prangat e mia;
17 madje, kur erdhi në Romë, më kërkoi me shumë zell dhe më gjeti.
18 Zoti i dhëntë të gjejë mëshirë nga ana e Zotit në atë ditë. Ti e di më mirë se askush sa shërbime më bëri në Efes.
2 Ti, pra, biri im, forcohu në hirin që është në Krishtin Jezus;
2 dhe ato që dëgjove nga unë përpara shumë dëshmitarëve, jepua njerëzve besnikë, që do të jenë të aftë të mësojnë edhe të tjerë.
3 Ti, pra, duro pjesën tënde të vuajtjeve, si një ushtar i mirë i Jezu Krishtit.
4 Sepse asnjë nga ata që shkojnë ushtarë nuk ngatërrohet me punërat e jetës, që t’i pëlqejë atij që e mori ushtar.
5 Po ashtu, nëse dikush merr pjesë në gara, nuk kurorëzohet po të mos ketë luftuar sipas rregullave.
6 Bujku që mundohet duhet ta marrë i pari pjesën e fryteve.
7 Mendo për ato që të them, sepse Zoti do të të japë mend për të gjitha.
8 Kujto që Jezu Krishti, nga fisi i Davidit, u ngjall së vdekuri sipas ungjillit tim,
9 për të cilin unë po vuaj deri edhe në pranga posi keqbërës; por fjala e Perëndisë nuk lidhet në pranga.
10 Prandaj unë i duroj të gjitha për shkak të të zgjedhurve, që ata të kenë shpëtimin që është në Krishtin Jezus, bashkë me lavdi të përjetshme.
11 Kjo fjalë është e vërtetë, sepse, nëse ne vdiqëm me të, me të edhe do të rrojmë;
12 në qoftë se vuajmë, do të mbretërojmë bashkë me të; po ta mohojmë, edhe ai do të na mohojë.
13 Nëse jemi të pabesë, ai mbetet besnik, sepse ai nuk mund të mohojë vetveten.
14 Ua kujto atyre këto gjëra, duke u përbetuar përpara Zotit të mos hahen kot me fjalë pa asnjë dobi, në dëm të atyre që dëgjojnë.
15 Mundohu të dalësh përpara Perëndisë si i sprovuar, si punëtor që nuk ka pse të turpërohet, që thotë drejt fjalën e së vërtetës.
16 Shmangu nga fjalët e kota dhe profane, sepse do të çojnë në pabesi,
17 dhe fjala e tyre do të brejë si një gangrenë; ndër këta janë Himeneu dhe Fileti,
18 të cilët dolën jashtë rrugës së të vërtetës, duke thënë se ringjallja ka ngjarë dhe përmbysin besimin e disave.
19 Megjithatë themeli i fortë i Perëndisë qëndron i patundur, dhe ka këtë vulë: "Zoti i njeh të vetët," dhe: "Le t’i largohet paudhësisë kushdo që përmend emrin e Krishtit".
20 Në një shtëpi të madhe nuk ka vetëm enë prej ari dhe argjendi, por edhe prej druri dhe balte; disa për të nderuar; të tjerat për të mos nderuar.
21 Pra, në qoftë se dikush pastrohet nga këto gjëra, do të jetë një enë nderi, e shenjtëruar dhe e dobishme për të zotin, e përgatitur për çdo vepër të mirë.
22 Largohu nga pasionet rinore dhe bjeru pas drejtësisë, besimit, dashurisë dhe paqes bashkë me ata që e thërresin në ndihmë Zotin me zemër të pastër.
23 Shmang gjithashtu diskutimet e marra dhe pa mend, duke ditur se shkaktojnë grindje.
24 Sepse shërbëtori i Zotit nuk duhet të zihet, por të jetë i butë me të gjithë, i aftë për të mësuar njerëzit dhe i durueshëm,
25 duke i mësuar me butësi kundërshtarët, me shpresë se Perëndia ua jep atyre të pendohen, që arrijnë të njohin të vërtetën,
26 dhe të vijnë në vete, duke shpëtuar nga laku i djallit, që i ka zënë robër të vullnetit të tij.