Read the New Testament in 24 Weeks
10 Personalisht unë, Pali, po ju këshi-lloj me anë të zemërbutësisë dhe të mirësisë së Krishtit; unë, që kur ndodhem vetë midis jush jam i përunjur, ndërsa kur jam larg jush tregohem i guximshëm ndaj jush.
2 Ju lutem, që, kur të vij te ju, të mos jem i detyruar të veproj me guxim me atë siguri, me të cilin mendoj të guxoj kundër disave, që na konsiderojnë sikur ecim sipas mishit.
3 Sepse, edhe pse ecim në mish, nuk luftojmë sipas mishit,
4 sepse armët e luftës sonë nuk janë prej mishi, por të fuqishme në Perëndinë për të shkatërruar fortesat,
5 që të hedhim poshtë mendimet dhe çdo lartësi që ngrihet kundër njohjes së Perëndisë dhe t’ia nënshtrojmë çdo mendim dëgjesës së Krishtit,
6 dhe jemi gati të ndëshkojmë çdo mosbindje, kur të bëhet e përkryer bindja juaj.
7 A i shihni gjërat sipas pamjes së jashtme? Në qoftë se dikush është i bindur në veten e tij se është i Krishtit, le ta mendojë këtë përsëri nga vetja e tij: sikurse ai është i Krishtit, ashtu edhe ne jemi të Krishtit.
8 Edhe, nëse unë do ta mburrja veten më tepër për autoritetin tonë, që Zoti na dha për ndërtimin tuaj dhe jo për shkatërrimin tuaj, nuk do të turpërohesha.
9 Nuk dua të dukem se po kërkoj t’ju tremb me letrat e mia.
10 Sepse dikush thotë: “Letrat e tij janë të ashpra dhe të fuqishme, kurse paraqitja e tij trupore është e dobët, dhe fjala e tij ka pak peshë.”
11 Le ta dijë, pra, ai njeri, se ashtu si jemi në fjalë, me anë të letrave kur jemi larg, të tillë do të jemi edhe me vepra, kur të jemi të pranishëm.
12 Sepse nuk guxojmë të renditemi ose të krahasohemi me ata që e rekomandojnë veten e vet; por ata, duke matur veten e tyre dhe duke u krahasuar me veten e tyre, nuk kanë mend.
13 Por ne nuk do të mburremi jashtë masës, po sipas masës së rregullës që caqet i caktoi Perëndia, sa të arrijmë deri te ju,
14 Sepse ne nuk po shtrihemi përtej caqeve, sikurse nuk arritëm deri te ju, sepse ne arritëm më të vërtetë deri te ju me anë të predikimit të ungjillit të Krishtit.
15 Dhe ne nuk mburremi përtej masës për punët e tjetrit, por kemi shpresë se, duke u rritur besimi juaj, ne do të kemi një konsideratë më të madhe ndër ju, sipas cakut tonë,
16 sa që përhapim ungjillin edhe përtej vendeve tuaj, pa u mburrur me ato që janë bërë në këtë lëmë nga të tjerë.
17 Ai që lëvdohet, le të lëvdohet në Zotin,
18 sepse nuk miratohet ai që e rekomandon veten e tij, po ai të cilin e rekomandon Zoti.
11 Oh, sa do të dëshiroja që ju të duronit pak marrëzi me mua! Po në fakt, ju më duroni.
2 Jam xheloz për ju me xhelozinë e Perëndisë, sepse ju fejova me një burrë, që t’ju nxjerr para Krishtit si virgjëreshë të dlirë.
3 Por druaj se, ashtu si gjarpëri e gënjeu Evën me dinakërinë e tij, kështu edhe mendja juaj të mos prishet duke u shmangur nga thjeshtësia ndaj Krishtit.
4 Sepse, po të vinte dikush dhe t’ju predikonte një Jezus tjetër, që ne nuk e kemi predikuar, ose, po të merrnit një frymë tjetër që nuk e keni marrë, ose një ungjill tjetër që nuk e keni pranuar, do ta duronit fort mirë.
5 Unë mendoj se nuk kam qenë aspak më poshtë nga apostujt më të shquar.
6 Dhe, megjithëse jam i thjeshtë në të folur, nuk jam i tillë në dituri; madje me të gjitha mënyrat dhe në të gjitha gjërat jua kemi treguar.
7 Mos vallë bëra mëkat duke e ulur veten time që të lartoheni ju, sepse ju kam predikuar falas ungjillin e Perëndisë?
8 Unë shfyrtësova kishat e tjera, duke marrë një rrogë që t’ju shërbej juve.
9 Dhe, kur isha midis jush dhe isha nevojtar, nuk iu bëra barrë askujt; sepse nevojat e mia i plotësuan vëllezërit që erdhën nga Maqedonia; dhe në çdo gjë u ruajta që të mos ju bëhem barrë ju, edhe për të ardhmen do të ruhem.
10 Duke qenë se e vërteta e Krishtit është në mua, kjo mburrje, përsa më përket mua, nuk do të më ndalohet në vendet e Akaisë.
11 Pse? Ndoshta sepse nuk ju dua? Perëndia e di.
12 Por atë që bëj, do ta bëj përsëri, që t’u pres çdo shkas atyre që duan shkas, që ata të gjenden si edhe ne, në atë gjë, për të cilën mburren.
13 Të tillë apostuj të rremë, janë punëtorë hileqarë, që shndërrohen në apostuj të Krishtit.
14 Dhe nuk është për t’u çuditur, sepse Satanai vet shndërrohet në engjëll drite.
15 Nuk është, pra, gjë e madhe, nëse edhe punëtorët e tij shndërrohen në punëtorë (marrin trajtën e punëtorëve) të drejtësisë, fundi i të cilëve do të jetë sipas veprave të tyre.
16 Po e them përsëri: Askush të mos mendojë se jam i marrë; në mos, më pranoni edhe si të marrë, që edhe unë të mburrem pakëz.
17 Atë që po them në mburrjen e guximit tim, nuk po e them sipas Zotit, por në marrëzi.
18 Duke qenë se shumë vetë mburren sipas mishit, edhe unë do të mburrem.
19 Sepse ju që jeni të ditur, i duroni lehtë të marrët.
20 Sepse tashmë ju duroni, nëse dikush ju robëron, nëse dikush ju gllabëron, nëse dikush ju grabit, nëse dikush krenohet, nëse dikush ju godet në fytyrë.
21 Flas për turpin tim, sikurse ne të ishim të dobët; megjithatë në çdo gjë që dikush guxon, po flas si i marrë, marr guxim edhe unë.
22 Janë ata Hebrenj? Jam edhe unë! Janë ata Izraelitë? Jam edhe unë! janë ata pasardhës të Abrahamit? Jam edhe unë.
23 Janë ata shërbëtorë të Krishtit? Po flas si i pamend, unë jam edhe më tepër si këta; në mundime më tepër, në goditje më tepër, në burgje më tepër dhe shpesh në rrezik për vdekje.
24 Nga Judenjtë mora pesë herë nga dyzetë kamxhike pa një.
25 Tri herë më rrahën me shkopinj, një herë më qëlluan me gurë, tri herë m’u mbyt anija në det, kalova një ditë e një natë në humnerë.
26 Në udhëtime të shpeshta në rreziqe lumenjsh, në rreziqe kusarësh, në rrezik nga ana e bashkëtdhetarëve, rreziqe nga ana johebrenjve, rreziqe në qytet, rreziqe në shkretëtirë, rreziqe në det, rreziqe midis vëllezërve të rremë,
27 në lodhje e në mundim, në netët pa gjumë, në uri e në etje, shpesh herë në agjërime, në të ftohtë dhe në të zhveshur.
28 Përveç këtyre gjërave të jashtme, ajo që më mundon çdo ditë është kujdesja për të gjitha kishat.
29 Kush është i dobët, që të mos jem edhe unë? Kush është skandalizuar dhe unë të mos përvëlohem?
30 Në qoftë se duhet të mburrem, unë do të mburrem me ato që kanë të bëjnë me dobësinë time.
31 Perëndia dhe Ati i Zotit tonë Jezu Krisht, që është i bekuar përjetë, e di se unë nuk gënjej.
32 Në Damask, qeveritari i mbretit Areta e ruante qytetin e Damaskasve për të më zënë,
33 por nga një dritare më ulën përgjatë murit me një shportë, dhe shpëtova nga duart e tij.