Read the New Testament in 24 Weeks
19 Dhe pas këtyre dëgjova në qiell zërin e madh të një turme të shumtë, duke thënë: “Aleluja! Shpëtimi, dhe lavdia, dhe nderimi, dhe fuqia i përkasin Zotit, Perëndisë sonë,
2 sepse të vërteta dhe të drejta janë gjykimet e tij! Ai në fakt gjykoi laviren e madhe, që e prishi dheun me kurvërinë e saj, dhe mori hak për gjakun e shërbëtorëve të vet të derdhur prej dorës së saj.”
3 Dhe thanë për të dytën herë: “Aleluja! Dhe tymi i saj ngjitet në shekuj të shekujve.”
4 Dhe ranë përmbys të njëzet e katër pleqtë, dhe të katër qeniet e gjalla, dhe adhuruan Perëndinë, që ulej mbi fron, duke thënë: “Amen, Aleluja!.”
5 Dhe nga froni erdhi një zë, duke thënë: “Lëvdoni Perëndinë tonë, gjithë ju shërbëtorë të tij dhe ju që e druani, dhe të vegjlit dhe të mëdhenjtë.”
6 Dhe dëgjova një si zë i një turme të madhe, dhe si zë shumë ujërash dhe si zë bubullimash të forta, që thoshte: “Aleluja, sepse filloi të mbretërojë Zoti, Perëndia ynë, i Plotfuqishmi!.
7 Le të gëzohemi dhe të ngazëllohemi dhe le t’i japim atij lavdi, sepse erdhi dasma e Qengjit dhe nusja e tij është përgatitur!
8 Dhe i është dhënë të vishet me li të hollë, të pastër dhe të shkëlqyeshëm, sepse liri i hollë janë veprat e drejta të shenjtorëve.”
9 Dhe më tha: “Shkruaj: Lum ata që janë ftuar në gostinë e dasmës së Qengjit.” Dhe më tha: “Këto janë fjalët e vërteta të Perëndisë.”
10 Edhe rashë përpara këmbëve të tij për ta adhuruar, por ai më tha: “Ruaju se e bën, unë jam bashkëshërbëtori yt si dhe i vëllezërve të tu që kanë dëshminë e Jezusit. Perëndinë adhuroje! Sepse dëshmia e Jezusit është frymë e profecisë.”
11 Dhe pashë qiellin e hapur, dhe ja, një kalë i bardhë, dhe ai që e kalëronte quhet Besniku dhe i Vërteti; dhe ai gjykon dhe lufton me drejtësi.
12 Dhe sytë e tij ishin si flakë zjarri dhe mbi kryet e tij ishin shumë kurora; edhe kishte një emër të shkruar, që askush nuk e di përveç atij;
13 Dhe ishte i veshur me një rrobe të ngjyer në gjak; dhe emri i tij quhet: "Fjala e Perëndisë".
14 Dhe ushtritë që janë në qiell e ndiqnin mbi kuaj të bardhë, të veshur me rroba liri të hollë, të bardhë dhe të pastër.
15 Dhe nga goja e tij dilte një shpatë e mprehtë për të goditur me të kombet; dhe ai do të qeverisë me skeptër prej hekuri dhe ai vet do të shkelë vozën e verës së mërisë dhe të zemërimit të Perëndisë së plotfuqishëm.
16 Dhe mbi rroben e vet dhe mbi kofshën ishte shkruar një emër: MBRETI I MBRETÉRVE dhe ZOTI I ZOTÉRVE.
17 Dhe pashë një engjëll që qëndronte në këmbë në diell; dhe bërtiti me zë të madh duke u thënë gjithë shpendëve që fluturojnë në mes të qiellit: “Ejani, mblidhuni në gostinë e madhe të Perëndisë,
18 që të hani mish mbretërish, dhe mish kapitenësh, dhe mish njerëzish të fuqishëm, dhe mish kuajsh dhe kalorësish, dhe mishin e të gjithë njerëzve, të të lirëve dhe të skllevërve, dhe të të vegjëlve dhe të të mëdhenjve.”
19 Dhe pashë bishën, dhe mbretërit e dheut, dhe ushtritë e tyre të mbledhura që të bënin luftë kundër atij që kalëronte kalin dhe kundër ushtrisë së tij.
20 Dhe bisha u kap, dhe bashkë me të profeti i rremë që kishte bërë shenja përpara saj, me të cilat i mashtroi ata që morën damkën e bishës, dhe ata që adhuruan figurën e saj; që të dy i hodhën të gjallë në liqenin e zjarrtë që digjet me squfur;
21 dhe të tjerët u vranë me shpatë, që dilte nga goja e atij që kalëronte kalin, dhe të gjitha shpendët u ngopën me mishrat e tyre.
20 Dhe pashë një engjëll që zbriste nga qielli, duke pasur çelësin e humnerës, dhe një zinxhir të madh në dorë.
2 Ai e kapi dragoin, gjarpërin e lashtë, që është djalli dhe Satani, dhe e lidhi për një mijë vjet,
3 dhe e hodhi atë në humnerë, dhe e mbylli atë dhe vulosi mbi të, që të mos i mashtrojë më kombet, deri sa të mbushen një mijë vjet; dhe pas këtyre ai duhet zgjidhur për pak kohë.
4 Dhe pashë frone, dhe ata u ulën mbi to dhe atyre iu dha pushteti që të gjykojnë edhe pashë shpirtrat e atyre që u ishin prerë kokat për dëshminë e Jezusit dhe për fjalën e Perëndisë, dhe të cilët nuk e kishin adhuruar bishën, dhe as figurën e saj dhe nuk kishin marrë damkë mbi ballin e tyre dhe në duart e tyre. Këta u kthyen në jetë e mbretëruan me Krishtin për një mijë vjet.
5 Por të vdekurit e tjerë nuk u kthyen në jetë deri sa të mbusheshin një mijë vjet. Kjo është ringjallja e parë.
6 I lum dhe i shenjtë është ai që ka pjesë në ringjalljen e parë. Mbi ata vdekja e dytë nuk ka pushtet, por ata do të jenë priftërinj të Perëndisë dhe të Krishtit dhe do të mbretërojnë me të një mijë vjet.
7 Dhe kur të kryhen të një mijë vjetët, Satani do të zgjidhet nga burgu i tij,
8 dhe do të dalë të mashtrojë kombet që janë në të katër anët e dheut, Gogun e Magogun, që t’i mbledhë ata për luftë; numri i tyre do të jetë si rëra e detit.
9 Dhe ata do të lëvizin në të gjithë sipërfaqen e dheut dhe do ta rrethojnë fushën e shenjtorëve dhe qytetin e dashur. Por nga qielli do të zbresë zjarr, i dërguar nga Perëndia, dhe do t’i përpijë.
10 Atëherë djallin që i kishte mashtruar, do ta hedhin në liqenin e zjarrit e të squfurit, ku janë bisha dhe profeti i rremë; dhe do të mundohen ditë e natë në shekuj të shekujve.
11 Pastaj pashë një fron të madh të bardhë dhe atë që ulej mbi të, nga prania e të cilit iku dheu dhe qielli, dhe nuk u gjet vënd për ata.
12 Dhe pashë të vdekurit, të mëdhenj e të vegjël, që rrinin në këmbë përpara Perëndisë, edhe librat u hapën; dhe u hap një libër tjetër, që është libri i jetës; dhe të vdekurit u gjykuan në bazë të gjërave të shkruara në libra, sipas veprave të tyre.
13 Dhe deti i dorëzoi të vdekurit që ishin në të, dhe vdekja dhe Hadesi dorëzuan të vdekurit që ishin në ta; dhe ata u gjykuan secili sipas veprave të veta.
14 Pastaj vdekja dhe Hadesi u flakën në liqenin e zjarrit. Kjo është vdekja e dytë.
15 Dhe, nëse ndokush nuk u gjet i shkruar në librin e jetës, u flak në liqenin e zjarrit.