New Testament in a Year
20 Dhe në një nga ato ditë ndodhi që, ndërsa ai po mësonte popullin në tempull dhe predikonte ungjillin, erdhën krerët e priftërinjve dhe skribët bashkë me pleqtë,
2 dhe i thanë: “Na trego me ç’autoritet i bën këto gjëra; ose kush është ai që ta dha ty këtë pushtet?.”
3 Dhe ai duke u përgjigjur, u tha atyre: “Edhe unë do t’ju pyes një gjë dhe ju m’u përgjigjni:
4 Pagëzimi i Gjonit vinte nga qielli apo nga njerëzit?.”
5 Dhe ata arsyetonin në mes tyre duke thënë: “Po të themi prej qiellit, ai do të na thotë: "Atëherë përse nuk i besuat?".
6 Kurse po t’i themi prej njerëzve, gjithë populli do të na vrasë me gurë, sepse ai është i bindur se Gjoni ishte një profet.”
7 Prandaj u përgjigjen se nuk dinin nga vinte.
8 Atëherë Jezusi u tha atyre: “As unë nuk po ju them me ç’pushtet i bëj këto gjëra.”
9 Pastaj filloi t’i tregojë popullit këtë shëmbëlltyrë: “Një njeri mbolli një vresht, ua besoi disa vreshtarëve dhe iku larg për një kohë të gjatë.
10 Në kohën e të vjelave, dërgoi një shërbëtor tek ata vreshtarë që t’i jepnin pjesën e vet nga prodhimi i vreshtit; por vreshtarët e rrahën atë dhe e kthyen duarbosh.
11 Ai dërgoi përsëri një shërbëtor tjetër; por ata, pasi e rrahën dhe e shanë edhe atë, e kthyen duarbosh.
12 Ai dërgoi edhe një të tretë, por ata e plagosën edhe atë dhe e përzunë.
13 Atëherë i zoti i vreshtit tha: "Çfarë duhet të bëj? Do të dërgoj djalin tim të dashur. Ndoshta, duke e parë atë, do ta respektojnë!".
14 Por vreshtarët, kur e panë, thanë midis tyre: "Ky është trashëgimtari; ejani e ta vrasim që trashëgimia të na mbetet neve".
15 Kështu e nxorën jashtë vreshtit dhe e vranë. Ç’do t’u bëjë, pra, këtyre, i zoti i vreshtit?
16 Ai do të vijë, do t’i vrasë ata vreshtarë dhe do t’ua japë vreshtin të tjerëve.” Por ata, kur e dëgjuan këtë, thanë: “Kështu mos qoftë.”
17 Atëherë Jezusi, duke i shikuar në fytyrë, tha: “Ç’është, pra, ajo që është shkruar: "Guri që ndërtuesit e kanë hedhur poshtë u bë guri i qoshes"?
18 Kushdo që do të bjerë mbi këtë gur do të bëhet copë-copë, dhe ai mbi të cilin do të bjerë guri, do të dërrmohet.”
19 Në këtë moment, krerët e priftërinjve dhe skribët kërkuan të vënë dorë në të, sepse e morën vesh se ai e kishte treguar atë shëmbëlltyrë për ata, por kishin frikë nga populli.
20 Ata e përgjonin me kujdes dhe i dërguan disa spiunë të cilët, duke u paraqitur si njerëz të drejtë, ta zinin në gabim në ndonjë ligjëratë dhe pastaj t’ia dorëzonin pushtetit dhe autoritetit të guvernatorit.
21 Këta e pyetën duke thënë: “Mësues ne e dimë se ti flet dhe mëson drejt dhe që nuk je aspak i anshëm, por mëson rrugën e Perëndisë në të vërtetë.
22 A është e lejueshme për ne t’i paguajmë taksë Cezarit apo jo?.”
23 Por ai, duke e kuptuar ligësinë e tyre, u tha atyre: “Përse më provokoni?
24 Më tregoni një denar: e kujt është fytyra dhe mbishkrimi që ka?.” Dhe ata, duke përgjigjur, thanë: “E Cezarit.”
25 Atëherë ai u tha atyre: “I jepni, pra, Cezarit atë që i përket Cezarit, dhe Perëndisë atë që është e Perëndisë.”
26 Dhe nuk mundën ta zënë në gabim në ligjëratën e tij përpara popullit dhe, të habitur nga përgjigjja e tij, heshtën.