New Testament in a Year
11 Unë, pra, them: A thua Perëndia e hodhi poshtë popullin e vet? Aspak, sepse edhe unë jam Izraelit, nga pasardhje e Abrahamit, nga fisi i Beniaminit.
2 Perëndia nuk e hodhi poshtë popullin e vet, të cilin e njohu që përpara. A nuk e dini ju ç’thotë Shkrimi për Elian? Si i drejtohet ai Perëndisë kundër Izraelit, duke thënë:
3 “O Zot, profetët e tu i vranë dhe altarët e tu i prishën, dhe unë mbeta i vetëm, dhe ata kërkojnë jetën time.”
4 Por, çfarë i tha zëri hyjnor? “Kam lënë për veten time shtatë mijë burra, që nuk kanë rënë në gjunjë përpara Baalit.”
5 Kështu, pra, edhe në kohën e tanishme ka mbetur një mbetje pas zgjedhjes së hirit.
6 Dhe, po të jetë prej hirit, nuk është më prej veprash, përndryshe hiri nuk do të ishte më hir, përndryshe vepra nuk do të ishte më vepër.
7 E çfarë, atëherë? Izraeli nuk e mori atë që kërkonte, kurse të zgjedhurit e morën, dhe të tjerët u verbuan,
8 siç është shkruar: “Perëndia u dha atyre frymë hutimi, sy që të mos shohin dhe veshë që të mos dëgjojnë deri në ditën e sotme.”
9 Dhe Davidi thotë: “Tryeza e tyre iu bëftë lak, një kurth, një pengesë dhe një shpagim.
10 Sytë e tyre u errësofshin që të mos shohin, dhe kurrizin e tyre kërruse përgjithnjë.”
11 Unë them, pra: “Mos u penguan, që të rrëzohen? Aspak; por me anë të rrëzimit të tyre u erdhi shpëtimi johebrenjve, që t’i shtjerë ata në xhelozi.
12 Edhe nëse rrëzimi i tyre është fitim për botën dhe pakësimi i tyre është fitim për johebrenjtë, sa më tepër do të jetë mbushullia e tyre?
13 Sepse unë po ju flas juve, johebrenjve, duke qenë se jam apostulli i johebrenjve; dhe unë e nderoj shërbesën time,
14 për të provuar se në ndonjë mënyrë mund t’i provokoj se mos i shtie në zili ata që janë mishi im edhe shpëtoj disa prej tyre.
15 Sepse, në qoftë se refuzimi i tyre është pajtim për botën, ç’do të jetë ripranimi i tyre, përveç se kalimi prej vdekjes në jetë?
16 Edhe po të jenë pemët e para të shenjta, edhe e tëra është e shenjtë; dhe po të jetë rrënja e shenjtë, edhe degët janë të shenjta.
17 Edhe sikur të këputen disa degë, ti që ishe ullastër u shartove në vend të tyre dhe u bëre pjestar i rrënjës dhe i majmërisë së drurit të ullirit,
18 mos u mburr kundër degëve: por nëse mburresh kundër tyre, mos harro se nuk e mban ti rrënjën, po rrënja të mban ty.