New Testament in a Year
23 Pali, duke shikuar nga sinedri, tha: “Vëllezër, deri në këtë unë jam sjellë përpara Perëndisë me ndërgjegje krejt të mirë.”
2 Kryeprifti Anania u dha urdhër atëherë atyre që ishin pranë tij ta godisnin në gojë.
3 Atëherë Pali i tha: “Perëndia do të të godasë ty, o mur i zbardhur. Ti je ulur të më gjykosh sipas ligjit dhe, duke e nëpërkëmbur atë, jep urdhër të më godasin.”
4 Dhe ata që ishin të pranishëm thanë: “E fyen ti kryepriftin e Perëndisë?.”
5 Pali u përgjigj: “Nuk e dija, o vëllezër, se është kryeprift, sepse është shkruar: "Ti nuk do të flasësh keq për princin e popullit tënd".”
6 Pali, pra, duke ditur se një pjesë ishte nga saducenj dhe tjetra nga farisenj, i thirri sinedrit: “Vëllezër, unë jam farise, bir farisenjsh; për shkak të shpresës dhe të ringjalljes të së vdekurve unë po gjykohem.”
7 Sapo tha këtë, lindi një grindje ndërmjet farisenjve dhe saducenjve, dhe kuvendi u përça;
8 sepse saducenjtë thonë se nuk ka ringjallje, as engjëll, as frymë, ndërsa farisenjtë pohojnë edhe njërën dhe tjetrën.
9 Atëherë u bë një zhurmë e madhe. Skribët e palës së farisenjve u çuan në këmbë dhe protestonin duke thënë: “Ne nuk gjejmë asgjë të keqe te ky njeri; dhe nëse i ka folur një frymë ose një engjëll të mos luftojmë kundër Perëndisë.”
10 Dhe duke qenë se grindja po shtohej, tribuni, nga druajtja se mos Pali bëhej copa-copa prej tyre, u dha urdhër ushtarëve të zbresin dhe ta heqin nga mesi i tyre, dhe ta çojnë përsëri në fortesë.
11 Një natë më pas, Zoti iu shfaq atij dhe tha: “Pal, kurajo, sepse sikurse ke dhënë dëshmi për mua në Jeruzalem, ashtu duhet të dëshmosh edhe në Romë.”
12 Kur zbardhi dita, disa Judenj kurdisën një komplot duke u lidhur me betim që të mos hanë dhe të mos pinë derisa të kenë vrarë Palin.
13 Ata që kishin bërë këtë komplot ishin më tepër se dyzet.
14 Ata u paraqitën para krerëve të priftërinjve dhe para pleqve dhe thanë: “Ne jemi lidhur me betim të mos vëmë gjë në gojë, derisa të vrasim Palin.
15 Ju, pra, me sinedrin, i bëni një kërkesë tribunit që t’jua sjellë nesër, gjoja se doni ta hetoni më thellë çështjen e tij; dhe ne, para se të afrohet, do të jemi gati ta vrasim.”