New Testament in a Year
27 Kur erdhi mëngjesi, të gjithë krerët e priftërinjve dhe pleqtë e popullit bënin këshill kundër Jezusit për ta vrarë.
2 Dhe, mbasi e lidhën, e çuan dhe e dorëzuan në duart e Ponc Pilatit, guvernatorit.
3 Atëherë Juda, që e kishte tradhtuar, kur pa se e dënuan Jezusin, u pendua dhe ua ktheu krerëve të priftërinjve dhe pleqve të tridhjetë siklat prej argjendi,
4 duke thënë: “Mëkatova duke tradhtuar gjakun e pafaj.” Por ata thanë: “Po ne ç’na duhet? Punë për ty!.”
5 Dhe ai, mbasi i hodhi siklat prej argjendi në tempull, u largua dhe shkoi e u var në litar.
6 Por krerët e priftërinjve i mblodhën këta denarë dhe thanë: “Nuk është e ligjshme t’i vëmë në thesarin e tempullit, sepse është çmim gjaku.”
7 Dhe, mbasi bënin këshill, me këtë denar blenë arën e poçarit për varreza të të huajve.
8 Prandaj këtë arë e quajtën deri ditën e sotme: "Ara e gjakut".
9 Atëherë u përmbush ç’ishte thënë nga profeti Jeremia që thotë: “Dhe i morën të tridhjetë monedhat prej argjendi, çmimin e atij që e çmuan, siç kishin çmuar bijtë e Izraelit;
10 dhe i shpenzuan për arën e poçarit, ashtu si më urdhëroi Zoti.”
11 Dhe Jezusi qëndroi para guvernatorit; dhe qeveritari e pyeti duke thënë: “A je ti mbreti i Judenjve?.” Dhe Jezusi i tha: “Ti po thua!.”
12 Pastaj krerët e priftërinjve dhe pleqtë e akuzuan, por ai nuk u përgjigjej fare.
13 Atëherë Pilati i tha: “A nuk po dëgjon sa gjëra po dëshmojnë kundër teje?.”
14 Por ai nuk iu përgjigj në asnjë fjalë, kështu që guvernatori u çudit shumë.
15 Tani me rastin e festave guvernatori e kishte zakon t’i lironte popullit një të burgosur, atë që populli kërkonte.
16 Kishin në ato kohë një të burgosur me nam, me emër Baraba.
17 Kur u mblodhën njerëzit, Pilati i pyeti ata: “Kë doni t’ju liroj, Barabën apo Jezusin, që quhet Krisht?.”
18 Sepse ai e dinte mirë se atë ia kishin dorëzuar nga smira.
19 Dhe ndërsa ai po rrinte në gjykatë, gruaja e tij i çoi fjalë: “Mos u përziej aspak me çështjen e atij të drejti, sepse sot kam vuajtur shumë në ëndërr për shkak të tij.”
20 Por krerët e priftërinjve dhe pleqtë ia mbushën mendjan turmës që të kërkonte Barabën, dhe Jezusi të vritej.
21 Dhe guvernatori duke vazhduar u tha atyre: “Cilin nga të dy doni që t’ju liroj?.” Ata thanë: “Barabën!.”
22 Pilati u tha atyre: “Ç’të bëj, pra, me Jezusin, që quhet Krisht?.” Të gjithë i thanë: “Të kryqëzohet!.”
23 Por guvernatori tha: “Po ç’të keqe ka bërë?.” Mirëpo ata po bërtisnin edhe më fort: “Të kryqëzohet!.”
24 Atëherë Pilati, duke parë se nuk po arrinte gjë, madje se trazimi po shtohej gjithnjë e më shumë, mori ujë dhe i lau duart para turmës, duke thënë: “Unë jam i pafaj për gjakun e këtij të drejti; mendojeni ju.”
25 Dhe gjithë populli duke u përgjigjur tha: “Le të jetë gjaku i tij mbi ne dhe mbi fëmijët tanë!.”
26 Atëherë ai ua liroi atyre Barabën; dhe mbasi e fshikulloi Jezusin, ua dorëzoi, që të kryqëzohet.