Print Page Options
Previous Prev Day Next DayNext

Read the Gospels in 40 Days

Read through the four Gospels--Matthew, Mark, Luke, and John--in 40 days.
Duration: 40 days
Albanian Bible (ALB)
Version
Mateu 7-9

“Mos gjykoni, që të mos gjykoheni.

Sepse ju do të gjykoheni sipas gjykimit me të cilin ju gjykoni; dhe me masën me të cilën ju masni, do t’ju masin të tjerët.

Pse shikon lëmishten që është në syrin e vëllait tënd dhe nuk shikon trarin që është në syrin tënd?

Ose, si mund t’i thuash vëllait tënd: "Dale të të heq lëmishten nga syri," kur ke një tra në syrin tënd?

O hipokrit, hiqe më parë trarin nga syri yt dhe pastaj shiko qartë për të nxjerrë lëmishten nga syri i vëllait tënd.

Mos u jepni qenve ç’është e shenjtë dhe mos i hidhni margaritarët tuaj para derrave, që të mos i shkelin me këmbë dhe të kthehen kundër jush dhe t’ju shqyejnë.

Lypni dhe do t’ju jepet; kërkoni dhe do të gjeni; trokitni dhe do t’ju çelet.

Sepse kush lyp merr, kush kërkon gjen dhe do t’i çelet atij që troket.

A ka midis jush ndonjë njeri që, po t’i kërkojë i biri bukë, t’i japë një gur?

10 Ose po t’i kërkojë një peshk, t’i japë një gjarpër?

11 Në qoftë se ju, që jeni të këqij, dini t’u jepni dhurata të mira bijve tuaj, aq më tepër Ati juaj, që është në qiej, do t’u japë gjëra të mira atyre që ia kërkojnë.

12 Gjithçka, pra, që ju dëshironi t’ju bëjnë njerëzit, ua bëni edhe ju atyre, sepse ky është ligji dhe profetët.

13 Hyni nga dera e ngushtë, sepse e gjërë është dera dhe e hapur është udha që të çon në shkatërrim, dhe shumë janë ata që hyjnë nëpër të.

14 Përkundrazi sa e ngushtë është dera dhe sa e vështirë është udha që çon në jetë! Dhe pak janë ata që e gjejnë!

15 Ruhuni nga profetët e rremë, të cilët vijnë te ju duke u shtënë si dele, por përbrenda janë ujqër grabitqarë.

16 Ju do t’i njihni nga frytet e tyre. A vilet vallë rrush nga ferrat ose fiq nga murrizat?

17 Kështu çdo dru i mirë jep fryte të mira; por druri i keq prodhon fryte të këqija.

18 Një dru i mirë nuk mund të japë fryte të këqija, as një dru i keq të japë fryte të mira.

19 Çdo dru që nuk jep fryt të mirë pritet dhe hidhet në zjarr.

20 Ju, pra, do t’i njihni profetët nga frytet e tyre.

21 Jo çdo njeri që më thotë: "Zot, Zot" do të hyjë në mbretërinë e qieve; por do të hyjë ai që kryen vullnetin e Atit tim që është në qiej.

22 Shumë do të më thonë atë ditë: "O Zot, o Zot, a nuk profetizuam ne në emrin tënd, a nuk i dëbuam demonët në emrin tënd, a nuk kemi bërë shumë vepra të fuqishme në emrin tënd?".

23 Dhe atëherë unë do t’u sqaroj atyre: "Unë s’ju kam njohur kurrë; largohuni nga unë, ju të gjithë, që keni bërë paudhësi".

24 Prandaj, ai që i dëgjon këto fjalë të mia dhe i vë në praktikë, mund të krahasohet prej meje me një njeri të zgjuar, që e ka ndërtuar shtëpinë e tij mbi shkëmb.

25 Ra shiu, erdhi përmbytja, frynë erërat dhe u përplasën mbi atë shtëpi; por ajo nuk u shemb, sepse ishte themeluar mbi shkëmb.

26 Përkundrazi ai që i dëgjon këto fjalë dhe nuk i vë në praktikë, do të krahasohet me një njeri budalla, që e ka ndërtuar shtëpinë e tij mbi rërë.

27 Më pas ra shiu, erdhi përmbytja, frynë erërat dhe u përplasën mbi atë shtëpi; ajo u shemb dhe rrënimi i saj qe i madh.”

28 Tani kur Jezusi i mbaroi këto fjalë, turmat mbetën të habitura nga doktrina e tij,

29 sepse ai i mësonte, si një që ka autoritet dhe jo si skribët.

Tani kur Jezusi zbriti nga mali, turma të mëdha e ndiqnin.

Dhe ja, një lebroz erdhi dhe e adhuroi, duke thënë: “O Zot, po të duash, ti mund të më shërosh.”

Jezusi e shtriu dorën, e preku dhe i tha: “Po, unë dua, shërohu.” Dhe në atë çast u shërua nga lebra e tij.

Atëherë Jezusi i tha: “Ruhu se ia tregon kujt; por shko, paraqitu te prifti, bëj flijimin që ka urdhëruar Moisiu, me qëllim që kjo të jetë dëshmi për ta.”

Kur Jezusi hyri në Kapernaum i erdhi një centurion duke iu lutur,

dhe duke thënë: “O Zot, shërbëtori im rri shtrirë në shtëpi i paralizuar dhe po vuan shumë.”

Dhe Jezusi i tha: “Do të vij dhe do ta shëroj.”

Centurioni duke u përgjigjur i tha: “Zot, unë nuk jam i denjë që ti të hysh nën strehën time; por thuaj vetëm një fjalë dhe shërbëtori im do të shërohet.

Sepse unë jam një njeri nën urdhërin e të tjerëve, dhe i kam ushtarët nën vete; dhe, po t’i them dikujt: "Shko," ai shkon; dhe po t’i them një tjetri: Eja,," ai vjen; dhe po t’i them shërbëtorit tim: "Bëje këtë," ai e bën.”

10 Dhe Jezusi, kur i dëgjoi këto gjëra, u mrekullua dhe u tha atyre që e ndiqnin: “Në të vërtetë po ju them, se askund në Izrael nuk e gjeta një besim aq të madh.

11 Unë po ju them se shumë do të vijnë nga lindja dhe nga perëndimi dhe do të ulen në tryezë me Abrahamin, me Isaakun dhe me Jakobin, në mbretërinë e qiejve,

12 por bijtë e mbretërisë do të flaken në errësirat e jashtme. Atje do të jetë e qara dhe kërcëllimi dhëmbëve.”

13 Dhe Jezusi i tha centurionit: “Shko dhe u bëftë ashtu si besove!.” Dhe shërbëtori i tij u shërua që në atë çast.

14 Pastaj Jezusi hyri në shtëpinë e Pjetrit dhe pa që e vjehrra ishte në shtrat me ethe.

15 Dhe ai ia preku dorën dhe ethet e lanë; dhe ajo u ngrit dhe nisi t’u shërbejë.

16 Dhe kur u ngrys, i sollën shumë të pushtuar nga demonë; dhe ai, me fjalë, i dëboi frymërat dhe i shëroi të gjithë të sëmurët,

17 që kështu të përmbushej fjala e profetit Isaia kur tha: “Ai i mori lëngatat tona dhe i mbarti sëmundjet tona.”

18 Tani Jezusi, duke parë rreth tij turma të mëdha, urdhëroi që të kalonin në bregun tjetër.

19 Atëherë një skrib iu afrua dhe i tha: “Mësues, unë do të ndjek kudo që të shkosh.”

20 Dhe Jezusi i tha: “Dhelprat i kanë strofkat, dhe zogjtë e qiellit i kanë çerdhet, por Biri i njeriut nuk ka as ku të mbështetë kokën.”

21 Pastaj një tjetër nga dishepujt e tij i tha: “O Zot, më jep më parë leje të shkoj të varros atin tim.”

22 Por Jezusi i tha: Më ndiq, dhe lëri të vdekurit të varrosin të vdekurit e vet.”

23 Dhe mbasi ai hipi në barkë, dishepujt e tij e ndiqnin.

24 Dhe ja, që u ngrit në det një stuhi aq e madhe, sa valët po e mbulonin barkën, por ai flinte.

25 Dhe dishepujt e tij iu afruan dhe e zgjuan duke i thënë: “O Zot, na shpëto, ne po mbarojmë!”

26 Por ai u tha atyre: “Pse keni frikë, o njerëz besimpakë?.” Dhe, pasi u ngrit, qortoi erërat dhe detin, dhe u bë bunacë e madhe.

27 Atëherë njërëzit u mrekulluan dhe thoshnin: “Kush është ky, të cilit po i binden deti dhe erërat?.”

28 Dhe kur arriti në bregun tjetër, në krahinën e Gergesenasve, i dolën para dy të demonizuar, që kishin dalë nga varret, dhe ishin aq të tërbuar sa që askush nuk mund të kalonte në atë udhë.

29 Dhe ja, ata filluan të bërtasin duke thënë: “Ç’është mes nesh dhe ty, Jezus, Biri i Perëndisë? Mos ke ardhur këtu të na mundosh para kohe?.”

30 Jo larg tyre një tufë e madhe derrash po kulloste.

31 Dhe demonët iu lutën duke i thënë: “Në qoftë se na dëbon, na lejo të shkojmë në atë tufë derrash.”

32 Dhe ai u tha atyre: “Shkoni!.” Kështu ata, pasi dolën, hynë në atë tufë derrash; dhe ja, gjithë ajo tufë u hodh nga gremina në det, dhe u mbyt në ujë.

33 Dhe ata që i kullotnin ikën dhe, kur shkuan në qytet, i treguan të gjitha këto gjëra, duke përfshirë ngjarjen e të demonizuarve.

34 Dhe ja, gjithë qyteti i doli para Jezusit; dhe, kur e panë, iu lutën që të largohej prej vendit të tyre.

Dhe ai, pasi hipi në barkë, kaloi në bregun tjetër dhe erdhi në qytetin e vet.

Dhe ja, iu paraqit një paralitik i shtrirë në vig; dhe Jezusi, kur pa besimin që kishin ata, i tha paralitikut: “Merr zemër, o bir, mëkatet e tua të janë falur!”

Atëherë disa skribë thanë me vete: “Ky po blasfemon!.”

Por Jezusi, duke njohur mendimet e tyre, tha: “Pse mendoni gjëra të mbrapështa në zemrat tuaja?

Në fakt, ç’është më e lehtë, të thuash: "Mëkatet e tua të janë falur," apo: "Çohu dhe ec"?

Tani, që ta dini se Biri i njeriut ka autoritet në tokë të falë mëkatet: Çohu (i tha paralitikut), merr vigun tënd dhe shko në shtëpinë tënde.”

Dhe ai u çua dhe shkoi në shtëpinë e vet.

Turmat, kur e panë këtë, u çuditën dhe lëvdonin Perëndinë, që u kishte dhënë pushtet të tillë njerëzve.

Pastaj Jezusi, duke shkuar tutje, pa një burrë që rrinte në doganë, i quajtur Mate, dhe i tha: “Ndiqmë!.” Dhe ai u çua dhe e ndoqi.

10 Dhe ndodhi që, kur Jezusi u ul në tryezë në shtëpi, erdhën shumë tagrambledhës dhe mëkatarë dhe u ulën në tryezë bashkë me të dhe me dishepujt e tij.

11 Farisenjtë, kur e panë këtë, u thanë dishepujve të tij: “Pse Mësuesi juaj ha bukë me tagrambledhësit dhe me mëkatarët?.”

12 Jezusi, mbasi i dëgjoi, u tha atyre: “Nuk janë të shëndoshët ata që kanë nevojë për mjekun, por të sëmurët.

13 Tani shkoni dhe mësoni ç’do të thotë: "Unë dua mëshirë dhe jo flijime". Sepse unë nuk erdha për të thirrur në pendim të drejtët, por mëkatarët.”

14 Atëherë iu afruan dishepujt e Gjonit dhe i thanë: “Pse ne dhe farisenjtë agjërojmë shpesh, ndërsa dishepujt e tu nuk agjërojnë?.”

15 Dhe Jezusi u tha atyre: “A mund të mbajnë zi dasmorët, ndërsa dhëndërri është midis tyre? Por do të vijë koha kur do t’ua marrin dhëndërrin dhe atëherë ata do të agjërojnë.

16 Askush nuk vë një copë prej stofi të ri mbi një petk të vjetër, sepse kështu arna bie dhe grisja bëhet më e madhe.

17 Dhe as nuk shtihet vera e re në kacekë të vjetër; përndryshe kacekët shpohen, vera derdhet dhe kacekët humbin; por shtihet vera e re në kacekë të rinj, kështu që ruhen të dy.”

18 Ndërsa Jezusi u thoshte këto, iu afrua një nga krerët e sinagogës, ra përmbys para tij, dhe i tha: “Sapo më vdiq vajza, por eja, vëre dorën mbi të dhe ajo do të jetojë.”

19 Dhe Jezusi u ngrit dhe e ndoqi bashkë me dishepujt e tij.

20 Dhe ja një grua, e cila vuante prej dymbëdhjetë vjetësh nga një fluks gjaku, iu afrua nga mbrapa dhe i preku cepin e rrobes së tij.

21 Sepse thoshte me vete: “Po të prek vetëm rroben e tij, do të shërohem.”

22 Jezusi u kthye, e pa dhe tha: “Merr zemër, o bijë; besimi yt të ka shëruar.” Dhe që në atë çast gruaja u shërua.

23 Kur Jezusi arriti në shtëpinë e kryetarit të sinagogës dhe pa fyelltarët dhe turmën që zhurmonte,

24 u tha atyre: “Largohuni, sepse vajza nuk ka vdekur, por fle.” Dhe ata e përqeshnin.

25 Pastaj, kur turmën e nxorën jashtë, ai hyri, e zuri për dore vajzën dhe ajo u ngrit.

26 Fama e kësaj u përhap në mbarë atë vend.

27 Dhe ndërsa Jezusi po largohej prej andej, dy të verbër e ndiqnin duke bërtitur dhe duke thënë: “Ki mëshirë për ne, Bir i Davidit!.”

28 Kur arriti në shtëpi, të verbërit iu afruan dhe Jezusi u tha atyre: “A besoni ju se unë mund ta bëj këtë gjë?.” Ata iu përgjigjën: “Po, o Zot.”

29 Atëherë ai ua preku sytë, duke thënë: “U bëftë sipas besimit tuaj.”

30 Dhe atyre iu hapën sytë. Pastaj Jezusi i urdhëroi rreptësisht duke thënë: “Ruhuni se mos e merr vesh njeri.”

31 Por ata, sapo dolën, e përhapën famën e tij në mbarë atë vend.

32 Dhe, kur ata po dilnin, i paraqitën një burrë memec dhe të demonizuar.

33 Dhe, mbasi e dëboi demonin, memeci foli dhe turmat u çuditën dhe thanë: “Nuk është parë kurrë një gjë e tillë në Izrael.”

34 Por farisenjtë thonin: “Ai i dëbon demonët me ndihmën e princit të demonëve!.”

35 Dhe Jezusi kalonte nëpër të gjitha qytetet dhe fshatrat, duke i mësuar në sinagogat e tyre, duke predikuar ungjillin e mbretërisë dhe duke shëruar çdo sëmundje e çdo lëngatë në popull.

36 Duke parë turmat, kishte dhembshuri për to, sepse ishin të lodhur dhe të shpërndarë si delet pa bari.

37 Atëherë ai u tha dishepujve të vet: “E korra është me të vërtetë e madhe, por punëtorët janë pak.

38 Lutjuni, pra, Zotit të të korrave, të dërgojë punëtorë në të korrat e tij.”