Print Page Options
Previous Prev Day Next DayNext

Read the Gospels in 40 Days

Read through the four Gospels--Matthew, Mark, Luke, and John--in 40 days.
Duration: 40 days
Albanian Bible (ALB)
Version
Luka 1-3

Mbasi shumë vetë ndërmorën të renditin tregimin e ngjarjeve që ndodhën në mesin tonë,

ashtu si na i përcollën ata që ishin bërë nga fillimi dëshmitarë okularë dhe shërbyes të fjalës,

m’u duk e mirë edhe mua, pasi i hetova të gjitha gjërat me kujdes që nga fillimi, të t’i shkruaj sipas radhës, fort i nderuari Teofil,

që ti të njohësh vërtetësinë e gjërave që të kanë mësuar.

Në ditën e Herodit, mbretit të Judesë, ishte një prift me emër Zakaria, nga rendi i Abias; gruaja e tij ishte pasardhëse e Aaronit dhe quhej Elizabetë.

Që të dy ishin të drejtë në sytë e Perëndisë, duke ecur pa të metë në të gjitha urdhërimet dhe ligjet e Zotit.

Por nuk kishin fëmijë, sepse Elizabeta ishte shterpe, dhe të dy ishin të kaluar në moshë.

Ndodhi që, kur Zakaria po ushtronte detyrën e tij priftërore para Perëndisë sipas rregullit të rendit të vet,

sipas zakonit të shërbesës priftërore, i ra shorti të hyjë në tempullin e Zotit për të djegur temjanin.

10 Ndërkaq mbarë turma e popullit rrinte jashtë e lutej, në orën e temjanit.

11 Atëherë një engëll i Zotit iu shfaq duke qëndruar në këmbë në të djathtën e altarit të temjanit.

12 Zakaria, kur e pa, u trondit dhe e zuri frika.

13 Por engjëlli i tha: “Mos u tremb, Zakaria, sepse lutja jote u plotësua dhe gruaja jote Elizabeta do të lindë një djalë, të cilit do t’ia vësh emrin Gjon.

14 Dhe ai do të jetë për ty shkak gëzimi dhe hareje, dhe shumë vetë do të gëzohen për lindjen e tij.

15 Sepse ai do të jetë i madh përpara Zotit; nuk do të pijë as verë as pije dehëse dhe do të jetë i përplotë me Frymën e Shenjtë që në barkun e s’ëmës.

16 Dhe do t’i kthejë shumë prej bijve të Izraelit te Zoti, Perëndia i tyre.

17 Dhe do të shkojë përpara tij në frymë dhe pushtet të Elias, për t’i kthyer zemrat e prindërve te fëmijët dhe rebelët në urtinë e të drejtëve, për t’ia bërë gati Zotit një popull të përgatitur mirë.”

18 Dhe Zakaria i tha engjëllit: “Nga se do ta njoh këtë? Sepse unë jam plak dhe gruaja ime është e kaluar në moshë.”

19 Dhe engjëlli, duke iu përgjigjur, i tha: “Unë jam Gabrieli që rri në prani të Perëndisë, dhe më kanë dërguar që të flas me ty dhe të të njoftoj këto lajme të mira.

20 Dhe ja, ti do të jesh i pagojë dhe nuk do të mund të flasësh deri në atë ditë kur do të ndodhin këto gjëra, sepse nuk u ke besuar fjalëve të mia, të cilat do të përmbushen në kohën e tyre.”

21 Ndërkaq populli po priste Zakarian dhe çuditej që ai po vonohej aq shumë brenda tempullit.

22 Por, kur doli, nuk mundi t’u flasë atyre; atëherë ata e kuptuan se ai kishte pasur një vegim në tempull; ai u bënte shenja atyre, por mbeti i pagojë.

23 Dhe ndodhi që, kur u plotësuan ditët e shërbesës së tij, ai u kthye në shtëpinë e vet.

24 Dhe, pas atyre ditëve Elizabeta, gruaja e tij, u ngjiz; dhe u fsheh pesë muaj dhe thoshte:

25 “Ja ç’më bëri Zoti, në ato ditë kur e ktheu vështrimin e tij mbi mua për të më hequr turpin përpara njerëzve.”

26 Në muajin e gjashtë, engjëlli Gabriel u dërgua nga Perëndia në një qytet të Galilesë, që quhej Nazaret,

27 te një e virgjër, që ishte e fejuar me një njeri që quhej Jozef, nga shtëpia e Davidit; dhe emri i virgjëreshës ishte Maria.

28 Dhe engëlli hyri te ajo dhe tha: “Tungjatjeta, o hirplote, Zoti është me ty; ti je e bekuar ndër gratë.”

29 Por kur e pa atë, ajo mbeti e shqetësuar nga fjalët e tij, dhe pyeste vetveten çfarë kuptimi mund të kishte një përshëndetje e tillë.

30 Dhe engjëlli i tha: “Mos ki frikë, Mari, sepse ke gjetur hir para Perëndisë.

31 Dhe ja, ti do të mbetesh shtatzënë dhe do të lindësh një djalë, dhe do t’ia vesh emrin Jezus.

32 Ai do të jetë i madh dhe do të quhet Biri i Shumë të Lartit; dhe Zoti Perëndi do t’i japë fronin e Davidit, atit të tij;

33 dhe do të mbretërojë mbi shtëpinë e Jakobit përjetë, dhe mbretëria e tij nuk do të ketë kurrë të sosur.”

34 Dhe Maria i tha engjëllit: “Si do të ndodhë kjo, përderisa unë nuk njoh burrë?.”

35 Dhe engjëlli duke u përgjigjur, i tha: “Fryma e Shenjtë do të vijë mbi ty dhe pushteti i Shumë të Lartit do të të mbulojë me hijen e vet; prandaj i shenjti që do të lindë prej teje do të quhet Bir i Perëndisë.

36 Dhe ja, Elizabeta, e afërmja jote, edhe ajo, në pleqërinë e saj, mbeti shtatzënë me një djalë; dhe ky është muaji i gjashtë për të, që e quanin shterpë,

37 sepse me Perëndinë asgjë s’është e pamundshme.”

38 Atëherë Maria tha: “Ja shërbëtorja e Zotit; le të më ndodhë sipas fjalës sate.” Dhe engjëlli u largua prej saj.

39 Dhe në ato ditë Maria u ngrit dhe shkoi me nxitim në krahinën malore, në një qytet të Judesë,

40 dhe hyri në shtëpinë e Zakarias e përshëndeti Elizabetën.

41 Dhe ndodhi që, sapo Elizabeta dëgjoi përshëndetjen e Maries, fëmija i kërceu në bark, dhe Elizabeta u mbush me Frymën e Shenjtë,

42 dhe thërriti me zë të lartë, duke thënë: “Ti je e bekuar ndër gratë dhe i bekuar është fryti i barkut tënd.

43 Dhe përse po më ndodh kjo, që nëna e Zotit tim të vijë tek unë?

44 Sepse, ja, sapo arriti në veshët e mi zëri i përshëndetjes sate, fëmija nga gëzimi kërceu në barkun tim.

45 Tani, e lumur është ajo që besoi, sepse gjërat që i janë thënë nga ana e Zotit do të realizohen!.”

46 Dhe Maria tha: “Shpirti im e madhëron Zotin,

47 dhe fryma im ngazëllon në Perëndinë, Shpëtimtarin tim,

48 sepse ai e shikoi me pëlqim ultësinë e shërbëtores së tij; sepse ja, tani e tutje të gjitha brezat do të më shpallin të lume,

49 sepse i Pushtetshmi më bëri gjëra të mëdha, dhe i Shenjtë është emri i tij!

50 Dhe mëshira e tij shtrihet nga brezi në brez për ata që e druajnë.

51 Ai veproi pushtetshëm me krahun e vet; i shpërndau krenarët me mendimet e zemrave të tyre;

52 i përmbysi pushtetarët nga fronat e tyre dhe i ngriti të përulurit;

53 i mbushi me të mira të uriturit dhe i ktheu duarbosh të pasurit.

54 Ai e ndihmoi Izraelin, shërbëtorin e vet, duke i kujtuar për mëshirën e tij,

55 ashtu si ua pati deklaruar etërve tanë, Abrahamit dhe pasardhësve të tij, për gjithmonë.”

56 Dhe Maria ndenji me Elizabetën gati tre muaj, pastaj u kthye në shtëpinë e vet.

57 Dhe Elizabetës i erdhi koha që të lindë dhe të nxjerrë në dritë një djalë.

58 Fqinjët e saj dhe të afërmit, kur dëgjuan se Zoti kishte treguar mëshirë të madhe ndaj saj, u gëzuan me të.

59 Dhe ndodhi që të tetën ditë erdhën për ta rrethprerë djalin, dhe donin t’ia quanin Zakaria, me emrin e atit të tij;

60 por e ëma ndërhyri dhe tha: “Jo, por përkundrazi do të quhet Gjon.”

61 Dhe ata i thanë: “S’ka njeri në fisin tënd që të quhet me këtë emër.”

62 Kështu me shenja e pyetën të atin, si donte që t’i quhej.

63 Ai atëherë kërkoi një tabelë shkrimi dhe shkroi mbi të: “Emri i tij është Gjon.” Dhe të gjithë u mrrekulluan.

64 Në atë çast goja e tij u hap dhe gjuha e tij u zgjidh, dhe fliste duke bekuar Perëndinë.

65 Dhe të gjithë fqinjëve të tyre u hyri druajtja, dhe të gjitha këto gjëra u përhapën nëpër krejt krahinën malore të Judesë.

66 Të gjitha ata që i dëgjuan, i vunë në zemrën e tyre duke thënë: “Vallë kush do të jetë ky fëmijë?.” Dhe dora e Zotit ishte me të.

67 Dhe Zakaria, ati i tij, u mbush me Frymën e Shenjtë dhe profetizoi, duke thënë:

68 Bekuar qoftë Zoti, Perëndia i Izraelit, sepse e ka vizituar dhe e kreu çlirimin e popullit të vet;

69 dhe na ngriti një shpëtim të pushtetshëm në shtëpinë e Davidit, shërbëtorit të vet,

70 ashtu si ai e kishte deklaruar nëpërmjet gojës së profetëve të tij të shenjtë që nga kohët e lashta, që ne të shpëtojmë

71 prej armiqve tanë dhe prej dorës së gjithë atyre që na urrejnë,

72 për të treguar mëshirë tek etërit tanë e për t’u kujtuar për besëlidhjen e tij të shenjtë,

73 betimin që i bëri Abrahamit, atit tonë,

74 për të na lejuar që, pasi të çlirohemi nga duart e armiqve tanë, të mund t’i shërbejmë pa frikë,

75 në shenjtëri e në drejtësi përpara atij, të gjitha ditët e jetës sonë.

76 Dhe ti, o fëmijë i vogël, do të quhesh profet nga Shumë i Larti, sepse ti do të shkosh përpara fytyrës së Zotit për të përgatitur udhët e tij,

77 për t’i dhënë popullit të tij njohjen e shpëtimit, në faljen e mëkateve të tyre;

78 për hir të thellësisë së mëshirës së Perëndisë sonë, për të cilën agimi nga lart na ka vizituar,

79 për të ndriçuar ata që dergjeshin në errësirë dhe në hijen e vdekjes, për të udhëhequr hapat tona në udhën e paqes.”

80 Ndërkaq fëmija rritej dhe forcohej në frymë: dhe qëndroi në shkretëtirë deri në atë ditë, kur ai duhej t’i zbulohej Izraelit.

Tani, në atë ditë u shpall një dekret nga ana e Cezar Augustit, për të kryer regjistrimin e popullsisë të gjithë perandorisë.

Ky regjistrim qe i pari që u krye kur Kuirini ishte guvernatori i Sirisë.

Dhe të gjithë shkonin të regjistroheshin, secili në qytetin e vet.

Tani edhe Jozefi doli nga qyteti i Nazaretit të Galilesë, për të shkuar në Jude, në qytetin e Davidit, që quhet Bethlehem, sepse ai ishte i shtëpisë dhe i familjes së Davidit,

për t’u regjistruar bashkë me Marinë, gruan e vet, me të cilën ishte martuar dhe që ishte shtatzënë.

Kështu, ndërsa ishin atje, asaj i erdhi koha të lindë.

Dhe ajo lindi djalin e saj të parëlindur, e mbështolli me pelena dhe e vendosi në një grazhd, sepse në han nuk kishte vend për ta.

Tani në po atë krahinë ishin disa barinj që rrinin jashtë, në fusha, dhe natën ruanin kopenë e tyre.

Dhe ja, një engjëll i Zotit iu paraqit atyre dhe lavdia e Zotit shkëlqeu rreth tyre e ata i zuri një frikë e madhe.

10 Por engjëlli u tha atyre: “Mos druani, sepse unë po ju lajmëroj një gëzim të madh për të gjithë popullin;

11 sepse sot në qytetin e Davidit lindi për ju një Shpëtimtar, që është Krishti, Zoti.

12 Dhe kjo do t’ju vlejë si shenjë: ju do të gjeni një fëmijë të mbështjellur me pelena, të shtrirë në një grazhd.”

13 Dhe menjëherë engjëllit iu bashkua një shumicë e ushtrisë qiellore, që lëvdonte Perëndinë, duke thënë:

14 “Lavdi Perëndisë në vendet më të larta, dhe paqe mbi tokë njerëzve mbi të cilët qëndron mirëdashja e tij!.”

15 Dhe ndodhi që, kur engjëjt u larguan prej tyre për t’u kthyer në qiell, barinjtë i thanë njeri tjetrit: “Le të shkojmë deri në Bethlehem për të parë ç’ka ndodhur dhe ç’na bëri të ditur Zoti.”

16 Shkuan, pra, me nxitim dhe gjetën Marinë, Jozefin dhe fëmijën që ndodhej në një grazhd.

17 Mbasi e panë, përhapën ato që u ishte thënë për atë fëmijë.

18 Dhe të gjithë ata që i dëgjuan, u mrekulluan nga gjërat që u treguan barinjtë.

19 Maria i ruante të gjitha këto fjalë, duke i medituar në zemrën e saj.

20 Dhe barinjtë u kthyen, duke përlëvduar dhe lavdëruar Perëndinë për të gjitha gjërat që kishin dëgjuar dhe parë, ashtu si u ishte thënë atyre.

21 Dhe kur kaluan të tetë ditët, pas të cilave ai duhej rrethprerë, ia vunë emrin Jezus, emër të dhënë nga engjëlli para se ai të ngjizej në bark.

22 Kur pastaj ishin plotësuar ditët e pastrimit të saj sipas ligjit të Moisiut, e çuan fëmijën në Jeruzalem për t’ia paraqitur Zotit,

23 ashtu siç është shkruar në ligjin e Zotit: “Çdo mashkull i parëlindur do të jetë thirrur shenjt për Zotin,”

24 dhe për të ofruar flijim, siç është thënë në ligjin e Zotit, një çift turtujsh ose dy pëllumbash të rinj.

25 Dhe ja, në Jeruzalem ishte një njeri që quhej Simeon; Ky njeri ishte i drejtë dhe i përshpirtshëm dhe priste ngushëllimin e Izraelit; dhe Fryma e Shenjtë ishte mbi të.

26 Dhe në mënyrë hyjnore atij i qe zbuluar nga Fryma e Shenjtë se nuk do të vdiste para se të kishte parë Krishtin e Zotit.

27 Ai pra, i shtyrë nga Fryma, erdhi në tempull; dhe, si prindërit i prunë fëmijën Jezus për të bërë me të ato që përshkruan ligji,

28 ai e mori në krah e bekoi Perëndinë duke thënë:

29 “Tani, o Zot, lejo që shërbëtori yt të vdesë në paqe, sipas fjalës sate,

30 sepse sytë e mi e panë shpëtimin tënd

31 që ti e përgatite përpara gjithë popujve:

32 dritën për të ndriçuar kombet dhe lavdinë e popullit tënd, Izraelit.”

33 Dhe Jozefi e nëna e fëmijës mrrekulloheshin për gjërat që thuheshin për të.

34 Pastaj Simeoni i bekoi dhe i tha Marisë, nënës së tij: “Ja, ky është vënë për rënien dhe për ngritjen e shumë vetave në Izrael dhe për të qenë shenjë kundërshtimesh,

35 edhe ty vetë një shpatë do të ta tejshpojë shpirtin, që të zbulohen mendimet e shumë zemrave.”

36 Aty ishte edhe Ana, një profeteshë, bija e Fanuelit, nga fisit i Aserit, e cila ishte shumë e kaluar në moshë, që kishte jetuar mbas virgjërisë së saj shtatë vjet me burrin.

37 Ajo ishte e ve dhe, megjithse ishte tetëdhjetë e katër vjeçe, nuk largohej kurrë nga tempulli duke i shërbyer Perëndisë natë e ditë me agjërime dhe lutje.

38 Edhe ajo erdhi në atë moment, lavdëroi Zotin dhe u fliste për këtë fëmijë të gjithë atyre që prisnin çlirimin në Jeruzalem.

39 Dhe mbasi i kryen të gjitha ato që i takonin sipas ligjit të Zotit, u kthyen në Galile, në qytetin e tyre, Nazaret.

40 Ndërkaq fëmija rritej dhe forcohej në frymë, duke qenë plot dituri; dhe hiri i Perëndisë ishte mbi të.

41 Tani prindërit e tij shkonin çdo vit në Jeruzalem për festën e Pashkës.

42 Dhe, kur ai i mbushi dymbëdhjetë vjeç, ata u ngjitën në Jeruzalem, sipas zakonit të festës.

43 Dhe si u përmbushën ato ditë, kur ata u kthyen, fëmija Jezus ndënji në Jeruzalem; por Jozefi dhe e ëma e tij nuk e dinin.

44 Duke menduar se ai ishte në shoqëri, ata bënë një ditë rrugë, pastaj filluan ta kërkojnë midis farefisit dhe të njohurve;

45 dhe, duke qenë se nuk e gjetën, u kthyen në Jeruzalem për ta kërkuar.

46 Dhe ndodhi që, pas tri ditësh, e gjetën në tempull, të ulur në mes të dijetarëve, duke i dëgjuar dhe duke u bërë atyre pyetje.

47 Dhe të gjithë ata që e dëgjonin, habiteshin nga zgjuarësia e tij dhe nga përgjigjet e tij.

48 Dhe, kur ata e panë, mbetën të habitur, dhe e ëma i tha: “Bir, pse na e bëre këtë? Ja, yt atë dhe unë, në ankth, po të kërkonim!.”

49 Por ai u tha atyre: “Përse më kërkonit? A nuk e dinit se më duhet të merrem me punët e Atit tim?.”

50 Por ata nuk i kuptuan fjalët që ai u tha atyre.

51 Dhe ai zbriti bashkë me ta, u kthye në Nazaret dhe i bindej atyre. E ëma i ruante të gjitha këto fjalë në zemrën e saj.

52 Dhe Jezusi rritej në dituri, në shtat dhe në hir përpara Perëndisë dhe njerëzve.

Tani në vitin e pesëmbëdhjetë të mbretërimit të Tiberit Cezar, kur Ponc Pilati ishte qeveritari i Judesë, Herodi tetrarku i Galilesë, i vëllai, Filipi, tetrarku i Itureas dhe i krahinës së Trakonitidës dhe Lizania tetrarku i Abilenës,

nën kryepriftërinjtë Ana dhe Kajfa, fjala e Perëndisë iu drejtua Gjonit, birit të Zakarias, në shkretëtirë.

Atëherë ai e përshkoi gjithë krahinën përreth Jordanit, duke predikuar një pagëzim pendimi për faljen e mëkateve,

ashtu siç është shkruar në librin e fjalëve të profetit Isaia, që thotë: “Ja zëri i njërit që bërtet në shkretirë: Përgatitni udhën e Zotit, drejtoni shtigjet e tij!

Çdo luginë të jetë e mbushur dhe çdo mal e kodër të jetë sheshuar; vendet dredha-dredha të drejtohen dhe rrugët e vështira të sheshohen

dhe çdo mish do të shohë shpëtimin e Perëndisë.”

Ai, pra, u thoshte turmave që shkonin të pagëzoheshin prej tij: “Pjellë nepërkash, kush ju ka mesuar t’i arratiseni zemërimit që po vjen?

Bëni, pra, fryte të denja pendimi dhe mos filloni të thoni brenda jush: Ne kemi Abrahamin për Atë,," sepse unë po ju them se Perëndia mund t’i nxjerrë fëmijë Abrahamit edhe nga këta gurë.

Tashmë sëpata u vu në rrënjë të pemëve; çdo pemë që nuk jep fryt të mirë do të pritet dhe do të hidhet në zjarr.”

10 Dhe turmat e pyesnin, duke thënë: “Dhe ne, pra, ç’të bëjmë?.”

11 Atëherë ai, duke përgjigjur, u tha atyre: “Ai që ka dy tunika le t’i ndajë me atë që s’ka, dhe ai që ka të hajë le të veprojë po kështu.”

12 Tani erdhën edhe disa tagrambledhës që të pagëzohen dhe e pyetën: “Mësues, ç’duhet të bëjmë?.”

13 Dhe ai u tha atyre: “Mos vilni asgjë më tepër nga sa ju është urdhëruar.”

14 Edhe ushtarët e pyetën duke thënë: “Dhe ne, ç’duhet të bëjmë?.” Dhe ai u tha atyre: “Mos i bëni shantazh asnjeriu, mos i bëni akuza të rreme kurrkujt dhe jini të kënaqur me pagën tuaj!.”

15 Dhe populli ishte në pritje dhe të gjithë pyesnin në zemrat e veta nëse Gjoni ishte Krishti vetë.

16 Gjoni u përgjigj duke u thënë të gjithëve: “Unë ju pagëzoj me ujë; por vjen ai që është më i fortë nga unë, të cilit unë nuk jam i denjë as t’ia zgjidh lidhëset e sandaleve; ai do t’ju pagëzojë me Frymën e Shenjtë dhe me zjarr.

17 Ai mban në dorë lopatën e vet, për ta pastruar krejt lëmin e vet dhe për të mbledhur grurin në hambarin e tij, por bykun do ta djegë me zjarr që nuk shuhet.”

18 Kështu ai e ungjillizonte popullin duke e këshilluar me shumë mënyra të tjera.

19 Por Herodi, tetraku, mbasi u qortua prej tij për shkak të Herodiadës, gruas së vëllait të tij Filipit, dhe për të gjitha mbrapshtitë që ai kishte kryer,

20 U shtoi të gjitha të tjerave edhe këtë, domethënë e futi Gjonin në burg.

21 Tani, si u pagëzua gjithë populli, edhe Jezusi u pagëzua; dhe ndërsa po lutej, qielli u hap

22 dhe Fryma e Shenjtë zbriti mbi të, në trajtën trupore si të pëllumbit, dhe nga qielli erdhi një zë, që thoshte: “Ti je Biri im i dashur, në ty unë jam kënaqur!.”

23 Dhe Jezusi ishte rreth tridhjetë vjeç; dhe e pandehnin se ishte bir i Jozefit, bir i Elit;

24 bir i Mathatit, bir i Levit, bir i Melkit, bir i Janas, bir i Jozefit;

25 bir i Matathias, bir i Amosit, bir i Naumit, bir i Eslit, bir i Nagait;

26 bir i Maathit, bir i Matathias, bir i Semeit, bir i Jozefit, bir i Judës;

27 bir i Joannas, bir i Resas, bir i Zorobabelit, bir i Salatielit, bir i Nerit;

28 bir i Melkit, bir i Adit, bir i Kosamit, bir i Elmodamit, bir i Erit;

29 bir i Joseut, bir i Eliezerit, bir i Iorimit, bir i Mathatit, bir i Levit;

30 bir i Simeonit, bir i Judës, bir i Jozefit, bir i Jonanit, bir i Eliakimit;

31 bir i Meleas, bir i Menas, bir i Matathas, bir i Natanit, bir i Davidit;

32 bir i Jeseut, bir i Obedit, bir i Boozit, bir i Salmonit, bir i Naasonit;

33 bir i Aminadabit, bir i Aramit, bir i Esromit, bir i Faresit, bir i Judës;

34 bir i Jakobit, bir i Isakut, bir i Abrahamit, bir i Tares, bir i Nakorit;

35 bir i Serukut, bir i Ragaut, bir i Pelekut, bir i Eberit, bir i Selës;

36 bir i Kainanit, bir i Arfaksadit, bir i Semit, bir i Noeut, bir i Lamekut;

37 bir i Mathusalës, bir i Enokut, bir i Jaredit, bir i Mahalaleelit, bir i Kainanit;

38 bir i Enosit, bir i Setit, bir i Adamit, i Perëndisë.