Print Page Options
Previous Prev Day Next DayNext

Read the Gospels in 40 Days

Read through the four Gospels--Matthew, Mark, Luke, and John--in 40 days.
Duration: 40 days
Albanian Bible (ALB)
Version
Mateu 17-18

17 Mbas gjashtë ditësh Jezusi mori me vete Pjetrin, Jakobin dhe Gjonin, vëllanë e tij, dhe i çoi mbi një mal të lartë, në vetmi;

dhe u shpërfytyrua përpara tyre: fytyra e tij shkëlqeu si dielli dhe rrobat e tij u bënë të bardha si drita.

Dhe ja, iu shfaqën atyre Moisiu dhe Elia, të cilët bisedonin me të.

Atëherë Pjetri, duke marrë fjalën, i tha Jezusit: “Zot, është mirë që ne jemi këtu; po të duash, do të ngremë këtu tri çadra: një për ty, një për Moisiun dhe një për Elian.”

Ndërsa ai fliste akoma, ja një re plot dritë i mbuloi; dhe nga reja u dëgjua një zë që thoshte: “Ky është Biri im i dashur, në të jam kënaqur: dëgjojeni!.”

Dhe dishepujt, sapo e dëgjuan këtë, ranë me fytyrë për tokë dhe i zuri një frikë e madhe.

Por Jezusi u afrua, i preku dhe tha: “Çohuni dhe mos kini frikë!.”

Dhe ata, kur i çuan sytë, nuk panë njeri, përveç Jezusit vetëm.

Pastaj, kur po zbrisnin nga mali, Jezusi u dha atyre këtë urdhër duke thënë: “Mos i flisni askujt për këtë vegim, derisa i Biri i njeriut të jetë ringjallur prej së vdekuri.”

10 Atëherë dishepujt e tij e pyetën duke thënë: “Vallë pse skribët thonë se duhet të vijë më parë Elia?.”

11 Dhe Jezusi u përgjigj: “Vërtetë Elia duhet të vijë më parë dhe të rivendosë çdo gjë.

12 Por unë ju them se Elia ka ardhur dhe ata nuk e kanë njohur, madje u sollën me të si deshën; kështu edhe Birit të njeriut do t’i duhet të vuajë prej tyre.”

13 Atëherë dishepujt e kuptuan se u kishte folur për Gjon Pagëzorin.

14 Kur arritën afër turmës, një burrë iu afrua dhe, duke u gjunjëzuar para tij,

15 tha: “Zot, ki mëshirë për birin tim, sepse është epileptik dhe vuan shumë; shpesh ai bie në zjarr dhe shpesh në ujë.

16 Tani unë e solla te dishepujt e tu, por ata nuk mundën ta shërojnë.”

17 Dhe Jezusi duke u përgjigjur tha: “O brez që nuk beson dhe i çoroditur! Deri kur do të qëndroj midis jush? Deri kur do t’ju duroj? E sillni këtu tek unë.”

18 Atëherë Jezusi e qortoi demonin dhe ky doli nga djali; dhe që nga ai çast djali u shërua.

19 Atëherë dishepujt iu afruan Jezusit mënjanë dhe i thanë: “Përse ne nuk ishim në gjendje ta dëbonim?.”

20 Dhe Jezusi u tha atyre: “Prej mosbesimit tuaj; sepse në të vërtetë, unë po ju them, se po të keni besim sa një kokërr sinapi, do t’i thoni këtij mali: "Zhvendosu nga këtu atje," dhe ai do të zhvendoset; dhe asgjë nuk do të jetë e pamundshme për ju.

21 Por ky lloji demoni nuk del veçse me anë të lutjes dhe të agjërimit.”

22 Por, ndërsa ata qëndronin në Galile, Jezusi u tha atyre: “Biri i njeriut do t’u dorëzohet në duart e njerëzve,

23 dhe ata do ta vrasin; por ditën e tretë ai do të ringjallet.” Dhe ata u pikëlluan shumë.

24 Kur arritën në Kapernaum, vjelësit e të drahmeve iu afruan Pjetrit dhe thanë: “Mësuesi juaj a e paguan taksën e tempullit?.”

25 Ai tha: “Po.” Kur hyri në shtëpi, Jezusi e priti përpara duke thënë: “Ç’mendon ti, Simon? Prej kujt i marrin haraçet ose taksat mbretërit e dheut? Prej bijve të vet apo prej të huajve?.”

26 Pjetri i tha: “Prej të huajve.” Jezusi tha: “Bijtë, pra, përjashtohen.

27 Megjithatë, për të mos i skandalizuar ata, shko në det, hidhe grepin dhe merr peshkun e parë që do vijë lart, hapja gojën dhe do të gjesh një staterë; merre dhe jepjau atyre për ty dhe për mua.”

18 Në atë orë dishepujt iu afruan Jezusit dhe e pyetën: “Kush është, pra, më i madhi në mbretërinë e qiejve?.”

Dhe Jezusi, pasi thirri një fëmijë të vogël pranë vetes, e vuri në mes tyre

dhe tha: “Në të vërtetë po ju them: në qoftë se nuk ktheheni dhe nuk bëheni si fëmijët e vegjël, ju nuk do të hyni fare në mbretërinë e qiejve.

Kush, pra, do të përulet si ky fëmijë i vogël, do të jetë më i madhi në mbretërinë e qiejve.

Dhe kushdo që e pranon një fëmijë të vogël si ky në emrin tim, më pranon mua.

Por ai që do të skandalizojë një prej këtyre të vegjëlve që besojnë tek unë, do të jetë më mirë për atë t’i varet në qafë një gur mulliri (që e sjell rrotull gomari) dhe të zhytet në thellësi të detit.

Mjerë bota për skandalet! Sepse është nevojshëm të vijnë skandalët, por mjerë ai njeri për faj të të cilit do të vijë skandali!

Tani në qoftë se dora jote ose këmba jote të skandalizohet për mëkat, preje dhe flake nga vetja; është më mirë për ty të hysh në jetë dorëcung ose i çalë, se sa të kesh dy duar dhe dy këmbë dhe të hidhesh në zjarr të përjetshëm.

Po ashtu, në qoftë se syri yt të skandalizohet për mëkat, nxirre dhe hidhe larg teje; është më mirë për ty të hysh në jetë vetëm me një sy se sa t’i kesh të dy dhe të të hedhin në Gehena të zjarrit.

10 Ruhuni se përbuzni ndonjë nga këta të vegjël, sepse unë po ju them se engjëjt e tyre në qiej shohin vazhdimisht fytyrën e Atit tim, që është në qiej.

11 Sepse Biri i njeriut erdhi për të shpëtuar atë që qe humbur.

12 Si mendoni? Në qoftë se një njeri ka njëqind dele dhe njera prej tyre humb rrugën, a nuk do t’i lërë ai të nëntëdhjetë e nëntat mbi male për të kërkuar atë që humbi rrugën?

13 Dhe në se i ndodh ta gjejë, unë ju them në të vërtetë se ai do të gëzohet më shumë për këtë, se sa për të nëntëdhjetë e nëntat që nuk kishin humbur rrugën.

14 Kështu është dëshira e Atit tuaj që është në qiej, që asnjë nga këta të vegjël të mos humbasë.”

15 “Por në qoftë se vëllai yt ka mëkatuar kundër teje, shko dhe qortoje vetëm për vetëm; në qoftë se të dëgjon, ti e fitove vëllanë tënd;

16 por në qoftë se nuk të dëgjon, merr me vete edhe një ose dy vetë, që çdo fjalë të vërtetohet nga goja e dy ose tre dëshmitarëve.

17 Në se pastaj refuzon t’i dëgjojë, thuaja kishës; dhe në qoftë se refuzon edhe ta dëgjojë kishën, le të jetë për ty si pagan ose tagrambledhës.

18 Në të vërtetë ju them se gjitha gjërat që do të keni lidhur mbi tokë do të jenë lidhur edhe në qiell; dhe gjitha gjërat që keni zgjidhur mbi tokë do të jenë zgjidhur edhe në qiell.

19 Po ju them gjithashtu se, në qoftë se dy prej jush bien në ujdi mbi tokë të kërkojnë çfarëdo gjëje, kjo do t’u jepet atyre nga Ati im që është në qiej.

20 Sepse, kudo që dy a tre janë bashkuar në emrin tim, unë jam në mes të tyre.”

21 Atëherë Pjetri iu afrua dhe tha: “Zot, në se vëllai im mëkaton kundër meje, sa herë duhet ta fal? Deri shtatë herë?.”

22 Jezusi i tha: “Unë nuk të them deri shtatë herë, por deri shtatëdhjetë herë shtatë.

23 Prandaj mbretëria e qiejve i ngjan një mbreti që deshi të bënte llogaritë me shërbëtorët e vet.

24 Mbasi filloi t’i bëjë llogaritë, i sollën një që i detyrohej dhjetë mijë talenta.

25 Dhe, duke qenë se ky nuk kishte të paguante, zotëria e tij urdhëroi që të shitej ai me gruan e tij, bijtë e tij dhe gjithë ç’kishte, dhe të shlyejë detyrimin.

26 Atëherë ai shërbëtor i ra ndër këmbë e i lutej duke thënë: "Zot, ki durim me mua dhe unë do t’i paguaj të gjitha".

27 I shtyrë nga dhembshuria, zotëria e atij shërbëtori e la të lirë atë dhe ia fali detyrimin.

28 Por ai shërbëtor, si doli, takoi një nga shërbëtorët e tjerë, që i detyrohej njëqind denarë; dhe, mbasi e zuri për fyti, po e mbyste duke thënë: "Më paguaj detyrimin që më ke".

29 Atëherë shërbëtori shok i tij, i ra ndër këmbë dhe iu lut duke thënë: Ki durim me mua, dhe do t’i paguaj të gjithaa".

30 Por ai nuk deshi, madje shkoi dhe e futi në burg deri sa ai ta shlyente detyrimin.

31 Por shërbëtorët e tjerë, kur e panë ngjarjen, u pikëlluan shumë dhe shkuan e i thanë zotërisë së tyre gjithçka që kishte ndodhur.

32 Atëherë zotëria e tij e thirri dhe i tha: "Shërbëtor i lig, unë ta fala gjithë këtë detyrim, sepse m’u lute.

33 A nuk duhej të kishe mëshirë edhe ti për shokun tënd, ashtu si pata mëshirë unë për ty?".

34 Dhe zotëria i tij, i zemëruar, ua dorëzoi torturuesve deri sa të paguante gjithë detyrimin.

35 Kështu do të veprojë me ju edhe Ati im qiellor, në qoftë se secili prej jush nuk e fal me gjithë zemër vëllanë e vet për fajet e tij.”