Chronological
22 Atëherë i paraqitën një të idemonizuar, që ishte i verbër dhe memec; dhe ai e shëroi, kështu që i verbëri e memeci fliste dhe shikonte.
23 Dhe mbarë turmat çuditeshin dhe thonin: “A mos është ky i Biri i Davidit?.”
24 Por farisenjtë, kur e dëgjuan këtë, thanë: “Ky i dëbon demonët vetëm me fuqinë e Beelzebubit, princit të demonëve.”
25 Dhe Jezusi, duke njohur mendimet e tyre, u tha: “Çdo mbretëri, që përçahet në vetvete, shkon drejt shkatërrimit; dhe çdo qytet ose shtëpi, që përçahet në vetvete, nuk shkon gjatë.
26 Atëherë, në qoftë se Satani dëbon Satanë, ai është përçarë në vetvete, dhe si mund të qëndrojë mbretëria e tij?
27 Dhe në qoftë se unë i dëboj djajtë me ndihmën e Beelzebubit, me ndihmën e kujt i dëbojnë bijtë tuaj? Prandaj ata do të jenë gjykatësit tuaj.
28 Por, në qoftë se unë i dëboj djajtë me ndihmën e Frymës së Perëndisë, atëherë mbretëria e Perëndisë ka ardhur në mes tuaj.
29 Ose, si mund të hyjë dikush në shtëpinë e të fuqishmit dhe t’i grabisë pasurinë, po të mos e ketë lidhur më parë të fuqishmin? Vetëm atëherë ai do të mund t’ia plaçkisë shtëpinë.
30 Kush nuk është me mua, është kundër meje dhe kush nuk mbledh me mua, shkapërderdh.
31 Prandaj unë po ju them: Çdo mëkat dhe blasfemi do t’u falet njerëzve; por blasfemia kundër Frymës nuk do t’u falet atyre.
32 Dhe kushdo që flet kundër Birit të njeriut do të falet; por ai që flet kundër Frymës së Shenjtë nuk do të falet as në këtë botë as në atë të ardhme.”
33 “Ose bëjeni të mirë pemën dhe fryti i saj do të jetë i mirë, ose bëjeni të keqe pemën dhe fryti i saj do të jetë i keq; sepse pema njihet nga fryti.
34 O pjellë nepërkash! Si mund të flisni mirë, kur jeni të këqij? Sepse ç’ka zemra qet goja.
35 Njeriu i mirë nga thesari i mirë i zemrës nxjerr gjëra të mira; por njeriu i keq nxjerr gjëra të këqija nga thesari i tij i keq.
36 Por unë po ju them se ditën e gjyqit njërëzit do të japin llogari për çdo fjalë të kotë që kanë thënë.
37 Sepse në bazë të fjalëve të tua do të justifikohesh, dhe në bazë të fjalëve të tua do të dënohesh.”
38 Atëherë disa skribë dhe farisenj e pyetën duke thënë: “Mësues, ne duam të shohim ndonjë shenjë prej teje.”
39 Por ai duke iu përgjigjur u tha atyre: “Ky brez i mbrapshtë dhe kurorëshkelës kërkon një shenjë, por asnjë shenjë nuk do t’i jepet, përveç shenjës së profetit Jona.
40 Në fakt ashtu si Jona qëndroi tri ditë e tri net në barkun e peshkut të madh, kështu Biri i njeriut do të qëndrojë tri ditë e tri net në zemër të tokës.
41 Banorët e Ninivit do të ringjallen në gjyq bashkë me këtë brez dhe do ta dënojnë, sepse ata u penduan me predikimin e Jonas; dhe ja, këtu është një më i madh se Jona.
42 Mbretëresha e jugut do të ringjallet në gjyq bashkë me këtë brez dhe do ta dënojë, sepse ajo erdhi nga skaji më i largët i tokës për të dëgjuar diturinë e Salomonit; dhe ja, këtu është një më i madh se Salomoni.
43 Tani kur fryma e ndyrë ka dalë nga një njeri, endet nëpër vende të thata, duke kërkuar qetësi, por nuk e gjen.
44 Atëherë thotë: "Do të kthehem në shtëpinë time, nga kam dalë"; po kur arrin e gjen të zbrazët, të pastruar dhe të zbukuruar;
45 atëherë shkon e merr me vete shtatë frymëra të tjera më të liga se ai, të cilët hyjnë dhe banojnë aty; kështu gjendja e fundit e këtij njeriut bëhet më e keqe nga e mëparshmja. Kështu do t’i ndodhë edhe këtij brezi të mbrapshtë.”
46 Ndërsa ai vazhdonte t’u fliste turmave, ja nëna e tij dhe vëllezërit e tij po rrinin jashtë dhe kërkonin të flisnin me të.
47 Dhe dikush i tha: “Ja, nëna jote dhe vëllezërit e tu janë atje jashtë dhe duan të flasin me ty.”
48 Por ai duke iu përgjigjur, i tha atij që e kishte lajmëruar: “Kush është nëna ime dhe kush janë vëllezërit e mi?.”
49 E shtriu dorën e vet drejt dishepujve të vet dhe tha: “Ja nëna ime dhe vëllezërit e mi.
50 Sepse kushdo që kryen vullnetin e Atit tim që është në qiej, më është vëlla, motër dhe nënë.”
11 Dhe ndodhi që ai ndodhej në një vend dhe lutej dhe, si mbaroi, një nga dishepujt e tij i tha: “Zot, na mëso të lutemi, ashtu siç i mësoi Gjoni dishepujt e vet.”
2 Dhe ai u tha: “Kur të luteni, thoni: "Ati ynë që je në qiej, u shenjtëroftë emri yt, ardhtë mbretëria jote, u bëftë vullneti yt si në qiell edhe në tokë.
3 Na jep çdo ditë bukën tonë të nevojshme.
4 Dhe na i fal mëkatet tona, sepse edhe ne i falim fajtorët tanë; dhe mos lejo të biem në tundim, por na shpëto nga i ligu".”
5 Pastaj u tha atyre: “A ka midis jush njeri që ka një mik dhe i shkon në mesnatë e i thotë: "Mik, më jep hua tri bukë,
6 sepse më erdhi nga udha një miku im dhe unë s’kam çfarë t’i vë përpara";
7 dhe ai, nga brenda, duke u përgjigjur, i tha: "Mos më bezdis, dera është tashmë e mbyllur dhe fëmijët e mi ranë në shtrat me mua; nuk mund të çohem e të t’i jap"?
8 Unë po ju them se, edhe nëse nuk çohet t’ia japë sepse e ka mik, do të çohet gjithsesi për shkak të insistimit të tij dhe do t’i japë të gjitha bukët që i nevojiten.
9 Prandaj po ju them: Lypni dhe do t’ju jepet; kërkoni dhe do të gjeni; trokitni dhe do t’ju hapet.
10 Sepse kushdo që lyp, merr, kush kërkon, gjen dhe do t’i hapet atij që troket.
11 Dhe cili nga ju është baba i tillë që, po t’i kërkojë bukë djali, i jep një gur? Ose po t’i kërkojë një peshk, në vend të peshkut i jep një gjarpër?
12 Ose, po t’i kërkojë një vezë, i jep një akrep?
13 Nëse ju, pra, që jeni të këqij, dini t’u jepni dhurata të mira bijve tuaj, aq më tepër Ati juaj qiellor do t’u dhurojë Frymën e Shenjtë atyre që ia kërkojnë.”
14 Dhe Jezusi po dëbonte një demon që ishte memec; dhe ndodhi që, kur demoni doli, memeci foli dhe turmat u mrekulluan.
15 Por disa nga ata thanë: “Ai i dëbon demonët nëpërmjet Beelzebubit, princit të demonëve.”
16 Kurse disa nga ata, për ta vënë në provë, kërkonin prej tij një shenjë nga qielli.
17 Por ai, duke i njohur mendimet e tyre, u tha atyre: “Çdo mbretëri, e përçarë në vetvete shkatërrohet, dhe çdo shtëpi e përçarë në vetvete rrëzohet.
18 Po të jetë, pra, edhe Satanai i përçarë në vetvete, si do të mund të qëndrojë mbretëria e tij? Sepse ju thoni se unë i dëboj demonët nëpërmjet Beelzebubit.
19 Por, nëse unë i dëbokam demonët nëpërmjet Beelzebubit, nëpërmjet kujt i dëbojnë ata bijtë tuaj? Prandaj ata do të jenë gjykatësit tuaj.
20 Por në se unë i dëboj demonët me gishtin e Perëndisë, mbretëria e Perëndisë, pra ka arritur deri te ju.
21 Kur burri i fortë, i armatosur mirë, e ruan shtëpinë e vet, pasuria e tij është në paqe.
22 Por në qoftë se vjen një më i fortë se ai dhe e mund atë, ia merr armët në të cilat kishte shpresë dhe i ndan plaçkat e tij.
23 Kush nuk është me mua, është kundër meje dhe kush nuk mbledh me mua, shpërndan.
24 Kur fryma e ndyrë del nga një njeri, endet në vende të shkreta, duke kërkuar pushim, dhe duke mos e gjetur dot, thotë: "Do të kthehem në shtëpinë time nga dola".
25 Dhe, kur kthehet, e gjen të fshirë e të zbukuruar,
26 atëherë shkon e merr me vete shtatë frymëra të tjerë më të këqij se ai, dha ata hyjnë aty dhe banojnë aty; dhe gjendja e fundit e atij njeriu bëhet më e keqe se e para.”
27 Ndodhi që, ndërsa ai po thoshte këto gjëra, një grua nga turma e çoi zërin e saj dhe i tha: “Lum barku që të barti dhe gjinjtë që të mëndën.”
28 Por ai u tha: “Me tepër lum ata që e dëgjojnë fjalën e Perëndisë dhe e zbatojnë.”
29 Duke qenë se turmat po i shtyheshin përreth, ai filloi të thotë: “Ky brez është i lig; ai kërkon nje shenjë, por asnjë shenjë nuk do t’i jepet, përveç shenjës së profetit Jona.
30 Sepse, ashtu si Jona qe një shenjë për Ninivasit, kështu edhe Biri i njeriut do të jetë një shenjë për këtë brez.
31 Mbretëresha e Mesditës do të ngrihet ditën e gjyqit me njerëzit e këtij brezi dhe do t’i dënojë, sepse ajo po vjen nga skaji i dheut për të dëgjuar urtësinë e Salomonit; dhe ja, këtu është dikush më i madh se Salomoni.
32 Ninivasit, ditën e gjyqit, do të ringjallen me këtë brez dhe do ta dënojnë, sepse ata u penduan për predikimin e Jonas; dhe ja, këtu është dikush më i madh se Jona.”
33 Asnjëri, kur ndez një llambë, nuk e vë në një vend të fshehtë ose nën babunë, po përmbi dritëmbajtësen, që të shohin dritë ata që hyjnë.
34 Llamba e trupit është syri; në se syri yt është i shëndoshë, gjithë trupi yt do të jetë i ndriçuar; por në se syri yt është i sëmurë, edhe gjithë trupi yt do të jetë plot me errësirë.
35 Prandaj trego kujdes që drita që është në ty të mos jetë terr.
36 Në se gjithë trupi yt është i ndriçuar, pa asnjë pjesë të errët, gjithçka do të jetë e ndriçuar, sikurse ndodh kur llamba të ndriçon me shkëlqimin e saj.”
37 Por ndërsa Jezusi po fliste, një farise e ftoi për drekë në shtëpinë e vet. Dhe ai hyri dhe u vendos në tryezë.
38 Fariseu e vuri re këtë dhe u mrekullua që Jezusit nuk lau para buke.
39 Dhe Zoti i tha: “Tani ju farisenjtë pastroni të jashtmen e kupës dhe të pjatës, ndërsa brendinë tuaj e keni plot me grabitje dhe ligësi.
40 Të pamend! Ai që bëri anën e jashtme, vallë nuk bëri edhe të brendshmen?
41 Por jepni si lëmoshë atë që është përbrenda, dhe çdo gjë do të jetë e pastër për ju.
42 Por mjerë ju, o farisenj! Sepse ju paguani të dhjetën e ryzës, të mendrës dhe të çdo barishteje, dhe pastaj lini pas dore drejtësinë dhe dashurinë e Perëndisë. Këto gjëra duhet t’i bënit, pa i lënë pas dore të tjerat.
43 Mjerë ju, o farisenj! Sepse ju e doni vendin e parë ndër sinagoga dhe përshëndetjet nëpër sheshe.
44 Mjerë ju, skribë dhe farisenj hipokritë! Sepse jeni si varret që nuk shihen dhe njërëzit ecin sipër tyre, pa e ditur.”
45 Atëherë, duke u përgjigjur, një nga mësuesit e ligjit, i tha: “Mësues, duke folur kështu, ti po na fyen edhe ne.”
46 Dhe ai thoshte: “Mjerë edhe ju, o mësues të ligjit! Sepse i ngarkoni njerëzit me barrë që me vështirësi baren, dhe ju nuk i prekni ato barrë as edhe me një gisht.
47 Mjerë ju! Sepse ju ndërtuat varret e profetëve dhe etërit tuaj i patën vrarë ata.
48 Duke vepruar në këtë mënyrë, ju dëshmoni se i miratoni veprat e etërve tuaj; në fakt ata vranë profetët dhe ju ndërtoni varret e tyre.
49 Për këtë arsye edhe urtësia e Perëndisë tha: "Unë do t’u dërgoj profetë dhe apostuj, dhe ata do të vrasin disa prej tyre kurse të tjerët do t’i përndjekin,"
50 me qëllim që këtij brezi t’i kërkohet llogari për gjakun e të gjithë profetëve, i cili u derdh që nga krijimi i botës:
51 nga gjaku i Abelit deri te gjaku i Zakarias, që u vra ndërmjet altarit dhe tempullit; po, unë po ju them, se këtij brezi do t’i kërkohet llogari.
52 Mjerë ju, o mësues të ligjit! Sepse ju e morët çelësin e dijes; ju vetë nuk hytë dhe penguat hyrjen e atyre që po hynin.”
53 Po ndërsa ai u fliste atyre këto gjëra, skribët dhe farisenjtë filluan të zemërohen shumë kundër tij dhe ta sulmojnë atë me shumë pyetje,
54 për t’i ngritur kurthe, për ta zënë në gabim e për të mundur ta akuzojnë për ndonjë fjalë të tij.