Beginning
9 Kështu tërë Izraelitët u regjistruan sipas gjenealogjive dhe u shkruan në librin e mbretërve të Izraelit. Por Juda u internua në Babiloni për shkak të mosbesnikërisë së tij.
2 Tani banorët e parë që u vendosën rishtas në pronat e tyre, në qytetet e tyre, ishin Izraelitët, priftërinj, Levitë dhe Nethinej.
3 Në Jeruzalem u vendosën disa nga bijtë e Judës, nga bijtë e Beniaminit dhe nga bijtë e Efraimit dhe të Manasit:
4 Uthai, bir i Amihudit, bir i Omrit, bir i Imrit, bir i Banit nga pasardhësit e Peretsit, birit të Judës.
5 Nga Shilonitët: Asajahu, djali i parë dhe bijtë e tij.
6 Nga bijtë e Zerahut: Jeueli dhe vëllezërit e tij, gjithsej gjashtëqind e nëntëdhjetë veta.
7 Nga bijtë e Beniaminit: Salu, bir i Meshulamit, birit të Hodavias, birit të Hasenahit;
8 Ibnejahu, bir i Jerohamit, Elahu, bir i Uzit, birit të Mikrit, dhe Meshulami, bir i Shefatiahut, birit të Reuelit, që ishte bir i Ibnijahut;
9 vëllezërit e tyre, sipas brezave të tyre, ishin nëntëqind e pesëdhjetë e gjashtë veta. Tërë këta ishin të parë të një shtëpie atërore në shtëpitë e tyre atërore.
10 Nga priftërinjtë: Jedajahu, Jehojaribi dhe Jakini,
11 Azariahu, bir i Hilkiahut, bir i Meshullamit, bir i Tsadokut, bir i Merajothit, bir i Ahitubit, që ishte oficer në krye të shtëpisë së Perëndisë,
12 Adajahu, bir i Jerohamit, bir i Pashurit, bir i Malkijahut; Maasi, bir i Adielit, bir i Jahzerahut, bir i Meshulamit, bir i Meshillemithit, bir i Imerit;
13 dhe vëllezërit e tyre të parë të shtëpive të tyre atërore, një mijë e shtatëqind e gjashtëdhjetë veta, njerëz shumë të shkathët në shërbim të shtëpisë së Perëndisë.
14 Nga Levitët: Shemajahu, bir i Hasshubit, bir i Azrikamit, bir i Hashabiahut, të bijve të Merarit;
15 Bakbakari, Hereshi, Galali, Mataniahu, bir i Mikahut, bir i Zikrit, bir i Asafit;
16 Obadiahu, bir i Shemajahut, bir i Galalit, bir i Jeduthunit; Berakiahu, bir i Asas, bir i Elkanahut, që banonte në fshatrat e Netofathitëve.
17 Derëtarët ishin Shallumi, Akubi, Talmoni, Ahimani dhe vëllezërit e tyre; Shalumi ishte i pari i tyre.
18 Ata kanë mbetur deri tani derëtarë të kampit të bijve të Levit në portën e mbretit, në drejtim të lindjes.
19 Shalumi, bir i Koreut, bir i Ebiasafit, bir i Korahut, dhe vëllezërit e tij, Korahitët, nga shtëpia e atit të tij, ishin të ngarkuar me punën e shërbimit, si derëtarë të tabernakullit; etërit e tyre ishin caktuar në kampin e Zotit si derëtarë.
20 Finehasi, bir i Eleazarit, kishte qenë në të kaluarën i pari i tyre; dhe Zotit ishte me të.
21 Zakaria, bir i Meshelemiahut, ishte derëtar në hyrjen e çadrës së mbledhjeve.
22 Tërë ata që u zgjodhën si derëtarë ishin dyqind e dymbëdhjetë veta; ata ishin të regjistruar sipas gjenealogjive në fshatrat e tyre. Davidin dhe Samuelin shikuesi i kishte vendosur në zyrën e tyre.
23 Ata dhe bijtë e tyre mbanin përgjegjësinë e ruajtjes së portave të shtëpisë së Zotit, domethënë të shtëpisë së tabernakullit, si derëtarë.
24 Kishte derëtarë në të katër pikat e horizontit: në lindje, në perëndim, në veri dhe në jug.
25 Vëllezërit e tyre, që banonin në fshatrat e tyre, duhet të vinin herë pas here për të qëndruar me ta shtatë ditë,
26 sepse katër derëtarët kryesorë, që ishin Levitë, ishin gjithnjë në detyrë. Ata merreshin gjithashtu me mbikqyrjen e dhomave dhe të thesarëve të shtëpisë së Perëndisë;
27 banonin në afërsitë e shtëpisë së Perëndisë, sepse atyre u ishte besuar ruajtja e saj, si dhe hapja e saj çdo mëngjes.
28 Disa prej tyre ishin përgjegjës për objektet që përdoreshin në shërbimin e tempullit, dhe ata i numëronin kur i çonin brenda dhe kur i çonin jashtë.
29 Të tjerë përkundrazi ishin ngarkuar me ruajtjen e mobiljeve, të gjithë veglave, të majës së miellit, të verës, të vajit, të temjanit dhe të aromave.
30 Disa bij të priftërinjve përgatisnin melhemin e aromave.
31 Matithiahu, një prej Levitëve, i parëlinduri i Shalumit, Korahiti, ishte përgjegjës për gjërat që gatuheshin në tigane.
32 Disa nga vëllezërit e tyre midis Kehathitëve ishin të ngarkuar përkundrazi të përgatisnin çdo të shtunë bukët e paraqitjes.
33 Këta ishin këngëtarë, të parë të shtëpive atërore të Levitëve, që banonin në dhomat e tempullit; ata ishin të përjashtuar nga çdo shërbim tjetër, sepse ishin të zënë ditë e natë me punën e tyre.
34 Këta ishin të parët e shtëpive atërore të Levitëve, të parë sipas brezave të tyre; ata banonin në Jeruzalem.
35 Në Gabaon banonin Jejeli, ati i Gabaonit, gruaja e të cilit quhej Maakah.
36 I parëlinduri i tij ishte Abdoni, pastaj erdhën Tsuri, Kishi, Baali, Neri, Nadabi,
37 Gedori, Ahio, Zakaria dhe Miklothi.
38 Miklothit i lindi Shimeami. Edhe këta banonin përballë vëllezërve të tyre në Jeruzalem së bashku me vëllezërit e tyre.
39 Nerit i lindi Kishi, Kishit i lindi Sauli dhe Saulit i lindën Jonathani, Malkishua, Abinadabi dhe Eshbaali.
40 Biri i Jonathanit ishte Merib-Baali dhe Merib-Baalit i lindi Mikahu.
41 Bijtë e Mikahut ishin Pitoni, Meleku, Tahrea dhe Ashazi.
42 Ashazit i lindi Jarahu; Jarahut i lindën Alemethi, Azmavethi dhe Zimri, Zimrit i lindi Motsa.
43 Motsas i lindi Binea, bir i të cilit ishte Refaihu, bir i të cilit ishte Eleasahu, bir i të cilit ishte Atseli.
44 Atseli pati gjashtë djem, dhe këta ishin emrat e tyre: Azriksani, Bokeru, Ismaeli, Sheariahu, Obadiahu dhe Hanani. Këta qenë bijtë e Atselit.
10 Filistejtë luftuan kundër Izraelit dhe Izraelitët ikën me vrap para Filistejve dhe ranë të vrarë në malin Gilboa.
2 Filistejtë ndoqën nga afër Saulin dhe bijtë e tij dhe vranë Jonathanin, Abinadabin dhe Malkishuan, bij të Saulit.
3 Beteja u bë e ashpër kundër Saulit, harkëtarët e goditën dhe ai u plagos rëndë.
4 Atëherë Sauli i tha shqyrtarit të tij: "Nxirr shpatën tënde dhe më shpo me atë, që këta të parrethprerë të mos vijnë e të tallen me mua". Por shqyrtari i tij nuk deshi ta bënte, sepse ishte trembur shumë. Atëherë Sauli mori shpatën dhe u hodh mbi të.
5 Kur shqyrtari e tij pa që Sauli kishte vdekur, edhe ai u hodh mbi shpatën e tij dhe vdiq.
6 Kështu vdiq Sauli me tre bijtë e tij; tërë shtëpia e tij u shua tok.
7 Kur të gjithë Izraelitët që banonin në këtë luginë panë që të tyret kishin ikur dhe që Sauli dhe bijtë e tij kishin vdekur, ata braktisën qytetet e tyre dhe ikën me vrap. Atëherë erdhën Filistejtë dhe u vendosën në vendin e tyre.
8 Të nesërmen Filistejtë erdhën për të zhveshur të vrarët dhe gjetën Saulin dhe bijtë e tij të rënë mbi malin Gilboa.
9 E zhveshën Saulin, i morën kokën dhe armaturën dhe çuan lajmëtarë në të gjithë vendin e Filistejve për të njoftuar lajmin në tempullin e idhujve të tyre dhe gjithë popullit.
10 E vendosën pastaj armaturën e tij në tempullin e perëndive të tyre dhe gozhduan kokën e tij në tempullin e Dagonit.
11 Kur tërë banorët e Jabeshit të Galaadit mësuan tërë atë që Filistejtë i kishin bërë Saulit,
12 tërë njerëzit trima u ngritën më këmbë, morën kufomën e Saulit dhe kufomat e bijve të tij dhe i çuan në Jabesh; pastaj i varrosën kockat e tyre nën brukën e Jabeshit dhe agjeruan shtatë ditë.
13 Kështu Sauli vdiq për shkak, të mosbensikërisë së tij ndaj Zotit, sepse nuk kishte respektuar fjalën e Zotit dhe njëkohësisht kishte konsultuar një medium për të marrë këshilla prej saj,
14 dhe nuk ishte këshilluar përkundrazi me Zotin. Prandaj Zoti e bëri të vdesë dhe ia kaloi mbretërinë Davidit, birit të Isait.
11 Atëherë tërë Izraeli u mblodh rreth Davidit në Hebron dhe i tha: "Ja, ne jemi kocka dhe mishi yt".
2 Edhe në të kaluarën, kur ishte mbret Sauli, ti ishe ai që udhëhiqte dhe kthente pas Izraelin; dhe Zoti, Perëndia yt, të pati thënë: "Ti do të ushqesh popullin tim të Izraelit, ti do të jesh princ mbi popullin tim të Izraelit"".
3 Kështu tërë pleqtë e Izraelit erdhën te mbreti në Hebron, dhe Davidi lidhi me ta një aleancë në Hebron përpara Zotit; pastaj ata e vajosën Davidin mbret të Izraelit, sipas fjalës së shqiptuar nga Zoti me anë të Samuelit.
4 Davidi së bashku me tërë Izraelin doli kundër Jeruzalemit, që është Jebusi, ku ndodheshin Jebusejtë, banorë të vendit.
5 Atëherë banorët e Jebusit i thanë Davidit: "Nuk do të hysh këtu". Por Davidi pushtoi qytetin e fortifikuar të Sionit, që është qyteti i Davidit.
6 Davidi kishte thënë: "Ai që do t’i mundë i pari Jebusejtë do të bëhet kryetar dhe princ". Doli i pari Joabi, bir i Tserujahut, që u bë kështu kryetar.
7 Davidi u vendos pastaj në kalanë që u quajt për këtë arsye "qyteti i Davidit".
8 Pastaj ai bëri ndërtime përreth qytetit nga Milo dhe në gjithë perimetrin e tij; Joabi meremetoi pjesën tjetër të qytetit.
9 Kështu Davidi bëhej gjithnjë e më i madh dhe Zoti i ushtrive ishte me të.
10 Këta janë komandantët e luftëtarëve trima që ishin në shërbim të Davidit dhe që i dhanë përkrahje të madhe me gjithë Izraelin në mbretërinë e tij për ta bërë mbret sipas fjalës të Zotit lidhur me Izraelin.
11 Kjo është lista e luftëtarëve trima që ishin në shërbim të Davidit: Jashobeami, bir i një Hakmoniti, komandant i tridhjetë kapedanëve; ai rroku ushtën kundër treqind njerëzve, që i vrau në një ndeshje të vetme.
12 Mbas tij vinte Eleazari, bir i Dodos, Ahohitit; ishte një nga tre luftëtarët trima.
13 Ai ishte me Davidin në Pas-Damim, ku ishin mbledhur Filistejtë për të luftuar dhe ku kishte një arë plotë me elb. Populli iku me vrap përpara Filistejve,
14 por ata u vendosën në mes të arës, e mbrojtën dhe i mundën Filistejtë; kështu Zoti realizoi fitore të madhe.
15 Tre nga të treqind kapedanët zbritën te shkëmbi drejt Davidit, në shpellën e Adulamit, ndërsa ushtria e Filistejve kishte fushuar në luginën e Refaimit.
16 Davidi ndodhej atëherë në kala, kurse në Betlem kishte një garnizon Filistejsh.
17 Davidi pati një dëshirë të madhe dhe tha: "Ah, sikur dikush të më jepte të pija ujë nga pusi i Betlemit që është pranë portës!".
18 Kështu këta të tre çanë nëpër kampin e Filistejve dhe mbushën ujë nga pusi i Betlemit që ndodhej te porta; pastaj e morën dhe ia çuan Davidit. Por Davidi nuk desh ta pinte, por e derdhi si libacion përpara Zotit,
19 duke thënë: "Të më ruajë Perëndia nga kryerja e një gjëje të tillë! A mund ta pij unë gjakun e këtyre njerëzve, që kanë rrezikuar jetën e tyre? Sepse e kanë sjellë duke rrezikuar jetën e tyre". Dhe nuk deshi ta pinte. Kështu vepruan këta tre trima.
20 Abishai, vëllai i Joabit, ishte i pari i tre të tjerëve. Ai drejtoi ushtën e tij kundër treqind njerëzve dhe i vrau; kështu u bë i famshëm midis të treve.
21 U bë më i njohur midis të treve dhe për këtë arësye u bë i pari i tyre, por nuk arriti të barazohet me tre të parët.
22 Benajahu, bir i Jehojadit, birit të një trimi nga Kabtseeli, bëri trimëri të madhe. Ai vrau dy heronjtë e Moabit, që ishin si luanë. Zbriti edhe në mes të një sterne, ku vrau një luan një ditë që binte borë.
23 Vrau edhe një Egjiptas vigan, i lartë pesë kubitë, që kishte në dorë një shtizë të ngjashme me shulin e një endësi; por Benajahu i doli kundra me një bastun, i rrëmbeu me forcë nga duart Egjiptasit shtizën dhe e vrau me shtizën e tij.
24 Këto gjëra bëri Benajahu, bir i Jehojadit, dhe u bë i famshëm midis tre trimave.
25 Ishte më i shquari i të tridhjetëve, por nuk arriti të barazoht me tre të parët. Davidi e vuri në krye të rojeve të tij personale.
26 Njerëz të tjerë të fortë dhe trima ishin: Asaheli, vëllai i Joabit, Elhanani, bir i Dodos, nga Betlemi,
27 Shamothi nga Harori, Heletsi nga Peloni,
28 Ira, bir i Ikeshit nga Tekoa, Abiezeri nga Anathothi,
29 Sibekai nga Husha, Ilai, nga Ahoa,
30 Maharai nga Netofa, Heledi, bir i Baanahut nga Netofa;
31 Ithai, bir i Ribait, i Gibeahut të bijve të Beniaminit, Benajahu nga Pirathoni,
32 Hurai nga Nahale-Gaashi, Abieli nga Arbathi,
33 Azmavethi nga Baharumi, Eliahba nga Shaalboni.
34 Bijtë e Hashemit nga Gizoni, Jonathani, bir i Shageut nga Harari,
35 Haiami, bir i Sakarit, nga Harari; Elifali, bir i Urit,
36 Heferi nga Mekrea, Ahijahu nga Paloni,
37 Hetsro nga Karmeli, Naarai, bir i Ezbait,
38 Joeli, vëllai i Nathanit, Mibhari, bir i Hagrit,
39 Amoniti Tselek, Naharai nga Berothi (shqytar i Joabit, birit të Tserujahut),
40 Ira nga Jetheri, Garebi nge Jetheri,
41 Uria, Hiteu, Zabadi, bir i Ahlait,
42 Adina, bir i Shizës, Rubenit (i pari i Rubenitëve) dhe tridhjetë të tjerë bashkë me të,
43 Hanani, bir i Maakahut, Joshafati nga Mithni;
44 Uzia nga Ashtarothi, Shama dhe Jejeli, bij të Hothamit nga Aroeri,
45 Jediaeli, bir i Shimrit dhe Titsiti Joha, vëllai i tij,
46 Elieli nga Mahavimi, Jeribai dhe Joshaviahu, bij të Elnaamit, dhe Ithmah, Moabiti,
47 Elieli, Obedi dhe Jaasieli, Metsobaiti.