Book of Common Prayer
20 Zoti të dhënte përgjigje ditën e fatkeqësisë; emri i Perëndisë të Jakobit të mbroftë me siguri lart.
2 Të dërgoftë ndihmë nga shenjtërorja dhe të dhëntë përkrahje nga Sioni;
3 Mos i harroftë të gjitha ofertat e tua dhe pranoftë olokaustin tënd. (Sela)
4 Të dhëntë atë që zemra jote dëshëron dhe plotësoftë të gjitha planet e tua.
5 Ne do të këndojmë tërë gaz në çlirimin tënd dhe do të lartojmë flamuret tona në emër të Perëndisë tonë. Zoti i plotësoftë të gjitha kërkesat e tua.
6 Tani e di që Zoti shpëton të vajosurin e tij; do t’i përgjigjet nga qielli i tij i shenjtë me forcën shpëtimtare të dorës së tij të djathtë.
7 Disa kanë besim te qerret dhe të tjerë te kuajt, por ne do të kujtojmë emrin e Zotit, Perëndisë tonë.
8 Ata u përkulën dhe ranë; por ne u ngritëm përsëri dhe mbahemi në këmbë.
9 Shpëtomë, o Zot; mbreti le të na përgjigjet ditën në të cilën do të këlthasim.
21 O Zot, mbreti do të gëzohet me forcën tënde dhe do të ngazëllojë për shpëtimin tënd!
2 Ti ia plotësove dëshirën e zemrës së tij dhe nuk hodhe poshtë kërkesën e buzëve të tij. (Sela)
3 Sepse ti i dole para me bekime begatie, i vure mbi kokë një kurorë prej ari shumë të kulluar.
4 Ai të kishte kërkuar jetë dhe ti i dhe ditë të gjata në përjetësi.
5 E madhe është lavdia e tij për shpëtimin tënd; ti i dhe madhështi dhe lavdi,
6 sepse ti e bën shumë të bekuar përjetë, e mbush me gëzim në praninë tënde.
7 Duke qenë se mbreti ka besim te Zoti dhe në mirësinë e Shumë të Lartit, ai nuk do të hiqet kurrë.
8 Dora jote do të arrijë tërë armiqtë e tu, dora jote e djathtë do të veprojë kundër atyre që të urrejnë.
9 Ti do t’i bësh si një furrë të zjarrtë kur do të dukesh i zemëruar; në zemërimin e tij Zoti do t’i hedhë në humnerë dhe zjarri do t’i përpijë.
10 Ti do të zhdukësh frytin e tyre nga toka dhe pasardhësit e tyre midis bijve të njerëzve,
11 sepse kanë kurdisur të keqen kundër teje dhe kanë përgatitur plane të këqija, por nuk do t’ia dalin.
12 Sepse ti do të bësh që ata të kthejnë kurrizin dhe do të drejtosh shigjetat e harkut tënd kundër fytyrës së tyre.
13 Çohu, o Zot, me forcën tënde; ne do të këndojmë dhe do të kremtojmë lëvdimet e fuqisë sate.
110 Zoti i thotë Zotërisë time: "Ulu në të djathtën time deri sa t’i bëj armiqtë e tu stol të këmbëve të tua".
2 Zoti do ta shtrijë nga Sioni skeptrin e fuqisë sate. Ai sundon në mes të armiqve të tu.
3 Populli yt do të afrohet vullnetarisht ditën e pushtetit tënd; në madhështinë e shenjtërisë, nga gjiri i agimit, ti do të kesh vesën e rinisë sate.
4 Zoti është betuar dhe nuk do të pendohet: "Ti je prift përjetë sipas urdhërit të Melkisedekut".
5 Zoti është në të djathtën tënde. Ai ka për të zhdukur disa mbretër ditën e zemërimit të tij.
6 Ai do të gjykojë kombet, do t’i mbushë me kufoma dhe do të zhdukë qeveritarët e pjesës më të madhe të tokës.
7 Rrugës do të pijë ujë nga përroi dhe si pasojë do të ngrerë kokën.
116 Unë e dua Zotin, sepse ai dëgjoi zërin tim dhe lutjet e mia.
2 Duke qenë se e ka kthyer ndaj meje veshin e tij, unë do ta kërkoj në gjithë ditët e jetës sime.
3 Vargonjtë e vdekjes më kishin rrethuar dhe ankthet e Sheolit më kishin pushtuar; fatkeqësia dhe dhembja më kishin vënë përfund.
4 Atëherë i kërkova ndihmë Zotit: "O Zot, të lutem, më shpëto".
5 Zoti është i dhemshur dhe i drejtë, Perëndia ynë është i mëshirshëm.
6 Zoti mbron njerëzit e thjeshtë; unë isha katandisur në një gjendje të mjeruar, dhe ai më shpëtoi.
7 Kthehu, o shpirti im, në prehjen tënde, sepse Zoti të mbushi me të mira.
8 Po, sepse ti ke çliruar jetën time nga vdekja, sytë e mi dhe lotët dhe këmbët e mia nga rrëzimi.
9 Unë do të eci në prani të Zotit në tokën e të gjallëve.
10 Unë kam besuar dhe prandaj flas. Unë isha shumë i pikëlluar,
11 dhe thoja gjatë përhumbjes sime: "Çdo njeri është gënjeshtar".
12 Ç’do t’i jap Zotit në këmbim të të gjitha të mirave që më ka bërë?
13 Unë do të ngre kupën e shpëtimit dhe do të thërres emrin e Zotit.
14 Do të plotësoj zotimet e mia ndaj Zotit në prani të të gjithë popullit të tij.
15 Éshtë e çmueshme në sytë e Zotit vdekja e të shenjtëve të tij.
16 Unë jam me të vërtetë shërbëtori yt, o Zot, jam shërbëtori yt, bir i shërbëtores sate; ti i këpute lidhjet e mia.
17 Unë do të të ofroj një flijim falenderimi dhe do të përmend emrin e Zotit.
18 Do t’i plotësoj zotimet e mia Zotit në prani të të gjithë popullit të tij,
19 në oborret e shtëpisë së Zotit, në mesin tënd, o Jeruzalem. Aleluja.
117 Lëvdoni Zotin, ju gjithë kombet! Kremtojini, ju gjithë popujt!
2 Sepse e madhe është dhemshuria e tij ndaj nesh, dhe besnikëria e Zotit vazhdon përjetë. Aleluja.
19 Atëherë Nebukadnetsari u mbush me inat dhe shprehja e fytyrës së tij ndryshoi ndaj Shadrakut, Meshakut dhe Abed-negos. Duke marrë përsëri fjalën, urdhëroi që furra të ngrohej shtatë herë më shumë se zakonisht.
20 Pastaj urdhëroi disa njerëz të fortë dhe trima të ushtrisë së tij të lidhnin Shadrakun, Meshakun dhe Abed-negon dhe t’i hidhnin në furrën e zjarrit përvëlues.
21 Atëherë këta tre burra i lidhën dhe, me pantallonat e tyre, me tunikën e tyre dhe me gjitha mbulesën e tyre të kokës dhe i hodhën në mes të furrës me zjarr përvëlues.
22 Por me qenë se urdhëri i mbretit ishte i rreptë dhe furra ishte jashtëzakonisht e mbingrohur, flaka e zjarrit vrau njerëzit që kishin hedhur në të Shadrakun, Meshakun dhe Abed-negon.
23 Dhe këta tre burra, Shadraku, Meshaku dhe Abed-nego, ranë të lidhur në mes të furrës me zjarr përvëlues.
24 Atëherë mbreti Nebukadnetsar, i habitur, u ngrit me nxitim dhe filloi t’u thotë këshilltarëve të tij: "Nuk i kemi hedhur tre burrat të lidhur në mes të zjarrit?". Ata u përgjigjën dhe i thanë mbretit: "Sigurisht, o mbret".
25 Ai foli përsëri: "Ja, unë po shoh katër burra të palidhur, që ecin në mes të zjarrit, pa pësuar asnjë dëm; dhe pamja e të katërtit i përngjan asaj të një biri të Perëndisë".
26 Pastaj Nebukadnetsari iu afrua grykës së furrës me zjarr përvëlues dhe filloi të thotë: "Shadrak, Meshak dhe Abed-nego, shërbëtorë të Perëndisë Më të Lartë, dilni dhe ejani këtu". Atëherë Shadraku, Meshaku dhe Abed-nego dolën nga mesi i zjarrit.
27 Pastaj satrapët, prefektët, qeveritarët dhe këshilltarët e mbretit u mblodhën për të vërejtur këta burra: zjarri nuk kishte patur asnjë fuqi mbi trupin e tyre, flokët e kokës së tyre nuk ishin djegur, mantelet e tyre nuk ishin dëmtuar dhe as era e zjarrit nuk ishte shtruar mbi ta.
28 Nebukadnetsari filloi të thotë: "Qoftë i bekuar Perëndia i Shadrakut, i Meshakut dhe i Abed-negos, që ka dërguar engjëllin e tij dhe ka çliruar shërbëtorët e tij, që kanë pasur besim tek ai; ata kanë shkelur urdhrin e mbretit dhe ia kanë ekspozuar trupin e tyre vdekjes, në vend që të shërbenin dhe të adhuronin tjetër perëndi përveç së tyres.
29 Prandaj unë dekretoj që kushdo, cilitdo populli, kombi o gjuhe që t’i përkasë, që do të flasë keq për Perëndinë e Shadrakut, të Meshakut dhe të Abed-negos, të pritet copë-copë dhe shtëpia e tij të katandiset në një vend plehrash, sepse nuk ka asnjë perëndi që mund të të shpëtojë në këtë mënyrë".
30 Atëherë mbreti bëri që Shadraku, Meshaku dhe Abed-nego të kenë mbarësi në krahinën e Babilonisë.
11 Sepse ky është mesazhi që dëgjuat nga fillimi. Ta duam njeri-tjetrin,
12 jo sikundër Kaini, i cili ishte nga i ligu dhe vrau vëllanë e vet. Dhe për çfarë arësye e vrau atë? Sepse veprat e tij ishin të liga dhe ato të të vëllait ishin të drejta.
13 Mos u çuditni, vëllezër të mi, nëse bota ju urren.
14 Ne e dimë se kemi kaluar nga vdekja në jetë, sepse i duam vëllezërit; kush nuk e do vëllanë e vet, mbetet në vdekje.
15 Kushdo që urren vëllanë e vet është vrasës; dhe ju e dini se asnjë vrasës nuk ka jetë të përjetshme të qëndrueshme në vete.
16 Nga kjo e kemi njohur dashurinë: ai e dha jetën e vet për ne; dhe ne duhet ta japim jetën tonë për vëllezërit.
17 Dhe nëse njëri ka të mirat e kësaj bote dhe sheh të vëllanë që është në nevojë dhe e mbyll zemrën e tij, si qëndron në të dashuria e Perëndisë?
18 Djema të rinj, të mos duam me fjalë, as me gjuhë, por me vepra dhe në të vërtetë.
4 Dhe Jezusi, plot me Frymën e Shenjtë, u kthye nga Jordani dhe Fryma e çoi në shkretëtirë,
2 ku për dyzet ditë e tundoi djalli; gjatë atyre ditëve ai nuk hëngri asgjë, por kur ato kaluan, e mori uria.
3 Dhe djalli i tha: “Nëse je Biri i Perëndisë, i thuaj këtij guri të bëhet bukë.”
4 Por Jezusi u përgjigj duke thënë: “Éshtë shkruar: "Njeriu nuk do të rrojë vetëm me bukë, por me çdo fjalë të Perëndisë".”
5 Pastaj djalli e çoi në një mal të lartë dhe, për një çast, i tregoi të gjitha mbretëritë e botës.
6 Dhe djalli i tha: “Unë do të të jap gjithë pushtetin e këtyre mbretërive dhe lavdinë e tyre, sepse m’u dha mua në dorë dhe unë ia jap kujt të dua.
7 Në qoftë se ti, pra, duke rënë përmbys, më adhuron, do të jetë krejt jotja.”
8 Por Jezusi, duke u përgjigjur, i tha: “Largohu prej meje, Satana. Éshtë shkruar: "Adhuro Zotin, Përëndinë tënd dhe shërbeji vetëm atij".”
9 Pastaj e çoi në Jeruzalem, e vuri në majë të tempullit, në cep, dhe i tha: “Nëse je Biri i Perëndisë, hidhu poshtë që këtej;
10 sepse është shkruar: "Ai do t’u urdhërojë engjëjve të vet rreth teje të të ruajnë.
11 Dhe ata do të të mbajnë mbi duart e tyre që këmba jote të mos ndeshë me asnjë gur".”
12 Dhe Jezusi u përgjigj dhe i tha: “Éshtë thënë: "Mos e tundo Zotin, Perëndinë tënd".”
13 Dhe kur djalli i mbaroi të gjitha tundimet, u largua prej tij, për një farë kohe.