Print Page Options
Previous Prev Day Next DayNext

Book of Common Prayer

Daily Old and New Testament readings based on the Book of Common Prayer.
Duration: 861 days
Albanian Bible (ALB)
Version
Psalmet 20-21

20 Zoti të dhënte përgjigje ditën e fatkeqësisë; emri i Perëndisë të Jakobit të mbroftë me siguri lart.

Të dërgoftë ndihmë nga shenjtërorja dhe të dhëntë përkrahje nga Sioni;

Mos i harroftë të gjitha ofertat e tua dhe pranoftë olokaustin tënd. (Sela)

Të dhëntë atë që zemra jote dëshëron dhe plotësoftë të gjitha planet e tua.

Ne do të këndojmë tërë gaz në çlirimin tënd dhe do të lartojmë flamuret tona në emër të Perëndisë tonë. Zoti i plotësoftë të gjitha kërkesat e tua.

Tani e di që Zoti shpëton të vajosurin e tij; do t’i përgjigjet nga qielli i tij i shenjtë me forcën shpëtimtare të dorës së tij të djathtë.

Disa kanë besim te qerret dhe të tjerë te kuajt, por ne do të kujtojmë emrin e Zotit, Perëndisë tonë.

Ata u përkulën dhe ranë; por ne u ngritëm përsëri dhe mbahemi në këmbë.

Shpëtomë, o Zot; mbreti le të na përgjigjet ditën në të cilën do të këlthasim.

21 O Zot, mbreti do të gëzohet me forcën tënde dhe do të ngazëllojë për shpëtimin tënd!

Ti ia plotësove dëshirën e zemrës së tij dhe nuk hodhe poshtë kërkesën e buzëve të tij. (Sela)

Sepse ti i dole para me bekime begatie, i vure mbi kokë një kurorë prej ari shumë të kulluar.

Ai të kishte kërkuar jetë dhe ti i dhe ditë të gjata në përjetësi.

E madhe është lavdia e tij për shpëtimin tënd; ti i dhe madhështi dhe lavdi,

sepse ti e bën shumë të bekuar përjetë, e mbush me gëzim në praninë tënde.

Duke qenë se mbreti ka besim te Zoti dhe në mirësinë e Shumë të Lartit, ai nuk do të hiqet kurrë.

Dora jote do të arrijë tërë armiqtë e tu, dora jote e djathtë do të veprojë kundër atyre që të urrejnë.

Ti do t’i bësh si një furrë të zjarrtë kur do të dukesh i zemëruar; në zemërimin e tij Zoti do t’i hedhë në humnerë dhe zjarri do t’i përpijë.

10 Ti do të zhdukësh frytin e tyre nga toka dhe pasardhësit e tyre midis bijve të njerëzve,

11 sepse kanë kurdisur të keqen kundër teje dhe kanë përgatitur plane të këqija, por nuk do t’ia dalin.

12 Sepse ti do të bësh që ata të kthejnë kurrizin dhe do të drejtosh shigjetat e harkut tënd kundër fytyrës së tyre.

13 Çohu, o Zot, me forcën tënde; ne do të këndojmë dhe do të kremtojmë lëvdimet e fuqisë sate.

Psalmet 110

110 Zoti i thotë Zotërisë time: "Ulu në të djathtën time deri sa t’i bëj armiqtë e tu stol të këmbëve të tua".

Zoti do ta shtrijë nga Sioni skeptrin e fuqisë sate. Ai sundon në mes të armiqve të tu.

Populli yt do të afrohet vullnetarisht ditën e pushtetit tënd; në madhështinë e shenjtërisë, nga gjiri i agimit, ti do të kesh vesën e rinisë sate.

Zoti është betuar dhe nuk do të pendohet: "Ti je prift përjetë sipas urdhërit të Melkisedekut".

Zoti është në të djathtën tënde. Ai ka për të zhdukur disa mbretër ditën e zemërimit të tij.

Ai do të gjykojë kombet, do t’i mbushë me kufoma dhe do të zhdukë qeveritarët e pjesës më të madhe të tokës.

Rrugës do të pijë ujë nga përroi dhe si pasojë do të ngrerë kokën.

Psalmet 116-117

116 Unë e dua Zotin, sepse ai dëgjoi zërin tim dhe lutjet e mia.

Duke qenë se e ka kthyer ndaj meje veshin e tij, unë do ta kërkoj në gjithë ditët e jetës sime.

Vargonjtë e vdekjes më kishin rrethuar dhe ankthet e Sheolit më kishin pushtuar; fatkeqësia dhe dhembja më kishin vënë përfund.

Atëherë i kërkova ndihmë Zotit: "O Zot, të lutem, më shpëto".

Zoti është i dhemshur dhe i drejtë, Perëndia ynë është i mëshirshëm.

Zoti mbron njerëzit e thjeshtë; unë isha katandisur në një gjendje të mjeruar, dhe ai më shpëtoi.

Kthehu, o shpirti im, në prehjen tënde, sepse Zoti të mbushi me të mira.

Po, sepse ti ke çliruar jetën time nga vdekja, sytë e mi dhe lotët dhe këmbët e mia nga rrëzimi.

Unë do të eci në prani të Zotit në tokën e të gjallëve.

10 Unë kam besuar dhe prandaj flas. Unë isha shumë i pikëlluar,

11 dhe thoja gjatë përhumbjes sime: "Çdo njeri është gënjeshtar".

12 Ç’do t’i jap Zotit në këmbim të të gjitha të mirave që më ka bërë?

13 Unë do të ngre kupën e shpëtimit dhe do të thërres emrin e Zotit.

14 Do të plotësoj zotimet e mia ndaj Zotit në prani të të gjithë popullit të tij.

15 Éshtë e çmueshme në sytë e Zotit vdekja e të shenjtëve të tij.

16 Unë jam me të vërtetë shërbëtori yt, o Zot, jam shërbëtori yt, bir i shërbëtores sate; ti i këpute lidhjet e mia.

17 Unë do të të ofroj një flijim falenderimi dhe do të përmend emrin e Zotit.

18 Do t’i plotësoj zotimet e mia Zotit në prani të të gjithë popullit të tij,

19 në oborret e shtëpisë së Zotit, në mesin tënd, o Jeruzalem. Aleluja.

117 Lëvdoni Zotin, ju gjithë kombet! Kremtojini, ju gjithë popujt!

Sepse e madhe është dhemshuria e tij ndaj nesh, dhe besnikëria e Zotit vazhdon përjetë. Aleluja.

Isaia 4:2-6

Po atë ditë filizi i Zotit do të jetë gjithë shkëlqim dhe lavdi, dhe fryti i tokës do të jetë krenaria dhe zbukurimi i të shpëtuarve të Izraelit.

Dhe ka për të ndodhur që ata që do të kenë mbetur në Sion dhe ai që do të mbijetojë në Jeruzalem do të quhet i shenjtë, domethënë kushdo që në Jeruzalem figuron i shkruar ndër të gjallët.

Kur Zoti të ketë larë shëmtirat e bijave të Sionit dhe të ketë zhdukur gjakun nga mesi i Jeruzalemit me frymën e drejtësisë dhe me frymën e shfarosjes,

atëherë Zoti do të krijojë mbi çdo banesë të malit Sion dhe në kuvendet e tij një re tymi gjatë ditës dhe një shkëlqim zjarri flakërues gjatë natës, sepse mbi tërë lavdinë do të ketë një mbrojtje.

Dhe do të ketë një çadër që do të shërbejë për të bërë hije kundër të nxehtit të ditës, si dhe për të shërbyer si strehë dhe mbrojtje kundër furtunës dhe shiut.

1 Thesalonikasve 4:13-18

13 Tashmë, vëllezër, nuk duam që të jeni në mosdije përsa u përket atyre që flenë, që të mos trishtoheni si të tjerët që nuk kanë shpresë.

14 Sepse, po të besojmë se Jezusi vdiq dhe u ringjall, besojmë gjithashtu që Perëndia do të sjellë me të, me anë të Jezusit, ata që kanë fjetur.

15 Dhe këtë po jua themi me fjalën e Zotit: ne të gjallët, që do të mbetemi deri në ardhjen e Zotit, nuk do të jemi përpara atyre që kanë fjetur,

16 sepse Zoti vetë, me një urdhër, me zë kryeengjëlli dhe me borinë e Perëndisë, do të zbresë nga qielli dhe ata që vdiqën në Krishtin do të ringjallen të parët;

17 pastaj ne të gjallët, që do të kemi mbetur, do të rrëmbehemi bashkë me ata mbi retë, për të dalë përpara Zotit në ajër; dhe kështu do të jemi përherë bashkë me Zotin.

18 Ngushëlloni, pra, njëri-tjetrin me këto fjalë.

Luka 21:5-19

Pastaj, kur disa po flisnin për tempullin dhe vinin në pah se ishte i stolisur me gurë të bukur dhe me oferta, ai tha:

“Nga të gjitha këto gjëra që ju admironi, do të vijnë ditët kur nuk do të mbetet gur mbi gur pa u rrënuar.”

Atëherë ata e pyetën duke thënë: “Mësues, kur do të ndodhin këto dhe cila do të jetë shenja se këto janë duke u kryer?.”

Dhe ai tha: “Ruhuni se mos ju mashtrojnë, sepse shumë veta do të vijnë në emrin tim duke thënë: "Unë jam," dhe: "Erdhi koha". Mos shkoni, pra, pas tyre.

Dhe kur të dëgjoni të flitet për luftëra e për trazira, mos u trembni, sepse të gjitha këto duhet të ndodhin më parë, por mbarimi nuk do të vijë menjëherë.”

10 Atëherë u tha atyre: “Do të ngrihet kombi kundër kombit; dhe mbretëria kundër mbretërisë;

11 do të ngjajnë tërmete të mëdha, zi buke dhe murtaja në vende të ndryshme; do të ndodhin edhe dukuri të llahtarshme dhe shenja të mëdha nga qielli.

12 Por, para të gjitha këtyre gjërave, do të vënë dorë mbi ju dhe do t’ju përndjekin dhe do t’ju dorëzojnë në sinagoga e do t’ju futin në burg; dhe do t’ju nxjerrin përpara mbretërve dhe guvernatorëve për shkak të emrit tim,

13 por kjo do t’ju japë rastin që të dëshmoni.

14 Ta vini, pra, në zemrën tuaj që të mos mendoni më parë se si do përgjigjeni për t’u mbrojtur,

15 sepse unë do t’ju jap një gojë e një dituri të tillë të cilën të gjithë kundërshtarët tuaj nuk do të jenë në gjendje ta kundërshtojnë ose t’i rezistojnë.

16 Dhe ju madje do t’ju tradhtojnë edhe prindërit, dhe vëllezërit, dhe farefisi dhe miqtë; dhe disa prej jush do t’i vrasin.

17 Dhe të gjithë do t’ju urrejnë për shkak të emrit tim.

18 Por as edhe një fije floku e kokës suaj nuk do t’ju humbasë.

19 Me durimin tuaj ju do t’i fitoni shpirtrat tuaj.”