Print Page Options
Previous Prev Day Next DayNext

Book of Common Prayer

Daily Old and New Testament readings based on the Book of Common Prayer.
Duration: 861 days
Albanian Bible (ALB)
Version
Psalmet 25

25 Te ti, o Zot, e lartoj shpirtin tim.

O Perëndia im, kam besim te ti; bëj që të mos mbetem i zhgënjyer dhe që armiqtë e mi të mos triumfojnë mbi mua.

Po, bëj që asnjë nga ata që kanë besim te ti të mos zhgënjehet; u turpërofshin ata që sillen pabesisht pa shkak.

O Zot, më trego rrugët e tua, më mëso shtigjet e tua.

Më udhëhiq në të vërtetën tënde dhe më mëso, sepse ti je Perëndia i shpëtimit tim; unë shpresoj shumë te ti gjatë gjithë ditës.

Kujto, o Zot, mëshirën tënde dhe miresinë tënde, sepse janë të përhershme.

Mos i kujto mëkatet e rinisë sime, as shkeljet e mia; por në dashamirësinë tënde më kujto, o Zot, për hir të mirësisë sate.

Zoti është i mirë dhe i drejtë, prandaj ai do t’u mësojë rrugën mëkatarëve.

Ai do të udhëheqë njerëzit zemërbutë në drejtësi dhe do t’u mësojë të përulurve rrugën e tij.

10 Të gjitha rrugët e Zotit janë mirësi dhe vërtetësi për ata që respektojnë besëlidhjen e tij dhe porositë e tij.

11 Për hir të emrit tënd, o Zot, fale paudhësinë time, sepse ajo është e madhe.

12 Kush është njeriu që ka frikë nga Zoti? Ai do t’i tregojë rrugën që duhet të zgjedhë.

13 Ai do të jetojë në bollëk dhe pasardhësit e tij do të trashëgojnë tokën.

14 Sekreti i Zotit u tregohet atyre që kanë frikë prej tij, dhe ai u bën të njohur atyre besëlidhjen e tij.

15 Sytë e mi drejtohen vazhdimisht te Zoti, sepse ai do të m’i nxjerrë këmbët nga rrjeta.

16 Kthehu nga unë dhe ki mëshirë për mua, sepse jam vetëm dhe i dëshpëruar.

17 Ankthet e zemrës sime janë shtuar; më çliro nga fatkeqësitë e mia.

18 Shiko pikëllimin tim dhe ankthin tim, dhe fali të gjitha mëkatet e mia.

19 Këqyr armiqtë e mi, sepse janë të shumtë dhe më urrejnë me një urrejtje plot dhunë.

20 Ruaje jetën time dhe më çliro; bëj që të mos jem i pështjelluar, sepse unë po gjej strehë te ti.

21 Pastërtia dhe ndershmëria më mbrofshin, sepse unë shpresoj te ti.

22 O Perëndi, liroje Izraelin nga të gjitha mundimet e tij.

Psalmet 9

Unë do të të kremtoj, o Zot, me gjithë zemër, do të tregoj tërë mrekullitë e tua.

Unë do të gëzohem dhe do të kënaqem me ty; do t’i këndoj lëvdime në emrin tënd, o Shumë i Larti.

Sepse armiqtë e mi tërhiqen, bien dhe vdesin para teje.

Ti në fakt ke përkrahur ndershmërinë time dhe çështjen time; je ulur mbi fronin si një gjyqtar i drejtë.

Ke qortuar kombet, ke shkatërruar të pabesin, ke fshirë emrat e tyre për gjithnjë.

Armiku është zhdukur, i kapur nga një pikëllim i përjetshëm! Dhe qyteteve që ti ke shkatërruar i është zhdukur edhe kujtimi.

Por Zoti mbetet përjetë; ai ka vendosur fronin e tij për të gjykuar.

Ai do ta gjykojë botën me drejtësi, do t’i gjykojë popujt me paanësi.

Zoti do të jetë strehim i papushtueshëm për të shtypurin, një strehim i papushtueshëm në kohë ngushtice.

10 Dhe ata që e njohin emrin tënd do të kenë besim te ti, sepse ti, o Zot, nuk i braktis ata që të kërkojnë.

11 Këndojini lavde Zotit që banon në Sion; u njoftoni popujve veprat e tij.

12 Sepse ai që kërkon arësyen e gjakut i mban mënd ata; ai nuk e harron britmën e të pikëlluarve.

13 Ki mëshirë për mua, o Zot, ti që më ke rilartuar nga portat e vdekjes, shiko pikëllimin që më shkaktojnë ata që më urrejnë,

14 me qëllim që unë të kem mundësi të tregoj të gjitha lavdet e tua dhe në portat e bijës së Sionit të mund të kremtoj për çlirimin tënd.

15 Kombet janë zhytur në gropën që kishin hapur; këmba e tyre është kapur në rrjetën që kishin fshehur.

16 Zoti u bë i njohur me anë të gjykimit që ka dhënë; i pabesi u kap në lakun e veprës së duarve të tij. (Interlud. Sela)

17 Të pabesët do të zbresin në Sheol; po, të gjitha kombet që harrojnë Perëndinë.

18 Sepse nevojtari nuk do të harrohet përjetë; shpresa e të shtypurve nuk do të zhduket përjetë.

19 Çohu, o Zot, mos lejo që vdekatari të ketë epërsi; kombet të gjykohen para teje.

20 O Zot, kallu frikën; bëj që kombet të pranojnë se janë vetëm vdekatarë. (Sela)

Psalmet 15

15 O Zot, kush do të banojë në çadrën tënde? Kush do të banojë në malin tënd të shenjtë?

Ai që ecën me ndershmëri dhe bën atë që është e drejtë dhe thotë të vërtetën që ka në zemër,

që nuk shan me gjuhën e tij, nuk i bën asnjë të keqe shokut të tij, dhe nuk shpif të afërmin e tij.

Në sytë e tij përçmohet njeriu pa vlerë, por ai ndërton ata që kanë frikë nga Zoti; edhe sikur të jetë betuar në dëm të tij, ai nuk tërhiqet;

nuk i jep paratë e tij me kamatë dhe nuk pranon dhurata kundër të pafajshmit. Ai që bën këto gjëra nuk do të hiqet kurrë.

2 i Kronikave 6:32-7:7

32 Kur i huaji, që nuk i përket popullit të Izraelit, do të vijë nga një vend i largët për shkak të emrit tënd të madh, të dorës sate të fuqishme dhe të krahut tënd të shtrirë, kur do të vijë të të lutet duke u kthyer nga ky tempull,

33 ti dëgjo nga qielli, nga vendi i banesës sate, dhe jepi të huajit ato që të kërkon, me qëllim që tërë popujt e tokës të njohin emrin tënd dhe të kenë frikë nga ti, ashtu si bën populli yt i Izraelit, dhe të dinë që emri yt përmendet në këtë tempull që kam ndërtuar.

34 Kur populli yt do të hyjë në luftë kundër armiqve të tij duke ndjekur rrugën nëpër të cilën e dërgove, në rast se të luten duke u drejtuar ndaj këtij qyteti që ti ke zgjedhur dhe ndaj tempullit që unë kam ndërtuar në emrin tënd,

35 dëgjo nga qielli lutjen dhe kërkesën për falje dhe përkrah çështjen e tyre.

36 Kur do të kryejnë mëkate kundër teje (sepse nuk ka njeri që të mos kryejë mëkate) dhe ti, i zemëruar kundër tyre, do t’i braktisësh në dorë të armiqve që do t’i internojnë në një vend të largët ose të afërt,

37 në qoftë se në vendin ku janë internuar vijnë në vete, kthehen ndaj teje dhe të luten fort në vendin e robërisë së tyre, duke thënë: "Kemi kryer mëkate, kemi vepruar padrejtësisht, kemi bërë të keqen,"

38 në rast se kthehen me gjithë zemër dhe me tërë shpirt në vendin e robërisë së tyre ku janë shpërngulur dhe të luten duke u drejtuar ndaj vendit të tyre, ndaj qytetit që ti ke zgjedhur dhe tempullit që kam ndërtuar në emrin tënd,

39 dëgjo nga qielli, vend i banesës sate, lutjen dhe stërlutjen e tyre, përkrah çështjen e tyre dhe fale popullin tënd që ka mëkatuar kundër teje!

40 Tani, o Perëndia im, mbaj sytë hapur dhe dëgjo me vëmendje lutjen që bëhet në këtë vend!

41 Tani, pra, çohu, o Zot Perëndi, dhe eja në vendin e shlodhjes sate, ti dhe arka e forcës sate. Qofshin priftërinjtë e tu, o Zot Perëndi, të veshur me shpëtimin dhe u ngazëllofshin në mirësi shenjtorët e tu.

42 O Zot Perëndi, mos e kthe fytyrën e të vajosurit tënd; mbaj mend favoret që i ke bërë Davidit, shërbëtorit tënd!".

Kur Salomoni mbaroi së luturi, nga qielli ra një zjarr që konsumoi olokaustin dhe flijimet dhe lavdia e Zotit mbushi tempullin.

Priftërinjtë nuk mund të hynin në shtëpinë e Zotit, sepse lavdia e Zotit mbushte shtëpinë e Zotit.

Tërë bijtë e Izraelit, kur panë që zjarri po zbriste dhe lavdia e Zotit po vendosej mbi tempullin, ranë përmbys me fytyrë mbi dysheme, duke adhuruar dhe lëvduar Zotin, "sepse është i mirë, sepse mirësia e tij vazhdon në përjetsi".

Pastaj mbreti dhe tërë populli ofruan flijime përpara Zotit,

mbreti Salomon ofroi si flijim njëzet e dy mijë lopë dhe njëqind e njëzet mijë dele. Kështu mbreti dhe tërë populli shenjtëruan shtëpinë e Perëndisë.

Priftërinjtë kryenin detyrat e tyre, po kështu Levitët me veglat e tyre muzikore të kushtuara Zotit, që mbreti David kishte bërë për të lëvduar Zotin, "sepse mirësia e tij është e përjetshme," sa herë që Davidi lëvdonte me anë të tyre. Priftërinjtë u binin borive para tyre, ndërsa tërë Izraeli qëndronte në këmbë.

Salomoni shenjtëroi pjesën qëndrore të oborrit që ishte përballë shtëpisë të Zotit; aty pikërisht ofroi olokauste dhe dhjamin e flijimeve të falenderimit, sepse altari prej bronzi që Salomoni kishte bërë nuk i zinte dot olokaustet, blatimet e ushqimit dhe dhjamin.

Jakobit 2:1-13

Vëllezër të mi, mos i lidhni preferencat personale me besimin e Zotit tonë Jezu Krisht, Zoti i lavdisë.

Sepse në qoftë se në asamblenë tuaj hyn një njeri me një unazë prej ari, me rroba të shkëlqyera, dhe hyn edhe një i varfër me një rrobë të fëlliqur,

dhe ju i drejtoni sytë nga ai që vesh rroben e shkëlqyer dhe i thoni: “Ti ulu këtu, në vendin e mirë,” dhe të varfërit i thoni: “Ti rri atje, në këmbë,” ose: “Ulu këtu, afër stolit të këmbëve të mia,”

a nuk bëtë ju një dallim në mes tuaj, duke u bërë kështu gjykatës me mendime të këqija?

Dëgjoni, vëllezër të mi shumë të dashur, a nuk i zgjodhi Perëndia të varfërit e botës, që të jenë të pasur në besim dhe trashëgimtarë të mbretërisë që ua premtoi atyre që e duan?

Po ju i shnderuat të varfërit! A nuk janë vallë të pasurit ata që ju shtypin, dhe nuk janë këta ata që ju heqin nëpër gjykata?

A nuk janë ata që blasfemojnë emrin e lavdishëm që u thirr mbi ju?

Në qoftë se ju më të vërtetë e përmbushni ligjin mbretëror sipas Shkrimit: “Duaje të afërmin tënd si vetveten,” bëni mirë;

por në qoftë se bëni preferenca personale, ju kryeni mëkat dhe dënoheni nga ligji si shkelës.

10 Sepse kushdo që e zbaton gjithë ligjin, por e shkel në një pikë, është fajtor në të gjitha pikat.

11 Sepse ai që ka thënë: “Mos shkel kurorën,” ka thënë gjithashtu: “Mos vraj.” Prandaj nëse ti nuk shkel kurorën, por vret, ti je shkelës i ligjit.

12 Prandaj të flisni e të veproni sikurse të duhej të gjykoheshit nga ligji i lirisë,

13 sepse gjyqi do të jetë pa mëshirë për atë që nuk ka treguar mëshirë; dhe mëshira triumfon mbi gjykimin.

Marku 14:53-65

53 Atëherë ata e çuan Jezusin te kryeprifti, ku u mblodhën të gjithë krerët e priftërinjve, pleqtë dhe skribët.

54 Dhe Pjetri e ndoqi nga larg deri brenda në pallatin e kryepriftit dhe u ul atje bashkë me rojat dhe ngrohej afër zjarrit.

55 Dhe krerët e priftërinjve dhe gjithë sinedrit kërkonin dëshmi kundër Jezusit për ta vrarë, por nuk po gjenin.

56 Shumë veta në fakt jepnin dëshmi të rreme kundër tij; por dëshmitë e tyre nuk përkonin.

57 Atëherë disa u ngritën dhe dëshmuan rrejshëm kundër tij duke thënë:

58 “Ne e kemi dëgjuar se ka thënë: "Unë do ta shkatërroj këtë tempull të bërë me duar, dhe brenda tri ditësh do të ndërtoj një tjetër që nuk është bërë me duar".”

59 Por as mbi këtë dëshmia e tyre nuk përkonte.

60 Atëherë kryeprifti u ngrit në mes të kuvendit dhe e pyeti Jezusin duke thënë: “Nuk përgjigjesh fare? Çfarë po dëshmojnë këta kundër teje?.”

61 Por ai heshti dhe nuk u përgjegj fare. Përsëri kryeprifti e pyeti dhe i tha: “A je ti Krishti, Biri i të Bekuarit?.”

62 Dhe Jezusi tha: “Unë jam. Dhe ju do ta shihni Birin e njeriut të ulur në të djathtën e Pushtetit dhe duke ardhur me retë e qiellit.”

63 Atëherë kryeprifti, duke i shqyer rrobat, tha: “Ç’nevojë kemi më për dëshmitarë?

64 Ju e dëgjuat blasfeminë, ç’ju duket?.” Dhe të gjithë gjykuan se meritonte vdekjen.

65 Atëherë disa filluan ta pështyjnë, t’ia zënë fytyrën, ta qëllojnë me shuplaka dhe t’i thonë: “Profetizo!.” Dhe rojat e godisnin.