Print Page Options
Previous Prev Day Next DayNext

Book of Common Prayer

Daily Old and New Testament readings based on the Book of Common Prayer.
Duration: 861 days
Albanian Bible (ALB)
Version
Psalmet 24

24 Zotit i përket toka dhe të gjitha gjërat që janë mbi të, bota dhe banorët e saj.

Sepse ai e ka themeluar mbi detet dhe e ka vendosur mbi lumenjtë.

Kush do t’i ngjitet malit të Zotit? Kush do të qëndrojë në vendin e tij të shenjtë?

Njeriu i pafajshëm nga duart dhe i pastër nga zemra, që nuk e ngre shpirtin për t’u dukur dhe nuk betohet në mënyrë të rreme.

Ai do të marrë bekimet e Zotit dhe drejtësinë nga Perëndia e shpëtimit të tij.

I tillë është brezi i atyre që e kërkojnë, që kërkojnë fytyrën tënde, o Perëndi e Jakobit. (Sela)

O ju porta, çoni kokat tuaja; dhe ju, porta të përjetshme, hapuni krejt dhe Mbreti i lavdisë do të hyjë.

Kush është ky Mbret i lavdisë? Éshtë Zoti i fortë dhe i fuqishëm, Zoti i fortë në betejë.

O porta, çoni kokat tuaja; hapuni krejt, o porta të përjetshme, dhe Mbreti i lavdisë do të hyjë.

10 Kush është ky Mbret i lavdisë? Éshtë Zoti i ushtrive; ai është Mbreti i lavdisë. (Sela)

Psalmet 29

29 I jepni Zotit, o bij të të fuqishmëve, i jepni Zotit lavdi dhe forcë.

I jepni Zotit lavdinë që i përket emrit të tij; adhuroni Zotin në shkëlqimin e shenjtërisë së tij.

Zëri i Zotit është mbi ujërat; Perëndia i lavdisë gjëmon; Zoti është mbi ujërat e mëdha.

Zëri i Zotit është i fuqishëm, zëri i Zotit është i madhërishëm.

Zëri i Zotit thyen kedrat; po, Zoti thyen kedrat e Libanit;

i bën të hidhen si një viç, Libanin dhe Sirionin, si një buall i ri.

Zëri i Zotit çan flakët e zjarrit.

Zëri i Zotit e bën shkretëtirën të dridhet; Zoti bën që të dridhet shkretëtira e Kadeshit.

Zëri i Zotit bën që të lindin sutat dhe i lë pyjet pa gjethe; dhe në tempullin e tij çdo gjë thotë: "Lavdi!".

10 Zoti rrinte ulur në fron përmbi përmbytjen; po, Zoti rri ulur si mbret në përjetësi.

11 Zoti do t’i japë forcë popullit të tij; Zoti do të bekojë popullin e tij me paqe.

Psalmet 8

Sa i mrekullueshëm është emri yt mbi gjithë rruzullin, o Zot, Zoti ynë, që vure madhështinë tënde mbi qiejtë!

Nga goja e të vegjëlve dhe foshnjave në gji ke vendosur lëvdimin për shkak të armiqve të tu, për t’i mbyllur gojën armikut dhe hakmarrësit.

Kur mendoj qiejtë e tu, që janë vepër e gishtërinjve të tu, hënën dhe yjet që ti ke vendosur,

çfarë është njeriu, që ta mbash mend, dhe biri i njeriut, që ta vizitosh?

Megjithatë ti e bëre pak më të ulët se Perëndia, dhe e kurorëzove me lavdi dhe me nder.

E bëre të mbretërojë mbi veprat e duarve të tua dhe vure çdo gjë nën këmbët e tij!

Dhentë dhe bagëtitë e tjera, madje bishat e egra,

zogjtë e qiellit dhe peshqit e detit, tërë ato që kalojnë nëpër shtigjet e detit.

O Zot, Zoti ynë, sa i mrekullueshëm është emri yt në të gjithë dheun!

Psalmet 84

84 Oh, sa të dashura janë banesat e tua, o Zot i ushtrive!

Shpirti im dëshiron me zjarr dhe shkrihet për oborret e Zotit; zemra ime dhe mishi im i dërgojnë britma gëzimi Perëndisë të gjallë.

Edhe rabecka gjen një shtëpi dhe dallëndyshja një fole, ku të vërë të vegjëlit e saj pranë altarëve të tu, o Zot i ushtrive, Mbreti im dhe Perëndia im.

Lum ata që banojnë në shtëpinë tënde dhe të lëvdojnë vazhdimisht. (Sela)

Lum ata që e vënë forcën e tyre te ti dhe kanë në zemër rrugët e tua!

Kur kalojnë luginën e Bakas, e shndërrojnë atë në një vend burimesh, dhe shiu i parë e mbulon me bekime.

Ata kalojnë nga një forcë te tjetra dhe në fund paraqiten para Perëndisë në Sion.

O Zot, Perëndi i ushtrive, dëgjo lutjen time; vëri veshin, o Perëndi i Jakobit. (Sela)

Shiko, o Perëndi, mburojën tonë, dhe shiko fytyrën e të vajosurit tënd.

10 Po, një ditë në oborret e tua vlen më tepër se një mijë gjetiu; mua më pëlqen më tepër të qëndroj në pragun e shtëpisë së Perëndisë tim, se sa të banoj në çadrat e të pabesëve.

11 Sepse Zoti Perëndi është diell dhe mburojë; Zoti do të japë hir dhe lavdi; ai nuk u refuzon asnjë të mirë atyre që ecin drejt.

12 O Zot i ushtrive, lum njeriu që ka besim te ti!

Isaia 42:1-12

42 "Ja shërbëtori im, që unë përkrah, i zgjedhuri im që më kënaq shpirtin. Kam vënë Frymën time mbi të; ai do t’ju sjellë drejtësinë kombeve.

Nuk do të bërtasë, nuk do ta ngrerë zërin, nuk do të bëjë të dëgjohet zëri i tij nëpër rrugë.

Nuk do ta copëtojë kallamin e thyer dhe nuk do ta shuajë kandilin që bën tym; do ta paraqesë drejtësinë sipas së vërtetës.

Ai nuk do të ligështohet dhe nuk do të dekurajohet; deri sa të vendosë drejtësinë mbi tokë; dhe ishujt do të presin ligjin e tij".

Kështu thotë Perëndia, Zoti, që ka krijuar qiejtë dhe i ka shpalosur, që ka shtruar tokën dhe gjërat që ajo prodhon, që i jep frymëmarrje popullit dhe jetë atyre që ecin në të:

"Unë, Zoti, të kam thirrur sipas drejtësisë dhe do të të zë për dore, do të të ruaj dhe do të bëj aleancën e popullit dhe dritën e kombeve,

për t’u hapur sytë të verbërve, për të nxjerrë nga burgu të burgosurit dhe ata që dergjen në terr.

Unë jam Zoti, ky është emri im; nuk do t’i jap lavdinë time asnjë tjetri, as lavdërimet e mia shëmbëlltyrave të gdhendura.

Ja, gjërat e mëparshme kanë ndodhur, dhe tani po ju njoftoj gjëra të reja; unë jua bëj të njohura para se të mbijnë".

10 I këndoni Zotit një kantik të ri, lëvdimin e tij nga skajet e tokës, o ju që zbrisni në det, dhe atë që ai përmban, ishujt dhe banorët e tyre.

11 Shkretëtira dhe qytetet e tij të lartojnë zërin e tyre, bashkë me fshatrat në të cilat banojnë ata të Kedarit. Le të ngazëllojnë banorët e Selas, le të lëshojnë britma nga maja e maleve.

12 Le t’i japin lavdi Zotit, le ta shpallin lëvdimin e tij në ishuj.

Efesianëve 6:10-20

10 Për çfarë mbetet, vëllezërit e mi, forcohuni në Zotin dhe në forcën e fuqisë së tij.

11 Vishni gjithë armatimin e Perëndisë që të mund të qëndroni kundër kurtheve të djallit,

12 sepse beteja jonë nuk është kundër gjakut dhe mishit, por kundër principatave, kundër pushteteve, kundër sunduesve të botës së errësirës të kësaj epoke, kundër frymërave të mbrapshta në vendet qiellore.

13 Prandaj merreni të gjithë armatimin e Perëndisë, që të mund të rezistoni në ditën e mbrapshtë dhe të mbeteni më këmbë pasi t’i keni kryer çdo gjë.

14 Qëndroni, pra, të fortë, duke patur në ijë brezin e së vërtetës, të veshur me parzmoren e drejtësisë,

15 dhe duke mbathur këmbët me gatishmërinë e ungjillit të paqes,

16 mbi të gjitha, duke marrë mburojën e besimit, me të cilën mund të shuani të gjitha shigjetat e zjarrta të të ligut.

17 Merrni edhe përkrenaren e shpëtimit dhe shpatën e Frymës, që është fjala e Perëndisë,

18 duke u lutur në çdo kohë dhe me çdo lloj lutjeje dhe përgjërimi në Frymën, duke ndenjur zgjuar për këtë qëllim me çdo ngulmim dhe lutje për të gjithë shenjtorët,

19 dhe edhe për mua, që kur të hap gojën time, të më jepet të flas lirësisht për ta bërë të njohur misterin e ungjillit,

20 për të cilin jam i dërguari në pranga, që të mund të shpall lirësisht, siç e kam për detyrë.

Gjoni 3:16-21

16 Sepse Perëndia e deshi aq botën, sa dha Birin e tij të vetëmlindurin, që, kushdo që beson në të, të mos humbasë, por të ketë jetë të përjetshme.

17 Sepse Perëndia nuk e dërgoi Birin e vet në botë që ta dënojë botën, por që bota të shpëtohet prej tij.

18 Ai që beson në të nuk dënohet, por ai që nuk beson tashmë është dënuar, sepse nuk ka besuar në emrin e Birit të vetëmlindur të Perëndisë.

19 Tani gjykimi është ky: Drita erdhi në botë dhe njerëzit deshën errësirën më tepër se dritën, sepse veprat e tyre ishin të mbrapshta.

20 Sepse kushdo që bën gjëra të mbrapshta e urren dritën dhe nuk vjen te drita, që të mos zbulohen veprat e tij;

21 por kush bën të vërtetën vjen te drita, që veprat e tij të zbulohen, sepse u bënë në Perëndinë.”