Book of Common Prayer
131 O Zot, zemra ime nuk është mendjemadhe dhe sytë e mi nuk janë krenarë, dhe unë nuk merrem me gjëra tepër të mëdha dhe tepër të larta për mua.
2 E kam qetësuar dhe e kam tulatur me të vërtetë shpirtin tim, si një fëmijë i zvjerdhur në gjirin e nënes së tij; shpirti im brenda meje është si një foshnje e zvjerdhur.
3 O Izrael, shpreso tek Zoti, tani dhe përjetë.
132 Mbaje mend, o Zot, Davidin dhe të gjitha mundimet e tij,
2 ashtu si ai iu betua Zotit dhe lidhi kusht me të Fuqishmin e Jakobit, duke thënë:
3 "Nuk do të hyj në çadrën e shtëpisë sime, nuk do të hipi mbi shtratin tim;
4 nuk do t’i jap gjumë syve të mi as pushim qepallave të mia,
5 deri sa të kem gjetur një vend për Zotin, një banesë për të Fuqishmin e Jakobit".
6 Ja, dëgjuam të flitet për të në Efratah, e gjetëm në fushat e Jaarit.
7 Le të shkojmë në banesën e tij, le ta adhurojmë përpara fronit të këmbëve të tij.
8 Çohu, o Zot, dhe eja në vendin ku pushon ti dhe arka e forcës sate.
9 Priftërinjtë e tu le të vishen me drejtësi, dhe le të këndojnë nga gëzimi shenjtorët e tu.
10 Për hir të Davidit, shërbëtorit tënd, mos e dëbo fytyrën e të vajosurit tënd.
11 Zoti iu betua Davidit në të vërtetë dhe nuk do të ndryshojë: "Unë do të vë mbi fronin tënd një fryt të të përbrendëshmëve të tua.
12 Në rast se bijtë e tu do të respektojnë besëlidhjen time dhe porositë e mia, që unë do t’u mësojë atyre, edhe bijtë e tyre do të ulen përjetë mbi fronin tënd".
13 Duke qenë se Zoti e ka zgjedhur Sionin, ai e ka dashur atë për banesën e tij:
14 "Ky është vendi im i pushimit përjetë; këtu do të banoj, sepse e kam dashur.
15 Do të bekoj fort zahiretë e tij, do t’i ngop me bukë të varfërit e tij;
16 do t’i vedh priftërinjtë e tij me shpëtim, do të ngazëllojnë shenjtorët e tij me britma gëzimi.
17 Këtu do ta rris fuqinë e Davidit dhe do t’i jap një llambë të vajosurit tim.
18 Do t’i mbuloj me turp armiqtë e tij, por mbi të do të lulëzojë kurora e tij".
133 Ja, sa e mirë dhe e kënaqshme është që vëllezërit të banojnë bashkë në unitet!
2 Éshtë si vaji i çmuar i shpërndarë mbi krye, që zbret mbi mjekrën e Aaronit, që zbret deri në cep të rrobave të tij.
3 Éshtë si vesa e Hermonit, që zbret mbi malet e Sionit, sepse atje Zoti ka vënë bekimin, jetën në përjetësi.
140 Më çliro, o Zot, nga njerëzit e këqij; më mbro nga njerëzit e furishëm,
2 që thurrin ligësi në zemër të tyre; ata mblidhen vazhdimisht për të bërë luftë.
3 Mprehin gjuhën e tyre si gjarpëri dhe kanë helm gjarpëri nën buzët e tyre. (Sela)
4 Më mbro, o Zot, nga duart e të pabesit dhe më mbro nga njeriu i dhunës, që komplotojnë për të më rrëzuar.
5 Kryelartët kanë fshehur për mua një lak dhe litarë, më kanë ngritur një rrjetë buzë shtegut, kanë vënë kurthe për mua. (Sela)
6 Unë i thashë Zotit: "Ti je Perëndia im; dëgjo, o Zot, britmën e lutjeve të mia.
7 O Zot Perëndi, ti je forca e shpëtimit tim, ti e ke mbuluar kokën time ditën e betejës.
8 O Zot, mos u jep të pabesëve atë që dëshirojnë; mos favorizo planet e tyre, që të mos lavdërohen. (Sela)
9 Bëj që koka e atyre që më rrethojnë të mbulohet nga çoroditja e vetë buzëve të tyre.
10 Rënçin mbi ta qymyre të ndezur; i hedhshin në zjarr, në gropa të thella, nga ku të mos mund të ngrihen.
11 Njeriu gojëkeq mos qoftë i qëndrueshëm mbi tokë; fatkeqësia përndjektë njeriun e dhunës deri në shkatërrim".
12 Unë e di që Zoti do të mbrojë çështjen e të pikëlluarit dhe do t’i sigurojë drejtësi të varfërit.
13 Sigurisht të drejtët do të kremtojnë emrin tënd, dhe njerëzit e ndershëm do të banojnë të praninë tënde.
142 Unë i këlthas me zërin tim Zotit; me zërin tim i lutem Zotit.
2 Para tij paraqes vajtimin tim, para tij parashtroj fatkeqësinë time.
3 Kur fryma po më dobësohej, ti e dije ecjen time. Ata kanë përgatitur një lak për mua te shtegu që po kaloja.
4 Vështroj në të djathtën time dhe ja: nuk ka njeri që të më njohë; çdo rrugë shpëtimi është e mbyllur; asnjeri nuk kujdeset për jetën time.
5 Unë të këlthas ty, o Zot, dhe të them: "Ti je streha ime, pjesa ime në tokën e të gjallëve.
6 Dëgjo me vëmendje klithmën time, sepse jam katandisur si mos më keq; më çliro nga përndjekësit e mi, sepse janë më të fortë se unë.
7 Më nxirr nga burgu që të mund të kremtoj emrin tënd. Të drejtët do të mblidhen tok rreth meje, sepse ti do të më mbushësh me të mira".
25 Kaluan kështu shtatë ditë, që kur Zoti kishte rrahur lumin.
8 Pastaj Zoti i tha Moisiut: "Shko te Faraoni dhe thuaji: "Kështu thotë Zoti: Lëre popullin tim të shkojë me qëllim që të më shërbejë.
2 Dhe në qoftë se nuk pranon ta lësh të shkojë, ja, unë do ta godas gjithë vendin tënd me kamxhikun e bretkosave.
3 Kështu lumi do të mbushet me bretkosa, dhe ato do të ngjiten dhe do të hyjnë në shtëpinë tënde, në dhomën ku fle ti, mbi shtratin tënd, në shtëpitë e shërbëtorëve të tu dhe midis popullit, në furrat e tua dhe në magjet e bukës.
4 Dhe bretkosat do të vijnë kundër teje, kundër popullit tënd dhe kundër tërë shërbëtorëve të tu"".
5 Pastaj Zoti i tha Moisiut: "I thuaj Aaronit: "Shtri dorën tënde me bastunin tënd mbi lumenjtë, mbi kanalet dhe pellgjet dhe bëj që të ngjiten bretkosat mbi vendin e Egjiptit"".
6 Kështu Aaroni shtriu dorën e tij mbi ujërat e Egjiptit, dhe bretkosat u ngjitën dhe mbuluan vendin e Egjiptit.
7 Por magjistarët bënë të njëjtën gjë me artet e tyre të fshehta dhe i bënë bretkosat të ngjiten në vendin e Egjiptit.
8 Atëherë Faraoni thirri Moisiun dhe Aaronin dhe u tha: "Lutjuni Zotit që t’i largojë bretkosat nga unë, nga populli im, dhe unë do ta lejoj popullin të shkojë, që të bëjë fli për Zotin".
9 Moisiu i tha Faraonit: "Bëmë nderin të më thuash kur të ndërhyj për ty, për shërbëtorët e tu dhe për popullin tënd, pranë Zotit me qëllim që ai të zhdukë bretkosat që ndodhen rreth teje dhe shtëpive të tua, dhe të mbeten vetëm në lumë".
10 Ai u përgjigj: "Nesër". Dhe Moisiu tha: "Do të bëhet siç thua ti, kështu që ti të dish se askush nuk është si Zoti, Perëndia ynë.
11 Dhe bretkosat do të largohen nga ti, nga shtëpitë e tua, nga shërbëtorët e tu dhe nga populli yt; ato do të mbeten vetëm në lumë".
12 Moisiu dhe Aaroni dolën nga Faraoni; dhe Moisiu iu lut Zotit për bretkosat që kishte dërguar kundër Faraonit.
13 Dhe Zoti veproi sipas fjalës së Moisiut, dhe bretkosat ngordhën në shtëpitë, në oborret dhe në arat.
14 I grumbulluan pastaj në togje dhe vendi filloi të mbajë erë të keqe.
15 Po kur Faraoni pa që kishte pak lehtësim, e ngurtësoi zemrën e tij dhe nuk i dëgjoi më, ashtu siç kishte thënë Zoti.
16 Pastaj Zoti i tha Moisiut: "I thuaj Aaronit: "Zgjate bastunin tënd dhe rrih pluhurin e tokës, dhe ai do të bëhet mushkonja për tërë vendin e Egjiptit"".
17 Dhe ata kështu vepruan. Aaroni shtriu dorën me bastunin e tij, rrahu pluhurin e tokës dhe njerëzit e kafshët u mbuluan nga mushkonja; tërë pluhuri i tokës u shndërrua në mushkonja në të gjithë vendin e Egjiptit.
18 Magjistarët u përpoqën të bënin të njëjtën gjë me anë të arteve të tyre të fshehta për të prodhuar mushkonja, por nuk ia dolën dot. Mushkonjat mbuluan, pra, njerëzit dhe kafshët.
19 Atëherë magjistarët i thanë Faraonit: "Ky është gishti i Perëndisë". Por zemra e Faraonit u ngurtësua dhe ai nuk i dëgjoi më, ashtu si kishte thënë Zoti.
7 Dhe, në qoftë se shërbimi i vdekjes, që ishte gdhendur me shkronja mbi gurë, qe i lavdishëm aq sa bijtë e Izraelit nuk mund të vështronin me sy fytyrën e Moisiut, për shkak të lavdisë së pamjes së tij, që duhet të anullohej,
8 sa më i lavdishëm do të jetë shërbimi i Frymës?
9 Sepse, nëse shërbimi i dënimit qe rrethuar me lavdi, shumë më tepër do të teprojë në lavdi shërbimi i drejtësisë.
10 Sepse ç’ka është lavdëruar nuk është lavdëruar nga kjo pikëpamje, për shkak të asaj lavdie që e kapërcen çdo masë.
11 Sepse, në qoftë se ajo që duhet të anullohej u rrethua me lavdi, ajo që mbetet do të jetë shumë më e lavdishme.
12 Duke pasur, pra, një shpresë të tillë, flasim me shumë guxim,
13 dhe jo si Moisiu, i cili vinte një vel mbi fytyrën e vet, që bijtë e Izraelit të mos vështronin me sy fundin e asaj që duhej të anullohej.
14 Por mendjet e tyre u errën; sepse, në leximin e besëlidhjes së vjetër, po ky vel mbetet pa u hequr, sepse veli anullohet në Krishtin.
15 Por deri më sot, kur lexohet Moisiu, një vel mbetet mbi zemrat e tyre.
16 Por kur Izraeli të kthehet te Zoti, veli do të hiqet.
17 Sepse Zoti është Fryma, dhe atje ku është Fryma e Zotit, atje është liria.
18 Dhe ne të gjithë, duke soditur fytyrëzbuluar lavdinë e Zotit si në pasqyrë, transformohemi në të njëjtën shëmbëllim nga lavdia në lavdi, posi prej Frymës së Zotit.
17 Tani kur po bëhej gati për rrugë, i doli përpara dikush me vrap; u gjunjëzua para tij dhe e pyeti: “Mësues i mirë, çfarë duhet të bëj që të trashëgoj jetën e përjetshme?.”
18 Dhe Jezusi i tha: “Përse më quan i mirë? Askush nuk është i mirë, përveç një të vetmi, domethënë Perëndisë.
19 Ti i njeh urdhërimet: "Mos shkel kurorën. Mos vrit. Mos vidh. Mos bëj dëshmi të rreme. Mos mashtro. Ndero atin tënd dhe nënën tënde".”
20 Dhe ai, duke iu përgjigjur, i tha: “Mësues, të gjitha këto i kam zbatuar që në fëmijërinë time.”
21 Atëherë Jezusi e vështroi në fytyrë, ndjeu dashuri për të dhe i tha: “Një gjë të mungon; shko, shit të gjitha ato që ke dhe jepua të varfërve dhe do të kesh një thesar në qiell; pastaj eja, merre kryqin tënd dhe më ndiq.”
22 Por ai u trishtua për këto fjalë dhe u largua me keqardhje, sepse kishte shumë pasuri.
23 Atëherë Jezusi, mbasi e hodhi vështrimin përreth, u tha dishepujve të vet: “Sa vështirë është për ata që kanë pasuri të hyjnë në mbretërinë e Perëndisë!.”
24 Dishepujt u habitën shumë nga këto fjalë të tij. Por Jezusi foli përsëri dhe u tha atyre: “O bij, sa e vështirë është që të hyjnë në mbretërinë e Perëndisë ata që mbështeten te pasuria.
25 Éshtë më e lehtë që një deve të kalojë nëpër vrimën e një gjilpëre, se sa të hyjë një i pasur në mbretërinë e Perëndisë.”
26 Dhe ata u çuditën edhe më tepër dhe i thoshin njëri-tjetrit: “Atëherë kush vallë mund të shpëtohet?.”
27 Por Jezusi, duke i ngulur sytë mbi ta, u tha: “Kjo për njerëzit është e pamundur, por jo për Perëndinë, sepse gjithçka është e mundur për Perëndinë.”
28 Atëherë Pjetri e mori fjalën dhe tha: “Ja, ne lamë çdo gjë dhe të kemi ndjekur.”
29 Jezusi, duke u përgjigjur, tha: “Në të vërtetë po ju them që nuk ka asnjeri që të ketë lënë shtëpinë, a vëllezërit a motrat, a atin, a nënën, a fëmijët ose arat për hirin tim dhe për ungjillin,
30 që të mos marrë tani, në këtë kohë, njëqindfish shtëpi, vëllezër, motra, nëna, fëmijë e ara, së bashku me përndjekje, dhe në botën e ardhshme, jeta e përjetshme.
31 Por shumë të parë do të jenë të fundit dhe shumë të fundit do të jenë të parët.”