Print Page Options
Previous Prev Day Next DayNext

Book of Common Prayer

Daily Old and New Testament readings based on the Book of Common Prayer.
Duration: 861 days
Albanian Bible (ALB)
Version
Psalmet 146-147

146 Aleluja. Shpirti im, lëvdo Zotin.

Unë do ta lëvdoj Zotn deri sa të kem jetë, do të këndoj lavde për Perëndinë tim gjatë gjithë jetës sime.

Mos kini besim te princat dhe as te ndonjë bir njeriu, që nuk mund të shpëtojë.

Kur fryma e tij ikën, ai kthehet përsëri në tokë dhe po atë ditë planet e tij zhduken.

Lum ai që ka Perëndinë e Jakobit si ndihmë, shpresa e të cilit është tek Zoti, Perëndia i tij,

që ka krijuar qiejtë dhe tokën, detin dhe gjithçka është në to, që ruan besnikërinë përjetë,

që u jep të drejtë të shtypurve dhe ushqim të uriturve. Zoti çliron të burgosurit.

Zoti u hap sytë të verbërve, Zoti ngre ata që janë rrëzuar, Zoti i do të drejtët.

Zoti mbron të huajt, ndihmon jetimin dhe gruan e ve, por përmbys udhën e të pabesëve.

10 Zoti mbretëron përjetë, Perëndia yt, o Sion, brez pas brezi. Aleluja.

147 Lëvdoni Zotin, sepse është një gjë e mirë t’i këndosh lavde Perëndisë tonë, sepse është e kënaqshme dhe e leverdishme ta lëvdosh.

Zoti ndërton Jeruzalemin, dhe mbledh të humburit e Izraelit.

Ai shëron ata që e kanë zemrën të thyer dhe lidh plagët e tyre.

Llogarit numrin e yjeve dhe i thërret të gjitha sipas emrit të tyre.

I madh është Zoti ynë, e pamasë është fuqia e tij dhe e pafund zgjuarësia e tij.

Zoti larton njerëzit e përulur, por ul deri në tokë njerëzit e këqij.

Këndojini Zotit me falenderim, këndojini me qeste lavde Perëndisë tonë,

që mbulon qiellin me re, përgatit shiun për tokën dhe bën që të rritet bari në malet.

Ai i jep ushqime bagëtisë dhe zogjve të korbeve që thërresin.

10 Ai nuk kënaqet në forcën e kalit, dhe nuk gjen ndonjë gëzim në këmbët e njeriut.

11 Zoti kënaqet me ata që kanë frikë prej tij, me ata që shpresojnë në mirësinë e tij.

12 Lëvdo Zotin, o Jeruzalem, kremto Perëndinë tënd, o Sion.

13 Sepse ai ka përforcuar shufrat e portave të tua dhe ka bekuar bijtë e tu në mes teje.

14 Ai e ruan paqen brenda kufijve të tu dhe të ngop me grurin më të mirë.

15 Dërgon mbi tokë urdhërin e tij, fjala e tij merr dheun.

16 Dërgon borën si lesh dhe përhap brymën si hi.

17 Hedh breshërin e tij si me copa; kush mund t’i bëjë ballë të ftohtit të tij?

18 Dërgon fjalën e tij dhe i shkrin ato; bën që të fryjë era e tij, dhe ujërat rrjedhin.

19 Ai ia ka bërë të njohur Jakobit fjalën e tij, dhe Izraelit statutet e tij dhe dekretet e tij.

20 Ai nuk e ka bërë këtë me asnjë komb tjetër; dhe ato nuk i njohin dekretet e tij. Aleluja.

Psalmet 111-113

111 Aleluja. Unë do të kremtoj Zotin me gjithë zemër në këshillën e të drejtëve dhe në kuvend.

Të mëdha janë veprat e Zotit, të kërkuara nga të gjithë ata që kënaqen me to.

Veprat e tij janë madhështore dhe drejtësia e tij vazhdon përjetë.

Ai bën që mrekullitë e tij të kujtohen; Zoti është i dhemshur dhe plot mëshirë.

Ai u jep ushqime atyre që kanë frikë prej tij dhe do ta mbajë mend gjithnjë besëlidhjen e tij.

Ai i tregoi popullit të tij fuqinë e veprave të tij, duke i dhënë trashëgiminë e kombeve.

Veprat e duarve të tij janë e vërteta dhe drejtësia; tërë urdhërimet e tij janë të qëndrueshme,

të patundura përjetë, për gjithnjë, të kryera me vërtetësi dhe drejtësi.

Ai i dërgoi popullit të tij shpëtimin, ka vendosur besëlidhjen e tij përjetë; i shenjtë dhe i tmerrshëm është emri i tij.

10 Frika e Zotit është zanafilla e diturisë; kanë dituri të madhe ata që zbatojnë në praktikë urdhërimet e tij; lëvdimi i tij vazhdon në përjetësi.

112 Aleluja. Lum njeriu që ka frikë nga Zoti dhe gjen një gëzim të madh në urdhërimet e tij.

Pasardhësit e tij do të jenë të fuqishëm mbi tokë, brezat e njerëzve të drejtë do të jenë të bekuar.

Në shtëpinë e tij ka bollëk dhe pasuri dhe drejtësia e tij vazhdon përjetë.

Drita lind në terr për ata që janë të drejtë, për njeriun e dhemshur, të mëshirshëm dhe të drejtë.

Do të jetë i lumtur njeriu që ka dhemshuri dhe jep hua, dhe i drejton punët e tij me drejtësi,

sepse nuk do të lëvizet kurrë; i drejti do të kujtohet gjithnjë.

Ai nuk do t’u trëmbet lajmeve të këqia; zemra e tij është e fortë, me besim tek Zoti.

Zemra e tij është e sigurt; ai nuk do të ketë fare frikë, deri sa të mos shikojë triumfues mbi armiqtë e tij.

Ai ka shpërndarë lirisht, u ka dhënë nevojtarëve, drejtësia e tij vazhdon përjetë dhe fuqia e tij do të ngrihet në lavdi.

10 I pabesi do ta shohë dhe do të zemërohet, do të kërcëllijë dhëmbët dhe do të konsumohet; dëshira e të pabesëve nuk do të realizohet kurrë.

113 Aleluja. Lëvdoni, o shërbëtorë të Zotit, lëvdoni emrin e Zotit.

Qoftë i bekuar emri i Zotit tani dhe përjetë.

Nga lindja e diellit deri në perëndim të tij u lëvdoftë emri i Zotit.

Zoti shkëlqen mbi tërë kombet, lavdia e tij ndodhet përmbi qiejtë.

Kush i përngjan Zotit, Perëndisë tonë, që banon në vende shumë të larta,

kush ulet për të parë gjërat që ndodhen në qiejtë dhe mbi tokë?

Ai e ngre të mjerin nga pluhuri dhe nevojtarin nga plehrat,

për ta bërë të ulet me princat, me princat e popullit të tij.

Ai bën që gruaja shterpe të banojë në familje, si nënë e lumtur e fëmijëve. Aleluja.

Mikea 6:1-8

Ah, dëgjoni atë që thotë Zoti: "Çohu, mbro kauzën tënde përpara maleve dhe kodrat le të dëgjojnë zërin tënd".

Dëgjoni, o male, kundërshtimin e Zotit, dhe ju themele të forta të tokës, sepse Zoti ka një kundërshtim me popullin e tij dhe dëshiron të diskutojë me Izraelin.

"Populli im, çfarë të kam bërë dhe me çfarë të kam lodhur? Dëshmo kundër meje.

Sepse unë të nxora nga vendi i Egjiptit, të çlirova nga shtëpia e skllavërisë dhe kam dërguar para teje Moisiun, Aaronin dhe Miriamin.

O populli im, mbaj mend atë që Balaku, mbreti i Moabit, kurdiste dhe si iu përgjigj Balaami, biri i Beorit, nga Shitimi deri në Gilgal me qëllim që ti të pranosh drejtësinë e Zotit".

Me se do të vij përpara Zotit dhe do të përkulem përpara Perëndisë së lartë? Do të vij para tij me olokauste, me viça motakë?

Do të pëlqej Zoti mijëra desh ose mori rrëkesh vaji? Do të jap të parëlindurin tim për shkeljen time, frytin e barkut tim për mëkatin e shpirtit tim?

O njeri, ai të ka bërë të njohur atë që është e mirë; dhe çfarë tjetër kërkon Zoti nga ti, përveç se të zbatosh drejtësinë, të duash mëshirën dhe të ecësh përulësisht me Perëndinë tënd?

1 e Korintasve 4:9-16

Sepse unë mendoj se Perëndia na ka paraqitur ne apostujt si të fundit, si njerëz të dënuar për vdekje; sepse u bëmë lojë për botën, për engjëjt dhe për njerëzit.

10 Ne jemi të marrë për Krishtin, por ju të urtë në Krishtin; ne jemi të dobët, por ju të fortë; ju jeni të nderuar, por ne të përbuzur.

11 Deri tani vuajmë nga uria, etja, e jemi të zhveshur; jemi të qëlluar me shuplaka dhe endemi pa shtëpi,

12 dhe mundohemi, duke punuar me duart tona; duke qenë të fyer, bekojmë; duke qenë të përndjekur, durojmë;

13 duke qenë të sharë, lutemi; jemi bërë si pisllëku i botës, porsi plehrat e të gjithëve deri më sot.

14 Këto gjëra nuk po i shkruaj që t’ju turpëroj, por që t’ju paralajmëroj si fëmijët e mi të dashur.

15 Sepse, edhe sikur të kishit dhjetë mijë mësues në Krishtin, nuk do të kishit shumë etër, sepse unë ju kam dhënë jetë në Krishtin Jezus, me anë të ungjillit.

16 Prandaj ju bëj thirrje të bëheni imituesit e mi.

Mateu 15:21-28

21 Pastaj Jezusi, pasi u largua që andej, u nis drejt rrethinave të Tiros dhe të Sidonit.

22 Dhe ja, një grua kananease, që kishte ardhur nga ato anë, filloi të bërtasë duke thënë: “Ki mëshirë për mua, o Zot, o Bir i Davidit! Vajza ime është tmerrësisht e pushtuar nga një demon!.”

23 Por ai nuk iu përgjigj fare. Dhe dishepujt e tij iu afruan dhe iu lutën duke thënë: “Lëshoje atë, sepse po bërtet pas nesh.”

24 Por ai u përgjigj dhe tha: “Unë nuk jam dërguar gjetiu, përveç te delet e humbura të shtëpisë së Izraelit.”

25 Por ajo erdhi dhe e adhuroi, duke thënë: “O Zot, ndihmomë!.”

26 Ai u përgjigj, duke thënë: “Nuk është gjë e mirë të marrësh bukën e fëmijëve dhe t’ua hedhësh këlyshëve të qenve.”

27 Por ajo tha: “Éshtë e vërtetë, Zot, sepse edhe këlyshët e qenve hanë thërrimet që bien nga tryeza e zotërinjve të tyre.”

28 Atëherë Jezusi iu përgjigj duke thënë: “O grua, i madh është besimi yt! T’u bëftë ashtu si dëshiron.” Dhe që në atë çast e bija u shërua.