Print Page Options
Previous Prev Day Next DayNext

Book of Common Prayer

Daily Old and New Testament readings based on the Book of Common Prayer.
Duration: 861 days
Albanian Bible (ALB)
Version
Psalmet 66-67

66 Lëshoni klithma gëzimi Perëndisë, ju të gjithë banorë të tokës;

i këndoni himne lavdisë së emrit të tij; bëjeni zulmëmadh lëvdimin e tij.

I thoni Perëndisë: "Sa të tmerrshme janë veprat e tua! Për shkak të madhështisë së fuqisë sate armiqtë e tu do të të nënshtrohen ty.

Tërë toka do të të adhurojë dhe do të këndojë për ty, do të këndojë lëvdimet e emrit tënd. (Sela)

Ejani dhe admironi atë që Perëndia ka bërë; ai është i tmerrshëm në veprat tij për bijtë e njerëzve.

Ai e ndryshoi detin në tokë të thatë; populli i tij e kaloi lumin me këmbë të thata; le të gëzohemi, pra, bashkë me të.

Me fuqinë e tij ai mbretëron në përjetësi; sytë e tij këqyrin kombet. Mos lejoni që rebelët të ngrenë krye. (Sela)

Ju o popuj, bekoni Perëndinë tonë; dhe shpallni me zë të lartë lëvdimin e tij.

Ai na mban gjallë dhe nuk lejon që këmbët tona të pengohen.

10 Sepse ti na ke vënë në provë, o Perëndi, na ke pastruar ashtu si pastrohet argjendi.

11 Na ke bërë të biem në rrjetë, ke vënë një barrë të rëndë mbi kurrizet tona.

12 Ke bërë që njerëzit të ecin me kalë mbi kokën tonë; kemi kaluar nëpër zjarr dhe nëpër ujë, por ti na ke nxjerrë jashtë në një vend të freskët.

13 Unë do të hyj në shtëpinë tënde me olokauste; do të plotësoj zotimet e mia,

14 që buzët e mia kanë formuluar dhe që goja ime ka shqiptuar kur kaloja fatkeqësi.

15 Do të të ofroj olokauste kafshësh të majme, me erën e këndshme të deshve; do të flijoj qe dhe cjep. (Sela)

16 Ejani dhe dëgjoni, ju të gjithë që i trëmbeni Perëndisë, dhe unë do t’ju tregoj atë që ai bëri për shpirtin tim.

17 I thirra atij me gojën time dhe e përlëvdova me gjuhën time.

18 Po të kisha ruajtur të keqen në zemrën time, Zoti nuk do të më kishte dëgjuar.

19 Por Perëndia më dëgjoi dhe i kushtoi kujdes zërit të lutjes sime.

20 Qoftë i bekuar Perëndia, që nuk e hodhi poshtë lutjen time dhe nuk më mohoi mirësinë e tij.

67 Perëndia pastë mëshirë për ne dhe na bekoftë; Perëndia e bëftë fytyrën e tij të shkëlqejë mbi ne, (Sela)

me qëllim që mbi tokë të njihet rruga jote dhe shpëtimi yt midis gjithë kombeve.

Popujt do të të kremtojnë, o Perëndi, të gjithë popujt do të të kremtojnë.

Kombet do të gëzohen dhe do të ngazëllojnë, sepse ti do t’i gjykosh drejt popujt dhe do t’i udhëheqësh kombet mbi tokë. (Sela)

Le të të lëvdojnë popujt, o Perëndi, le të të lëvdojnë tërë popujt.

Toka do të prodhojë frytin e vet; Perëndia, Perëndia ynë, do të na bekojë.

Perëndia do të na bekojë dhe tërë skajet e tokës do ta kenë frikë.

Psalmet 19

19 Qiejtë tregojnë lavdinë e Perëndisë dhe kupa qiellore shpall veprën e duarve të tij.

Një ditë i flet ditës tjetër dhe një natë ia tregon tjetrës.

Nuk kanë gojë, as fjalë; zëri i tyre nuk dëgjohet;

por harmonia e tyre përhapet mbi gjithë dheun dhe mesazhi i tyre arrin deri në skajin e botës; në qiejtë Perëndia ka vënë një çadër për diellin;

dhe ai është si një dhëndër që del nga dhoma e tij e martesës; ngazëllon si një trim që përshkon rrugën e tij.

Ai del nga një skaj i qiejve dhe rrotullimi e tij arrin deri në skajin tjetër; asgjë nuk mund t’i fshihet nxehtësisë së tij.

Ligji i Zotit është i përsosur, ai e përtërin shpirtin; dëshmia e Zotit është e vërtetë dhe e bën të ditur njeriun e thjeshtë.

Porositë e Zotit janë të drejta dhe e gëzojnë zemrën; urdhërimet e Zotit janë te pastra dhe ndriçojnë sytë.

Frika e Zotit është e pastër, mbetet përjetë; gjykimet e Zotit janë të vërteta, të gjitha janë të drejta;

10 janë më të dëshirueshme se ari, po, më tepër se shumë ari i kulluar; janë më të ëmbla se mjalti, nga ai që del nga hojet.

11 Edhe shërbëtori yt mëson prej tyre; ke një shpërblim të madh duke i parë.

12 Kush i njeh gabimet e tij? Pastromë nga ato që nuk i shoh.

13 Përveç kësaj ruaje shërbëtorin tënd nga mëkatet e vullnetit, dhe bëj që ato të mos më sundojnë mua; atëherë unë do të jem i ndershëm dhe i pastër nga shkelje të mëdha.

14 U miratofshin para teje fjalët e gojës sime dhe përsiatjet e zemrës sime, o Zot, kështjella ime dhe shpëtimtari im.

Psalmet 46

46 Perëndia është për ne një streh dhe një forcë, një ndihmë gjithnjë e gatshme në fatkeqësi.

Prandaj ne nuk do të kemi frikë edhe sikur toka të luajë dhe malet të hidhen në mes të detit,

dhe ujërat e tij të tërbohen dhe të shkumojnë, dhe malet të dridhen në fryerjen e tij. (Sela)

Éshtë një lumë brigjet e të cilit mbushin me gëzim qytetin e Perëndisë, vendin e shenjtë ku banon shumë i Larti.

Perëndia është në mes të tij, ai nuk do të luajë nga vendi; Perëndia do ta ndihmojë në dritat e para të mëngjesit.

Kombet do të ziejnë, mbretëritë do të tronditen; ai dërgoi jashtë zërin e tij, toka u shkri.

Zoti i ushtrive është me ne; Perëndia i Jakobit është streha jonë. (Sela)

Ejani dhe admironi veprat e Zotit, që ka bërë mrekulli mbi tokë.

Ai bën që të pushojnë luftërat deri në skajet e tokës; ai prish harqet dhe thyen shtizat, dhe djeg qerret me zjarr.

10 Ndaluni dhe pranoni që jam Perëndi; do të ngrihem lart midis kombeve, do të ngrihem lart mbi tokë.

11 Zoti i ushtrive është me ne; Perëndia i Jakobit është streha jonë. (Sela)

Numrat 14:26-45

26 Zoti u foli akoma Moisiut dhe Aaronit, duke u thënë:

27 "Deri kur do të duroj këtë asamble të keqe që murmurit kundër meje? Unë dëgjova murmuritjet që bëjnë bijtë e Izraelit kundër meje.

28 U thuaj atyre: Ashtu siç është e vërtetë që unë jetoj, thotë Zoti, unë do t’ju bëj atë që kam dëgjuar prej jush.

29 Kufomat tuaja do të bien në këtë shkretëtirë; ju të gjithë që jeni regjistruar, nga mosha njëzet vjeç e lart, dhe që keni murmuritur kundër meje,

30 nuk do të hyni me siguri në vendin ku u betova se do të banoni, me përjashtim të Kalebit, birit të Jefunehut, dhe të Jozueut, birit të Nunit.

31 Të vegjlit tuaj përkundrazi, që ju thatë se do të ishin viktima të armiqve, do t’i fus; dhe ata do të njohin vendin që ju keni përçmuar.

32 Por sa për ju, kufomat tuaja do të bien në këtë shkretëtirë.

33 Dhe bijtë tuaj do të kullosin kopetë në shkretëtirë dyzet vjet me radhë dhe do të mbajnë ndëshkimin për pabesitë tuaja, deri sa të treten kufomat tuaja në shkretëtirë.

34 Në bazë të numrit të ditëve që keni përdorur për të vëzhguar vendin, domethënë dyzet ditë, për çdo ditë do të mbani fajin tuaj një vit, gjithsej, pra, dyzet vjet; dhe kështu do të kuptoni se ç’do të thotë që unë jam tërhequr nga ju.

35 Unë, Zoti, fola; me siguri, kështu do të veproj kundër gjithë kësaj asambleje të keqe që u mblodh kundër meje; në këtë shkretëtirë do të treten dhe këtu do të vdesin".

36 Njerëzit që Moisiu kishte dërguar për të vëzhguar vendin, mbas kthimit të tyre e kishin shtyrë tërë asamblenë të murmuriste kundër tij, duke paraqitur një raport të keq për vendin,

37 ata njerëz, që kishin përpiluar raportin e keq për vendin, vdiqën nga një plagë përpara Zotit.

38 Por Jozueu, bir i Nunit, dhe Kalebi, bir i Jefunehut, mbetën të gjallë midis gjithë atyre që kishin shkuar të vëzhgonin vendin.

39 Atëherë Moisiu u njoftoi këto fjalë tërë bijve të Izraelit, dhe populli ndjeu një dhimbje të thellë.

40 U ngritën herët në mëngjes dhe u ngjitën në majë të malit, duke thënë: Ja ku jemi; ne do të ngjitemi në vendin për të cilin na foli Zoti, sepsee kemi mëkatuar".

41 Por Moisiu tha: "Pse e shkelni urdhrin e Zotit? Nuk ka për t’ju dalë mbarë.

42 Mos u ngjitni, sepse do t’ju mundin armiqtë tuaj, Zoti nuk është në mes jush.

43 Para jush në fakt ndodhen Amalekitët dhe Kananejtë, dhe ju do të rrëzoheni nga shpatat e tyre; sepse jeni larguar nga rruga e Zotit, Zoti nuk do të jetë me ju".

44 Me gjithë atë ata patën guximin të ngjiten në majë të malit; por arka e besëlidhjes së Zotit dhe Moisiu nuk lëvizën nga mesi i kampit.

45 Atëherë Amalekitët dhe Kananejtë, që banonin mbi këtë mal, zbritën poshtë, i thyen dhe i vunë përpara deri në Hormah.

Veprat e Apostujve 15:1-12

15 Dhe disa, që zbritën nga Judeja, mësonin vëllezërit: “Nëse nuk jeni rrethprerë sipas ritit të Moisiut, nuk mund të shpëtoheni.”

Duke qenë se u bë një grindje jo e vogël dhe një diskutim nga ana e Palit dhe e Barnabës me ata, u dha urdhër që Pali, Barnaba dhe disa të tjerë nga ata të ngjiten në Jeruzalem tek apostujt dhe te pleqtë për këtë çështje.

Ata, pra, si u përcollën nga kisha, kaluan nëpër Feniki dhe Samari, duke treguar kthimin e johebrenjve dhe duke u sjellë gëzim të madh mbarë vëllezërve.

Kur arritën në Jeruzalem, u pritën nga kisha, nga apostujt dhe nga pleqtë dhe treguan për gjërat e mëdha që Perëndia kishte bërë me anën e tyre.

Por u ngritën disa nga sekti i farisenjve, që kishin besuar dhe thanë: “Duhen rrethprerë johebrenjtë dhe të urdhërohen të zbatojnë ligjin e Moisiut.”

Atëherë apostujt dhe pleqtë u mblodhën për ta shqyrtuar këtë problem.

Dhe duke qenë se lindi një diskutim i madh, Pjetri u çua në këmbë dhe u tha atyre: “Vëllezër, ju e dini se që në kohët e para Perëndia midis nesh më zgjodhi mua, që me anë të gojës sime johebrenjtë të dëgjojnë fjalën e ungjillit dhe të besojnë.

Perëndia, që i njeh zemrat, u ka dhënë atyre dëshmi, duke u dhënë Frymën e Shenjtë, sikurse edhe neve;

dhe ai nuk bëri asnjë dallim midis nesh dhe atyre, duke i pastruar zemrat e tyre me anë të besimit.

10 Tani, pra, pse e tundoni Perëndinë, duke u vënë mbi qafën e dishepujve një zgjedhë që as etërit tanë e as ne nuk mund ta mbajmë?

11 Po ne besojmë se do të shpëtohemi me anë të hirit të Zotit Jezu Krishtit, dhe në të njëjtën mënyrë edhe ata.”

12 Atëherë e gjithë turma heshti, dhe rrinte e dëgjonte Barnabën dhe Palin, që tregonin ç’shenja e mrekulli kishte bërë Perëndia me anë të tyre ndër johebrenj.

Luka 12:49-56

49 “Unë erdha të hedh zjarr mbi tokë dhe sa dëshiroj që ai të ishte tashmë i ndezur.

50 Tani unë kam një pagëzim me të cilën duhet të pagëzohem dhe jam në ankth deri sa të kryhet.

51 A kujtoni se erdha të sjell paqen mbi tokë? Jo, po ju them, por më shumë përçarjen;

52 sepse, tash e tutje, pesë veta në një shtëpi do të jenë të ndarë: tre kundër dyve dhe dy kundër treve.

53 Babai do të ndahet kundër të birit, dhe i biri kundër babait; nëna kundër së bijës dhe e bija kundër nënës; vjehrra kundër nuses së saj dhe nusja kundër vjehrrës së vet.”

54 Atëherë ai u tha akoma turmave: “Kur ju shihni një re që ngrihet nga perëndimi menjëherë thoni: "Do të vijë shiu," dhe ashtu ndodh;

55 përkundrazi, kur fryn juga, ju thoni: "Do të bëjë vapë," dhe ashtu ndodh.

56 Hipokritë! Ju dini të dalloni dukurinë e qiellit dhe të tokës, por vallë si nuk dini ta dalloni këtë kohë?