Book of Common Prayer
30 Do të të lëvdoj, o Zot, sepse ti më ngrite lart, dhe nuk i lejove armiqtë e mi të tallen me mua.
2 O Zot, Perëndia im, unë të kam klithur ty, dhe ti më ke shëruar.
3 O Zot, ti e ke nxjerrë shpirtin tim jashtë Sheolit, më ke mbajtur gjallë që të mos zbrisja në gropë.
4 I këndoni lavde Zotit, ju, shenjtorë të tij, dhe kremtoni shenjtërinë e tij,
5 sepse zemërimi im mban vetëm një çast, por mirësia e tij mban një jetë të tërë. Të qarat mund të vazhdojnë një natë, por në mëngjes shpërthen një britmë gëzimi.
6 Kur kisha bollëk thoja: "Unë nuk do të prekem kurrë".
7 O Zot, për hirin tënd e kishe fortësuar malin tim, ti e fshehe fytyrën tënde, dhe unë mbeta i trembur.
8 Unë të klitha ty, o Zot, iu luta fort Zotit,
9 duke thënë: "Çfarë dobie do të kesh nga gjaku im po të jetë se zbres në gropë? A mundet pluhuri të të kremtojë? A mundet ai të shpallë të vërtetën tënde?
10 Dëgjo, o Zot, dhe ki mëshirë për mua, o Zot, bëhu ti ndihma ime".
11 Ti e ke kthyer vajtimin tim në valle; ma ke hequr grethoren dhe më ke mbushur me gëzim,
12 me qëllim që shpirti im të mund të të këndojë lavdi pa pushim. O Zot, Perëndia im, unë do të të kremtoj përjetë.
32 Lum ai të cilit i kanë falur shkeljen, ai të cilit i kanë mbuluar mëkatin!
2 Lum ai njeri të cilin Zoti nuk e padit për paudhësi dhe në frymën e të cilit nuk ka vend mashtrimi.
3 Ndërsa po heshtja, kockat e mia treteshin midis rënkimeve që kisha tërë ditën.
4 Sepse ditë e natë dora jote rëndonte mbi mua, fuqia ime i përngjante thatësisë së verës. (Sela)
5 Para teje pranova mëkatin tim, nuk e fsheha paudhësinë time. Thashë: "Do t’ia rrëfej shkeljet e mia Zotit," dhe ti e ke falur paudhësinë e mëkatit tim. (Sela)
6 Prandaj çdo njeri i përshpirtshëm do të të thërrase në kohën që mund të gjendesh; edhe sikur ujërat e mëdha të vërshojnë, ato nuk do të arrijnë deri tek ai.
7 Ti je vendi im i strehimit, ti do të më ruash nga fatkeqësia, ti do të më rrethosh me këngë çlirimi. (Sela)
8 Unë do të të edukoj dhe do të të mësoj rrugën, nëpër të cilën duhet të ecësh; unë do të të këshilloj dhe do ta mbaj syrin tim mbi ty.
9 Mos u bëni si kali dhe si mushka që nuk kanë mend, goja e të cilëve duhet të mbahet me fre dhe me kapistër, përndryshe nuk të afrohen.
10 Të shumta janë dhembjet e të pabesit, por ai që ka besim tek Zoti do të rrethohet nga mirësia e tij.
11 Gëzohuni tek Zoti dhe ngazëlloni, o njerëz të drejtë; lëshoni britma gëzimi, ju të gjithë, o njerëz me zemër të drejtë.
42 Ashtu si suta ka një dëshirë të madhe për rrëketë e ujit, kështu shpirti im ka një dëshirë të zjarrtë për ty, o Perëndi.
2 Shpirti im ka një etje të madhe për Perëndinë, për Perëndinë e gjallë. Kur do të vij dhe do të paraqitem para Perëndisë?
3 Lotët e mia janë bërë ushqimi im ditë e natë, ndërsa më thonë vazhdimisht: "Ku është Perëndia yt?".
4 Duke kujtuar këto gjëra, brenda vetes sime i jap shfrim të lirë shpirtit tim, sepse kisha zakon të shkoja me turmën, duke e udhëhequr në shtëpinë e Perëndisë, në mes të këngëve të gëzimit dhe të lëvdimit të një turme në festë.
5 Pse ligështohesh, o shpirti im, pse vajton brënda trupit tim? Shpreso te Perëndia, sepse unë do ta kremtoj akoma për çlirimin e pranisë së tij.
6 O Perëndia im, shpirti më është ligështuar përbrenda; prandaj më kujtohesh ti nga vendi i Jordanit dhe nga majat e Hermonit, nga mali i Mitsarit.
7 Një hon thërret një hon tjetër në zhurmën e ujërave të tua; të gjitha dallgët e tua dhe valët e tua kanë kaluar përmbi mua.
8 Ditën Zoti më jep mirësinë e tij, dhe natën i ngre atij një kantik, një lutje Perëndisë të jetës sime.
9 Unë do t’i them Perëndisë, kështjellës sime: "Pse më harrove? Pse endem i veshur me rroba zie për shkak të shtypjes nga ana e armikut?".
10 Kockat e mia po vuajnë për vdekje për shkak të fyerjeve nga ana e armive të mi, që më thonë vazhdimisht: "Ku është Perëndia yt?".
11 Pse ligështohesh, shpirti im, pse rënkon përbrenda meje? Shpreso te Perëndia, sepse unë do ta kremtoj akoma; ai është shpëtimi im dhe Perëndia im.
43 Siguromë drejtësi, o Perëndi, dhe mbro çështjen time nga njerëzit e këqij; më çliro nga njeriu i rremë dhe i lig.
2 Mbasi ti je Perëndia që më jep forcë, pse më ke kthyer? Pse shkoj i veshur me rroba zie për shkak të shtypjes nga ana e armikut?
3 Dërgo dritën tënde dhe të vërtetën tënde; këto le të më udhëheqin dhe të më çojnë në malin tënd të shenjtë dhe në vendin e banesës sate.
4 Atëherë un do të vij tek altari i Perëndisë, te Perëndia, që është gëzimi im dhe kënaqësia ime; do të të kremtoj me qeste, o Perëndi, Perëndia im.
5 Pse ligështohesh, shpirti im, pse rënkon brenda meje? Ki shpresë te Perëndia, sepse unë do ta kremtoj akoma, sepse ai është shpëtimi im dhe Perëndia im.
22 Këto fjalë tha Zoti përpara tërë asamblesë tuaj, nga mesi i zjarrit, të resë dhe të errësirës së dendur, me zë të fortë; dhe nuk shtoi tjetër. I shkroi mbi dy pllaka prej guri dhe mi dha mua.
23 Kur ju dëgjuat zërin në mes të errësirës, ndërsa mali ishte tërë flakë, ju m’u afruat, gjithë prijësit e fiseve dhe pleqtë tuaj,
24 dhe thatë: "Ja, Zoti, Perëndia ynë, na tregoi lavdinë dhe madhërinë e tij, dhe ne dëgjuam zërin e tij nga mesi i zjarrit; sot kemi parë që Perëndia mund të flasë me njeriun dhe ky të mbetet i gjallë.
25 Po pse duhet të vdesim? Ky zjarr i madh në të vërtetë do të na gllabërojë; në rast se vazhdojmë të dëgjojmë akoma zërin e Zotit, të Perëndisë tonë, ne kemi për të vdekur.
26 Sepse, midis gjithë njerëzve, kush është ai që, si ne, ka dëgjuar zërin e Perëndisë të gjallë të flasë në mes të zjarrit dhe ka mbetur i gjallë?
27 Afrohu ti dhe dëgjo të gjitha ato që Zoti, Perëndia ynë, do të të thotë, dhe ne do ta dëgjojmë dhe do të bëjmë ato që kërkon ai".
28 Zoti dëgjoi tingullin e fjalëve tuaja ndërsa më flisnit; kështu Zoti më tha: "Unë dëgjova tingullin e fjalëve që ky popull të drejtoi; çdo gjë që ata thanë është mirë.
29 Ah, sikur të kishin gjithnjë një zemër të tillë, të më kishin frikë dhe të respektonin tërë urdhërimet e mia, që të rronin gjithnjë në begati ata dhe bijtë e tyre!
30 Shko dhe u thuaj: Kthehuni në çadrat tuaja.
31 Por ti qëndro këtu me mua dhe unë do të të tregoj tërë urdhërimet, tërë statutet dhe dekretet që do t’u mësosh atyre, me qëllim që t’i zbatojnë në vendin që unë po u jap si trashëgimi".
32 Kini pra kujdes të bëni atë që Zoti, Perëndia juaj, ju ka urdhëruar; mos u shmangni as djathtas, as majtas;
33 ecni të tërë në rrugën që Zoti, Perëndia juaj, ju ka caktuar, që të jetoni, të keni mbarësi dhe të zgjatni ditët tuaja në vendin që do të pushtoni".
13 Por, duke pasur të njëjtën frymë besimi, sikurse është shkruar: “Unë besova, prandaj fola,” edhe ne besojmë, prandaj edhe flasim,
14 duke ditur se ai që ringjalli Zotin Jezus, do të na ringjallë edhe ne nëpërmjet Jezusit dhe do të na paraqesë bashkë me ju.
15 Sepse të gjitha këto gjëra janë për ju, që hiri, duke arritur me anë të shumë personave, të prodhojë falenderim me tepri për lavdi të Zotit.
16 Prandaj nuk na lëshon zemra; por, edhe pse njeriu ynë i jashtëm shkon në shkatërrim, ai i brendshëm përtërihet nga dita në ditë.
17 Sepse trishtimi ynë i lehtë që është vetëm për një moment, prodhon për ne, një peshë të pamasë e të pashoqe të amshueshme lavdie;
18 ndërsa ne nuk i drejtojmë sytë ndaj gjërave që duken, por ndaj gjërave që nuk shihen, sepse gjërat që duken janë për një kohë, kurse ato që nuk shihen janë të përjetshme.
5 Ne e dimë në fakt se, në qoftë se kjo çadër, vendbanimi ynë tokësor, prishet, ne kemi një godinë nga Perëndia, një banesë të përjetshme, në qiej, që nuk është bërë nga dorë njeriu.
2 Sepse në këtë çadër ne psherëtijmë duke dëshëruar fort të vishemi me banesën tonë qiellore,
3 nëse do të gjindemi të veshur e jo të zhveshur.
4 Sepse ne që jemi në këtë çadër psherëtijmë duke qenë të rënduar, dhe për këtë arsye nuk duam, pra, të na zhveshin, por të na veshin, që ç’është e vdekshme të përpihet nga jeta.
5 Dhe ai që na ka formuar pikërisht për këtë është Perëndia, i cili na dha edhe kaparin e Frymës.
6 Ne, pra, kemi gjithnjë siguri besimi dhe e dimë se gjersa banojmë në trup, jemi larg Zotit,
7 sepse ecim nëpërmjet besimit dhe jo nëpërmjet vizionit.
8 Por jemi të sigurt dhe na parapëlqen më tepër ta lëmë trupin dhe të shkojmë e të banojmë bashkë me Zotin.
9 Prandaj edhe përpiqemi t’i pëlqejmë atij, qoftë duke banuar në trup, qoftë duke e lënë atë.
10 Sepse ne të gjithë duhet të dalim para gjyqit të Krishtit, që secili merr shpagimin e gjërave që ka bërë me anë të trupit, në bazë të asaj që ka bërë, qoftë në të mirën apo në të keqen.
19 Por atje ishte një njeri i pasur, që vishej me të purpurta dhe me rroba të çmueshme prej liri dhe për ditë e kalonte shkëlqyeshëm.
20 Atje ishte edhe një lypës, i quajtur Llazar, që rrinte para derës së tij, dhe trupin e kishte plot me plagë të pezmatuara,
21 dhe dëshironte të ngopej me thërrimet që binin nga tryeza e pasanikut; madje edhe qentë vinin e ia lëpinin plagët.
22 Por ndodhi që lypësi vdiq dhe engjëjt e çuan në gji të Abrahamit; vdiq edhe pasaniku dhe e varrosën.
23 Dhe, duke pasur mundime në ferr, i çoi sytë dhe pa nga larg Abrahamin dhe Llazarin në gji të tij.
24 Atëherë ai bërtiti dhe tha: "O atë Abraham, ki mëshirë për mua, dhe dërgoje Llazarin të lagë majën e gishtit të vet në ujë që të më freskojë gjuhën, sepse po vuaj tmerrësisht në këtë flakë.
25 Por Abrahami thoshte: "O bir, kujto se ti i ke marrë të mirat e tua gjatë jetës sate, kurse Llazari të këqijat; tashti, përkundrazi, ai po përdëllehet dhe ti vuan.
26 Dhe, veç të gjithave, midis nesh dhe jush është një humnerë e madhe, kështu që ata që do të donin të kalonin që këtej tek ju nuk munden; po ashtu askush nuk mund të kalojë që andej te ne".
27 Por ai i tha: "Atëherë, o atë, të lutem ta dërgosh atë te shtëpia e tim eti,
28 sepse unë kam pesë vëllezër e le t’i paralajmërojë rreptësisht që të mos vijnë edhe ata në këtë vend mundimesh".
29 Abrahami u përgjigj: "Kanë Moisiun dhe profetët, le t’i dëgjojnë ata".
30 Ai tha: "Jo, o atë Abraham, por nëse dikush nga të vdekurit do të shkojë tek ata, do të pendohen".
31 Atëherë ai i tha: "Nëse ata nuk e dëgjojnë Moisiun dhe profetët, nuk do të binden edhe në se dikush ringjallet prej të vdekurish".”