Book of Common Prayer
45 Më burojnë nga zemra fjalë shumë të ëmbla; unë i këndoj mbretit poemën time. Gjuha ime do të jetë si pena e një shkruesi të shpejtë.
2 Ti je shumë i bukur ndër të gjithë bijtë e njerëzve; buzët e tua janë plot nur, prandaj Perëndia të ka bekuar në përjetësi.
3 Ngjeshe shpatën në brezin tënd, o trim, i rrethuar nga shkëlqimi yt dhe nga madhështia jote,
4 dhe në madhështinë tënde shko përpara mbi qerren fitimtare për çështjen e së vërtetës, të shpirtmadhësisë dhe të drejtësisë, dhe dora jote e djathtë do të të tregojë vepra të tmerrshme.
5 Shigjetat e tua janë të mprehta; popujt do të bien poshtë teje; ato do të hyjnë në zemërën e armiqve të mbretit.
6 Froni yt, o Perëndi, vazhdon në përjetësi; skeptri i mbretërisë sate është një skeptër drejtësie.
7 Ti e do drejtësinë dhe urren mbrapshtinë; prandaj Perëndia, Perëndia yt, të ka vajosur me vaj gëzimi përmbi shokët e tu.
8 Tërë rrobat e tua mbajnë erë mirre, aloe dhe kasie; nga pallatet e fildishta veglat muzikore me tela të gëzojnë.
9 Midis zonjave të nderit që të rrethojnë ka bija mbretërish; në të djathtën tënde është mbretëresha, e zbukuruar me ar Ofiri.
10 Dëgjo, vashë, shiko dhe vër veshin; harro populin tënd dhe shtëpinë e atit tënd,
11 dhe mbreti do të dëshirojë me të madhe bukurinë tënde; bjer përmbys para tij, sepse ai është Zoti yt.
12 Bija e Tiros do të të sjellë disa dhurata dhe të pasurit e popullit do të kërkojnë favoret e tua.
13 Tërë shkëlqim është brenda e bija e mbretit; rrobat e saj janë të qëndisura me ar.
14 Atë do ta çojnë te mbreti me rroba të qëndisura, të shoqëruar nga virgjëresha shoqe të saj, që do të të paraqiten ty.
15 Ato do t’i çojnë me gëzim dhe hare dhe do të hyjnë në pallatin e mbretit.
16 Bijtë e tu do të zënë vendin e etërve të tu; ti do t’i bësh princa për tërë tokën.
17 Unë do të shpall kujtimin e emrit tënd për të gjitha brezat; prandaj popujt do të të kremtojnë në përjetësim, përjetë.
47 Duartrokisni, o popuj; kremtojeni Perëndinë me britma triumfi.
2 Sepse Zoti, Shumë i Larti, është i tmerrshëm, një mbret i madh mbi gjithë dheun.
3 Ai do të na nënshtrojë popujt dhe kombet do t’i vërë nën këmbët tona.
4 Ai do të zgjedhë për ne trashëgiminë tonë, lavdinë e Jakobit që ai e do. (Sela)
5 Perëndia është ngritur në mes brohoritjesh gëzimi, Zoti me tingujt e borive.
6 Këndojini lavde Perëndisë tonë, këndojini lavde! Këndojini lavde mbretit tonë, këndojini lavde!
7 Sepse Perëndia është mbreti i gjithë dheut, këndojini lavde me zotësi.
8 Perëndia mbretëron mbi kombet; Perëndia ulet mbi fronin e tij të shenjtë.
9 Princat e popujve, populli i Perëndisë të Abrahamit, janë mbledhur bashkë; sepse Perëndisë i përkasin mburojat e tokës; atë e lëvdojnë me të madhe.
48 I madh është Zoti dhe meriton të lëvdohet në kulm në qytetin e Perëndisë tonë, në malin e tij të shenjtë.
2 I bukur për nga lartësia e tij, gëzimi i gjithë dheut është mali i Sionit, nga ana e veriut, qyteti i Mbretit të madh.
3 Në pallatet e tij Perëndia u bë i njohur si një kala e papushtueshme.
4 Ja, mbretërit ishin mbledhur dhe shikonin përpara bashkarisht,
5 por sa e panë, mbetën të shushatur dhe ikën të tmerruar.
6 Atje i zunë drithmat dhe si të prerat e lindjes,
7 në të njëjtën mënyrë si era e lindjes që i bën copë-copë anijet e Tarshishit.
8 Siç e kishim dëgjuar, ashtu pamë në qytetin e Zotit disa ushtri, në qytetin e Perëndisë tonë; Perëndia do ta bëjë të qëndrueshëm përjetë.
9 Në tempullin tënd, o Perëndi, ne kemi rënë në mendime mbi mirësinë tënde.
10 Ashtu si emri yt, o Perëndi, kështu lëvdimi yt arrin deri në skajet e tokës; dora jote e djathtë është tërë drejtësi.
11 Le të gëzohet mali Sion, le të ngazëllojnë vajzat e Judës për gjykimet e tua.
12 I bini rrotull Sionit, vizitojeni, numëroni kullat e tij,
13 këqyrni fortesat e tij, admironi pallatet e tij, me qëllim që të mund t’ia tregoni brezave që do të vijnë.
14 Sepse ky Perëndi është Perëndia ynë në përjetësi, përjetë, gjithnjë; ai do të jetë udhëheqësi ynë deri në vdekje.
29 Jobi e rifilloi ligjëratën e tij dhe tha:
2 "Ah, sikur të isha si në muajt e së kaluarës, si në ditët kur Perëndia më mbronte,
3 kur llamba e tij shkëlqente mbi kokën time dhe me dritën e saj ecja në mes të errësirës;
4 siç isha në ditët e pjekurisë sime, kur mendja e fshehtë e Perëndisë kujdesej për çadrën time,
5 kur i Plotfuqishmi ishte akoma me mua dhe bijtë e mi më rrinin përqark;
6 kur laja këmbët e mia në gjalpë dhe shkëmbi derdhte për mua rrëke vaji.
7 Kur dilja ne drejtim të portës së qytetit dhe ngrija fronin tim në shesh,
8 të rinjtë, duke më parë, hiqeshin mënjanë, pleqtë ngriheshin dhe qëndronin më këmbë;
9 princat ndërprisnin bisedat dhe vinin dorën mbi gojë;
10 zëri i krerëve bëhej më i dobët dhe gjuha e tyre ngjitej te qiellza.
11 veshi që më dëgjonte, më shpallte të lumtur, dhe syri që më shihte, dëshmonte për mua,
12 sepse çliroja të varfrin që klithte për ndihmë, dhe jetimin që nuk kishte njeri që ta ndihmonte.
13 Bekimi i atij që ishte duke vdekur zbriste mbi mua dhe unë e gëzoja zemrën e gruas së ve.
14 Isha i veshur me drejtësi dhe ajo më mbulonte; drejtësia ime më shërbente si mantel dhe si çallmë.
15 Isha sy për të verbërin dhe këmbë për çalamanin;
16 isha një baba për të varfrit dhe hetoja rastin që nuk njihja.
17 I thyeja nofullat njeriut të keq dhe rrëmbeja gjahun nga dhëmbët e tij.
18 Dhe mendoja: "Kam për të vdekur në folenë time dhe do të shumëzoj ditët e mia si rëra;
19 rrënjët e mia do të zgjaten në drejtim të ujërave, vesa do të qëndrojë tërë natën në degën time;
20 lavdia ime do të jetë gjithnjë e re tek unë dhe harku im do të fitojë forcë të re në dorën time".
14 Ndodhi që edhe në Antioki ata hynë në sinagogën Ejudenjve dhe folën në mënyrë të tillë, sa një turmë e madhe Judenjsh dhe Grekësh besuan,
2 Porjudenjtë që nuk besuan i nxitën dhe i acaruan shpirtrat e johebrenjve kundër vëllezërve.
3 Ata, pra, qëndruan shumë kohë atje, duke folur lirisht në Zotin, i cili jepte dëshmi fjalës së hirit të tij, duke lejuar që me anë të duarve të tyre të bëheshin shenja dhe mrekulli.
4 Por popullsia e qytetit u nda: disa mbanin anën e Judenjve dhe të tjerë atë të apostujve.
5 Por kur u bë një orvatje nga ana e johebrenjve dhe e Judenjve me krerët e tyre për t’i keqtrajtuar apostujt dhe për t’i vrarë me gurë,
6 ata e morën vesh dhe ikën në qytetet e Likaonisë: në Listra, në Derbë dhe në krahinën përreth,
7 dhe atje vazhduan të ungjillëzonin.
8 Dhe në Listra ishte një njeri me këmbë të paralizuara, që rrinte gjithnjë ndenjur dhe nuk kishte ecur kurrë, sepse ishte sakat që nga barku i së ëmës.
9 Ky e dëgjoi duke folur Palin, i cili nguli sytë mbi të dhe pa se ai kishte besim për t’u shëruar,
10 dhe tha me zë të lartë: “Çohu në këmbë!.” Dhe ai hovi lart dhe nisi të ecë.
11 Turma, kur pa ç’kishte bërë Pali, e ngriti zërin duke thënë në gjuhën likaonike: “Perënditë zbritën ndër ne, në trajtë njeriu.”
12 Dhe e quanin Barnabën Jupiter, Palin Mërkur, sepse ai fliste më shumë.
13 Atëherë prifti i Jupiterit, që e kishte tempullin në hyrje të qytetit të tyre, solli dema me kurora pranë portave dhe donte të ofronte një flijim bashkë me turmën.
14 Por apostujt Barnaba dhe Pal, kur dëgjuan këtë, i grisën rrobat e tyre dhe u turrën në mes të turmës, duke thirrur e duke thënë:
15 “O burra, pse bëni këto gjëra? Edhe ne jemi njerëz me të njëjtën natyrë si ju, dhe po ju shpallim lajmin e mirë, që ju nga këto gjëra të kota të ktheheni te Perëndia e gjallë që ka bërë qiellin, dheun, detin dhe të gjitha gjërat që janë në ta.
16 Në brezat që shkuan ai la që të gjitha kombet të ndjekin rrugët e tyre;
17 por nuk e la veten e vet pa dëshmi, duke bërë mirë, duke na dhënë shira prej qiellit dhe stinë të frytshme dhe duke i mbushur zemrat tona me ushqim dhe gëzim.”
18 Duke thënë këto gjëra, mundën t’i ndalin me vështirësi turmat që të mos u bëjnë flijim.
31 Prandaj Judenjtë morën përsëri gurë për ta vrarë me gurë.
32 Jezusi u përgjigj atyre: “Ju tregova shumë vepra të mira nga Ati im; për cilën nga këto më vrisni me gurë?.”
33 Judenjtë u përgjigjën duke thënë: “Ne nuk të vrasim me gurë për asnjë vepër të mirë, po për blasfemi, dhe sepse ti, duke qenë njeri, e bën veten Perëndi.”
34 Jezusi u përgjigj atyre: “A nuk është shkruar në ligjin tuaj: "Unë thashë: Ju jeni perëndi"?
35 Nëse ai i quan perëndi ata, të cilëve u qe drejtuar fjala e Perëndisë (dhe Shkrimi nuk mund të bjerë poshtë),
36 ju thoni se ai, që Ati e ka shenjtëruar dhe e ka dërguar në botë, blasfemon, sepse ka thënë: "Unë jam Biri i Perëndisë"?
37 Nëse unë nuk bëj veprat e Atit tim, mos më besoni,
38 por nëse i bëj, edhe po të mos më besoni mua, u besoni të paktën veprave, që të njihni e të besoni se Ati është në mua dhe unë në atë.”
39 Për këtë arsye ata kërkonin përsëri ta kapnin, por ai ikte nga duart e tyre.
40 Dhe shkoi përsëri përtej Jordanit, në vendin ku më parë Gjoni pagëzonte; dhe ndaloi aty.
41 Dhe shumë veta erdhën tek ai dhe thoshnin: “Gjoni vërtet nuk bëri asnjë shenjë, por gjithçka që Gjoni tha për këtë ishte e vërtetë.”
42 Dhe atje shumë veta besuan në të.