Book of Common Prayer
63 O Perëndi, ti je Perëndia im, unë të kërkoj në mëngjes; shpirti im është i etur për ty; ty të dëshiron mishi im në tokë të thatë dhe të djegur, pa ujë.
2 Kështu të admirova në shenjtërore, duke soditur forcën tënde dhe lavdinë tënde.
3 Me qenë se mirësia jote vlen më tepër se jeta, buzët e mia do të të lëvdojnë.
4 Kështu do të të bekoj deri sa të jetoj dhe në emrin tënd do të ngre duart e mia.
5 Shpirti im do të ngopet si të kishte ngrënë palcë dhe dhjamë, dhe goja ime do të të lëvdojë me buzë të gëzuara.
6 Të kujtoj në shtratin tim, të mendoj kur rri zgjuar natën.
7 Duke qenë se ti ke qenë ndihma ime, unë këndoj tërë gëzim në hijen e krahëve të tu.
8 Shpirti im mbahet ngushtë te ti; dora jote e djathtë më mban.
9 Por ata që kërkojnë jetën time për ta shkatërruar, do të zbresin në pjesët më të ulta të tokës.
10 Ata do t’i dorëzohen pushtetit të shpatës dhe do të bëhen pre e çakejve.
11 Por mbreti do të gëzohet te Perëndia; kushdo që betohet për të do të përlëvdohet, sepse goja e gënjeshtrave do të detyrohet të mbyllet.
98 Këndojini Zotit një himn të ri sepse ka bërë mrekulli; dora e tij e djathtë dhe krahu i tij i shenjtë i kanë siguruar shpëtimin.
2 Zoti ka bërë të njohur shpëtimin e tij dhe ka shprehur drejtësinë e tij përpara kombeve.
3 Ai ka mbajtur mend mirësinë e tij dhe besnikërinë e tij për shtëpinë e Izraelit; të tëra skajet e tokës kanë parë shpëtimin e Perëndisë tonë.
4 Dërgojini britma gëzimi Zotit, o banorë të të gjithë tokës, shpërtheni në këngë gëzimi, ngazëlloni dhe këndoni lavde.
5 Këndojini lavde Zotit me qeste, me qesten dhe me zërin e këngës.
6 Dërgoni britma gëzimi me boritë dhe me zërin e bririt përpara Zotit, Mbretit.
7 Le të zhurmojë deti dhe gjithçka ndodhet në të, bota dhe banorët e saj.
8 Lumenjtë le të rrahin duart dhe malet le të ngazëllohen tok nga gëzimi përpara Zotit,
9 sepse ai vjen të gjykojë tokën; ai do të gjykojë botën me drejtësi dhe popujt me paanësi.
103 Beko, shpirti im, Zotin, dhe të gjitha ato që janë tek unë të bekojnë emrin e tij të shenjtë.
2 Beko, shpirti im, Zotin dhe mos harro asnjë nga të mirat që ka bërë.
3 Ai fal të gjitha paudhësitë e tua dhe shëron të gjitha sëmundjet e tua,
4 shpengon jetën tënde nga shkatërrimi dhe të kurorëzon me mirësi dhe dhembshuri;
5 ai ngop me të mira gojën tënde dhe të bën të ri si shqiponja.
6 Zoti vepron me drejtësi dhe mbron çështjen e të shtypurve.
7 Ai i tregon Moisiut rrugët e tij dhe bijve të Izraelit veprat e tij.
8 Zoti është i mëshirshëm dhe zemërbutë, i ngadalshëm në zemërim dhe i madh në mirësi.
9 Ai nuk grindet përjetë dhe nuk e ruan zemërimin gjithnjë.
10 Ai nuk na trajton siç e meritojnë mëkatet tona dhe nuk na dënon në bazë të fajeve tona.
11 Sepse sa të lartë janë qiejtë mbi tokën, aq e madhe është mirësia e tij ndaj atyre që kanë frikë prej tij.
12 Sa larg është lindja nga perëndimi, aq shumë ai ka larguar nga ne fajet tona.
13 Ashtu si një baba është i mëshirshëm me bijtë e tij, kështu është i mëshirshëm Zoti me ata që kanë frikë prej tij.
14 Sepse ai e njeh natyrën tonë dhe nuk harron që ne jemi pluhur.
15 Ditët e njeriut janë si bari; ai lulëzon si lulja e fushës;
16 në qoftë se era i kalon sipër, ai nuk është më dhe vendi i tij nuk njihet më.
17 Por mirësia e Zotit vazhdon nga përjetësia në përjetësi për ata që kanë frikë prej tij, dhe drejtësia e tij për bijtë e bijve,
18 për ata që respektojnë besëlidhjen e tij dhe mbajnë në mendje urdhërimet e tij për t’i zbatuar në praktikë.
19 Zoti e ka vendosur fronin e tij në qiejtë, dhe mbretërimi i tij sundon mbi gjithçka.
20 Bekoni Zotin ju, engjëj të tij të pushtetshëm dhe të fortë, që bëni atë që thotë ai, duke iu bindur zërit të fjalës së tij.
21 Bekoni Zotin, ju, tërë ushtritë e tij, ju, tërë ministrat e tij, që zbatoni vullnetin e tij.
22 Bekoni Zotin, ju, të gjitha veprat e tij, në të tëra vendet e sundimit të tij. Shpirti im, beko Zotin!
28 "Pastaj afro pranë vetes sate Aaronin, tët vëlla, dhe bijtë e tij së bashku me të, nga gjiri i bijve të Izraelit, që të më shërbejnë mua si prift; e kam fjalën për Aaronin, Nadabin, Eleazarin dhe Ithamarin, bij të Aaronit.
2 Dhe do t’i bësh Aaronit, vëllait tënd, rroba të shenjta, për t’i dhënë nder e hijeshi.
3 Do të flasësh me të gjithë personat e aftë, që i kam mbushur me frymën e diturisë, dhe ata t’i bëjnë rrobat e Aaronit për ta shenjtëruar, me qëllim që të më shërbejnë mua si prift.
4 Dhe këto janë rrobat që do të bëjnë: një pektoral, një efod, një mantel, një tunikë e thurur me shtiza, një çallmë dhe një brez. Do të bëjnë, pra, rroba të shenjta për Aaronin, vëllanë tënd dhe për bijtë e tij, me qëllim që të më shërbejnë mua si prift;
30 Do të vësh mbi pektoralin e gjykimit Urim-in dhe Thumim-in; dhe do të jenë mbi zemrën e Aaronit kur të paraqitet përpara Zotit. Kështu Aaroni do të çojë gjykimin e bijve të Izraelit mbi zemrën e tij para Zotit, vazhdimisht.
31 Do të bësh edhe mantelin e efodit, krejt në ngjyrë vjollce.
32 Në mes të tij do të ketë një hapje për të kaluar kokën; rreth e qark kësaj hapjeje do të ketë një buzë prej stofi të punuar, si hapja e një parzmoreje, me qëllim që të mos shqyhet.
33 Rreth e qark kësaj buze të mantelit do të bësh disa shegë ngjyrë vjollce, të purpurt dhe flakë të kuqe, dhe rreth tyre, zile ari;
34 një zile ari dhe një shegë, një zile ari dhe një shegë, rreth e qark, mbi buzën e mantelit.
35 Aaroni do ta përdorë për të kryer shërbimin; dhe tingulli i saj do të dëgjohet kur të hyjë në vendin e shenjtë përpara Zotit dhe kur të dalë andej, me qëllim që ai të mos vdesë.
36 Do të bësh edhe një pllakë prej ari safi dhe mbi të do të gdhendësh, ashtu siç bëhet mbi një vulë, fjalët: SHENJTÉRI ZOTIT.
37 Do t’i lidhësh asaj një rrip ngjyrë vjollce, për ta bashkuar me çallmën; ajo duhet të ndodhet në pjesën e përparme të çallmës.
38 Kështu do të qëndrojnë mbi ballin e Aaronit, dhe Aaroni do të mbajë fajin të shoqëruar me gjërat e shenjta të paraqitura nga bijtë e Izraelit, në çdo lloj ofertash të shenjta; ajo do të rrijë vazhdimisht mbi ballin e tij, në mënyrë që ato të jenë të mirëpritura nga Zoti.
18 Fëmijë, është ora e fundit. Dhe, sikurse e dëgjuat, antikrishti duhet të vijë, dhe tani janë shfaqur shumë antikrishtë; prej nga e dimë se është ora e fundit.
19 Mes nesh dolën, por nuk ishin nga tanët, sepse, po të ishin nga tanët, do të kishin qëndruar me ne; por kjo ndodhi që të dalë se nuk janë të gjithë nga tanët.
20 Por ju keni vajosjen nga i Shenjti dhe i dini çdo gjë.
21 Nuk ju shkrova juve sepse nuk e njihni të vërtetën, por sepse ju e njihni dhe sepse asnjë gënjeshtër nuk del nga e vërteta.
22 Kush është gënjeshtari, veçse ai që mohon se Jezus është Krishti? Antikrishti është ai, që mohon Atin dhe Birin.
23 Kushdo që mohon Birin, s’ka as Atin; kushdo që njeh Birin, ka edhe Atin.
24 Ajo që ju, pra, dëgjuat nga fillimi le të qëndrojë në ju; në qoftë se ajo që dëgjuat nga fillimi qëndron në ju, edhe ju do të qëndroni në Birin dhe në Atin.
25 Dhe ky është premtimi që ai na bëri: jeta e përjetshme.
26 Ju shkrova këto gjëra për ata që kërkojnë t’ju gënjejnë.
27 Dhe, sa për ju, vajosja që keni marrë prej tij qëndron në ju dhe nuk keni nevojë që ndokush t’ju mësojë; por, duke qenë se vajosja e tij ju mëson çdo gjë dhe është e vërtetë e nuk është gënjeshtër, qëndroni në të ashtu sikurse ju mësoi.
28 Edhe tani, djema, qëndroni në të që, kur të shfaqet ai, ne të mund të kemi besim, dhe në ardhjen e tij të mos turpërohemi para Tij.
29 Në qoftë se e dini se ai është i drejtë, ta dini se kushdo që praktikon drejtësinë ka lindur prej tij.
30 Tani apostujt u mblodhën tek Jezusi dhe i treguan të gjitha ato që kishin bërë dhe i kishin mësuar.
31 Dhe ai u tha atyre: “Ejani veçmas në një vend të vetmuar dhe pushoni pak.” Sepse njerëzit që vinin dhe shkonin ishin aq shumë, sa s’u dilte koha as për të ngrënë.
32 U nisën, pra, me një barkë drejt një vend të vetmuar e të mënjanuar.
33 Porsa turma i pa që u nisën, dhe shumë veta e njohën; dhe nga të gjitha qytetet erdhën aty me këmbë dhe mbërritën përpara tyre; dhe u mblodhën rreth tij.
34 Kur Jezusi doli nga barka, pa një turmë të madhe dhe iu dhimbs, sepse ishin si delet pa bari; dhe nisi t’u mësojë shumë gjëra.
35 Duke qenë se u bë vonë, dishepujt e tij iu afruan dhe i thanë: “Ky vend është i shkretë, dhe tashmë është vonë.
36 Lejoi këta njerëz që të shkojnë në fushat dhe në fshatrat rreth e qark që të blejnë bukë, se s’kanë gjë për të ngrënë.”
37 Por ai, duke iu përgjigjur, u tha atyre: “U jepni ju të hanë!” Ata i thanë: “A duhet të shkojmë ne të blejmë për dyqind denarë bukë dhe t’u japim të hanë?.”
38 Dhe ai u tha atyre: “Sa bukë keni? Shkoni e shikoni.” Ata, mbasi shikuan, thanë: “Pesë bukë e dy peshq.”
39 Atëherë ai i urdhëroi ata që t’i rregullojnë të gjithë, ulur në grupe, mbi barin e njomë.
40 Kështu ata u ulën në grupe nga njëqind e nga pesëdhjetë.
41 Pastaj ai mori pesë bukët dhe dy peshqit, i ngriti sytë nga qielli, i bekoi; i theu bukët dhe ua dha dishepujve të vet, që t’ua shpërndanin atyre; ua ndau gjithashtu dy peshqit të gjithëve.
42 Të gjithë hëngrën sa u ngopën.
43 Dhe mblodhën dymbëdhjetë shporta me copa buke dhe me mbetje peshku.
44 Ata që hëngrën nga ato bukë ishin pesë mijë burra.