Print Page Options
Previous Prev Day Next DayNext

Revised Common Lectionary (Semicontinuous)

Daily Bible readings that follow the church liturgical year, with sequential stories told across multiple weeks.
Duration: 1245 days
Albanian Bible (ALB)
Version
2 i Mbretërve 2:1-2

Kur Zoti deshi ta çonte në qiell Elian në një shakullinë, Elia u nis nga Gilgali bashkë me Eliseun.

Atëherë Elia i tha Eliseut: "Ndalu këtu, të lutem, sepse Zoti më dërgoi deri në Bethel". Por Eliseu u përgjigj: "Ashtu siç është e vërtetë që Zoti rron dhe që edhe ti vetë rron, unë nuk do të lë". Kështu zbritën në Bethel.

2 i Mbretërve 2:6-14

Pastaj Elia i tha: "Ndalu këtu, të lutem, sepse Zoti më çon në Jordan". Ai u përgjigj: "Ashtu siç është e vërtetë që Zoti rron dhe që edhe ti rron, unë nuk do të të lë". Kështu e vazhduan rrugën bashkë.

Pesëdhjetë veta nga radhët e dishepujve të profetëve shkuan pas tyre dhe u ndalën përballë tyre, nga larg, ndërsa Elia dhe Eliseu u ndalën në bregun e Jordanit.

Atëherë Elia mori mantelin e tij, e mbështolli dhe rahu me të ujërat, që u ndanë andej dhe këndej; kështu kaluan që të dy në të thatë.

Mbas kalimit, Elia i tha Eliseut: "Kërko çfarë do që unë të bëj, për ty, para se të më largojnë prej teje". Eliseu u përgjigj: "Të lutem, bëj që një pjesë e dyfishtë e frymës tënde të vijë mbi mua".

10 Elia tha: "Ti ke kërkuar një gjë të vështirë; megjithatë, po të më shohësh kur do të më largojnë prej teje, kjo do të të jepet, përndryshe nuk do ta kesh".

11 Ndërsa ecnin duke folur, ata u ndanë nga njeri tjetri nga një qerre e zjarrtë dhe nga kuaj të zjarrtë, dhe Elia u ngjit në qiell në një shakullinë.

12 Eliseu e pa këtë dhe filloi të bërtasë: "O ati im, o ati im, qerre e Izraelit dhe kalorësia e tij". Pastaj nuk e pa më. Atëherë kapi rrobat e tij dhe i grisi më dysh.

13 Mblodhi pastaj mantelin e Elias që i kishte rënë nga trupi, u kthye prapa dhe u ndal në bregun e Jordanit.

14 Pastaj mori mantelin e Elias që i kishte rënë nga trupi, rrahu ujërat me të dhe tha: "Ku është Zoti, Perëndia i Elias?". Kur edhe ai rrahu ujërat, këto u ndanë sa andej edhe këtej dhe Eliseu kaloi.

Psalmet 77:1-2

77 Zëri im lartohet te Perëndia dhe unë bërtas; zëri im lartohet te Perëndia dhe ai ka për të më dëgjuar.

Ditën e fatkeqësisë sime kërkova Zotin; gjatë natës dora ime mbeti e nderur pa u lodhur dhe shpirti im nuk pranoi të ngushëllohet.

Psalmet 77:11-20

11 Do t’i kujtoj veprat e Zotit; po, do të kujtoj mrekullitë e tua të kohëve të kaluara,

12 do të mendohem thellë për gjithë veprat e tua dhe do të kem parasysh bëmat e tua.

13 O Perëndi, jeta jote është e shenjtë; cili Perëndi është i madh si Perëndia?

14 Ti je Perëndia që kryen mrekulli; ti ke bërë të njihet forca jote midis popujve.

15 Me krahun tënd ke shpenguar popullin tënd, bijtë e Jakobit dhe të Jozefit. (Sela)

16 Ujërat të panë, o Perëndi, ujërat të panë dhe u trëmbën; edhe humnerat u drithtuan.

17 Retë derdhën përmbytje uji, qiejtë gjëmuan dhe shigjetat e tua vepruan.

18 Gjëmimi i bubullimës sate ishte në vorbullën, vetëtimat ndriçuan botën dhe toka u tund dhe u drodh.

19 Ti e hape rrugën tënde në mes të detit, shtegun tënd në mes të ujërave të mëdha, dhe gjurmët e tua nuk u njohën.

20 Ti e udhëheq popullin tënd si një kope me dorën e Moisiut dhe të Aaronit.

Galatasve 5:1

Qëndroni, pra, të patundur në lirinë, me të cilën Krishti na liroi, dhe mos hyni përsëri nën zgjedhën e skllavërisë.

Galatasve 5:13-25

13 Sepse ju, o vëllezër, u thirrët në liri; por mos e përdorni këtë liri si një rast për mishin, por, me dashuri t’i shërbeni njëri-tjetrit.

14 Sepse gjithë ligji përmblidhet në këtë fjalë, të vetme: “Duaje të afërmin tënd porsi vetveten!.”

15 Sepse nëse ju kafshoni dhe hani njëri-tjetrin, ruhuni mos prisheni njëri nga tjetri.

16 Dhe unë them: Ecni sipas Frymës dhe nuk do ta përmbushni dëshirat e mishit,

17 sepse mishi ka dëshira kundër Frymës, dhe Fryma ka dëshira kundër mishit; dhe këto janë të kundërta me njëra-tjetrën, që ju të mos bëni ato që dëshironi.

18 Por në qoftë se udhëhiqeni nga Fryma, ju nuk jeni nën ligj.

19 Dhe veprat e mishit janë të zbuluar dhe janë: kurorëshkelja, kurvëria, ndyrësia, shthurja,

20 idhujtaria, magjia, armiqësimi, grindjet, xhelozitë, mëritë, zënkat, përçarjet, tarafet,

21 smira, vrasjet, të dehurit, grykësia dhe gjëra të ngjashme me këto, për të cilat po ju paralajmëroj, si kurse ju thashë edhe më parë, se ata që i bëjnë këto gjëra nuk do të trashëgojnë mbretërinë e Perëndisë.

22 Por fryti i Frymës është: dashuria, gëzimi, paqja, durimi, mirëdashja, mirësia, besimi, zemërbutësia, vetëkontrolli.

23 Kundër këtyre gjërave nuk ka ligj.

24 Edhe ata që janë të Krishtit e kanë kryqëzuar mishin bashkë me pasionet dhe lakmitë të tij.

25 Në qoftë se rrojmë në Frymë, në Frymë edhe duhet të ecim.

Luka 9:51-62

51 Ndodhi që kur po plotësohej koha që Jezusi duhet të ngrihej në qiell, ai vendosi prerazi të shkojë në Jeruzalem,

52 dhe dërgoi përpara lajmëtarët. Këta, si u nisën, hynë në një fshat të Samaritanëve, për t’i përgatitur ardhjen.

53 Por ata të fshatit nuk deshën ta pranonin, sepse ai ecte me fytyrë të drejtuar nga Jeruzalemi.

54 Kur e panë këtë gjë, dishepujt e vet Jakobi dhe Gjoni thanë: “Zot, a do ti që të themi të zbresë zjarr nga qielli dhe t’i përvëlojë, ashtu si bëri edhe Elia?.”

55 Por ai u kthye nga ata dhe i qortoi duke thënë: “Ju nuk e dini nga cili frymë jeni;

56 sepse Biri i njeriut nuk erdhi për të shkatërruar shpirtërat e njerëzve, po për t’i shpëtuar.” Pastaj shkuan në një fshat tjetër.

57 Ndodhi që, ndërsa po ecnin rrugës, dikush i tha: “Zot, unë do të të ndjek kudo të shkosh.”

58 Por Jezusi i tha: “Dhelprat kanë strofka dhe zogjtë e qiellit fole; kurse Biri i njeriut nuk ka ku ta mbështesë kokën.”

59 Pastaj i tha një tjetri: “Ndiqmë!.” Por ai përgjigjej: “Zot, më lejo më parë të shkoj e të varros atin tim.”

60 Jezusi i tha: “Lëri të vdekurit t’i varrosin të vdekurit e vet; por ti shko dhe prediko mbretërinë e Perëndisë.”

61 Akoma një tjetër i tha: “Zot, unë do të të ndjek ty, por më lejo më parë të ndahem me ata të familjes sime.”

62 Jezusi i tha: “Asnjëri që ka vënë dorë në parmendë dhe kthehet e shikon prapa, nuk është i përshtatshëm për mbretërinë e Perëndisë.”